TË PËRMENDURIT E ALL-LLAHUT DHE DUAJA

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Në lidhje me përmendjen e All-llahut dhe duanë po përmendim ajetet në vijim:

 

“(O, besimtarë!) Më kujtoni Mua (me lutje e adhurime), që t’ju kujtoj juve (me shpërblime); më falënderoni vetëm Mua e mos më mohoni.” (El-Bekare 152).

“O ju që besuat, rikujtojeni All-llahun sa më shpesh.” (El-Ahzab 41).

 “Kur të kryeni namazin përmendeni All-llahun, kur jeni në këmbë, ulur e të mbështetur.” (En-Nisa’ 103).

“O ju që besuat, kur të konfrontoheni me ndonjë grup, përqendrohuni dhe përm­e­n­deni çdo herë All-llahun që të arrini fitoren e dëshiruar.” (El-Enfal 45).

“O ju që besuat, as pasuria e juaj e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin  prej adhurimit ndaj All-llahut, e kush bën ashtu (shmanget), të tillët janë mu ata të humburit.” (El-Munafikun 9).

“Të mjerë janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk e përmendin All-llahun.” (Ez-Zumer 22).

Shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.” (El-Ahzab 35).

“Zoti juaj ka thënë: Më bëni dua Mua, Unë ju pë­rgjigjem.” (Gafir 60).

 

Ndërsa në lidhje me duanë (lutjen) po përmendim ajetet në vijim:

 

“Pra, adhurojeni (luteni) All-llahun me një adhurim të sin­q­e­rtë ndaj Tij, edhe pse jobesimtarët e urrejnë atë (adh­u­rimin).” (Gafir 14).

“Ai është i Përjetshmi, nuk ka zot tjetër përveç Tij, pra adhurojeni (luteni) Atë me një adhurim të sinqertë.” (Gafir 65).

“Përkufizoje vetën tënde me ata që lusin Zotin e tyre, mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij.” (El-Kehf 28).

“Luteni Zotin tuaj, të përulur e në heshtje.” (El-E’raf 55).

“Dhe luteni Atë duke pasur frikë (dënimin) dhe duke shpresuar (mëshirën). S’ka dyshim se mëshira e All-llahut është pranë atyre të mirëve.” (El-E’raf 56).

“All-llahu ka emrat më të bukur, andaj thirreni (luteni) Atë (All-llahun) me ata.” (El-E’raf 180).

“Lutje e vërtetë është vetëm ajo drejtuar Atij.” (Err-Rra’d 14).

“(Robërit e dalluar të All-llahut) me frikë dhe shpresë e lusin Zotin e tyre.” (Es-Sexhde 16).

“Lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta, All-llahu është Ai që dëgjon dhe sheh.” (Et-Tevbe 103).

“E kush ia kthen shpinën udhëzimit (përmendjes) Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?”. Ai (All-llahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot”. Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm.” (Ta-Ha 124-127).

 

Në vijim, po përmendim disa hadithe që kanë të bëjnë me përmendjen e All-llahut të Madhërishëm:

 

Nga Ebu Musa El-Esh’ariu radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend All-llahun dhe atij që nuk e përmend është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.” (Shënon Buhariu).

Ndërsa në transmetimin e Muslimit qëndron: “Shembulli i shtëpisë ku përmendet All-llahu dhe shtëpisë ku nuk përmendet All-llahu është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.” (Shënon Muslimi).

“Sa herë që një grup njerëzish e përmendin All-llahu dhe për ta studiuar, zbret mbi ta qetësia, i mbulon mëshira, i rrethojnë melaiket dhe All-llahu i përmendë para atyre që janë pranë Tij. (Shënon Ebu Davudi).

Nga Abdullah ibën Busri radijAll-llahu anhu na përcillet se një njeri tha: O i dërguari i All-llahut: Obligimet e fesë janë bërë shumë për mua (ngarkesë e tepërt), andaj më trego diçka të cilës do t’i përmbahem. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Le të jetë gjuha jote gjithmonë e njomë nga të përmendurit e All-llahut.” (Shënojnë Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe).

Nga Ebu Derda’ radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: A nuk doni t’ju tregoj për punët tuaja më të mira dhe më të pastra tek Sunduesi juaj; që i lartësojnë më së shumti gradat dhe janë më të mira për ju se shpenzimi i floririt dhe argjendit (për të fituar kënaqësinë e All-llahut) dhe që janë më mirë për ju se ta takoni armikun tuaj e t’i godisni ose t’ju godasin në zverqe?!” I thanë: Po. Ai tha: “Të përmendurit e All-llahut të Madhërishëm.” (Shënojnë Tirmidhiu, Ibën Maxhe dhe Ahmedi).

www.thirrjaislame.com

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI