Category: Tema Islame

  • TË PËRMENDURIT E ALL-LLAHUT DHE DUAJA

    TË PËRMENDURIT E ALL-LLAHUT DHE DUAJA

    Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

    Në lidhje me përmendjen e All-llahut dhe duanë po përmendim ajetet në vijim:

     

    “(O, besimtarë!) Më kujtoni Mua (me lutje e adhurime), që t’ju kujtoj juve (me shpërblime); më falënderoni vetëm Mua e mos më mohoni.” (El-Bekare 152).

    “O ju që besuat, rikujtojeni All-llahun sa më shpesh.” (El-Ahzab 41).

     “Kur të kryeni namazin përmendeni All-llahun, kur jeni në këmbë, ulur e të mbështetur.” (En-Nisa’ 103).

    “O ju që besuat, kur të konfrontoheni me ndonjë grup, përqendrohuni dhe përm­e­n­deni çdo herë All-llahun që të arrini fitoren e dëshiruar.” (El-Enfal 45).

    “O ju që besuat, as pasuria e juaj e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin  prej adhurimit ndaj All-llahut, e kush bën ashtu (shmanget), të tillët janë mu ata të humburit.” (El-Munafikun 9).

    “Të mjerë janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk e përmendin All-llahun.” (Ez-Zumer 22).

    Shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.” (El-Ahzab 35).

    “Zoti juaj ka thënë: Më bëni dua Mua, Unë ju pë­rgjigjem.” (Gafir 60).

     

    Ndërsa në lidhje me duanë (lutjen) po përmendim ajetet në vijim:

     

    “Pra, adhurojeni (luteni) All-llahun me një adhurim të sin­q­e­rtë ndaj Tij, edhe pse jobesimtarët e urrejnë atë (adh­u­rimin).” (Gafir 14).

    “Ai është i Përjetshmi, nuk ka zot tjetër përveç Tij, pra adhurojeni (luteni) Atë me një adhurim të sinqertë.” (Gafir 65).

    “Përkufizoje vetën tënde me ata që lusin Zotin e tyre, mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij.” (El-Kehf 28).

    “Luteni Zotin tuaj, të përulur e në heshtje.” (El-E’raf 55).

    “Dhe luteni Atë duke pasur frikë (dënimin) dhe duke shpresuar (mëshirën). S’ka dyshim se mëshira e All-llahut është pranë atyre të mirëve.” (El-E’raf 56).

    “All-llahu ka emrat më të bukur, andaj thirreni (luteni) Atë (All-llahun) me ata.” (El-E’raf 180).

    “Lutje e vërtetë është vetëm ajo drejtuar Atij.” (Err-Rra’d 14).

    “(Robërit e dalluar të All-llahut) me frikë dhe shpresë e lusin Zotin e tyre.” (Es-Sexhde 16).

    “Lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta, All-llahu është Ai që dëgjon dhe sheh.” (Et-Tevbe 103).

    “E kush ia kthen shpinën udhëzimit (përmendjes) Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?”. Ai (All-llahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot”. Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm.” (Ta-Ha 124-127).

     

    Në vijim, po përmendim disa hadithe që kanë të bëjnë me përmendjen e All-llahut të Madhërishëm:

     

    Nga Ebu Musa El-Esh’ariu radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend All-llahun dhe atij që nuk e përmend është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.” (Shënon Buhariu).

    Ndërsa në transmetimin e Muslimit qëndron: “Shembulli i shtëpisë ku përmendet All-llahu dhe shtëpisë ku nuk përmendet All-llahu është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.” (Shënon Muslimi).

    “Sa herë që një grup njerëzish e përmendin All-llahu dhe për ta studiuar, zbret mbi ta qetësia, i mbulon mëshira, i rrethojnë melaiket dhe All-llahu i përmendë para atyre që janë pranë Tij. (Shënon Ebu Davudi).

    Nga Abdullah ibën Busri radijAll-llahu anhu na përcillet se një njeri tha: O i dërguari i All-llahut: Obligimet e fesë janë bërë shumë për mua (ngarkesë e tepërt), andaj më trego diçka të cilës do t’i përmbahem. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Le të jetë gjuha jote gjithmonë e njomë nga të përmendurit e All-llahut.” (Shënojnë Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe).

    Nga Ebu Derda’ radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: A nuk doni t’ju tregoj për punët tuaja më të mira dhe më të pastra tek Sunduesi juaj; që i lartësojnë më së shumti gradat dhe janë më të mira për ju se shpenzimi i floririt dhe argjendit (për të fituar kënaqësinë e All-llahut) dhe që janë më mirë për ju se ta takoni armikun tuaj e t’i godisni ose t’ju godasin në zverqe?!” I thanë: Po. Ai tha: “Të përmendurit e All-llahut të Madhërishëm.” (Shënojnë Tirmidhiu, Ibën Maxhe dhe Ahmedi).

    www.thirrjaislame.com

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

  • Llojet e shokëve

    Llojet e shokëve

    Cili është dallimi ndërmjet, shokut të interesit, shokut të kënaqësisë dhe shokut të vlerave!

    Shejhu i nderuar Bekr Ebu Zejdi –Allahu e mëshiroftë- në librin e tij ‘’Stolit e kërkuesit të diturisë’’ thotë:

    Llojet e shokëve janë:

    Shoku i interesit

    Shoku i kënaqësive

    Shoku i vlerave

    Shpjegimi:

    Shoku i interesit, është ai i cili shoqërohet me ty, derisa ka dobi prej teje, qoftë pasuri, pozitë apo diçka tjetër. Mirëpo nëse ndërpritet dobia (interesi), ai të bëhet armik i cili nuk të njeh dhe nuk e njeh, e sa të shumtë janë këta. E sa të shumtë janë ata që ngacmojnë të tjerët në mirësitë që ua bëjnë. Nëse u jepet ata pajtohen, por nëse nuk u jepet atëherë të urrejnë. Ky është shoku i interesit.

    Shoku i kënaqësisë, është ai i të shoqëron vetëm për shkak se sa është me ty kënaqet, në biseda, në ndeja… Mirëpo ky nuk të sjell asnjë dobi dhe as që do të të sjelle ndonjë dobi. Nuk të shoqëron pos për të kaluar dhe humbur kohën me ty. Kujdes edhe nga ky lloj shoqërie..

    Shoku i vlerave ,ky është ai i cili të drejton për në çështje që të ngritin dhe të zbukurojnë, dhe të ndalon nga ajo që të nënçmon.. Të hap dyert e mirësive dhe të drejton për në të.. Nëse gabon të ndalon nëpërmjet metodave që nuk të turpërojnë dhe nuk të humbin nderin tënd. Shoku i vlerave ky, është nga ata të rrallët që është shumë e vështirë për t’i pasur sot. Allahu na furnizoftë me shokë të mirë dhe të vlerave, dhe na bëftë të gjithëve prej shokëve të vlershëm. Omer Ibën Hatabi Allahu qoftë i kënaqur me të thotë: Nuk është nderuar me diçka më të mirë ndokush pas islamit sesa të ketë një vëlla të mirë, e nëse gjen ndonjëri prej jush miqësim me ndonjë vëlla, le ta mban atë..

    Imam Shafiu –Allahu e mëshiroftë- thotë: Nëse ke një shokë i cili të ndihmon për në adhurim, atëherë ruaje atë, ngase të gjeturit e një shokut është e vështirë, ndërsa humbja e tij është shumë e lehtë.

    Imam Hasan Basriu –Allahu e mëshiroftë- thotë: Vëllezërit tanë janë më të dashur te ne sesa familjet dhe fëmijët tonë, ngase familjet tona na kujtojnë dynjanë, ndërsa vëllezërit tanë na e kujtojnë ahiretin, dhe prej cilësive të tyre është: Altruizimi (T’i japin përparësi vëllezërve të tyre).Ndërsa Llukman Hakimi djalit të vet i thotë: O biri im, gjëja e parë që ta fitosh pas besimit në Zot që të kesh një vëlla të sinqertë, ngase shembulli i tij është sikur shembulli i pemës, nëse ulesh nën hijen e saj të mban të freskët, nëse merr nga pemët e saj të ushqen, dhe nëse nuk të sjell dobi së paku nuk të dëmton.

     

    Përktheu : S.F

  • GJENDJA E GRAVE NË XHENNET

    GJENDJA E GRAVE NË XHENNET

    Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

    Duke pasur parasysh pyetjet e shumta të grave në lidhje me gjendjen e tyre në xhennet dhe atë që i pret në të, vendosa të bëj një përmbledhje në disa pika për sa i përket kësaj teme, duke u bazuar në argumente të sakta dhe fjalë të dijetarëve. Pas mbështetjes në All-llahun, po filloj me përmendjen e tyre:

    All-llahu i Madhërishëm kur i përmendë gjërat joshëse në xhennet, si llojet e ndryshme të ushqimit, pamjet e bukura, vendbanimet, veshjen etj, në këto pika i përfshinë të dy gjinitë, pra, që të gjithë do të argëtohen me gjërat që u përmendën. Por mbetet një çështje për t’u shtruar, e ajo është se All-llahu i ka joshur burrat me xhennet duke përmendur se çfarë i pret ata prej hyrive dhe grave të bukura, por një gjë e tillë nuk përmendet për gratë… Prandaj, gruaja natyrshëm pyet për shkakun e kësaj gjëje?!

    Përgjigjja:

    1. All-llahu i Madhërishëm thotë: Ai (All-llahu) nuk pyetet se çka punon, po ata, (njerëzit), pyeten.” (EL-Enbija’ 23).

    Por, nuk ka gjë të keqe nëse pyesim për urtësinë e kësaj gjëje duke u bazuar në tekstet sheriatike dhe bazat e islamit. Prandaj po them:

    1. Prej natyrës së grave, siç dihet, është se ato janë të turpshme. Prandaj All-llahu i Madhërishëm nuk i joshë me diçka nga e cila ato ndiejnë turp.
    2. Dëshira e grave për burra nuk është sikur dëshira e burrave për gra. Kjo është arsyeja përse All-llahu i ka joshur burrat me përmendjen e grave të xhennetit, bazuar në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Nuk kam lënë pas vetes sprovë më të madhe për burrat se gratë.” (Shënon Buhariu). Ndërsa për sa i përket gruas, zbukurimi me veshje dhe stolisja me flori ia tejkalon dëshirës së saj për burra, ngase kjo është natyrë në të cilën All-llahu e ka krijuar, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: atë që rritet me stoli.” (Ez-Zuhruf 18).
    3. Shejh Ibën Uthejmini, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Shkaku përse All-llahu i përmendë gratë për burrat është se burri është ai që e kërkon gruan dhe joshet pas saj, ndërsa për sa i përket përmendjs së burrave për gratë, All-llahu i Madhërishëm ka heshtur në këtë çështje. Por kjo nuk do të thotë se ato nuk do të kenë burra. Ato do të kenë burra nga bijtë e Ademit alejhis-selam.”

    Gjendjet e grave në këtë botë janë disa lloje:

    1. Të vdesë para se të martohet.
    2. Të vdesë pas shkurorëzimit pa u martuar me burrë tjetër.
    3. Të jetë e martuar, por burri i saj të mos jetë prej banorëve të xhennetit, All-llahu na ruajt.
    4. Të vdesë pasi të martohet.
    5. T’i vdesë burri dhe ajo të mbetet e pamartuar derisa të vdesë.
    6. T’i vdesë burri dhe të martohet me burrë tjetër pas vdekjes së tij.

    Këto pra janë gjendjet e gruas në këtë botë, ndërsa gjendja e secilës prej saj përkon me një gjendje tjetër në xhennet. Në vazhdim po i përmendim ato:

    1. Gruaja e cila ka vdekur e pamartuar, All-llahu i Madhërishëm e marton atë në xhennet me një burrë të kësaj bote, bazuar në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Në xhennet nuk ka beqarë (të pamartuar).” (Shënon Muslimi). Ibën Uthejmini thotë: “Nëse gruaja në dynja nuk ka përjetuar martesë, atëherë All-llahu i Madhërishëm e marton në xhennet me një burrë me të cilin ajo do të jetë e kënaqur. Begatitë e xhennetit nuk janë ekskluzivisht për burrat, por ato i përfshijë si burrat, ashtu edhe gratë. Ndërsa prej begative të xhennetit është edhe martesa.”
    2. E njëjta gjë vlen edhe për gruan e cila ka vdekur si e shkurorëzuar dhe që nuk është martuar me burrë tjetër.
    3. Po ashtu e njëjta gjë vlen edhe për gruan, burri i së cilës nuk është prej banorëve të xhennetit. Shejh Ibën Uthejmini thotë: “Nëse gruaja është prej banorëve të xhennetit dhe nuk ka përjetuar martesë apo burri i saj nuk është prej banorëve të xhennetit, atëherë kur ajo të hyjë në xhennet, atje do të ketë prej burrave që nuk kanë qenë të martuar në dynja, kështu që ajo do të martohet me njërin prej tyre.
    4. Gruaja e cila vdes pas martesës, në xhennet ajo i takon burrit me të cilin ka qenë e martuar.
    5. Gruaja, të cilës i vdes burri dhe nuk martohet derisa të vdesë, në xhennet i takon burrit që e ka pasur në këtë botë.
    6. Gruaja, të cilës i vdes burri, dhe martohet me burrë tjetër, ajo në xhennet i takon burrit të fundit me të cilin ka qenë e martuar, sado që të jetë numri i tyre, bazuar në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Gruaja i takon burrit të fundit që ka pasur.”, si dhe në fjalët që Hudhejfe ibën Jemani radijAll-llahu anhu ia tha gruas së tij: “Nëse dëshiron të jesh gruaja ime në xhennet, atëherë mos u marto me dikë tjetër pas meje, ngase gruaja në xhennet i takon burrit të fundit me të cilin ka qenë e martuar në dynja.”

    Prandaj All-llahu i Madhërishëm ua ka ndaluar grave të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem të martohen pas vdekjes së tij, sepse ato do të jenë gratë e tij edhe në xhennet.

    Shtojcë:

    Kur gruaja han në xhennet, All-llahu i Madhërishëm ia kthen asaj rininë dhe virgjërinë, bazuar në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Në xhennet nuk hyjnë plaka… All-llahu i Madhërishëm kur t’i futë në xhennet, i shndërron në virgjëresha.”

    Në disa transmetime thuhet se gratë e dynjasë në xhennet do të jenë shumëfish më të bukura se hyritë e xhennetit për shkak të ibadetit të tyre ndaj All-llahut të Madhërishëm.

    Ibën Kajjimi, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Çdo njeri në xhennet është i përkufizuar dhe nuk ka mundësi t’i afrohet gruas së tjetërkujt në xhennet.”

    Pra, xhenneti është stolisur për juve, oj gra, ashtu siç është stolisur për burrat. Prandaj, kini kujdes që të mos humbisni mundësinë për të fituar xhennetin, ngase jeta është e shkurtër dhe pas saj nuk mbetet gjë tjetër veç jetës së përhershme. Le të jetë përhershmëria juaj në xhennet, inshaAllah, dhe dijeni se shpagimi i xhennetit është imani dhe veprat e mira, e jo shpresa e pabazë dhe neglizhenca. Kujtojeni fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Nëse gruaja i falë pesë kohët e namazit, e agjëron muajin e Ramazanit, e ruan nderin e saj dhe e respekton burrin e saj, do t’i thuhet: Hyr në xhennet nga cila derë të dëshirosh.”

    E lus All-llahun e Madhërishëm t’ua bëjë të mundshme grave myslimane fitoren e xhennetit, t’i udhëzojë dhe t’i bëjë udhëzuese, si dhe t’i shpëtojë nga shejtanët njerëz të cilët thërrasin në prishjen dhe shkatërrimin e tyre.

    Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

     

    www.thirrjaislame.com

    Shkroi: Sulejman ibën Salih EL-HARASHI

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

  • PREJ VLERAVE TË SAHABËVE

    PREJ VLERAVE TË SAHABËVE

    Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: All-llahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh.” (Et-Tevbe 100).

    “Vërtet, All-llahu qe i kënaqur me besimtarët kur ata nën hijen e atij druri të zotoheshin ty dhe Ai e dinte se ç’kishin zemrat e tyre, andaj u dhuroi qetësimin dhe së shpejti i shpërbleu me një fitore (çlirimin e Hajberit).” (El-Fet’h 18).

    “Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej All-llahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (All-llahu i shumoi). Për t’ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. All-llahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.” (El-Fet’h 29).

    “(Ajo pronë) U takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe prej pasurisë së tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë prej All-llahut, dhe që ndihmojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij, të tillët janë ata të sinqertit. Edhe ata që përgatitën vendin (Medinen) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoksat e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për te, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar. Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: “Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues!” (El-Hashr 8-10).

    Nga Umran ibën Husajni radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Njerëzit më të mirë të ummetit tim janë gjenerata ime, pastaj ata që vijnë pas tyre, e pastaj ata që vijnë pas tyre.”

    Nga Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: Ummu Bishri më ka thënë se njëherë duke qenë te Hafsa e kishte dëgjuar pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Asnjëri nga pjesëmarrësit e ‘Besëlidhjes së Ridvanit’ nuk do të hyjë në zjarr, inshaAllah.”, ndërsa ajo tha: “Sigurisht, o i dërguari i All-llahut.”, ndërsa Hafsa ia tërhoqi vërejtjen asaj dhe tha: “Dhe nuk ka asnjë prej jush që nuk do t’i afrohet atij (zjarrit të xhehennemit).” Atëherë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “Pastaj, (pas kalimit pranë tij) do t’i shpëtojmë ata që ishin ruajtur (mëkateve), e zullumqarët do t’i lëmë aty të gjunjëzuar.”

    Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Mos i shani sahabët e mi, sepse sikur ndonjëri prej jush të shpenzojë flori edhe sa mali i Uhudit, nuk mund të arrijë qoftë edhe sa grushti i tyre, apo sa gjysma e tij.”

    Nga Nusejr ibën Dhe’luku na përcilet se ka thënë: Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma thoshte: “Mos i shani sahabët e Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ngase vetëm një çast prej jetës së tyre është më i vlefshëm se veprat e tërë jetës suaj.”

    Nga Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “All-llahu ka shikuar zemrat e robërve të Tij dhe ka parë se zemra e Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është zemra më e mirë. Prandaj e ka zgjedhur dhe e ka dërguar me misionin e Tij. Pastaj ka shikuar zemrat e robërve të Tij pas zemrës së Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, dhe ka parë që zemrat e shokëve të tij janë zemrat më të mira, kështu që i ka bërë zëvendës së të dërguarit të Tij, të cilët luftojnë për fenë e tij. Prandaj atë që ata e konsiderojnë si të mirë, edhe tek All-llahu është e mirë, dhe atë që ata e konsiderojnë të keqe, edhe tek All-llahu është e keqe.”

    Nga Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “Ebu Seid El-Hudriu na ka treguar se i dërguari i All-llahut ka thënë: Do të vijë një kohë kur një grup njerëzish do të luftojnë dhe do të thonë: A ka prej jush dikush që e ka shoqëruar të dërguarin e All-llahut? Do t’ju thuhet: Po, dhe do t’ju mundësohet fitorja (nga All-llahu). Pastaj do të vijë një kohë kur një grup njerëzish do të luftojnë dhe do të thonë: A ka prej jush dikush që i ka shoqëruar sahabët e të dërguarit të All-llahut? Do t’ju thuhet: Po, dhe do t’ju mundësohet fitorja (nga All-llahu). Pastaj do të vijë një kohë kur një grup njerëzish do të luftojnë dhe do të thonë: A ka prej jush dikush që i ka shoqëruar ata që i kanë shoqëruar sahabët e të dërguarit të All-llahut? Do t’ju thuhet: Po, dhe do t’ju mundësohet fitorja (nga All-llahu).”

    Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shenjë e imanit është dashuria ndaj ensarëve, ndërsa shenjë e nifakut (hipokrizisë) është urrejtja ndaj ensarëve.”

    Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhuna përcillet se ka thënë: “Nuk i urren ensarët një njeri që beson All-llahun dhe ditën e fundit.”

    Në rastin e Hatib ibën Ebi Belteas radijAll-llahu anhu kur ai deshi t’ua shpalosë mushrikëve sekretin për çlirimin e Mekës, Omeri radijAll-llahu anhu i tha të dërguarit të All-llahut: “O i dërguari i All-llahut, ai e ka tradhtuar All-llahun, të dërguarin e Tij dhe besimtarët. Më jep leje t’ia këpus kokën.” Ndërsa pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “A nuk ka qenë ai pjesëmarrës në luftën e Bedrit; e ku e di ti, mbase All-llahu për pjesëmarrësit e Bedrit ka thënë: Bëni ç’të doni, se të gjitha ua kam falur (do t’ua fali).” Atëherë Omerit radijAll-llahu anhu iu mbushën sytë me lot dhe tha: All-llahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri.

    Nga Berai radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Disa prej shokëve të Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem që kanë qenë pjesëmarrës në luftën e Bedrit më kanë treguar se numri i tyre ka qenë sa numri i ushtarëve të Talutit ë cilët e kaluan lumin bashkë me të, d.m.th. treqind e ca. Berai thotë: Nuk e kanë kaluar lumin bashkë me të, vetëm se besimtarët.”

    Seid ibën Ebi Burde na përcjellë nga i ati i tij se ka thënë: “Një ditë e falëm namazin e akshamit me të dërguarin e All-llahut, dhe thamë: ‘Sikur të presim të falim me të edhe jacinë’ – dhe kështu bëmë, kur ja, ai doli dhe kur na pa aty, tha: “Akoma këtu jeni?” U përgjigjëm: Po, o i dërguari i All-llahut, e falëm me ty namazin e akshamit, e pastaj vendosëm ta falim me ty edhe jacinë. “Shumë mirë keni vepruar” ose “E paskeni qëlluar” – na tha ai. Pastaj e ngriti kokën në qiell, siç e bënte këtë shpeshherë, dhe tha: “Yjet janë siguri për qiellin, nëse ato ikin, atëherë qiellit do t’i vijë ajo që i është premtuar; unë jam siguri për sahabët (shokët) e mi, e kur të iki unë, atyre do t’u vijë ajo që u është premtuar. Ndërsa sahabët e mi janë siguri për ummetin tim, kur të largohen sahabët e mi, ummetit do t’i vijë ajo që i është premtuar.”

    Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

     

    www.thirrjaislame.com

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

  • JA PSE E DUA ALL-LLAHUN!

    JA PSE E DUA ALL-LLAHUN!

    Përkushtim:

     

    Për ata të cilët nuk e duan All-llahun edhepse nuk janë të pavarur nga mirësia e Tij ose të cilët pretendojnë dashurinë e Tij, pa mos u pajtuar më të as sa një levizje e syrit, ose e vazhdojnë veprimin e së keqes edhe përkundër vazhdimit të së mirës nga Ai (All-llahu).

     

    Autori

     

    All-llahu i Madhërishëm thotë: Në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër).” (Ibrahim 34).

     

    Prej begative më të mëdha po përmendim:

     

    1. Begatia e islamit

     

    Sikur All-llahu mos të të donte ty, nuk do të të emërtonte me emrin mysliman, dhe nuk do të zbukuronte ty me bukurinë e imanit (besimit).
    Më thuaj…. A mendon ti se të qenurit tënd mysliman është begati e vogël?! A mendon ndokush nga ne se ai e luti Zotin duke qenë në mitrën e nënës që ta nxjerrë mysliman atë, dhe Ai e nxorri! Apo kërkoi nga All-llahu që ta bëjë atë mysliman duke qenë në kurriz të babait të vet, dhe u pranua duaja e tij! Vëlla…. Falënderoje All-llahun për mirësitë e Tij ndaj teje. Vëlla…. Ka pasur mundësi që të jesh lëndë djegëse e xhehennemit…… si p.sh. te lindesh dhe të vdesësh si mosbesimtar. Por, Ai të do…. Të ka mbrojtur ty nga adhurimi i krijesave dhe të bëri qe t’i bësh sexhde Atij I Cili i krijoi mbretërit dhe robërit…. Të mbrojti nga adhurimi i idhujve dhe të bëri qe t’i nënshtrohesh Atij që të krijoi nga asgjëja.

     

    1. Gjurmët e fuqisë së Tij

     

    Vetëm për arsye se të do, të udhëzoi tek Ai nepërmjet gjurmëve të fuqisë së Tij dhe nëpërmjet fakteve të qarta të madhërisë së Tij që të orientohesh dhe t’i ndjekësh ato… Ata janë të dërguarit e Tij të cilët i dërgoi te njerëzit edhe pse nuk iu zbret atyre vahj (shpallje). Poashtu një nga faktet e Tij është edhe libri i Tij, të cilin e lexon i dijshmi dhe i padijshmi… I Lartëmadhëruar është All-llahu… Krijoi dhe shpiku çdo gjë dhe e emërtoi veten El -Bedi’ (Shpikësi), i zbukuroi dhe i përsosi gjërat, e për atë Ai është El-Xhemil (i Bukuri). Është për t’u çuditur se si nuk e adhuron atë ai i cili i sheh faktet (gjurmët) e Tij?!! Dhe si nuk e njeh Atë ai i cili e sheh dritën e Tij?!! Kur Atë e njohi një beduine e cila tha: “Bajga tregon për ekzistencën e devesë dhe gjurmët e këmbëve tregojnë për ecësin. Qielli i mbushur përplot me yje, toka e mbushur përplot me rrugë dhe detet përplot me dallgë; a nuk tregojnë këto për ekzistencën e të Gjithëdijshmit, të Gjithëinformuarit?!

    Ky është besimi i beduines. E ku mbeti besimi juaj, o myslimanë?!

    Shumicën e këtyre argumenteve për të cilët po të flas, ti i braktisë… i harron… ia lë të tjerëve. Kërkon ta duash atë i cili të braktisë ty dhe e braktisë atë i Cili kërkon që të të dojë. I Lartëmadhëruar është Ai që ua mundëson krijesave njohjen e Tij, ndërsa ata e refuzojnë Atë.

     

    1. E mira e shumëfishuar

     

    Nerëzit zakonisht bashkëpunojnë me ty që të perfitojnë prej teje, ndërsa All-llahu i Madhërishëm do që nga puna yte të përfitosh vet ti. Kjo, sepse çdo e mirë është sa dhjetë të mira e cila shumëfishohet deri në shtatëqind e edhe më tepër. E gjithë kjo ngase Ai të do. Ndërsa e keqja të llogaritet vetëm një, e cila është gjëja që më së shpejti shlyhet. Vetëm një pikë loti i shlyen më mijëra mëkate. Dhe një hap i vogël në adhurim të All-llahut i shlyen mëkatet e bëra. Të shpërblen për veprat e vogla dhe të shlyen mëkate të shumta…. Vetëm për arsye se të do.
    Dëgjo tani ëmbëlsinë e kësaj dashurie në fjalët e Tij. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu i Madhërishëm ka thënë: Kur robi im vendosë (dhe niset) të bëjë një vepër të mirë, por nuk e realizon, Unë ia shkruaj atij si një vepër të mirë. E nëse e realizon, atëherë Unë ia shkruaj si dhjetë vepra të mira. Nëse ai vendosë të bëjë një vepër të keqe, por nuk e bën, atëherë Unë ia fali atij, por nëse e bën, atëherë Unë ia shkruaj si një vepër të keqe.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

     

    1. All-llahu nxiton

     

    All-llahu i Madhërishëm thotë: Nëse robi im më afrohet një pëllëmbë, Unë i afrohem atij një kut; nëse ai më afrohet nje kut, Unë i afrohem një pash, e nëse më vjen duke ecur, Unë i shkoj duke nxituar.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi). Analizoje fjalën e Tij “duke nxituar”!! Përse?! A thua ç’do të përfitojë nga ti?! Larg asaj është Ai, I Lartëmadhëruar është Ai…. Ai e do vetëm atë që është në favorin tënd dhe të dëshiron ty çdo të mirë. Zoti asnjëherë nuk e bën që robi të punojë kesh, e Ai ta shpërblejë me këste ose me vonesë. I Dërguari i All-llahut na ka porositur duke thënë: ”Jepjani punëtorit pagesën (rrogën) para se t’i thahen djersët.” (Shënon Ibën Maxhe). Kështu qëndron puna mes robërve, e a thua si qëndron puna mes Zotit dhe robit?!

     

    1. Një e treta e fundit e natës

     

    Vetëm për shkak së të do, Zoti përçdo natë zbret deri në qiellin e tokës, zbritje kjo e cila është e veçantë vetëm për Të, dhe me butësinë e fjalëve të Tij dhe me ëmbëlsinë e thirrjes së Tij i thërret neglizhentët dhe ata të cilët i ka kapluar gjumi duke u thënë: ”A ka ndonjë që lutet, e t’i përgjigjëm lutjes së tij? A ka ndonjë që kërkon dicka, e t’ia jap atë? A ka ndonjë që kërkon falje e t’ia fal?

    Vëlla… A nuk ke nevojë për All-llahun për sa i përket çështjeve të kësaj bote dhe botës tjetër? A ndoshta mos je i pavarur nga Zoti yt? A nuk je nevojtar më për Të? A i ke zgjidhur të gjitha problemet? A je i liruar nga mundimet…. Ma kthe përgjigjen, ma kthe!! A nuk të mundon (shqetëson) zemërfortësia? A nuk të mundon (shqetëson) largimi yt nga kur’ani? A nuk i ke prishur marrëdhëniet me All-llahun? A nuk ballafaqohesh me probleme të jetës, me mosrespektimin e fëmijeve të tu ndaj teje, me sëmundjen e ndonjërit nga prindërit e tu, me goditjen e ndonjë fatkeqësie apo me sprovë?

    Nëse ballafaqohesh me diçka nga këto, ateherë kthehu tek All-llahu, paraqitja ankesat tua Atij, paraqitja Atij fshehtësitë e tua…. në këtë kohë, pra në një të tretën e fundit të natës. Në këtë kohë vjen në shprehje fundi i mundimeve, fillimi i kënaqësive, fitimi i xhenneteve dhe kujdesi hyjnor ndaj teje.

     

    Çudi me ty!!

     

    Ia paraqet nevojat e tua atij të cilit t’i ka mbyllur dyert, e e braktisë Atë I Cili i ka dyert e hapura deri në ditën e kijametit. A nuk turpërohesh pak?!

    Vetëm për arsye se të do…. edhe krahas kërkesave të shumta, Ai nuk e ndalë mirësinë dhe bujarinë ndaj teje. Vetëm për arsye se të do…. nuk e pëngojnë kundërshtimet e kundërshtuesve, numri i madh i mëkatarëve dhe rezistenca e kokëfortëve që të vazhdojë të zbresë për çdo natë. Edhe përkundër shkëlqesisë dhe madhështisë së Tij, Ai nuk nguron t’u kushtojë kujdes robërve te Vet.
    Kjo, pra është dashuria e Tij ndaj teje, e ku mbeti dashuria yte ndaj Tij?!
    Sikur të të thërriste babai yt dhe të kërkonte diçka prej teje, ti do t’i përgjigjeshe. E kur të thërret All-llahu i Madhërishëm dhe kërkon diçka prej teje, ti pasivizohesh!!

    Nëse ndonjëri nga shokët e tu të ofron ndonjë ndihmë, e pas do kohe kërkon nga ti në mes të natës që t’ia kthesh atë, nuk do të nguroshe ta ndihmoje. E përse po nguron nga Ai I Cili të ka vërshuar me detin e Tij përplot me begati? Ku është kthimi i të mirës, o përbuzës i saj?!
    Dashuri e përplotë

     

    Edhe përkundër mëkatëve të tua të shumta, bamirësia e All-llahut ndaj teje shpeshherë u shumëfishua. Dhe përkundër shpeshtimit të thyerjes së premtimëve ndaj Tij, Ai nuk t’i ndali begatitë, madje edhe ta mundësoi që të furnizohesh me xhennet. Ai ta dërgoi udhëzuesin (pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe e cilësoi atë si i butë dhe i mëshirshem ndaj besimtarëve. Ta dha mundësinë që të furnizohesh me xhennetin Adën të cilin e mbolli me Dorën e Tij…. meDorën e Tij…. vetëm për arsye se të do. Të përqendroi në adhurim ndaj Tij dhe të ndihmoi që të bësh vepra të mira. Ta bëri të dashur imanin (besimin) dhe ta zbukuroi atë në zemrën tënde… E mbolli në zemrën tënde natyrshmerinë e pastër të islamit, dhe të njoftoi me veten para se ti ta kërkosh atë.
    I urdhëroi melekët që t’i bëjnë sexhde babait tënd, Ademit alejhis-selam. Bile e përzuri Iblisin (shejtanin) nga qielli, e nxorri dhe e largoi nga xhenneti, vetëm për arsye se nuk të bëri sexhde ty, e ti, atëhere akoma ke qenë pikë sperme në kurrizin e babait tënd, Ademit alejhis-selam.

    A dëshiron të të shtoj diçka më tepër se kjo?

    Ja pra, merre këtë: Të urdhëroi që ta lusësh Atë, jo pse Ai ka nevojë për ty, por që ti të arrish begati edhe më të mëdha. Merre edhe këtë: Të urdhëroi që ta përmendësh Atë, jo që Ai të përfitojë dika nga kjo, por që të ta perkujtojë bamirësinë, bujarinë dhe nderimin e Tij ndaj teje. Ja edhe këtë: Të urdhëroi që të kërkosh prej Tij, që të të japë, bile t’i ka dhënë begatitë më të mira dhe vlerat më të larta pa mos i kërkuar aspak… A nuk vërteton e gjithë kjo se Ai të do?

     

    1. Sprova

     

    Vetëm për arsye se të do, të sprovon! A nuk e ke dëgjuar fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: ”Kujt All-llahu ia dëshiron të mirën, e sprovon.” (Shënon Buhariu).

    – Të sprovon, për të ta ngritur gradën në xhennet….Vetëm për arsye se të do.

    – Të sprovon, që të vetëdijësohesh për moskujdesin tënd dhe të kthjellohesh nga agonia e mëkateve të tua….Vetëm për arsye se të do.

    – Të sprovon, që të t’i shlyejë mëkatet të cilat të fusin në xhehennem….Vetëm për arsye se të do.

    – Të sprovon, që t’ia dish vlerën begative të All-llahut, që ta falënderosh Atë, edhe kjo poashtu….Vetëm për arsye se të do.

    – Të sprovon, që ta kuptosh se kjo botë nuk është kushedi sa e vlefshme, keshtuqë të përmallohesh për ahiretin, edhe kjo….Vetëm për arsye se të do.

    – Të sprovon, që ta arrish kënaqësinë e All-llahut, kështuqë edhe Ai të jetë i Kënaqur me ty….Vetëm për arsye se të do.

    – Të sprovon, që të jesh sa më modest (inferior) dhe ta lusësh Atë nga fundi i natës (para agimit) që t’i përgjigjët lutjes tënde mënjeherë, dhe që të ta kompenzojë humbjen e ndonjë begatie me begati të tjera të shumta….Vetëm për arsye se të do.

    – Të sprovon, që të hysh në xhennet nga dyert më të gjëra të tij dhe në mënyrën më të lehtë….

    All-llahu i Madhërishëm në kur’anin famëlartë thotë: ”E të durueshëmve u jepët shpërblimi i tyre pa masë”. (Ez-zumer 10)

     

    Sprova në të mirë është më e rëndë

     

    Ibën Kajjimi, All-llahu e mëshiroftë thotë: ”Durimi në të mirë është më i rëndë sepse shoqërohet nga mundësia. Andaj, i urituri më tepër duron në mungesë të ushqimit se sa në prezencën e tij. Dhe poashtu burri është më durimtar në mungesë të gruas se sa në prezencën e saj”.

     

    1. Zgjedhja dhe udhëzimi në adhurimin e Tij

     

    All-llahu i Madhërishëm në kur’anin famëmadh thotë: ”Sikur të mos ishte mirësia e All-llahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush prej jush nuk do të pastrohej kurrë (prej mëkateve).” (En-Nur 21). E mira buron nga mirësia e Tij dhe arrihet nëpërmjet butësisë së Tij, e pastaj Ai e pranon atë prej teje, dhe të lavdëron. Vallahi…. sikur të mos ekzistonte All-llahu, kurrë nuk do të ishte bërë ndonjë sexhde nga ndokush, sikur të mos ekzistonte dashuria e Tij ndaj nesh, nuk do të mundej ndokush që ta adhuronte Atë ashtu siç Ai e meriton dhe nuk do të ishte në gjendje ibadetxhiu që ta kryejë ibadetin ashtu siç i ka hije.
    Ta njohësh All-llahun është dhunti. T’i afrohesh Atij me zemër është dhunti, leximi i kur’anit është dhunti, ta falënderosh All-llahun për dhuntitë e Tij është dhunti. Na kanë kapluar dhuntitë e Tij, e nuk kthehemi që të dijmë se si ta falënderojmë All-llahun për to. I Lartëmadhëruar është Ai, Shpikësi i këtyre dhuntive para se t’i realizojë ato. Dhe vazhduesi i realizimit të tyre para se të falënderohet nga ndokush.

     

    1. Mbrojtja dhe pastrimi nga mëkatet

     

    Vetëm për arsye se të do…. të ka shpëtuar dhe të ka mbrojtur nga shumë e shumë mëkate, të ka larguar nga ato dhe të ka udhëzuar. Duhet ditur se mëkati nuk është i njëjtë me kufrin (mosbesimin). Për këtë arsye Hakim ibën Hizami radijAll-llahu anhu e përmendë dhuntinë e All-llahut ndaj tij kur All-llahu e udhëzoi në Islam para se t’ia marrë shpirtin, dhe zakonisht kur betohej i thoshte këto fjalë: ”Pasha Atë I Cili më shpëtoi nga vdekja ditën e Bedrit.”

    Mbrojtja dhe pastrimi nga mëkatet nuk është e vetmja shenjë që simbolizon se All-llahu të do, por, gjithashtu edhe vazhdimësia e mbrojtjes sate nga ana e All-llahut është shenjë që simbolizon dashurinë e All-llahut ndaj teje, siç është rasti i Ebu Sufjanit, kreu i qafirave në luftën e bedrit, të cilin All-llahu e shpetoi dhe e udhëzoi në fenë islame…. Dëgjo tani fjalët e tij që ua tha familjes në prag të vdekjes: ”Mos qani për mua, se unë prej se e kam pranuar islamin, nuk jam njollosur me mëkate.” Ndërsa prej pranimit të Islamit e deri në vdekje jetoi 12 vite.

    E me vazhdimësinë dhe përqendrimin në Islam, vjen edhe ndihma e All-llahut për adhurimin e Tij dhe përkujtimi i vlerës së adhurimit në ato momente kur të ngacmon vetvetja dhe të nxitë në lënien e adhurimit, siç i ndodhi Sehl ibën Abdullah Et-Tusteriut.

    Thuhet se Sehl ibn Abdullah Et-Tusteriu agjëronte shumë. E një ditë prej ditëve kaloi pranë një njeriu që shiste hurma, dhe ia terhoqën syrin disa hurma të freskëta të cilat ia kishte ëndja, dhe sikur diçka nga brendia i thoshte: ”Prej teje i gjeta të gjitha telashet, me lë pa gjumë natën, me etë (me lë pa ujë) në pikë të ditës kur është më nxehtë. M’i jep këto hurma, e pastaj bën me mua ç’të duash, më shfrytëzo në adhurim ndaj All-llahut ku dhe si të duash. Kështu, Sehli vendosi t’i blejë hurmat, poashtu bleu një copë bukë, pak mish të pjekur dhe gjeti një vend për të ngrënë. Kur ja, dy veta po grindeshin mes vete, e njëri prej tyre thoshte: ”Unë jam në të drejtë, e ti jo.” A dëshiron të të betohem se jam në të drejtë? Tjetri tha: “Po, betohu.” Ai u betua dhe tha: ”Pasha Zotin e agjëruesve, unë jam në të drejtë në atë që po pretendoj.” Sehli tha: Ky sikur qenka i dërguar i All-llahut për mua. Pastaj e rroku mjekrën me dorë dhe tha: ”O Sehl, erdhi puna deri aty që njerëzit, për shkak të nderit dhe agjerimit të betohën me të (agjërimin), e ti po e prish agjërimin për disa hurma?!!”

     

    1. Mosshkatërrimi për shkak të mëkateve

     

    All-llahu i Madhërishëm thotë: ”E sikur All-llahu t’i ndëshkonte njerëzit sipas veprave (të keqia) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e tokës asnjë Gjallesë.” (Fatir 45)

    Vallahi, sikur All-llahu të na e merrte si vlerësim atë që e kemi bërë me duart tona, do të na ndëshkonte. Por Ai nuk është mizor ndaj nesh, bile as ndaj sendit më të thjeshtë në sipërfaqën e tokës. Për këtë arsye disa njerëz të devotshëm çdoherë kur pinin ujë, e përkujtonin këtë mirësi të All-llahut dhe thonin: ”Falënderimi i takon All-llahut I Cili e bëri këtë ujë të pijshëm me mëshirën e Tij, e nuk e bëri të papijshëm me mëkatet tona.” Sa e sa herë e ke lutur All-llahun kur ke pasur ndonjë vështirësi, e kur ta ka larguar vështirësinë, e ke harruar! Dhe sa e sa herë kur ke bërë mëkat je kthyer tek Ai që të ta realizojë kërkesën tënde, e kur iu përgjigj kërkesës, ti ia ktheve shpinën. Por, edhepse ia ktheve shpinën , Ai nuk e ndërpreu lidhjen me ty. Edhepse i bërë mëkat, Ai nuk ta ndali mirësinë….

    A e kuptove tani se deri në ç’farë shkalle të do?!

     

    1. Lehtësimi i adhurimit, përkundër shpërblimit të madh

     

    Shikoi këto shpërblime në hadithet që vijojnë:

    “Nuk ka ndonjë njeri që më çon mua salavat njëqind herë, e që të mos ia fal All-llahu mëkatet atij”. (Sahih)

    Kush e din dhe bindet se Unë jam Ai që i fali mëkatet, Unë ia fali Atij dhe nuk e kam dert, përderisa nuk më bën shirk (rival)” (hadith kuddsij,hasen).

    Kush merr abdes kështu (dmth si Pejgamberi a.s), i falën atij mëkatet që i ka bërë në të kaluaren, ndërsa namazi (2 rekate që falët pas abdestit) dhe ecja e tij deri në xhami i llogaritet nafile”. (Sahih)

    “Kush shkon deri në xhami për të falur një namaz farz me xhemat, i konsiderohet sikur të këtë bërë një haxh, e kush shkon deri në xhami për të falur nafile, i konsiderohet sikur të këtë bërë një umre nafile.”

    “Nuk ka popull i cili e përmend All-llahun, e që mos t’i thërret ata një thirrës nga qielli, e t’u thotë: Çohuni se u janë pastruar mëkatet e juaja.”

    “Ai i cili thotë: ”SubhanAll-llahi ve bihamdihi’ njëqind herë në ditë, i bien mëkatet (nga trupi) edhe nëse janë sa shkuma e detit.”

    “Një njëri kaloi pranë një degë të pemës e cila gjendej në mes të rrugës dhe tha: Vallahi do t’ua largoj anash këtë degë myslimanëve që të mos u pengojë, që të hy në xhennet.”

    “Kush pastrohet në ditën e Xhuma, shkon herët në xhami në këmbë, i shkon afër imamit, heshtë dhe e dëgjon me vëmendje, nuk flet fjalë të kota, për çdo hap që e bën nga shtëpia e tij deri në xhami do t’i llogaritet si veprim i një viti, agjërim dhe namaz nate.”

     

    1. E dua All-llahun vetëm se është:

     

    El-Gaffar (Ai që falë shumë)

     

    Fjala arabe “gafere” është sinonim i fjalës “setere” (fsheh, mbulon). Ndërsa El-Gaffar është Ai që e tregoi (nxorri në shesh) veprën e bukur dhe e fshehi të shëmtuarën. Të sheh kur bën mëkate dhe nuk të turpëron para të tjerëve duke t’i nxjerrur mëkatet në shesh). Ndërsa ti e lufton Atë me mëkate, e Ai nuk t’i zbulon turpet. I fsheh mëkatet dhe të metat e tua nga sytë e njerëzve, ta zbukuron pamjen e jashtme dhe ta mbulon brendësinë tënde, kështuqë njerëzit nuk e dinë se ti e do të keqen, mashtrimin, tradhtinë, dëshirën për të bërë mëkat, dhe të menduarit keq për të tjerët. E sikur ta dinin ata, do të të urrenin dhe nuk do të nderonin dhe do të të luftonin dhe nuk do të të donin.

    Vëlla…. Të nxjerrim së bashku diçka prej detit të vrullshëm të dashurisë nga kuptimi i fjalëve të All-llahut të Madhërishëm i Cili në një hadith kudsijj thotë: “O i biri i Ademit…. derisa ti më lutë dhe në Mua mbështetesh dhe shpreson, Unë do të t’i fal ato që ti i vepron dhe nuk e kam dert. O i biri i Ademit, sikur mëkatet e tua të arrinin deri në qiell, e ti më kërkon falje, Unë do të të fal dhe nuk e kam dert. O i biri i Ademit, sikur të ma sjellësh plot tokën me mëkate, e pastaj të më takosh duke mos më bërë shirk (rival), Unë ty do të ta sjell plot tokën me falje.”

    Po të pyes për hirin e All-llahut…. A e bën gjithë këtë ndokush tjetër përpos Atij që të do?! Jo vetëm që nuk e harron atë i cili e përkujton Atë, por madje e përkujton edhe atë i cili e harron Atë. Bëhet i afërt me atë i cili i bën mëkat Atij, dhe nuk ia ndalon afrimin atij që e lufton (kundërshton) Atë. Nuk e refuzon atë i cili e lutë, dhe nuk e lë atë i cili ia kthen shpinën.

    Ua fali magjistarëve të faraonit dhe i ngriti në shkallën e shehidëve. Ia pranoi pendimin gruas nga fisi Gamidij, i cili pendim sikur t’u ndahej shtatëdhjetë personave të Medinës, do t’u mjaftonte. Dhe akoma, lumi i dashurisë së All-llahut ndaj nesh vazhdon të rrjedhë pandërprerë nëpër shekuj.

    Vetëm për arsye së të do, Ai gëzohet kur t’i i kthehesh Atij me shumë së sa gezohesh ti kur Ai të kthehet ty. Pejgamberi a.s thotë: ”All-llahu gëzohet për pendimin e robit më tepër se sa një njeri të cilit i humb deveja në shkretëtirë, kurse me të edhe i tërë uji, ushqimi dhe hija. E kërkon, derisa e humb shpresën për ta gjetur, e pastaj nga lodhja e tepërt e zë gjumi nën hijen e një lisi duke e pritur vdekjen, dhe për një çast i del gjumi, e kur ja, deveja e vet pranë tij, i është ngatërruar litari për lisi. E All-llahu gëzohet për pendimin e robit më tepër se sa ky njeri për devenë e vet.”

    Ky gëzim është gëzim bëmirësie dhe butësie, e jo gëzim se All-llahu ka nevojë dhe dobi nga pendimi i robit. Gëzohet më atë, ibadeti i të cilit dhe i të tjerëve si ai, nuk peshon në pronën (pasurinë) e Tij as sa një grimcë dheu. Kush je ti o varfanjak që të të afrohet ty më i pasuri i të pasurve?! Sa peshon ti o i ngratë, që të të doje ty I Larti?! Dhe perkundër kësaj, fal mëkate, e dëshiron dashurinë e robërve dhe sillet butë. Të mënduarit e njeriut se Zoti nuk do t’i fal mëkatet,All-llahu konsideron si një prej mëkateve më të mëdha!!

    Abdullah ibn Mubareku transmeton dhe thotë: ”Shkova te Sufjan Eth-Theuriu natën e Arafatit dhe e gjeta te gjunjëzuar, ndërsa sytë i kishte të mbushur përplot me lotë, dhe i thashë: Cili prej këtij grupi të madh tënjerëzve është në gjendje më të keqe? Ai u përgjigj: Ai i cili mëndon se All-llahu nuk falë mëkate.”

     

    Dashuri e përplotë

     

    Transmetohet se Fudajl ibn Ijjadi shikoi se si njerëzit natën e arafatit e madhëronin All-llahun dhe qanin, dhe tha: Çka mendoni sikur të gjithë këta të shkojnë deri të një njeri dhe t’i kërkojnë një danik (1/6 e dirhemit), a do t’ua refuzonte kërkesën? Jo – thanë ata. Pastaj Fudajli tha: Vallahi, falja e mëkateve nga ana e All-llahut është më e lehtë (thjeshtë) se sa pergjigjja e këtij njeriu ndaj kërkesës së këtij grupi njerëzish.

     

    Err-Rrahman (Mëshiruesi, Mëshirëploti)

     

    Për sasinë e mëshirës së All-llahut që nuk mund ta imagjinojmë, na shprehet pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cili thotë: ”Sikur ta dinit sasinë e mëshirës së All-llahut, do të mbështetëshit në të.”

    Mëshira e All-llahut në të cilin jemi të fundosur manifestohet në disa forma të shkëqyeshme. Sa për ilustrim:

    – All-llahu është i turpshëm dhe bujar, e nëse robi i ngrit duart duke iu lutur Atij, Ai turpërohet t’ia kthejë lutjen bosh, dhe kjo, vetëm për arsye se të do.

    – Ai heshti për disa gjëra dhe nuk e permendi ndalimin apo lejimin e tyre, vetëm si mëshirë ndaj nesh e jo nga harresa, dhe kjo, vetëm për arsye së të do.

    – Gjithashtu prej mëshirës së Tij është mbrojtja (kujdesi) e Tij ndaj robit besimtar nga kjo botë, kur për All-llahun ka qenë e ditur se ajo (bota) do ta bëjë atë tejkalues të kufijve dhe do ta shmangë nga rruga e vërtetë, siç na e bën me dije këtë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cili thotë: ”Më të vërtetë All-llahu do të ketë kujdes dhe do ta mbrojë robin e vet besimtar nga kjo botë dhe do ta dojë, ashtu siç kujdeseni për ta ushqyer dhe për t’i dhënë ujë të sëmurit tuaj.” Dhe kjo, vetëm për arsye se te do.

    – Prej mëshirës së Tij është edhe ajo se i mbron robërit mëkatarë prej qiellit i cili kërkon që t’i gjuajë me gurë, prej tokës e cila kërkon që t’i shembë, dhe prej detit i cili kërkon që t’i përmbysë, por Ai i qetëson (ngadalëson) ato duke e shpresuar pendimin e robërve. Edhe kjo, vetëm për arsye se të do.

    – Prej mëshirës së Tij është edhe ajo se askush nga krijesat e Tij nuk është në gjendje ta ndalojë apo pengojë mëshirën e Tij ndaj të dashurve të Vet. All-llahu i Madhërishëm thotë: ”Atë që All-llahu ua dhuron njerëzve nga mëshira e Tij, nuk ka kush që mund ta pengojë.” (Fatir 2).

    Ai i cili e kërkon mëshirën e All-llahut, nuk e ka vështirë ta gjejë atë, në çdo kohë dhe vend. E gjeti atë Ibrahimi alejhis-selam mu në mes të zjarrit. E gjeti Jusufi alejhis-selam në fund të pusit dhe në errësirën e thellë të burgut. E gjeti Junusi alejhis-selam në barkun e balenës. E gjeti Musai alejhis-selam në lumë qysh duke qenë foshnje dhe në pallatin e faraonit duke qenë i pritur nga ai. E gjetën edhe banorët e shpellës (as’habul kehf) të cilët e patën humbur atë (mëshirën) në pallate. Dhe e gjeti poashtu edhe Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me shokun e tij Ebu Bekrin radijAll-llahu anhu në shpellë, duke qenë i dëbuar.

    Ktheje memorinë e kujtimeve të tua që të të kujtohet se ku e ke gjetur mëshirën e All-llahut dhe sa e sa herë e ke shijuar (përjetuar), dhe çuditu me harresën tënde ndaj mëshirës së Tij.

     

    Ndalu një moment!

     

    Mëgjithëkëtë, të gjitha këto mëshira të kësaj bote, nuk arrijnë në mëshirat e përgjithshme të cilat i krijoi All-llahu më teper se 1%. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: ”All-llahu i Madhërishëm ditën kur i krijoi qiejt dhe tokën, krijoi poashtu njëqind mëshira. Distanca e çdo mëshire me tjetrën është sa distanca mes qiellit dhe tokës. Dhe prej tyre njërën e lëshoi në tokë më të cilën nëna e mëshiron fëmijën e saj, poashtu egërsirat dhe shpezët mëshirohën mes vete. Dhe i prolongoi nëntëdhjetë e nëntë, e në ditën e kijametit i përmbushë (plotëson ato) me këtë mëshirë.”

    Kështu, p.sh. mëshira e prindërve të tu ndaj teje sado që të jetë e madhe, ajo është vetëmse një pjesë e një pjese të njëqind pjesëve të mëshirës.

    Dijetari islam Hammad ibn Seleme thoshte: ”Nuk më gëzon nëse puna (brenga) ime në ditën e gjykimit i lihet në dorë prindërve të mi, se më të vërtetë Zoti është më i mëshirshëm ndaj meje se prindërit e mi.”

     

    El-Letif (I Buti, I Mirësjellshmi)

     

    Butësia është mëshirë e fshehur (sekrete) që e përfshin diturinë e All-llahut në lidhje me interesat dhe dobitë e njeriut, dhe bartjen e tyre tek ai në mënyrë të butë (mirë). Prej butësisë (mirësjelljës) së Tij po përmendim:

    – Butësia (mirësjellja) e Tij ndaj embrionit në mitrën e nënës në tri errësira, bartja e ushqimit deri tek ai, si dhe largimi i gjërave të panevojshme për të.

    – Dëshira e Tij për lehtësim ndaj robërve. All-llahu i Madhërishëm thotë: ”All-llahu ju dëshiron juve lehtësimin dhe nuk do që t’i veshtirësoje gjërat për ju.” (El-Bekare 185). E për këtë arsye, All-llahu e bëri haxhin obligim vetëm për ata që kanë mundësi. Poashtu bëri lëshime (lehtësime) në shkurtimin e namazit dhe prishjen e agjërimit gjatë udhëtimit.

    – Ruajtja e robërve nga ajo që i dëmton. All-llahu i Madhërishëm thotë: ”Ai (njeriu) ka përcjellës (roje) të përherëshëm para dhe prapa tij, qe më urdhërin e All-llahut e ruajnë atë.” (Err-Rra’d 11).

    Hasen El-Basriu thotë: “Ata jenë melaike të cilët e ruajnë njeriun nga çdo e keqe, e kur ngjan kaderi, ata largohen nga ai.”

    Këtë mirësjellje (butësi) ta bën të qartë Fudajl ibn Ijjadi, i cili thotë: “Sa e sa herë armiku i njeriut ka dashur që ta dëmtojë atë (njeriun) dhe All-llahu ia ka larguar atë atij, e ai as që e ka hetuar, e pastaj lexoi ajetin kur’anor: “Përkujtonie mirësinë e All-llahut ndaj jush kur, një popull tëntoi të zgjasë duart e veta (për mbytje) kundër jush, kurse Ai zmbrapsi duart e tyre prej jush.” (El-Maide 11).

    – Begatia (dhuntia) e vdekjes. A e di, o njeri, se çdo të kishte ngjarë sikur All-llahu të mos e krijonte vdekjen? A thua, vallë, çdo të ndodhte nëse vetëm dy miza do të shumoheshin pa vdekur aspak?! Do të mbulohej toka aq tepër me miza sa që do të formohej një shtresë mizash në lartësi prej 5 cm e cila do ta mbulonte shtresën e tokës vetëm gjatë dy viteve!! (e dhënë shkencore).

    – Të mirat në përgjithësi…. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: ”O Zoti im, kërkoj nga Ti të gjitha të mirat, të kësaj bote dhe të ahiretit, atë që e di dhe atë që nuk e di. Dhe prej Teje kërkoj mbrojtjen nga të gjitha të këqiat, të kësaj bote dhe të ahiretit, atë që e di dhe atë që nuk e di.”

    Kështu pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na e bën neve të qartë mirësjelljën (butësinë) e All-llahut ndaj nesh dhe na mëson se All-llahu është I Vetmi I Cili e di se çka na dëmton e çka na sjell dobi dhe çka na përmirëson e çka na çrregullon. Andaj, ta lëmë punën tonë në dorën e Tij dhe t’i lutemi me këtë dua përmbledhëse dhe t’ia lëmë Atij që të zgjedhë për neve atë që dëshiron Ai.

     

    E çka mbetet pas gjithë kësaj?

     

    1. Të mbetet që të bësh një ulje meditimi dhe vrojtimi në krijesat e All-llahut që të të shtohet imani (besimi) dhe që ta gjesh (njohësh) Krijuesin tënd. Ose të marrish pjesë në ndonjë seminar (kruzhok) me temë “Mrekullite shkencore ne kur’an”, i cili të shpie në të njëjtin cak.
    2. Lute Zotin (fshehurazi) aty kah përfundimi i natës (para agimit), në ato çaste kur, çdo i dashur vetmohet me të dashurin e vet, dhe nënshtroju me përkushtim Zotit tënd I Cili të do, dhe lutu për çka të duash.
    3. Ki kujdes ndaj kryerjes së ibadeteve. E nëse eventualisht të ik ndonjë ibadet, atëherë përkushtoju ndonjë ibadeti tjetër, sepse ibadetet janë të llojllojta dhe të shumta.
    4. Formo mendim (përshtypje) të mirë për Zotin I Cili thotë: ”Unë jam në mendimet e robit tim, e le të mendojë ai për Mua ç’te dojë.” Dhe kiji dro njërit prej mëkatëve më të mëdha, e që është nënvlerësimi i mëshirës së All-llahut, dhe konsiderimi (bindja) se është e pamundshme që All-llahu t’ia falë ndokujt edhe nëse është i fundosur në mëkate.
    5. Ai i cili e do një gjë më tepër se dhikrin (përmendjen) e All-llahut, ajo gjë ia pengon atij dhikrin ndaj Tij. Ibën Kajjimi thotë: ”Çudi me atë i cili pretendon se e do ndokënd dhe në të njejtën kohë ka nevojë për dikë që t’ia përkujtojë të dashurin e tij, dhe nuk e përmend të dashurin pa mos ia përkujtuar ndokush atë. E shenja më e vogël që tregon për dashurinë është se nuk të bën ta harrosh të dashurin.”
    6. Ai që e don Zotin, pajtohet (është i kënaqur) me të fshehurazi dhe haptazi. E për këtë arsye, ibadeti që bëhët fshehurazi e ka shpërblimin më të madh (siç është p.sh lëmosha e fshehtë).

     

    Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të gjithë Botërave.
    www.thirrjaislame.com
    Shkroi: Halid EBU SHADI

    Përktheu: Fahrudin REXHEPI

  • RRUGA PËR XHENNET

    RRUGA PËR XHENNET

    Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

    Në vazhdim do t’i përmendim disa hadithe që na ndihmojnë të gjejmë rrugën për xhennet:

    1. “Kush e takon All-llahun pa i bërë Atij shirk, do të hyjë në xhennet.” (Shënon Buhariu).
    2. “Kush e beson All-llahun dhe të dërguarin e Tij, e falë namazin dhe e agjëron ramazanin, All-llahu ia ka bërë obligim Vetes që këtë njeri ta fusë në xhennet.” (Shënon Buhariu).
    3. “Kush ndërton një xhami duke pasur për qëllim arritjen e kënaqësisë së All-llahut, All-llahu do t’i ndërtojë atij një pallat në xhennet.” (Shënon Buhariu).
    4. “Kush i falë dy namazet e ftohta (sabahun dhe ikindinë), do të hyjë në xhennet.” (Shënon Buhariu).
    5. “Sa herë që dikush shkon në xhami, All-llahu për këtë i përgatit një vend gostie në xhennet.” (Shënon Buhariu).
    6. Kush ma garanton atë që ka mes dy nofullave dhe atë që ka mes dy këmbëve, unë ia garantoj xhennetin.” (Shënon Buhariu).
    7. Kushdo që fal dymbëdhjetë reqate (sunnete) gjatë ditës dhe natës, do t’i ndërtohet një shtëpi në xhennet: katër reqate para drekës dhe dy pas saj, dy reqate pas akshamit, dy reqate pas jacisë dhe dy reqate para sabahut.” (Shënon Muslimi).
    8. “Kush ndjek një rrugë për t’u pajisur me dituri, All-llahu me anë të kësaj do t’ia lehtësojë rrugën për në xhennet.” (Shënon Muslimi).
    9. “Kush e thotë (përsëritë) nga zemra atë që e thotë myezini, do të hyjë në xhennet.” (Shënon Ebu Davudi).
    10. Kush merr abdest si duhet, pastaj falë dy reqate (namaz nafile) me përqendrim dhe kënaqësi në to, xhenneti do t’i patjetërsohet.” (Shënon Ebu Davudi).
    11. “Kush thotë: Jam i kënaqur me All-llahun për Zot, me islamin për fe dhe me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për pejgamber, xhenneti i bëhet obligim.” (Shënon Ebu Davudi).
    12. “Kush e ka fjalën e fundit (në këtë botë) ‘La ilahe Il-lAllah’, do të hyjë në xhennet.” (Shënon Ebu Davudi).
    13. “Kush thotë: ‘SubhanAll-llahil-Adhim ve bihamdihi’, atij do t’i mbillet një palmë në xhennet.” (Shënon Tirmidhiu).
    14. “Kush vdes duke qenë i pastër nga tri gjëra: Mendjemadhësia, teprimi dhe borxhi, do të hyjë në xhennet.” (Shënon Tirmidhiu).
    15. “Kush i rritë dy vajza, do të hyjë me mua në xhennet.” (Shënon Tirmidhiu).
    16. “Kush e kërkon prej All-llahut xhennetin tri herë, xhenneti thotë: O All-llah, bëje banor të xhennetit.” (Shënon Tirmidhiu).
    17. “Kush viziton një të sëmurë apo një vëlla për hirin e All-llahut, një thirrës do ta thirrë duke i thënë: Paç jetë të mirë (në dynja dhe ahiret), ecja yte qoftë gjithnjë e mirë dhe fitofsh një vend të lartë në xhennet.” (Shënon Tirmidhiu).
    18. “Sinqeriteti shpie në bamirësi, e bamirësia shpie në xhennet.” (Shënon Buhariu).
    19. “All-llahu ka marrë përsipër për atë që lufton në rrugën e Tij dhe që nuk synon asgjë tjetër veç xhihadit dhe ngritjes së fjalës së Tij, që ta fusë në xhennet.” (Shënon Buhariu).
    20. “O ju njerëz! Përhapeni selamin (përshëndetjen) mes jush, ushqeni nevojtarët, faluni natën kur njerëzit janë në gjumë, do të hyni në xhennet me selam (paqe dhe qetësi).” (Shënon Tirmidhiu).
    21. “Mëkatet e bëra prej umres deri te umreja tjetër shlyhen (për shkak të dy umreve), dhe haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveçse xhennetit.” (Shënon Buhariu).
    22. “All-llahu i ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind pa një. Ai që i numëron (mëson) këta emra, do të hyjë në xhennnet.” (Shënon Buhariu).
    23. “Kam parë një njeri në xhennet, që ka hyrë për shkak se ka larguar një degë na rruga, e cila u pengonte njerëzve.” (Shënon Muslimi).
    24. “O All-llah, Ti je Zoti im, s’ka të adhuruar tjetër përveç Teje, Ti më krijove mua dhe unë jam robi Yt, do të qëndroj besnik ndaj marrëveshjes dhe premtimit Tënd me të gjitha mundësitë e mia. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar, unë i pohoj begatitë e Tua ndaj meje, i pranoj gjynahet e mia, prandaj më fal, sepse askush nuk m’i fal gjynahet përveç Teje.’ Kush e thotë këtë në mëngjes duke qenë i bindur në të dhe vdes po atë ditë, ai do të jetë prej banorëve të xhennetit. Dhe kush e thotë këtë në mbrëmje duke qenë i bindur në të dhe vdes po atë natë, ai do të jetë prej banorëve të xhennetit.” (Shënon Buhariu).

     

    www.thirrjaislame.com

    Shkroi: Selman ibën Jahja El-Maliki

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

  • RYSHFETI

    RYSHFETI

    Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

    Prej gjërave që islami i ka ndaluar rreptësisht është edhe ryshfeti, e që nënkupton dhënien e një shume të caktuar të pasurisë në kompensim të kryerjes së ndonjë pune, të cilën nëpunësi e ka për detyrë ta kryejë edhe pa ryshfet. Harami është edhe më i ashpër nëse qëllimi i ryshfetit është të mohohet e vërteta, të miratohet e pavërteta apo t’i bëhet padrejtësi dikujt.

    Ryshfeti, vëllezër të nderuar, është prej mëkateve të mëdha të cilat All-llahu ua ndaloi robërve të Tij, ndërsa i dërguari i All-llahut i ka mallkuar ata që e bëjnë këtë punë të shëmtuar. Pra, detyrim është largimi prej tij dhe tërheqja e vërejtjes të tjerëve për largim prej tij, duke e pasur parasysh anën destruktive të tij, duke e ditur se është një mëkat i madh dhe duke i ditur pasojat e tij shkatërruese. Ai konsiderohet si mëkat dhe armiqësi, ndihmën e të cilave All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar në fjalën e Tij: Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi.” (El-Maide 2).

    All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar ngrënien e pasurisë së njerëzve padrejtësisht. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete.” (En-Nisa’ 29). Po ashtu All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me te (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se pa të drejtë po e hani atë).” (El-Bekare 188). E ryshfeti është prej llojeve më të këqija të ngrënies së pasurisë së tjetrit në mënyrë të palejuar. Ndalesa për sa i përket ryshfetit, i ka përfshirë të tre pjesëmarrësit në të, e që janë: Dhënësi, marrësi dhe ndërmjetësi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu i ka mallkuar dhënësin e ryshfetit, marrësin e saj dhe ndërmjetësin mes tyre.” (Shënojnë Ahmedi dhe Taberaniu). Ndërsa mallkim i All-llahut do të thotë: Përzërje dhe largim nga mëshira e Tij. Dihet se mallkimi i All-llahut bëhet vetëm për mëkate të mëdha, All-llahu na ruajt.

    All-llahu i Madhërishëm i ka qortuar hebrenjtë për shkak të ngrënie së ryshfetit. All-llahu i Madhërishëm thotë: Janë ata që i përgjigjen të pavërtetës dhe hanë shumë haramin (ryshfetin).” (El-Maide 42). Po ashtu thotë: “Dhe, shumë prej tyre i sheh se nguten në mëkat, në mizori e në ngrënie të haramit. Sa e shëmtuar është ajo që bënë ata. E pse paria fetare (e krishterë dhe jehude) të mos i ndalin nga ato thënie të tyre të rreme dhe nga ngrënia e haramit (ryshfetit)! Sa punë e keqe është ajo e tyre (e parisë fetare).” (El-Maide 62-63). E në një ajet tjetër thotë: “Dhe për shkak të mizorisë së atyre, që ishin jahudi, dhe për shkak se penguan shumë nga rruga e All-llahut, Ne ua ndaluam (ua bëmë haram) disa (lloje ushqimesh) të mira që u ishin të lejuara.” (En-Nisa’ 160).

    Në lidhje me ndalimin e këtij harami dhe dënimet për ata që e praktikojnë, janë transmetuar shumë hadithe. Prej tyre po përmendim:

    Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma napërcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Secili trup i rritur me ushqim nga ‘Suhti’ e meriton zjarrin.” Dikush pyeti: E ç’shtë suhti? Ai u përgjigj: “Ryshfeti.” (Shënon Ibën Xheriri).

    Nga Amër ibën Asi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: “Çdo popull në të cilin përhapet kamata, do të dënohet me thatësi të tokës, dhe çdo popull në të cilin përhapet ryshfeti, do të dënohet me frikë.” (Shënon Ahmedi).

    Ibën Kudame, All-llahu e mëshiroftë, në librin e tij El-Mugni, thotë: “Nëse gjykatësi e merr ryshfetin, me këtë ai arrin shkallën e kufrit, ngase është i gatshëm të gjykojë me diçka që All-llahu nuk ka zbritur. All-llahu i Madhërishëm thotë: E kush nuk gjykon me atë që e zbriti All-llahu, ata janë mohues (kafira).” (El-Maide 44).

    Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Vërtet All-llahu i është i mirë dhe nuk pranon përveç të mirën, dhe vërtet All-llahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve, dhe ka thënë: “O ju të dërguar, hani gjërat e mira dhe punoni mirë.” Po ashtu ka thënë: “O ju besimdrejtë, hani gjërat e mira me të cilat u kemi furnizuar.” Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura dhe i cili i shtriu duart e tij kah qielli duke thënë: ‘O Krijues, o Krijues!’ Kurse ushqimi i tij është haram, pija e tij haram, veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!” (Shënon Muslimi).

    Kini frikë All-llahun, o ju myslimanë. Kini kujdes nga hidhërimi i All-llahut dhe largojuni faktorëve që shkaktojnë hidhërimin e Tij, ngase i Madhërishmi është Xheloz kur ndalesat e Tij nëpërkëmben. Në një hadith autentik thuhet: “Nuk ka më Xheloz se All-llahu.” Po ashtu, largojeni veten dhe familjen tuaj nga pasuria haram dhe të ushqyerit me haram, që të shpëtoni veten dhe familjen tuaj nga zjarri, të cilin All-llahu e ka bërë meritor për çdo trup i cili është rritur me haram. Po ashtu, të ushqyerit me haram është shkak për mospranimin e duave (lutjeve) nga All-llahu i Madhërishëm, siç u përmend në hadithin që na përcillet nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu.

    Nga Abdullah ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “Një herë në praninë e të dërguarit të All-llahut u lexua ky ajet: “O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë.” (El-Bekare 168), dhe Sa’d ibën Ebi Vekkasi radijAll-llahu anhu u çua dhe tha: O i dërguari i All-llahut! Lute All-llahun të më bëjë prej atyre që u pranohet duaja. Atëherë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “O Sa’d, haje ushqimin nga hallalli, do të jesh prej atyre që u pranohet duaja. Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, ndodh që robi të fusë në barkun e tij një kafshatë nga harami, dhe për shkak të kësaj All-llahu nuk i pranon asnjë ibadet për dyzet ditëme radhë. Çdo rob që e rrit trupin e tij me haram, zjarri është më meritor për të.” (Shënon Taberaniu). Ky është argument se mosngrënia e ushqimit nga hallalli e pengon pranimin e duave dhe e bllokon ngritjen e tyre tek All-llahu i Madhërishëm. Vetëm kjo mjafton si dënim dhe humbje për njeriun, All-llahu na ruajt prej saj. E All-llahu ju ka thirrur në mbrojtjen tuaj dhe të familjeve tuaja nga zjarri, dhe ju ka thirrur që të shpëtoni nga dënimi i ashpër dhe i dhembshëm i Tij, duke thënë: O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.” (Et-Tahrim 6).

    O ju myslimanë, përgjigjjuni thirrjes së Zotit tuaj, zbatojeni urdhrin e Tij dhe largojuni nga ndalesat e Tij, largojuni gjërave që shkaktojnë hidhërimin e Tij, dhe kështu do të lumturoheni në dynja dhe ahiret. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, përgjigjjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë, (për fenë e drejtë) dhe ta dini se All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni te Ai. Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk i godet vetëm ata që bënë mizori prej jush, (por edhe të mirët), dhe ta dini se All-llahu është ndëshkues i rreptë.” (El-Enfal 24-25).

    E lusim All-llahun të na bëjë prej atyre që i dëgjojmë fjalët e Tij dhe i pasojmë ato në mënyrën më të mirë, të na bëjë prej atyre që ndihmohen mes vete në bamirësi dhe devotshmëri, të na bëjë të kapur për librin e All-llahut dhe sunnetin e të dërguarit të Tij, të na mbrojë nga të keqijat e vetvetes dhe të veprave tona, ta ndihmojë fenë e Tij, ta ngritë fjalën e Tij, dhe t’i udhëzojë udhëheqësit tanë aty ku është mirësia e njerëzve dhe vendit tonë. Vetëm Ai e ka në Dorë mundësinë për këtë gjë.

    Vesselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu.

     

    www.thirrjaislame.com

    Autor: Abdul-Aziz ibën Abdullah ibën Baz

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

  • MOS U HIDHËRO!

    MOS U HIDHËRO!

    Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

    Njerëzit kanë treguar ndodhi të shumta të çuditshme. Ka ndodhur që një euro të shkaktojë konflikt mes shitësit dhe blerësit, kështu që ky i fundit i ka rënë shitësit me ndonjë shufër hekuri që ka pasur afër, duke i çarë kokën, dhe si pasojë e kësaj ka vdekur!

    Shkaku real nuk është një euro siç mendon dikush, por shkak është një sëmundje e rrezikshme që i ka kapluar disa shpirtra dhe ka shkaktuar daljen e tyre nga binarët dhe natyrshmëria. Ajo është një sëmundje që çon deri në vrasje, shkurorëzim, ndarje prej fëmijëve, konflikte mes të dashurve dhe kundërshtime mes vëllezërve dhe të afërmve.

    Ajo sëmundje është hidhërimi.

    Një njeri erdhi te pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “Më jep ndonjë porosi! Ai i tha: “Mos u hidhëro.” Këtë ia përsëriti disa herë.” (Shënon Buhariu).

    Hidhërimi shkakton reaksion të ashpër te njeriu, reaksion ky, i cili përcillet me skuqje në fytyrë, rrahje të shpejtë të zemrës dhe frymëmarrje të shpeshta. Ai shkakton një ndryshim të çuditshëm që e nxjerrë njeriun nga natyrshmëria e tij dhe e shndërron në një pamje të frikshme të cilën shpirti e refuzon dhe zemra e urren! Ndonjëherë e sheh një njeri në ndonjë ndejë dhe të duket i urtë e i mençur. Por kur i njëjti hidhërohet, pamja e tij ndryshon, damarët e qafës i fryhen, kapuçi i bie nga koka, lëvizjet e duarve i shtohen, dhe e godet tokën me këmbë…!

    Një përshkrim më përfshirës të kësaj gjendjeje na e bën pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cili thotë: “Hidhërimi është një gacë në zemrën e të birit të Ademit. A nuk e keni vërejtur skuqjen e syve të tij dhe fryrjen e damarëve të qafës së tij…!” (Shënon Ahmedi).

    Hidhërimi, All-llahu na ruajt, është i lidhur me mendjemadhësinë, zullumin dhe armiqësinë. Prandaj është një rrugë shkatërruese dhe e egër, të cilën zemrat e mira, mendjet e mençura dhe natyra e shëndoshë e refuzojnë.

    All-llahu i Madhërishëm i ka lavdëruar besimtarët me shumë cilësi të mira, prej të cilave edhe fjala e All-llahut të Madhërishëm: “Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit.” (Alu Imran 134). Këto janë tri cilësi madhështore. E para: Frenimi dhe ndalimi i mllefit, e dyta: Falja edhe përkundër mundësisë për hakmarrje, dhe e treta, e që njëherit është edhe me pozitë më të lartë: Bamirësia ndaj njerëzve edhe përkundër të së keqes së tyre.

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndryshe nga ajo që njerëzit e dinë, ka thënë: “Nuk është i fortë kampioni në mundje, por i fortë është ai që e përmban veten gjatë hidhërimit.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi). Po ashtu ka thënë: All-llahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo gjë.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi). E a thua ka më prioritar për butësinë tënde sesa bashkëshortja jote, fëmijët e tu dhe vëllezërit e tu myslimanë?! Ndërsa disa njerëz sot janë të përgatitur për rezultate të ulëta të hidhërimit, kështu që pranë tyre në makinë vendosin ndonjë shkop hekuri apo shkop druri, të cilën e kanë përgatitur për këso lloj rastesh!

    Ilaçi

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kësaj sëmundjeje të rrezikshme ia ka gjetur ilaçin dobiprurës dhe shërues. Prej myslimanit kërkohet që ta thyejë ashpërsinë e hidhërimit dhe ta largojë me gjërat që do të përmendim në vijim:

    E para: Pasimi i porosisë së pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në këtë çështje. Siç përmendëm më herët, një njeri erdhi te pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “Më jep ndonjë porosi! Ai i tha: “Mos u hidhëro.” Këtë ia përsëriti disa herë.” (Shënon Buhariu). Frenimi i hidhërimit para se ai të ndodhë është më mirë sesa përpjekja për t’i përmirësuar pasojat e dëmshme të tij, pasi të ndodhë.

    E dyta: Njohja e mirësisë së All-llahut për njeriun i cili e gëlltitë dhe e fshehë hidhërimin. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Robi nuk ka gëlltitur kafshatë më të vlefshme tek All-llahu sesa një kafshatë mllef që e ka frenuar duke synuar me të kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm.” (Shënon Ibën Maxhe).

     E treta: Njohja e asaj se hidhërimi shkaktohet nga shejtani. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Hidhërimi vjen nga shejtani…” Ndërsa shejtani njeriut ia hap rrugët e shkatërrimit.

    E katërta: Lakmia ndaj asaj që All-llahu ka përgatitur për atë që e frenon mllefin dhe hidhërimin. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e frenon mllefin duke pasur mundësi të hakmirret, All-llahu do ta thërrasë para të gjitha krijesave (në ditën e gjykimit) dhe do t’ia mundësojë të zgjedhë cilëndo hyri që do t’ia dëshirojë shpirti.” (Shënon Ebu Davudi).

    E pesta: Përmbajtja ndaj udhëzimit të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Prej udhëzimit të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është ndryshimi i gjendjes së të hidhëruarit, si p.sh. ulja përtokë, ngase kjo është më afër për t’ia përkujtuar atij nënshtrimin e vetes dhe largimin e mendjemadhësisë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Hidhërimi është një gacë në zemrën e të birit të Ademit. A nuk e keni vërejtur skuqjen e syve të tij dhe fryrjen e damarëve të qafës së tij. Prandaj kush e ndjen se po kaplohet nga hidhërimi, le të ngjitet përtokë.” (Shënon Ahmedi).

    E gjashta: Marrja e abdestit, duke zbatuar urdhrin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili thotë: “Hidhërimi është prej shejtanit dhe është krijuar prej zjarrit. E zjarri shuhet me ujë. Prandaj kur dikush prej jush hidhërohet, le të marrë abdest.” (Shënon Ebu Davudi).

    E shtata: Heshtja dhe frenimi i gjuhës gjatë hidhërimit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Thoni fjalë të mira dhe mos vështirësoni. Nëse hidhërohesh, hesht, nëse hidhërohesh, hesht, nëse hidhërohesh, hesht.” (Shënon Ahmedi).

    E teta: Kërkimi i mbrojtjes së All-llahut kundër Shejtanit (thënia e fjalës: Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim), ngase ai (shejtani) është koka e belasë. All-llahu i Madhërishëm thotë: E nëse të godet shejtani me ndonjë vesvese, ti kërko strehim te All-llahu, sepse vërtet Ai dëgjon e di.” (El-E’raf 200). Nga Sulejman ibën Sardi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Njëherë, dy persona u grindën mes vete në praninë e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, e njëri prej tyre u hidhërua aq tepër saqë iu skuqën sytë dhe iu frynë damarët e qafës. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Unë e di një fjalë, të cilën nëse e thotë, do t’i hiqet ajo që e ka (hidhërimi), ajo është: Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim.” (Shënon Muslimi).

    E nënta: Përmendja e All-llahut në çdo rast, sidomos gjatë hidhërimit. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Vërtet, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion nga djalli, ata përkujtojnë (All-llahun), dhe atëherë shohin (të vërtetën).” (El-E’raf 201).

    E dhjeta: Nëse ti e frenon hidhërimin, atëherë je në një gradë më të lartë se tjetri. Më herët u përmend hadithi që ka të bëjë me frenimin e mllefit. Po ashtu përkujto fjalën e All-llahut të Madhërishëm: “Ti (Muhammed) merre të lehtën, urdhëro për mirë dhe hiqu prej të padijshmëve.” (El-E’raf 199), si dhe fjalën e All-llahut të Madhërishëm: “Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm).” (Esh-Shura 43).

    E njëmbëdhjeta: Gjatë hidhërimit, ka mundësi që të bësh zullum e armiqësi, dhe kështu të bëhesh mëkatar. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Myslimani në tërësi është haram për myslimanin: gjaku i tij, pasuria e tij dhe nderi i tij.” (Shënon Muslimi).

    E dymbëdhjeta: Afrimi tek All-llahu i Madhërishëm me anë të sjelljes dhe moralit të mirë me besimtarët, si dhe injorimi i të këqijave të tyre ndaj teje. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Myslimani me anë të moralit të mirë e arrin shkallën e agjëruesit (agjërim nafile) dhe namazfalësit (namaz nate).” (Shënon Ebu Davudi). Po ashtu pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “A t’ju tregoj se kë e ka të ndaluar zjarri apo kujt i ndalohet zjarri? I ndalohet çdo robi të afërt (me njerëzit), të qetë dhe solidar.” (Shënon Tirmidhiu).”

    E trembëdhjeta: Njohja e pasojave të hidhërimit dhe dënimit për të, të menduarit rreth asaj se si u bë shkak një euro për humbjen e një jete njeriu? Si u bë shkak vetëm një fjalë gjatë hidhërimit për shkurorëzimin e bashkëshortes, ndarjen e fëmijëve nga prindërit, humbjen e të drejtave që njerëzve u takojnë, armiqësinë ndaj të dobëtëve dhe vëllezërve, e kështu me radhë.

    Nga ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Në betejën e Hunejnit, i dërguari i All-llahut disa njerëzve u dha nga plaçkat e luftës më tepër se disa të tjerëve (duke dashur me këtë t’ua zbusë zemrat ngase sapo kishin pranuar islamin, shën. përkth.). Kështu, Ekre’ ibën Habisit i dha njëqind deve. Po ashtu Ujejne ibën Hisnit i dha njëqind deve. Po ashtu edhe disa personave u ndau më shumë se disa të tjerëve. Me këtë rast një njeri tha: Vallahi kjo është një ndarje e padrejtë, dhe me të nuk është për qëllim arritja e kënaqësisë së All-llahut. Thashë: Vallahi do t’a informoj të dërguarin e All-llahut për këtë gjë. Shkova dhe i tregova për fjalët e njeriut. Kur i dëgjoi këto fjalë, atij iu skuq fytyra, dhe tha: “E kush bën drejtësi nëse All-llahu dhe i dërguari i Tij nuk bëjnë?” Pastaj tha: “All-llahu e mëshiroftë Musain. Është sprovuar më shumë se kjo, por ka qenë durimtar.” Atëherë thashë: “Kurrë më nuk do ta informoj për diçka të këtillë.” (Shënon Buhariu).

    Vëlla mysliman:

    Ajo që përmendëm deri tani është hidhërim i qortuar edhe nga aspekti sheriatik edhe nga aspekti mendor. Ndërsa për sa i përket hidhërimit të lavdëruar dhe të kërkuar, ai është hidhërim për hirin e All-llahut, si p.sh. kur nëpërkëmben ndalesat e All-llahut, siç hidhërohej pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe kjo ka ndodhur shpesh  gjatë jetës së tij. Aisheja radijAll-llahu anha thotë: “I dërguari i All-llahut kurrë nuk ka goditur me dorën e tij asnjë gjë; as grua e as shërbëtor, përveç gjatë luftës në rrugën e All-llahut. Dhe asnjëherë nuk u hakmor për veten e tij kur e kishte rastin, përderisa nuk nëpërkëmbeshin ndalesat e All-llahut të Madhërishëm, e atëherë hakmerrej për hirin e All-llahut të Madhërishëm.” (Shënon Muslimi).

    Allahu na bëftë mua dhe ty prej atyre që hidhërohemi kur nëpërkëmben ndalesat e All-llahut, dhe na furnizoftë me qetësi për çështjet e kësaj bote të cilat na hidhërojnë. O All-llah, na mëshiro dhe na largo nga hidhërimi i qortuar. O All-llah, më i Mëshirshmi i të mëshirshëmve! Kërkojmë prej Teje të na mundësosh të themi të drejtën gjatë hidhërimit dhe komoditetit.

    Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

     

    www.thirrjaislame.com

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

  • PËSHPËRITJE NË VESHIN E STUDENTES

    PËSHPËRITJE NË VESHIN E STUDENTES

    Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

    Motër myslimane: Dije se dituria është gjëja më e shtrenjtë në të cilën harxhohet jeta. Ajo është rrugë e jetës dhe formë e mirësisë në çdo kohë dhe vend.

    Motra myslimane sot ka nevojë sikur kurrë më parë për dituri dhe mësim që të jetë në sinkronizim me rrjedhat e kohës, t’u bëjë ballë të këqijave dhe sfidave të perëndimit dhe të jetë në shkallën e krijimeve shkencore duke iu përgjigjur kërkesave të kohës dhe prioriteteve të saj pa pasur frikë nga dështimi.

    Motër myslimane: Duke qenë se dituria nuk është në kundërshtim me fenë, detyrë e jote është që studimin ta bësh mjet për të ndihmuar fenë dhe për t’u krenuar me të. Me anë të studimit duhet ta adhurosh All-llahun e Madhërishëm, ndërkohë që gjatë studimit duhet të ruash moralin, turpin dhe pastërtinë. Në vazhdim do të të jap disa porosi të cilave çdo studente duhet t’u përmbahet:

    Motra ime:

    – Kije parasysh se studimi yt është ibadet. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem  ka thënë: Dynjaja është e mallkuar, e mallkuar është çdo gjë që është në të, përveç dhikrit (përmendjes) të All-llahut dhe asaj që është e ngjashme me të, dijetarëve dhe atyre që kërkojnë dituri.” (Ibën Maxhe)

    Pa marrë parasysh se çfarë drejtimi studion, qoftë dituri fetare apo shkencore, si fizikë, mjekësi apo inxhinieri, këtë duhet ta bësh me sinqeritet ngase kjo rutinën e shndërron në ibadet dhe e mbush regjistrin tënd me shpërblime të shumta për punën që bën.

    Kujdesu për mbulesën tënde gjatë daljes dhe hyrjes, në rrugë, në shkollë dhe në universitet, ngase mbulesa nuk kontradiktohet me diturinë, por lakuriqësia është ajo që kontradiktohet dhe e shëmton diturinë, sepse është e ndaluar sheriatikisht dhe e qortuar nga aspekti intelektual. Përvoja e civilizuar në perëndim dhe në shumë vende të tjera e ka vërtetuar të keqen e saj dhe shkaktimin e shumë sëmundjeve të rrezikshme. Prandaj mendo thellë dhe dije se mbulesa nuk kontradiktohet me bukurinë dhe nuk e shëmton atë, por e mbron dhe e fshehë nga dhëmballët e njerëzve ujq, mendja e të cilëve ka devijuar dhe shejtani i ka mashtruar! Po ashtu përkujto se mbulesa ka cilësi dhe kushte strikte, të cilat nuk ndryshohen me ndryshimin e modës dhe stajlingut, por është e përqendruar sikur mali dhe e përhershme sikur kur’ani dhe sunneti!

    Kushtet e mbulesës:

    1. Të mbulojë tërë trupin, bazuar në fjalën e All-llahut të Madhërishëm: O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. All-llahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” (El-Ahzab 59).
    2. Të mos jetë i bukur në vete, bazuar në fjalën e All-llahut: “të mos zbulojnë stolitë e tyre.” (En-Nur 31). Kjo i përfshinë të gjitha llojet e stolive, pra edhe vetë mbulesën. Por në këtë sprovë kanë rënë shumë prej myslimaneve, të cilat të mashtruara pas modës në mantela, janë bërë pre e qëllimit të modës, e që është shfaqja e bukurisë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme.” (El-Ahzab 33).
    3. Të mos jetë e parfumosur, bazuar në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem : “Çdo grua që parfumoset, del nga shtëpia dhe kalon pranë burrave, e ata nuhasin nga era e saj, ajo konsiderohet lavire.” (Ahmedi)

    Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Ajo grua që parfumoset me temjan, të mos marrë pjesë me ne në namazin e natës.” (Muslimi)

    1. Të mos jetë e ngushtë që të mos e përshkruajë trupin. Nga Usame ibn Zejdi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut më dhuroi një veshje të trashë egjiptiane, të cilën ia kishte dhuruar Dihjetul-Kelbiu, e unë ia dhashë gruas sime që ta veshë. Një ditë ai më tha: “Përse nuk po të shoh duke e veshur atë veshje egjiptiane”? I thashë: “Ia dhashë atë gruas sime.” Ai më tha: “Urdhëroje që të veshë diçka nën të, se kam frikë mos po ia përshkruan formën e eshtrave të saj.”
    2. Të jetë e trashë, që të mos shihet trupi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Janë dy lloje njerëzish nga banorët e xhehenemit, të cilët unë nuk i kam parë: Një grup njerëzish me kamxhik në dorë si bisht lope, me të cilët rrahin popullin, dhe gratë të veshura, mirëpo të zhveshura (gjysmëlakuriq), ecin me mendjemadhësi dhe shtrembërim, në kokat e tyre do të kenë (model flokësh) sikurse gungat e deveve të thata (dobëta). Këta nuk do të hyjnë në xhenet dhe as që do ta nuhasin erën e tij, edhe pse kjo erë mund të nuhatet nga një largësi e madhe.” (Muslimi).
    3. Të mos i ngjajë veshjes së burrave, qoftë brenda apo jashtë shtëpisë. Nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “I dërguari i All-llahut i ka mallkuar ata burra që u përngjasojnë grave dhe ato gra që u përngjasojnë burrave.” (Buhariu).
    4. Të mos jenë tesha që vishen për të arritur famë, bazuar në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem : “Ai që veshë një teshë për famë, në ditën e gjykimit All-llahu do t’ia veshë atij një teshë si ajo, e pastaj ia vë flakën asaj.” (Ebu Davudi). Prej formave të kësaj veshjeje janë ato veshje që janë shumë të shtrenjta dhe vishen për mburrje dhe krenari.
    5. Të mos i ngjasojë mosbesimtareve. All-llahu i Madhërishëm thotë: Nuk gjen popull që e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre.” (El-Muxhadele 22).

    Motër e nderuar myslimane:

    – Dije se shkatërrimi i vërtetë është të barazosh veten me femrat e këqija, ngase ato e tërheqin të keqen dhe ta çojnë jetën kot. Prandaj, ki kujdes dhe mos u shoqëro me ato femra te të cilat sheh pak fe dhe pak moral.

    I dërguari i All-llahut ka thënë: “Njeriu është në moralin e shokut të vet. Prandaj kini kujdes se me kë shoqëroheni.”

    – Dije se ti do të adaptohesh me moralin e atyre që i shoqëron. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem  ka thënë: Shembulli i shokut të mirë dhe shokut të keq është përkatësisht si mbartësi i miskut dhe kovaçit. Mbartësi i miskut ose të jep erë të mirë, ose do ta blesh (miskun) ose do të ndiesh prej tij erën e mirë, ndërsa kovaçi ose do të t’i djegë rrobat, ose do të ndiesh prej tij erën e keqe.” (Buhariu dhe Muslimi).

    – Kujdesu për kryerjen e farzeve, prej të cilave më i rëndësishmi është namazi. Largohu nga gjërat të cilat All-llahu t’i ka ndaluar, si kënga, gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve, mosrespektimi i prindërve, shkëputja e lidhjeve farefisnore, e kështu me radhë.

    – Bëhu e mirë për vete dhe përmirësuese e të tjerëve. Bëhu thirrëse në fenë e All-llahut të Madhërishëm dhe në rrugën e Tij të drejtë me urtësi, me këshillë të mirë dhe me dialog më të mirë të mundshëm.

    Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

     

    www.thirrjaislame.com

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

  • PUBLIKIMI I MËKATEVE

    PUBLIKIMI I MËKATEVE

    Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për atë pas të cilit nuk ka më pejgamber.

    Prej mizorive më të mëdha është që njeriu t’i bëjë keq atij që i ka bërë mirë, ta kundërshtojë në mendime dhe t’i kundërvihet udhëzimeve të tij. Kjo mizori është akoma më e madhe kur këto të këqija i publikon dhe nuk ka dert nëse dikush dëgjon për to apo e sheh, madje edhe nëse është ai që i ka bërë mirë dhe e ka nderuar. E ç’mendon, o lexues i nderuar, nëse ai bamirës është All-llahu i Madhërishëm, ndërsa mëkatarët publikë jemi unë dhe ti. Sprovë dhe fatkeqësi e madhe është që njeriu të mburret me mëkatin e tij ndaj All-llahut të Madhërishëm dhe ta publikojë qartë dhe hapur para të tjerëve duke harruar hakun dhe mirësinë e All-llahut ndaj tij.

    Prandaj sheriati i pastër ka tërhequr vërejtjen nga publikimi i mëkateve. All-llahu i Madhërishëm na ka sqaruar se kjo është shkak për dënim dhe ndëshkim. Prej ajeteve që kanë të bëjnë me këtë temë është fjala e All-llahut të Madhërishëm: Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. All-llahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini.” (En-Nur 19). Ky qortim dhe kërcënim ka të bëjë me atë që dëshiron përhapjen e imoralitetit, e a thua si është puna me atë që e përhapë dhe publikon atë. Po ashtu e kemi edhe ajetin tjetër: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje bereqeti etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat).” (Err-Rrum 41). Ibën Kethiri gjatë komentit të këtij ajeti thotë se mangësia e prodhimeve bujqësore dhe frutave është si pasojë e mëkateve. Ndërsa Ebul-Alije thotë: “Kush i mëkaton All-llahut në tokë, e ka prishur tokën, ngase mirësia e qiellit dhe tokës është e lidhur me devotshmërinë ndaj All-llahut.”

    Po ashtu All-llahu i Madhërishëm në kur’an na ka treguar se Ai nuk e do publikimin e mëkateve dhe ka thënë: “         All-llahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqia përveç (publikimit) të atij që i është bërë padrejtësi.” (En-Nisa’ 148).

    Nga Ebu Bekri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: “Kur njerëzit e shohin të keqen dhe nuk e ndryshojnë, atëherë dënimi i All-llahut ndaj tyre është afër.” (Tirmidhiu)

    Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: “I gjithë ummeti im është i falur përveç atyre që mëkatet i bëjnë haptas.” (Buhariu dhe Muslimi). Ky është ligj i All-llahut të Madhërishëm në gjithësi. Pra, kur merr guximin t’i mëkatojë All-llahut dhe të mburret me mëkatet, All-llahu do t’i shkatërrojë e asgjësojë. Nëse mendojmë rreth popujve të mëparshëm do ta shohim qartësisht këtë realitet. Përse Ademi alejhis-selam u nxorr nga xhenneti? Përse populli i Nuhut alejhis-selam u përmbyt? Përse populli i Adit u shkatërrua nga një erë e fortë e pakufishme? Përse Themudi u shkatërrua nga një krismë e tmerrshme? Përse popullit të Lutit alejhis-selam iu shembën shtëpitë dhe u shkatërruan me gurë nga qielli? Përse u përmbyt Faraoni dhe ushtria e tij? Përse … dhe përse….? Kjo është si pasojë e mëkateve dhe publikimit të tyre.

    All-llahu i Madhërishëm është i Fuqishmi ndërsa njerëzit janë të dobëtit, All-llahu i Madhërishëm është Krenari ndërsa ata janë të nënshtruar. Ai është i Madhëruari, i Lartësuari. Atij i takon krenaria gjithpërfshirëse dhe madhëria e pakufishme. Nga Ebu Seid el-Hudriu dhe Ebu Hurejra radijAll-llahu anhuma na përcillet se kanë thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: All-llahu ka thënë: “Krenaria është petku im i sipërm, madhëria është petku im i poshtëm. Kush më kundërshton në njërën prej atyre, do ta hedh në zjarr.” (Muslimi).

    Ndoshta prej shkaqeve që ky mëkat konsiderohet kaq i keq dhe kaq i shëmtuar është se ajo në vete përmbanë një lloj përbuzjeje dhe moskokëçarjeje. Kjo ngjan sikur mëkatari në momentin kur e bën mëkatin i thotë All-llahut: E di se Ti e di vendin tim dhe i dëgjon fjalët e mia dhe e di se Ti je Mbikëqyrësi im dhe je Dëshmitari i veprave të mia… Por megjithatë, unë të mëkatoj dhe atë e shfaqi para Teje dhe para të gjithë atyre krijesave të Tua që më shohin!!

    Po ashtu, prej faktorëve që ky mëkat konsiderohet i shëmtuar dhe i keq është se në vete ngërthen ftesë të njerëzve për zhytje në mëkate, duke e pasur parasysh se ai që e bën mëkatin publikisht, në realitet i fton njerëzit që t’i bashkëngjiten në atë mëkat. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Kush thërret (udhëzon) për në humbje, e ka gjynahun njëlloj sikur ata që e ndjekin pa ua pakësuar atyre gjynahun.” (Muslimi).

    Prej shkaqeve të shëmtisë së këtij mëkati është edhe ajo se ai që bën mëkat publikisht ka mundësi që me kalimin e kohës ai mëkat t’i pëlqejë dhe të adaptohet me të, e kjo ndoshta mund të çojë deri tek ajo që ai ta llogarisë si gjë të lejuar. E, lejimi i mëkateve është prej gjërave më të rrezikshme për besimin e myslimanit dhe kjo mund të ndikojë në daljen e tij nga feja islame, e sidomos nëse ka të bëjë me çështjet, dispozita e të cilave detyrimisht dihet, si imoraliteti, homoseksualizmi, alkooli, kamata, dhe harame të tjera, All-llahu na ruajt prej tyre.

    Në mesin e disa myslimanëve është përhapur kjo sëmundje e rrezikshme dhe e ka kapluar ummetin saqë pothuaj nuk shpëton prej saj ndonjë qytet, fshat apo shoqëri. All-llahu na ruajt.

    Prej formave të publikimit të mëkateve në të cilat kanë rënë disa myslimanë po përmendim:

    Mosfalja e namazit me xhemat, edhe përkundër mundësisë për këtë gjë. Kështu sheh plot myslimanë që hynë në shtëpitë e tyre, ndërsa ikameti për namaz thërret e ata nuk i kushtojnë vëmendje dhe nuk çajnë kokën, sikur ezani dhe ikameti u dedikohen njerëzve të tjerë. Akoma më e keqe se kjo është që disa prej myslimanëve bëjnë shitblerje apo diçka të ngjashme pikërisht gjatë ikametit të namazit. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Gati kam vendosur që të urdhëroj dikë nga ju t’ua falë namazin me xhemat e unë shkoj në shtëpitë e atyre që nuk vijnë në xhami për t’u falur me xhemat e t’ua djeg shtëpitë.” (Buhariu dhe Muslimi).

    – Thirrja për mëkate, shpallja dhe reklamimi i tyre, si shpalljet për tregtimin me kamatë, bashkëpunimi me një bankë e cila punon me kamatë, shitja e gjërave të ndaluara, thirrja për prezantim në festivale muzikore apo tubime që përmbajnë këngë, muzikë, vegla muzikore e kështu me radhë.

    – Ngritja e zërit të disa instrumenteve dëfryese nëpër rrugë, nëpër semafora, nëpër plazhe, pikniqe etj.

    – Përngjasimi i disa të rinjve myslimanë me të rinjtë e perëndimit në të folur, veshje, mjete udhëtimi, stile flokësh, lëvizje dhe gjëra të ngjashme, derisa disa prej tyre mburren me këto gjëra, ndërsa të mjerët nuk e dinë se me anë të kësaj kanë hyrë në vrimën e hardhucës prej derës më të ngushtë. Nga Ebu Seid El-Hudriu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Do t’i pasoni traditat e atyre që kanë qenë para jush pëllëmbë pas pëllëmbe e kut pas kuti, saqë po të hynin ata në vrimën e hardhucës, ju do t’i pasonit.” I thamë: “Kush janë ata, çifutët dhe të krishterët?” Tha: “Kush tjetër përveç tyre?” (Buhariu dhe Muslimi).

    – Shkrimi i disa publicistëve, gazetarëve, analistëve e të ngjashëm me ta, kolumna të cilat janë në kundërshtim me sheriatin e All-llahut, si p.sh. kolumna që kanë të bëjnë me qenien e All-llahut të Madhërishëm, fyerjen e fesë dhe të dërguarit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, thirrjen për kundërshtim të Kur’anit dhe sunnetit, si thirrja për “emancipimin” e gruas, zhveshjen e mbulesës së saj, të folurit rreth mbulesës me përçmim dhe tallje, tallja me mjekrën, pantallonat e shkurtra dhe misvakun, tallja me njerëzit e mirë dhe me ata që urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja, shtypja e dijetarëve dhe studiuesve të fesë dhe gjëra të tjera të ngjashme me këto, të cilat mund ta çojnë njeriun deri në kufër. Ka pasur njerëz të cilët kanë luftuar bashkë me pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem duke marrë pjesë nëpër disa beteja bashkë me myslimanët, por megjithatë kanë rënë në kufër për shkak se kanë thënë ca fjalë të cilat janë shumë më të lehta se gjërat që i bëjnë dhe thonë ca të prishur e të rebeluar nëpër disa media, qofshin radio, televizione apo portale të ndryshme.

    – Dalja e grave të zbukuruara nëpër rrugë, qendra tregtare etj, ndonjëherë me nevojë, e në të shumtën e rasteve pa nevojë, dhe shpeshherë të parfumosura dhe joshëse.

    – Mburrja e njeriut duke folur në praninë e të tjerëve për mëkatet e veta, ndërkohë që All-llahu ia ka mbuluar, siç përmendet në hadithin që na e përcjellë Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu se i dërguari i All-llahut ka thënë: “… publikim është kur një njeri natën kryen një mëkat, e kur gdhin në mëngjes All-llahu ia ka mbuluar këtë mëkat, por ai i drejtohet dikujt me këto fjalë: O filan, mbrëmë kam bërë këtë e këtë, ndërohë që All-llahu ia kishte mbuluar dhe ai e publikon atë mëkat.” (Buhariu dhe Muslimi).

    Të gjithë këtyre kategorive të njerëzve u themi: Pendohuni tek All-llahu, kërkoni falje prej Tij dhe kthehuni drej Tij. Dijeni se Zoti juaj është i Butë dhe i Mëshirshëm, e pranon pendimin e robërve të Tij, i falë mëkatet dhe i shlyen gabimet. All-llahu i Madhërishëm thotë: Pendohuni të gjithë tek All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (En-Nur 31).

    E lus All-llahun që t’i udhëzojë myslimanët e devijuar, të na mundësojë të bëjmë vepra të cilat Ai i do dhe është i Kënaqur me to, të na i falë mëkatet tona. Ai është i Vetmi që ka mundësinë për një gjë të tillë.

    Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

     

    www.thirrjaislame.com

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI