PËSHPËRITJE NË VESHIN E STUDENTES

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Motër myslimane: Dije se dituria është gjëja më e shtrenjtë në të cilën harxhohet jeta. Ajo është rrugë e jetës dhe formë e mirësisë në çdo kohë dhe vend.

Motra myslimane sot ka nevojë sikur kurrë më parë për dituri dhe mësim që të jetë në sinkronizim me rrjedhat e kohës, t’u bëjë ballë të këqijave dhe sfidave të perëndimit dhe të jetë në shkallën e krijimeve shkencore duke iu përgjigjur kërkesave të kohës dhe prioriteteve të saj pa pasur frikë nga dështimi.

Motër myslimane: Duke qenë se dituria nuk është në kundërshtim me fenë, detyrë e jote është që studimin ta bësh mjet për të ndihmuar fenë dhe për t’u krenuar me të. Me anë të studimit duhet ta adhurosh All-llahun e Madhërishëm, ndërkohë që gjatë studimit duhet të ruash moralin, turpin dhe pastërtinë. Në vazhdim do të të jap disa porosi të cilave çdo studente duhet t’u përmbahet:

Motra ime:

– Kije parasysh se studimi yt është ibadet. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem  ka thënë: Dynjaja është e mallkuar, e mallkuar është çdo gjë që është në të, përveç dhikrit (përmendjes) të All-llahut dhe asaj që është e ngjashme me të, dijetarëve dhe atyre që kërkojnë dituri.” (Ibën Maxhe)

Pa marrë parasysh se çfarë drejtimi studion, qoftë dituri fetare apo shkencore, si fizikë, mjekësi apo inxhinieri, këtë duhet ta bësh me sinqeritet ngase kjo rutinën e shndërron në ibadet dhe e mbush regjistrin tënd me shpërblime të shumta për punën që bën.

Kujdesu për mbulesën tënde gjatë daljes dhe hyrjes, në rrugë, në shkollë dhe në universitet, ngase mbulesa nuk kontradiktohet me diturinë, por lakuriqësia është ajo që kontradiktohet dhe e shëmton diturinë, sepse është e ndaluar sheriatikisht dhe e qortuar nga aspekti intelektual. Përvoja e civilizuar në perëndim dhe në shumë vende të tjera e ka vërtetuar të keqen e saj dhe shkaktimin e shumë sëmundjeve të rrezikshme. Prandaj mendo thellë dhe dije se mbulesa nuk kontradiktohet me bukurinë dhe nuk e shëmton atë, por e mbron dhe e fshehë nga dhëmballët e njerëzve ujq, mendja e të cilëve ka devijuar dhe shejtani i ka mashtruar! Po ashtu përkujto se mbulesa ka cilësi dhe kushte strikte, të cilat nuk ndryshohen me ndryshimin e modës dhe stajlingut, por është e përqendruar sikur mali dhe e përhershme sikur kur’ani dhe sunneti!

Kushtet e mbulesës:

  1. Të mbulojë tërë trupin, bazuar në fjalën e All-llahut të Madhërishëm: O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. All-llahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” (El-Ahzab 59).
  2. Të mos jetë i bukur në vete, bazuar në fjalën e All-llahut: “të mos zbulojnë stolitë e tyre.” (En-Nur 31). Kjo i përfshinë të gjitha llojet e stolive, pra edhe vetë mbulesën. Por në këtë sprovë kanë rënë shumë prej myslimaneve, të cilat të mashtruara pas modës në mantela, janë bërë pre e qëllimit të modës, e që është shfaqja e bukurisë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme.” (El-Ahzab 33).
  3. Të mos jetë e parfumosur, bazuar në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem : “Çdo grua që parfumoset, del nga shtëpia dhe kalon pranë burrave, e ata nuhasin nga era e saj, ajo konsiderohet lavire.” (Ahmedi)

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Ajo grua që parfumoset me temjan, të mos marrë pjesë me ne në namazin e natës.” (Muslimi)

  1. Të mos jetë e ngushtë që të mos e përshkruajë trupin. Nga Usame ibn Zejdi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut më dhuroi një veshje të trashë egjiptiane, të cilën ia kishte dhuruar Dihjetul-Kelbiu, e unë ia dhashë gruas sime që ta veshë. Një ditë ai më tha: “Përse nuk po të shoh duke e veshur atë veshje egjiptiane”? I thashë: “Ia dhashë atë gruas sime.” Ai më tha: “Urdhëroje që të veshë diçka nën të, se kam frikë mos po ia përshkruan formën e eshtrave të saj.”
  2. Të jetë e trashë, që të mos shihet trupi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Janë dy lloje njerëzish nga banorët e xhehenemit, të cilët unë nuk i kam parë: Një grup njerëzish me kamxhik në dorë si bisht lope, me të cilët rrahin popullin, dhe gratë të veshura, mirëpo të zhveshura (gjysmëlakuriq), ecin me mendjemadhësi dhe shtrembërim, në kokat e tyre do të kenë (model flokësh) sikurse gungat e deveve të thata (dobëta). Këta nuk do të hyjnë në xhenet dhe as që do ta nuhasin erën e tij, edhe pse kjo erë mund të nuhatet nga një largësi e madhe.” (Muslimi).
  3. Të mos i ngjajë veshjes së burrave, qoftë brenda apo jashtë shtëpisë. Nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “I dërguari i All-llahut i ka mallkuar ata burra që u përngjasojnë grave dhe ato gra që u përngjasojnë burrave.” (Buhariu).
  4. Të mos jenë tesha që vishen për të arritur famë, bazuar në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem : “Ai që veshë një teshë për famë, në ditën e gjykimit All-llahu do t’ia veshë atij një teshë si ajo, e pastaj ia vë flakën asaj.” (Ebu Davudi). Prej formave të kësaj veshjeje janë ato veshje që janë shumë të shtrenjta dhe vishen për mburrje dhe krenari.
  5. Të mos i ngjasojë mosbesimtareve. All-llahu i Madhërishëm thotë: Nuk gjen popull që e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre.” (El-Muxhadele 22).

Motër e nderuar myslimane:

– Dije se shkatërrimi i vërtetë është të barazosh veten me femrat e këqija, ngase ato e tërheqin të keqen dhe ta çojnë jetën kot. Prandaj, ki kujdes dhe mos u shoqëro me ato femra te të cilat sheh pak fe dhe pak moral.

I dërguari i All-llahut ka thënë: “Njeriu është në moralin e shokut të vet. Prandaj kini kujdes se me kë shoqëroheni.”

– Dije se ti do të adaptohesh me moralin e atyre që i shoqëron. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem  ka thënë: Shembulli i shokut të mirë dhe shokut të keq është përkatësisht si mbartësi i miskut dhe kovaçit. Mbartësi i miskut ose të jep erë të mirë, ose do ta blesh (miskun) ose do të ndiesh prej tij erën e mirë, ndërsa kovaçi ose do të t’i djegë rrobat, ose do të ndiesh prej tij erën e keqe.” (Buhariu dhe Muslimi).

– Kujdesu për kryerjen e farzeve, prej të cilave më i rëndësishmi është namazi. Largohu nga gjërat të cilat All-llahu t’i ka ndaluar, si kënga, gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve, mosrespektimi i prindërve, shkëputja e lidhjeve farefisnore, e kështu me radhë.

– Bëhu e mirë për vete dhe përmirësuese e të tjerëve. Bëhu thirrëse në fenë e All-llahut të Madhërishëm dhe në rrugën e Tij të drejtë me urtësi, me këshillë të mirë dhe me dialog më të mirë të mundshëm.

Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

 

www.thirrjaislame.com

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI