PREJ VLERAVE TË SAHABËVE

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut.

All-llahu i Madhërishëm thotë: All-llahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh.” (Et-Tevbe 100).

“Vërtet, All-llahu qe i kënaqur me besimtarët kur ata nën hijen e atij druri të zotoheshin ty dhe Ai e dinte se ç’kishin zemrat e tyre, andaj u dhuroi qetësimin dhe së shpejti i shpërbleu me një fitore (çlirimin e Hajberit).” (El-Fet’h 18).

“Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej All-llahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (All-llahu i shumoi). Për t’ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. All-llahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.” (El-Fet’h 29).

“(Ajo pronë) U takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe prej pasurisë së tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë prej All-llahut, dhe që ndihmojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij, të tillët janë ata të sinqertit. Edhe ata që përgatitën vendin (Medinen) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoksat e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për te, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar. Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: “Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues!” (El-Hashr 8-10).

Nga Umran ibën Husajni radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Njerëzit më të mirë të ummetit tim janë gjenerata ime, pastaj ata që vijnë pas tyre, e pastaj ata që vijnë pas tyre.”

Nga Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: Ummu Bishri më ka thënë se njëherë duke qenë te Hafsa e kishte dëgjuar pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Asnjëri nga pjesëmarrësit e ‘Besëlidhjes së Ridvanit’ nuk do të hyjë në zjarr, inshaAllah.”, ndërsa ajo tha: “Sigurisht, o i dërguari i All-llahut.”, ndërsa Hafsa ia tërhoqi vërejtjen asaj dhe tha: “Dhe nuk ka asnjë prej jush që nuk do t’i afrohet atij (zjarrit të xhehennemit).” Atëherë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “Pastaj, (pas kalimit pranë tij) do t’i shpëtojmë ata që ishin ruajtur (mëkateve), e zullumqarët do t’i lëmë aty të gjunjëzuar.”

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Mos i shani sahabët e mi, sepse sikur ndonjëri prej jush të shpenzojë flori edhe sa mali i Uhudit, nuk mund të arrijë qoftë edhe sa grushti i tyre, apo sa gjysma e tij.”

Nga Nusejr ibën Dhe’luku na përcilet se ka thënë: Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma thoshte: “Mos i shani sahabët e Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ngase vetëm një çast prej jetës së tyre është më i vlefshëm se veprat e tërë jetës suaj.”

Nga Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “All-llahu ka shikuar zemrat e robërve të Tij dhe ka parë se zemra e Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është zemra më e mirë. Prandaj e ka zgjedhur dhe e ka dërguar me misionin e Tij. Pastaj ka shikuar zemrat e robërve të Tij pas zemrës së Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, dhe ka parë që zemrat e shokëve të tij janë zemrat më të mira, kështu që i ka bërë zëvendës së të dërguarit të Tij, të cilët luftojnë për fenë e tij. Prandaj atë që ata e konsiderojnë si të mirë, edhe tek All-llahu është e mirë, dhe atë që ata e konsiderojnë të keqe, edhe tek All-llahu është e keqe.”

Nga Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “Ebu Seid El-Hudriu na ka treguar se i dërguari i All-llahut ka thënë: Do të vijë një kohë kur një grup njerëzish do të luftojnë dhe do të thonë: A ka prej jush dikush që e ka shoqëruar të dërguarin e All-llahut? Do t’ju thuhet: Po, dhe do t’ju mundësohet fitorja (nga All-llahu). Pastaj do të vijë një kohë kur një grup njerëzish do të luftojnë dhe do të thonë: A ka prej jush dikush që i ka shoqëruar sahabët e të dërguarit të All-llahut? Do t’ju thuhet: Po, dhe do t’ju mundësohet fitorja (nga All-llahu). Pastaj do të vijë një kohë kur një grup njerëzish do të luftojnë dhe do të thonë: A ka prej jush dikush që i ka shoqëruar ata që i kanë shoqëruar sahabët e të dërguarit të All-llahut? Do t’ju thuhet: Po, dhe do t’ju mundësohet fitorja (nga All-llahu).”

Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shenjë e imanit është dashuria ndaj ensarëve, ndërsa shenjë e nifakut (hipokrizisë) është urrejtja ndaj ensarëve.”

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhuna përcillet se ka thënë: “Nuk i urren ensarët një njeri që beson All-llahun dhe ditën e fundit.”

Në rastin e Hatib ibën Ebi Belteas radijAll-llahu anhu kur ai deshi t’ua shpalosë mushrikëve sekretin për çlirimin e Mekës, Omeri radijAll-llahu anhu i tha të dërguarit të All-llahut: “O i dërguari i All-llahut, ai e ka tradhtuar All-llahun, të dërguarin e Tij dhe besimtarët. Më jep leje t’ia këpus kokën.” Ndërsa pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “A nuk ka qenë ai pjesëmarrës në luftën e Bedrit; e ku e di ti, mbase All-llahu për pjesëmarrësit e Bedrit ka thënë: Bëni ç’të doni, se të gjitha ua kam falur (do t’ua fali).” Atëherë Omerit radijAll-llahu anhu iu mbushën sytë me lot dhe tha: All-llahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri.

Nga Berai radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Disa prej shokëve të Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem që kanë qenë pjesëmarrës në luftën e Bedrit më kanë treguar se numri i tyre ka qenë sa numri i ushtarëve të Talutit ë cilët e kaluan lumin bashkë me të, d.m.th. treqind e ca. Berai thotë: Nuk e kanë kaluar lumin bashkë me të, vetëm se besimtarët.”

Seid ibën Ebi Burde na përcjellë nga i ati i tij se ka thënë: “Një ditë e falëm namazin e akshamit me të dërguarin e All-llahut, dhe thamë: ‘Sikur të presim të falim me të edhe jacinë’ – dhe kështu bëmë, kur ja, ai doli dhe kur na pa aty, tha: “Akoma këtu jeni?” U përgjigjëm: Po, o i dërguari i All-llahut, e falëm me ty namazin e akshamit, e pastaj vendosëm ta falim me ty edhe jacinë. “Shumë mirë keni vepruar” ose “E paskeni qëlluar” – na tha ai. Pastaj e ngriti kokën në qiell, siç e bënte këtë shpeshherë, dhe tha: “Yjet janë siguri për qiellin, nëse ato ikin, atëherë qiellit do t’i vijë ajo që i është premtuar; unë jam siguri për sahabët (shokët) e mi, e kur të iki unë, atyre do t’u vijë ajo që u është premtuar. Ndërsa sahabët e mi janë siguri për ummetin tim, kur të largohen sahabët e mi, ummetit do t’i vijë ajo që i është premtuar.”

Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

 

www.thirrjaislame.com

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI