MOS U HIDHËRO!

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Njerëzit kanë treguar ndodhi të shumta të çuditshme. Ka ndodhur që një euro të shkaktojë konflikt mes shitësit dhe blerësit, kështu që ky i fundit i ka rënë shitësit me ndonjë shufër hekuri që ka pasur afër, duke i çarë kokën, dhe si pasojë e kësaj ka vdekur!

Shkaku real nuk është një euro siç mendon dikush, por shkak është një sëmundje e rrezikshme që i ka kapluar disa shpirtra dhe ka shkaktuar daljen e tyre nga binarët dhe natyrshmëria. Ajo është një sëmundje që çon deri në vrasje, shkurorëzim, ndarje prej fëmijëve, konflikte mes të dashurve dhe kundërshtime mes vëllezërve dhe të afërmve.

Ajo sëmundje është hidhërimi.

Një njeri erdhi te pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “Më jep ndonjë porosi! Ai i tha: “Mos u hidhëro.” Këtë ia përsëriti disa herë.” (Shënon Buhariu).

Hidhërimi shkakton reaksion të ashpër te njeriu, reaksion ky, i cili përcillet me skuqje në fytyrë, rrahje të shpejtë të zemrës dhe frymëmarrje të shpeshta. Ai shkakton një ndryshim të çuditshëm që e nxjerrë njeriun nga natyrshmëria e tij dhe e shndërron në një pamje të frikshme të cilën shpirti e refuzon dhe zemra e urren! Ndonjëherë e sheh një njeri në ndonjë ndejë dhe të duket i urtë e i mençur. Por kur i njëjti hidhërohet, pamja e tij ndryshon, damarët e qafës i fryhen, kapuçi i bie nga koka, lëvizjet e duarve i shtohen, dhe e godet tokën me këmbë…!

Një përshkrim më përfshirës të kësaj gjendjeje na e bën pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cili thotë: “Hidhërimi është një gacë në zemrën e të birit të Ademit. A nuk e keni vërejtur skuqjen e syve të tij dhe fryrjen e damarëve të qafës së tij…!” (Shënon Ahmedi).

Hidhërimi, All-llahu na ruajt, është i lidhur me mendjemadhësinë, zullumin dhe armiqësinë. Prandaj është një rrugë shkatërruese dhe e egër, të cilën zemrat e mira, mendjet e mençura dhe natyra e shëndoshë e refuzojnë.

All-llahu i Madhërishëm i ka lavdëruar besimtarët me shumë cilësi të mira, prej të cilave edhe fjala e All-llahut të Madhërishëm: “Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit.” (Alu Imran 134). Këto janë tri cilësi madhështore. E para: Frenimi dhe ndalimi i mllefit, e dyta: Falja edhe përkundër mundësisë për hakmarrje, dhe e treta, e që njëherit është edhe me pozitë më të lartë: Bamirësia ndaj njerëzve edhe përkundër të së keqes së tyre.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndryshe nga ajo që njerëzit e dinë, ka thënë: “Nuk është i fortë kampioni në mundje, por i fortë është ai që e përmban veten gjatë hidhërimit.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi). Po ashtu ka thënë: All-llahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo gjë.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi). E a thua ka më prioritar për butësinë tënde sesa bashkëshortja jote, fëmijët e tu dhe vëllezërit e tu myslimanë?! Ndërsa disa njerëz sot janë të përgatitur për rezultate të ulëta të hidhërimit, kështu që pranë tyre në makinë vendosin ndonjë shkop hekuri apo shkop druri, të cilën e kanë përgatitur për këso lloj rastesh!

Ilaçi

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kësaj sëmundjeje të rrezikshme ia ka gjetur ilaçin dobiprurës dhe shërues. Prej myslimanit kërkohet që ta thyejë ashpërsinë e hidhërimit dhe ta largojë me gjërat që do të përmendim në vijim:

E para: Pasimi i porosisë së pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në këtë çështje. Siç përmendëm më herët, një njeri erdhi te pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “Më jep ndonjë porosi! Ai i tha: “Mos u hidhëro.” Këtë ia përsëriti disa herë.” (Shënon Buhariu). Frenimi i hidhërimit para se ai të ndodhë është më mirë sesa përpjekja për t’i përmirësuar pasojat e dëmshme të tij, pasi të ndodhë.

E dyta: Njohja e mirësisë së All-llahut për njeriun i cili e gëlltitë dhe e fshehë hidhërimin. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Robi nuk ka gëlltitur kafshatë më të vlefshme tek All-llahu sesa një kafshatë mllef që e ka frenuar duke synuar me të kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm.” (Shënon Ibën Maxhe).

 E treta: Njohja e asaj se hidhërimi shkaktohet nga shejtani. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Hidhërimi vjen nga shejtani…” Ndërsa shejtani njeriut ia hap rrugët e shkatërrimit.

E katërta: Lakmia ndaj asaj që All-llahu ka përgatitur për atë që e frenon mllefin dhe hidhërimin. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e frenon mllefin duke pasur mundësi të hakmirret, All-llahu do ta thërrasë para të gjitha krijesave (në ditën e gjykimit) dhe do t’ia mundësojë të zgjedhë cilëndo hyri që do t’ia dëshirojë shpirti.” (Shënon Ebu Davudi).

E pesta: Përmbajtja ndaj udhëzimit të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Prej udhëzimit të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është ndryshimi i gjendjes së të hidhëruarit, si p.sh. ulja përtokë, ngase kjo është më afër për t’ia përkujtuar atij nënshtrimin e vetes dhe largimin e mendjemadhësisë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Hidhërimi është një gacë në zemrën e të birit të Ademit. A nuk e keni vërejtur skuqjen e syve të tij dhe fryrjen e damarëve të qafës së tij. Prandaj kush e ndjen se po kaplohet nga hidhërimi, le të ngjitet përtokë.” (Shënon Ahmedi).

E gjashta: Marrja e abdestit, duke zbatuar urdhrin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili thotë: “Hidhërimi është prej shejtanit dhe është krijuar prej zjarrit. E zjarri shuhet me ujë. Prandaj kur dikush prej jush hidhërohet, le të marrë abdest.” (Shënon Ebu Davudi).

E shtata: Heshtja dhe frenimi i gjuhës gjatë hidhërimit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Thoni fjalë të mira dhe mos vështirësoni. Nëse hidhërohesh, hesht, nëse hidhërohesh, hesht, nëse hidhërohesh, hesht.” (Shënon Ahmedi).

E teta: Kërkimi i mbrojtjes së All-llahut kundër Shejtanit (thënia e fjalës: Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim), ngase ai (shejtani) është koka e belasë. All-llahu i Madhërishëm thotë: E nëse të godet shejtani me ndonjë vesvese, ti kërko strehim te All-llahu, sepse vërtet Ai dëgjon e di.” (El-E’raf 200). Nga Sulejman ibën Sardi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Njëherë, dy persona u grindën mes vete në praninë e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, e njëri prej tyre u hidhërua aq tepër saqë iu skuqën sytë dhe iu frynë damarët e qafës. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Unë e di një fjalë, të cilën nëse e thotë, do t’i hiqet ajo që e ka (hidhërimi), ajo është: Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim.” (Shënon Muslimi).

E nënta: Përmendja e All-llahut në çdo rast, sidomos gjatë hidhërimit. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Vërtet, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion nga djalli, ata përkujtojnë (All-llahun), dhe atëherë shohin (të vërtetën).” (El-E’raf 201).

E dhjeta: Nëse ti e frenon hidhërimin, atëherë je në një gradë më të lartë se tjetri. Më herët u përmend hadithi që ka të bëjë me frenimin e mllefit. Po ashtu përkujto fjalën e All-llahut të Madhërishëm: “Ti (Muhammed) merre të lehtën, urdhëro për mirë dhe hiqu prej të padijshmëve.” (El-E’raf 199), si dhe fjalën e All-llahut të Madhërishëm: “Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm).” (Esh-Shura 43).

E njëmbëdhjeta: Gjatë hidhërimit, ka mundësi që të bësh zullum e armiqësi, dhe kështu të bëhesh mëkatar. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Myslimani në tërësi është haram për myslimanin: gjaku i tij, pasuria e tij dhe nderi i tij.” (Shënon Muslimi).

E dymbëdhjeta: Afrimi tek All-llahu i Madhërishëm me anë të sjelljes dhe moralit të mirë me besimtarët, si dhe injorimi i të këqijave të tyre ndaj teje. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Myslimani me anë të moralit të mirë e arrin shkallën e agjëruesit (agjërim nafile) dhe namazfalësit (namaz nate).” (Shënon Ebu Davudi). Po ashtu pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “A t’ju tregoj se kë e ka të ndaluar zjarri apo kujt i ndalohet zjarri? I ndalohet çdo robi të afërt (me njerëzit), të qetë dhe solidar.” (Shënon Tirmidhiu).”

E trembëdhjeta: Njohja e pasojave të hidhërimit dhe dënimit për të, të menduarit rreth asaj se si u bë shkak një euro për humbjen e një jete njeriu? Si u bë shkak vetëm një fjalë gjatë hidhërimit për shkurorëzimin e bashkëshortes, ndarjen e fëmijëve nga prindërit, humbjen e të drejtave që njerëzve u takojnë, armiqësinë ndaj të dobëtëve dhe vëllezërve, e kështu me radhë.

Nga ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Në betejën e Hunejnit, i dërguari i All-llahut disa njerëzve u dha nga plaçkat e luftës më tepër se disa të tjerëve (duke dashur me këtë t’ua zbusë zemrat ngase sapo kishin pranuar islamin, shën. përkth.). Kështu, Ekre’ ibën Habisit i dha njëqind deve. Po ashtu Ujejne ibën Hisnit i dha njëqind deve. Po ashtu edhe disa personave u ndau më shumë se disa të tjerëve. Me këtë rast një njeri tha: Vallahi kjo është një ndarje e padrejtë, dhe me të nuk është për qëllim arritja e kënaqësisë së All-llahut. Thashë: Vallahi do t’a informoj të dërguarin e All-llahut për këtë gjë. Shkova dhe i tregova për fjalët e njeriut. Kur i dëgjoi këto fjalë, atij iu skuq fytyra, dhe tha: “E kush bën drejtësi nëse All-llahu dhe i dërguari i Tij nuk bëjnë?” Pastaj tha: “All-llahu e mëshiroftë Musain. Është sprovuar më shumë se kjo, por ka qenë durimtar.” Atëherë thashë: “Kurrë më nuk do ta informoj për diçka të këtillë.” (Shënon Buhariu).

Vëlla mysliman:

Ajo që përmendëm deri tani është hidhërim i qortuar edhe nga aspekti sheriatik edhe nga aspekti mendor. Ndërsa për sa i përket hidhërimit të lavdëruar dhe të kërkuar, ai është hidhërim për hirin e All-llahut, si p.sh. kur nëpërkëmben ndalesat e All-llahut, siç hidhërohej pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe kjo ka ndodhur shpesh  gjatë jetës së tij. Aisheja radijAll-llahu anha thotë: “I dërguari i All-llahut kurrë nuk ka goditur me dorën e tij asnjë gjë; as grua e as shërbëtor, përveç gjatë luftës në rrugën e All-llahut. Dhe asnjëherë nuk u hakmor për veten e tij kur e kishte rastin, përderisa nuk nëpërkëmbeshin ndalesat e All-llahut të Madhërishëm, e atëherë hakmerrej për hirin e All-llahut të Madhërishëm.” (Shënon Muslimi).

Allahu na bëftë mua dhe ty prej atyre që hidhërohemi kur nëpërkëmben ndalesat e All-llahut, dhe na furnizoftë me qetësi për çështjet e kësaj bote të cilat na hidhërojnë. O All-llah, na mëshiro dhe na largo nga hidhërimi i qortuar. O All-llah, më i Mëshirshmi i të mëshirshëmve! Kërkojmë prej Teje të na mundësosh të themi të drejtën gjatë hidhërimit dhe komoditetit.

Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

 

www.thirrjaislame.com

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI