Blog

  • IMANI ËSHTË ÇELËS I ÇDO TË MIRE

    IMANI ËSHTË ÇELËS I ÇDO TË MIRE

    Me emrin e Allahut Mëshirëgjërit Mëshirëplotit

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, vetëm Atë falënderojmë! I kërkojmë ndihmë, falje dhe mbrojtje nga të këqijat e vetëve tona e nga te këqijat e punëve tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humbë dhe atë që Ai e humbë nuk ka kush e udhëzon! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut dhe Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

    Kur themi se imani është çelës i shpëtimit dhe fillim i çdo zgjidhje të problemit nuk është diçka e re. Kur’ani është i mbushur me ajete të cilat na nxisin në iman dhe devotshmëri.

    Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:

    O ju besimtarë, përmbajuni mësimeve të Allahut dhe thuani fjalë të drejta.

    Ai (Allahu) iu mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen juve mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai ka arritur fitim të madh. [el Ahzabë, 70-71]

    Ai i cili dëshiron të zbukurohet me sjellje të mirë, le të fillojë me iman. Thotë Pejgamberi sal-l Allahu alejhi ue sel-lem: “Besimtarët të cilët e kanë imanin më të plotë e kanë sjelljen më të mirë”. Transmeton Imam Ahmedi nga Ebu Hurejra, shejh Albani e saktësoi.

    Ai i cili dëshiron të largohet nga mëkatet, le të futet në shkollën e imanit. Thotë Pejgamberi sal-l Allahu alejhi ue sel-lem: “Ju porosis me namaz të natës, sepse kjo është traditë e të parëve tuaj të mirë dhe afrim tek Allahu, largim dhe shlyerje e mëkateve dhe largim i sëmundjeve nga trupi”. Transmeton Imam Ahmedi nga Bilali, shejh Albani e saktësoi.

    Thotë Hasan El Basriu: “Njerëzit pretenduan se e duan Allahun kurse Allahu i sprovoi me këtë ajet”:

    Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë”. [Ali Imran, 31]

    Thanë Sahabët, ne e duam Zotin tonë me dashuri të madhe, Allahu i Lartëmadhëruar dëshiroi që të bëjë shenjë për dashurinë e Tij dhe tha:

    Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë”. [Ali Imran, 31]

     

    Lutja jonë e fundit është: ,,Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të Botëve”.

     

    Përktheu dhe përshtati: Tafil Ramuka

    (Sqarim: kjo temë është pjesë e zinxhirit të temave rreth edukatës së imanit)

    www.thirrjaislame.com

  • MIRËSITË E SHPESHTIMIT TË FJALËS LA ILAHE ILALLAH

    MIRËSITË E SHPESHTIMIT TË FJALËS LA ILAHE ILALLAH

    E para: Ripërtrirja e imanit (besimit):

    Shqiptimi i shahadetit e ripërtrinë imanin (besimin) në zemrën e muslimanit.Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    “Ripërtrijeni imanin (besimin) tuaj.” U tha: “O i Dërguari i Allahut, si ta ripërtrijmë imanin (besimin) tonë?” (Ai – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të -) tha: “Shpeshtojeni fjalën ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut).”[1]

    Ripërtrirja e imanit (besimit) është i kërkuar sepse ai (besimi) pakësohet në vazhdimësi në brendësi të gjoksit të muslimanit përderisa ai nuk e përmendë Allahun dhe nuk bën vepra të mira. Transmeton Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    “Vërtet, imani (besimi) vjetërsohet në brendësi të ndonjërit prej jush (zemrave tuaja) ashtu sikurse vjetërsohet rroba. Luteni Allahun që t’ua ripërtërijë imanin (besimin) në zemrat tuaja.[2]

    E dyta: Është nga veprat më të mira dhe e rëndon peshoren e veprave (të mira):

    Transmeton Ebu Dherr el-Gifari, Allahu qoftë i kënaqur me të, i thash: “O i Dërguari i Allahut, më këshillo!” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “Kur ta veprosh një vepër të keqe pasoje atë (veprën e keqe) me të mirë, që kjo (vepra e mirë) ta shlyejë atë (të keqen)”. I thash: “O i Dërguari i Allahut, a është nga veprat e mira fjala ‘la ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut)?” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “Ajo është më e mira prej tyre (nga veprat e mira).”[3]

    Transmeton Ebu Selma, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    Behin behin , bëri shenjë pesë me dorën e tij, sa të rënda janë në peshore (në Ditën e Gjykimit): ‘Subhanallah’ (I shenjtë, e i pa të meta është Allahu!), ‘Elhamdulilah’ (Falënderimet qofshin për Allahun), ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut), ‘Allahu ekber’ (Allahu është më i madhi) dhe një fëmijë i mirë që i vdes muslimanit dhe ai duron duke pritur shpërblimin (prej Allahut).”[4]

    Transmeton Ebu Seid el-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    Musa, paqja qoftë mbi të,  tha: “O Zot, më mëso mua diçka me të cilën të të përmend Ty dhe me të cilën të të lutem.” (Allahu i Lartëmadhëruar) tha: “Thuaj o Musa ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut).”  Musa alejhi selam tha: “O Zot, të gjithë robërit e Tu e thonë këtë!” (Allahu i Lartëmadhëruar) tha: “O Musa, sikur shtatë qiejt dhe banorët e tyre, përveç Meje, si dhe shtatë tokat të jenë në një anë të peshores, dhe fjala ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut) në anën tjetër të saj, më shumë do të rëndojë fjala ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut).”[5]

    Transmeton Abdullah ibn Amr ibn el-Asi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    “Me të vërtetë Allahu në Ditën e Gjykimit do ta nxjerrë një njeri para të gjithë krijesave dhe ia shfaqë nëntëdhjetë e nëntë regjistra me mëkate, çdo regjistër i tij është i madh sa sheh syri larg, për arsye se çdo gjë iu është shënuar. Pastaj (Allahu i Lartëmadhëruar) i thotë: “A mohon nga këto diçka? A mos të kanë bërë padrejtësi melaqet që kanë shënuar çdo gjë?” (Ai njeriu) thotë: “Jo, o Zot.” (Allahu i Lartëmadhëruar) i thotë: “A ke ndonjë arsyetim?” (Ai njeriu) thotë: “Jo, o Zot.” (Allahu i Lartëmadhëruar) i thotë: “Me të vërtetë ti e ke një vepër të mirë (e cila nuk është paraqitur tek këto regjistra).” Atëherë i nxjerret një kartë në të cilën shkruhet ‘Eshehedu en la ilahe ilAllah ue eshhedu ene Muhameden abduhu ue rasuluhu’ (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe dërguar i Tij). (Pastaj Allahu i Lartëmadhëruar) thotë: “Sillni regjistrat e këtij robit Tim që t’i peshojmë me këtë kartë.”  (E ky rob i shkretë i sheh regjistrat e mëdhenj të tij, i sheh mëkatet e tij të shumta e të mëdha dhe thotë): “O Zot, ç’do të peshoj kjo kartë e vogël përballë këtyre (nëntëdhjetë e nëntë) regjistrave.” (Allahu i Lartëmadhëruar) i thotë: “Ty nuk do të të bëhet padrejtësi.” Atëherë merren (nëntëdhjetë e nëntë) regjistrat, vihen në njërën anë të peshores dhe karta (në të cilën shkruhet shahadeti) në anën tjetër, do të lehtësohet ana e peshores ku janë regjistrat dhe do të rëndojë ana e peshores ku është kjo kartë, pra para Emrit të Allahut asgjë nuk mund të jetë i rëndë.”[6]

    E treta: Nëse e thua atë një herë me disa fjalë të tjera, t’i fshijnë mëkatet:

    Transmeton Abdullah ibn Amr ibn Asi, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ka person mbi tokë i cili thotë këto fjalë: ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut), ‘Allahu ekber’ (Allahu është më i madhi) dhe ‘La haule ue la kuvete ila bilah’ (Nuk ka ndryshim e as forcë, pa ndihmën e Allahut), veçse i falen atij gjynahet, edhe sikur të jenë sa shkuma e detit.”[7]

    E katërta: Nëse e thua atë njëqind herë, t’i fshinë mëkatet edhe sikur të jenë sa shkuma e detit:

    Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të: Ka thënë Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:

    “Kush thotë njëqind herë ‘Subhanallah’ (I shenjtë, e i pa të meta është Allahu!) dhe ‘La ilahe ilallah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut) i falen atij mëkatet edhe sikur të jenë sa shkuma e detit.”[8]

    E pesta: Ai i cili e thotë më shumë këtë fjalë, me shumë mundësi do të jetë edhe fjala e tij e fundit para se të largohet nga kjo dunja:

    Me shumë mundësi atij i cili e thotë sa më shumë shahadetin, Allahu do t’i ndihmojë atij që ta thotë atë (shahadetin) edhe në momentet e fundit të kësaj jete. Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të se, Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    “Shpeshtojeni shahadetin ‘en la ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhururar me të drejtë përveç Allahut) para se të ndërhyhet mes jush dhe saj (la ilahe ilAllah), dhe pëshpëriteni këtë fjalë tek personi që gjendet në agoninë e vdekjes.”[9]

    Transmeton Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të: Shkova një herë tek Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, dhe e gjeta duke fjetur me një rrobë të bardhë. Pastaj shkova përsëri pasi ishte zgjuar nga gjumi.  (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha:

    “Çdo njeri i cili thotë ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut), pastaj vdes me këtë bindje do të hyjë në Xhenet.” I thash: “Edhe nëse ka bërë marrëdhënie intime jashtë kurore dhe ka vjedhur?!” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “(Po) edhe nëse ka bërë marrëdhënie intime jashtë kurore dhe ka vjedhur.” I thash: “Edhe nëse ka bërë marrëdhënie intime jashtë kurore dhe ka vjedhur?!” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “(Po) edhe nëse ka bërë marrëdhënie intime jashtë kurore dhe ka vjedhur.” I thash: “Edhe nëse ka bërë marrëdhënie intime jashtë kurore dhe ka vjedhur?!” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “(Po) edhe nëse ka bërë marrëdhënie intime jashtë kurore dhe ka vjedhur, ndonëse Ebu Dherrit nuk i pëlqen.”[10]

    Lutja jonë e fundit është: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Zotin e gjithë botëve, njerëzve, xhinëve dhe gjithçkaje që është.”

     

    [1] Transmeton Hakimi; Shejh Albani e cilësoi daif.

    [2] Transmeton Hakimi; E saktësoi Shejh Albani.

    [3] Transmeton Ahmedi; E saktësoi Shejh Albani.

    [4] Transmeton Nesaiu; E saktësoi Hakimi.

    [5] Transmeton Ibn Hibani.

    [6] Transmeton Tirmidhiu; E saktësoi Shejh Albani.

    [7] Transmeton Tirmidhiu; Shejh Albani e cilësoi hasen.

    [8] Transmeton Nesaiu; E saktësoi Shejh Albani.

    [9] Transmeton Ebu Je’ala; Shejh Albani e cilësoi hasen.

    [10] Transmeton Buhariu.

     

    Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

    (Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

    www.thirrjaislame.com

  • RËNDËSIA E SHPESHTIMIT TË FJALËS LA ILAHE IL-ALLAH

    RËNDËSIA E SHPESHTIMIT TË FJALËS LA ILAHE IL-ALLAH

    Kush thotë: La ilahe ilAllah Muhamedun rasulullah me sinqeritet, hyn në Islam dhe me këtë rast atij iu mbrohen pasuria, gjaku dhe nderi. Largohet nga ai mosbesimi përderisa nuk vjen me diçka që e bën atë mosbesimtar, shpëton nga dënimi i përhershëm në zjarr (Xhehenem), do të gjenë shpëtim një ditë prej ditësh, edhe pse i takon ajo çfarë duhet t’i takojë (ndonjë ndëshkim në zjarr për mëkatet e tij) para se të gjejë shpëtimin, do të jetë njeri fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në Ditën e Gjykimit dhe do të hyjë në Xhenet me lejen e Allahut.

    Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se e ka pyetur Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:

    O i Dërguari i Allahut, kush është njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tënd Ditën e Gjykimit? I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha: “Kam pandehur, o Ebu Hurejre, se askush para teje nuk do të më pyesë për këtë çështje, për shkak se kam vënë re se ke interesim të madh ndaj hadithit. Njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tim Ditën e Gjykimit është ai që deklaron ‘la ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut) me zemër të sinqertë – ose ka thënë: me sinqeritet”[1].

    Transmeton gjithashtu Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    “Kush thotë: ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut), gjenë shpëtim një ditë prej ditësh, edhe pse i takon ajo çfarë duhet t’i takojë (ndonjë ndëshkim në zjarr për mëkatet e tij) para se të gjejë shpëtimin”[2].

    Transmeton Enes ibn Maliki, Allahu qoftë i kënaqur me të: Na ka rrëfyer i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke thënë:

    “Kur të ndodhë Dita e Kijametit, do të vërshojnë njerëzit mbi njëri-tjetrin e do t’i shkojnë Ademit, paqja qoftë mbi të, e do t’i thonë: “Ndërmjetëso për ne te Zoti yt, dhe ai do t’u thotë: nuk më takon mua ajo, por shkoni tek Ibrahimi, sepse ai është miku i (Allahut) të Gjithëmëshirshmit. I shkojnë Ibrahimit dhe ai u thotë: nuk më takon mua ajo, por shkoni tek Musai, është ai që i ka folur vetë Allahu. I shkojnë Musait dhe ai u thotë: nuk më takon mua ajo, por shkoni tek Isai, ai është shpirti i krijuar prej Allahut dhe Fjala e Tij. I shkojnë Isait dhe ai u thotë: nuk më takon mua ajo, por shkoni te Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, dhe ata më vijnë mua e u them: unë jam për të dhe kërkoj leje tek Allahu. Më jepet leja dhe Ai (Allahu) më frymëzon dhe unë e falënderoj me fjalë që nuk i di tani, e falënderoj me to dhe bie për Të (Allahun) në sexhde, e thuhet: O Muhamed! Ngrije kokën, thuaj e do të dëgjohesh, kërko e do të të jepet, ndërmjetëso e do të të lejohet të ndërmjetësosh……….., pastaj kthehem për të katërtën herë dhe e falënderoj me këto falënderime, pastaj bie për Të në sexhde dhe thuhet: O Muhamed! Ngrije kokën, thuaj e do të dëgjohesh, kërko e do të të jepet, ndërmjetëso e do të të lejohet të ndërmjetësosh. Them: O Zot! Më lejo të ndërmjetësoj për atë që ka thënë ‘la ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut). Thotë (Allahu): Pasha Fuqinë, Lavdinë, Pushtetin dhe Madhështinë Time, do të nxjerr prej tij (Zjarrit) kush ka thënë: ‘la ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut)”[3].

    Kjo fjalë konsiderohet edhe si dhikri më i mirë; Transmeton Xhabir ibn Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur me të: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke thënë:

    “Dhikri më i mirë është (fjala) la ilahe ilAllah (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut),…” [4].

    Gjithashtu konsiderohet edhe pjesa (dega) më e lartë e imanit (besimit); Transmeton Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të: ka thënë i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:

    “Imani (besimi) është shtatëdhjetë e ca -ose gjashtëdhjetë e ca – pjesë (degë); më e mira është fjala ‘la ilahe ila Allah’, ndërsa më e ulëta është largimi i të keqes (pengesës) nga rruga. Edhe turpi është degë e besimit”[5].

    [1] Transmeton Buhariu.

    [2] Transmeton Bejhakiu; E saktësoi Shejh Albani.

    [3] Transmeton Buhariu.

    [4] Transmeton Tirmidhiu; Shejh Albani e saktësoi hasen.

    [5] Transmeton Muslimi.

     

    Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

    (Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

    www.thirrjaislame.com

     

     

  • SHPESHTIMI I FJALËS LA ILAHE ILALLAH

    SHPESHTIMI I FJALËS LA ILAHE ILALLAH

    Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

    Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

    Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

    Dije se fjala jote “La ilahe ilAllah” duke qenë i sinqertë në Allahun t’i hapë ty dyert e qiellit, përshkak të pozitës së madhe që e ka kjo fjalë tek Allahu i Lartëmadhëruar, përderisa je i larguar nga mëkatet e mëdha.

    Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    “Nuk thotë robi la ‘ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut) duke qenë i sinqertë, veçse (fjalës) i hapen dyert e qiellit derisa të arrijë tek Arshi, përderisa largohet nga mëkatet e mëdha”[1].

    Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na ka urdhëruar që ta shpeshtojmë shqiptimin e kësaj fjale para se të ndërhyjë mes nesh dhe kësaj fjale vdekja.

    Për pozitën të cilën e ka kjo fjalë dhe për shpërblimin e madh që e ka transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    “Shpeshtojeni shahadetin ‘en la ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut) para se të ndërhyhet mes jush dhe saj (la ilahe ilAllah), dhe pëshpëriteni këtë fjalë tek personi që gjendet ne agoninë e vdekjes”[2].

     

     

    [1] Transmeton Tirmidhiu; Shejh Albani e cilësoi hasen.

    [2] Transmeton Ebu Je’ala; Shejh Albani e cilësoi hasen.

     

    Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

    (Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

    www.thirrjaislame.com

  • Rëndësia e shpeshtimit të përmendjes së Allahut

    Rëndësia e shpeshtimit të përmendjes së Allahut

    Nuk ka dyshim se shpeshtimi i përmendjes së Allahut është me rëndësi në jetën e muslimanit, ajo e forcon lidhjen mes robit dhe Zotit të tij, ia largon brengat dhe pikëllimin, e mbron nga kurthi i shejtanit, ia fshinë mëkatet, e shpëton nga dënimi i Allahut, e angazhon atë me përmendjen e Allahut duke mos folur për njerëzit, është siguri që mos të na harrojë Allahu, pra nuk na harron as në këtë botë e as në Botën Tjetër.

    Shkurtimisht rëndësinë e përmendjes së Allahut mund ta themi në çështjet e ardhshme:

    E para: Është nga veprat më të dashura tek Allahu i Lartëmadhëruar

    Transmeton Malik ibn Jehamir, Allahu e mëshiroftë, se Muadh ibn Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, iu tha atyre:

    E kam pyetur të Dërguarit e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Cilat vepra janë më të dashura tek Allahu?” (Ai. paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “Të vdesësh me gojën e lagur nga përmendja e Allahut të Lartëmadhëruar.”[1]

    E dyta: Largon hipokrizinë

    Nëse muslimani e pakëson përmendjen e Allahut cilësohet me njërën nga cilësitë e hipokritëve, të cilët nuk e përmendin Allahun vetëm se pak.

    Thotë Allahu në Kur’an:

    Padyshim që Munafikët (njerëzit me dy fytyra, hipokritët) mundohen të mashtrojnë Allahun, por është Allahu Ai i Cili i mashtron ata. Dhe kur ngrihen për falje, qëndrojnë me përtaci dhe sa për t’u parë prej njerëzve dhe nuk e përmendin Allahun veçse fare pak.[2]

    E treta: Atij i cili shpeshton përmendjen e Allahut, Allahu nuk ia refuzon lutjen

    Transmeton Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    “Tre personave lutja nuk ju refuzohet: Atij që përmendë Allahun shpesh, atij që i është bërë padrejtësi dhe lutja e prijësit të drejtë.”[3]

    E katërta: Ata të cilët e përmendin Allahun shumë janë të mbrojtur nga shejtani

    Transmeton Harith el-Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    “Allahu i shpalli Jahjas, të birit të Zekerijas, paqja qoftë mbi ta, pesë fjalë që me to të veprojë e t’i urdhërojë Beni Israilët të veprojnë me to, sikur ai (Jahja) u vonua, e i erdhi Isau, paqja qoftë mbi të, e i tha: “Je urdhëruar (nga Allahu) me pesë fjalë që të veprosh me to e t’i urdhërosh Beni Israilët të veprojnë me to, ose do t’i informosh ose do t’i informoj unë.” Ai (Jahja), paqja qoftë mbi të, tha: “O vëlla kam frikë se nëse ti më paraprinë me këtë do të ndëshkohem apo të shkatërrohem.” Kështu që i tuboi Beni Israilët në xhaminë e Kudsit derisa u stërmbush, saqë u ulën edhe në ballkone. Pasi që lavdëroi dhe falëndëroi Allahun tha: “Allahu m’i ka shpallur pesë fjalë që të veprojë me to dhe që t’iu urdhëroj juve që të veproni me to: të adhuroni Allahun dhe të mos i shoqëroni askënd në adhurim, të falni namazin, të agjëroni, të jepni zekatin, të përmendni Allahun shumë sepse shembulli i atij është sikur njeriu të cilin armiqtë e ndjekin me shpejtësi, derisa arriti tek një fortifikatë dhe e mbrojti veten e tij aty. Kështu robi ështu më i mbrojtur kur e përmendë Allahun e Lartëmadhëruar.”[4]

    E pesta: Ata që e shpeshtojnë përmendjen e Allahut, janë ata që paraprijnë në Ditën e Gjykimit

    Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    “Ua tejkaluan el-Muferidun” Thanë: “Kush janë ata, o i Dërguari i Allahut?” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “Ata dhe ato që shumë dhe në vazhdimësi e përmendin Allahun.”[5]

    E gjashta: Allahu ka përgaditur falje dhe shpërblim të madh për ata të cilët e përmendin Allahun shumë

    Thotë Allahu në Kur’an:

    Me të vërtetë që muslimanët dhe muslimanet (që i nënshtrohen Vullnetit të Allahut në Islam), besimtarët dhe besimtaret (që besojnë dhe që janë në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), të bindurit dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtit dhe të drejtat (me fjalë e me vepra), durimtarët dhe durimtaret (në plotësimin e detyrave ndaj Allahut dhe në ndalimin nga çfarë ka urdhëruar Allahu), të nënshtruarit dhe të nënshtruarat (para Zotit të tyre, Allahut), sadakadhënësit dhe sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset (gjatë Ramazanit dhe agjërimi i lirë gjatë kohëve të tjera), ruajtësit e nderit dhe ruajtëset (që mbajnë veten të pastër e të pastra larg marrëdhënieve të paligjshme), shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut me zemër e me gojë, mu për këta Allahu ka përgaditur falje dhe shpërblim të madh (Xhenetin).[6]

    Shiko me vëmendje sesi Allahu e përshkruajti shpërblimin se ai është i madh. Ka thënë Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënqur me të: “Allahu e shumëfishon një vepër të mirë në dy mijë të mira, pastaj lexoi fjalët e Allahut: Sigurisht që Allahu nuk bën padrejtësi as sa grimca, e nëse ajo vepër është e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe jep prej Tij shpërblim të madh.[7] dhe tha: Kur thotë Allahu: “shpërblim të madh”, kush është në gjendje ta dijë madhësinë e atij shpërblimi?”[8]

     

    [1] Transmeton Ibn Hibani; E saktësoi Shejh Albani.

    [2] En-Nisa: 142.

    [3] Transmeton Bejhakiu; Shejh Albani e cilëson hasen.

    [4] Transmeton Ahmedi; E saktësoi Shejh Albani.

    [5] Transmeton Muslimi.

    [6] El-Ahzab: 35.

    [7] En-Nisa: 40.

    [8] Transmeton Ahmedi.

     

    Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

    (Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

    www.thirrjaislame.com

  • URDHËRI PËR SHPESHTIMIN E PËRMENDJES SË ALLAHUT TË LARTËMADHËRUAR

    URDHËRI PËR SHPESHTIMIN E PËRMENDJES SË ALLAHUT TË LARTËMADHËRUAR

    Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, jo vetëm që na porositi ta përmendim Allahun, mirëpo ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na nxiti që ta shpeshtojmë përmendjen e Allahut të Lartëmadhëruar për shkak të shpërblimit të madh që ka kjo vepër.

    Musliman i mençur është ai i cili e përmendë Allahun në çdo gjendje, duke qenë në këmbë, ulur dhe shtrirë, duke qenë në përputhmëri me fjalët e Allahut të Lartëmadhëruar ku thotë:

    “Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë”[1].

    Ka thënë Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë: “Nuk është robi nga ata të cilët e përmendin Allahun shpesh, përderisa nuk e përmendin Allahun duke qenë në këmbë, ulur dhe shtrirë”[2].

    Kur njërit nga beduinët iu bënë shumë ligjet e Islamit, ai e pyeti Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, për ndonjë vepër që të kapet pas saj, kurse Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i tha që ta shton përmendjen e Allahut.  Transmeton Abdullah ibn Busri, Allahu qoftë i kënaqur me të:

    “Një njeri shkoi tek Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, ligjet e Islamit më janë bërë shumë, ndaj më trego ndonjë çështje përmbledhëse, që të kapemi pas saj!” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “Le të jetë gjuha jote gjithnjë e lagur nga përmendja e Allahut të Madhërishëm”[3].

    Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na tregon se kush nuk mund të falë namaz nate ose tregohet koprrac në dhënien e sadakasë, ose frikësohet që të dalë në rrugë të Allahut e t’i luftojë armiqtë, le ta shpeshtojë përmendjen e Allahut në këmbim të këtyre punëve madhështore. Argument për këtë e kemi hadithin të cilin e transmeton Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

    “Kush prej jush nuk mund të falë namaz nate ose tregohet koprrac që të jep nga pasuria e tij, ose frikësohet që ta luftojë armikun, le ta shpeshtojë përmendjen e Allahut.”[4]

    Ai i cili e shfleton Librin e Allahut (Kur’anin) e gjen se shumica e ajeteve të cilat të urdhërojnë për përmendjen e Allahut, janë se ato kanë kërkuar që Allahu të përmendet shpesh. Kanë ardhur nëntë ajete, ku shtatë prej tyre janë medinase[5] të cilat urdhërojnë në shtimin e përmendjes së Allahut:

    1. Thotë Allahu në Kur’an:

    Ai (Zekirija) tha: “Zoti im! Më jep mua një shenjë (që ta kujtoj).” Allahu i tha: “Shenja për ty do të jetë se ti nuk do tu flasësh njerëzve për tri ditë përveçse me shenja dhe përmende Zotin tënd (sa më shumë me lavdërime) dhe madhëroje Atë mbrëmje e mëngjes.”[6]

    Shiko me vëmendje sesi Allahu i Lartëmadhëruar e ndaloi Zekerijan, paqja qoftë mbi të, nga të folurit përveç përmendjes së Allahut të Lartëmadhëruar. Për këtë ka thënë Muhamed ibn Ka’ab el-Kurdhi, Allahu e mëshiroftë: “Nëse do t’iu ishte lejuar dikujt lënja e përmendjes së Allahut, atëherë ajo do t’iu lejohej Zekerijasë, paqja qoftë mbi të, sepse Allahu i tha atij: “Shenja për ty do të jetë se ti nuk do t’u flasësh njerëzve për tri ditë përveçse me shenja dhe përmende Zotin tënd (sa më shumë me lavdërime) dhe madhëroje Atë mbrëmje e mëngjes.”, apo sikur t’iu ishte lejuar dikujt tjetër lënja e përmendjes së Allahut, atëherë ajo do t’iu ishte lejuar atyre që luftojnë në rrugë të Allahut, mirëpo Allahu u thotë atyre: “O ju që keni besuar! Kur takoheni me forcat (armike), qëndroni fort përballë tyre dhe përmendeni shumë Allahun (me gojë e me zemër) që të jeni me të vërtetë të fituar”[7].

    1. Thotë Allahu në Kur’an:

    “O ju që keni besuar! Kur takoheni me forcat (armike), qëndroni fort përballë tyre dhe përmendeni shumë Allahun (me gojë e me zemër) që të jeni me të vërtetë të fituar”[8].

    1. Allahu na tregon në Kur’an se Musa, paqja qoftë mbi të, i tha Atij:

    Që ne të të lavdërojmë Ty shumë dhe të të përmendim (përkujtojmë) Ty shumë[9].

    1. Thotë Allahu në Kur’an:

    Atyre që janë përzënë nga shtëpitë e tyre padrejtësisht vetëm pse këta thoshin: “Zoti ynë është Allahu”. Dhe po të mos kishte qenë se Allahu provon një grup njerëzish me anë të një grupi tjetër, manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë në të cilat përmendet shumë Emri i Allahut, sigurisht që do të ishin rrafshuar për tokë dhe nuk ka dyshim se Allahu do të ndihmojë ata të cilët ndihmojnë (Çështjen e) Allahut. Vërtetë që Allahu është Fuqiplotë, i Gjithëfuqishëm.[10]

    1. Thotë Allahu në Kur’an:

    Sa për poetët vjershëtorë, të gabuarit i ndjekin ata,

    A nuk e sheh se ata flasin për çdo çështje (sa andej-këndej duke thurrur lavde të tjerëve – të drejtë a të prishur qofshin ata) në poezitë e tyre?

    Dhe thonë çfarë nuk veprojnë.

    Përveç atyre që besojnë (në Njësinë e Allahut, në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), dhe që punojnë mirësi e drejtësi, dhe që e përmendin Allahun shumë, dhe hakmerren dhe që u përgjigjen pasi u qe bërë padrejtësi [(në poezi) poezisë së padrejtë (të cilët paganët e thurrnin kundër muslimanëve)]. Dhe ata që bëjnë padrejtësi, do ta shohin se me çfarë përmbysje do të përmbysen.[11]

    Shiko me vëmendje sesi Allahu i kritikoi poetët dhe veçoi nga ata besimtarët të cilët punojnë mirësi e drejtësi dhe që e përmendin Allahun shumë.

    1. Thotë Allahu në Kur’an:

    Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun.[12]

    Sikur ajeti po na thotë: Kush dëshiron që i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, të jetë për të shembulli më i lartë, le ta beson Botën Tjetër dhe le ta përmendë Allahun shumë.

    1. Thotë Allahu në Kur’an:

    Me të vërtetë që muslimanët dhe muslimanet (që i nënshtrohet Vullnetit të Allahut në Islam), besimtarët dhe besimtaret (që besojnë dhe që janë në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), të bindurit dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtit dhe të drejtat (me fjalë e me vepra), durimtarët dhe durimtaret (në plotësimin e detyrave ndaj Allahut dhe në ndalimin nga çfarë ka urdhëruar Allahu), të nënshtruarit dhe të nënshtruarat (para Zotit të tyre, Allahut), sadakadhënësit dhe sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset (gjatë Ramazanit dhe agjërimi i lirë gjatë kohëve të tjera), ruajtësit e nderit dhe ruajtëset (që mbajnë veten të pastër e të pastra larg marrëdhënieve të paligjshme), shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut me zemër e me gojë, mu për këta Allahu ka përgaditur falje dhe shpërblim të madh (Xhenetin).[13]

    1. Thotë Allahu në Kur’an:

    O ju që keni besuar! Përmendni Allahun sa më shpesh.[14]

    1. Thotë Allahu në Kur’an:

    E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni Mirësitë e Allahut (me punë të ndryshme), por edhe përmendeni shpeshherë Allahun që të mund të jeni të fituar.[15]

    [1] Ali Imran: 191.

    [2] Tefsir el-Kur’an el-Adhim Li-Ibn Kethir (4\55)

    [3] Transmeton Ahmedi; E saktësoi Albani.

    [4] Transmeton Tabarani; E saktësoi Shejh Albani.

    [5] Zbritja e Kur’anit ndahet në dy pjesë:

    1. Pjesa mekase është ajo që i ka zbritur Pejgamberit – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të – para hixhretit (shpërnguljes) në Medine.
    2. Pjesa medinase është ajo që i ka zbritur Pejgamberit – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të – pas hixhretit (shpërnguljes) në Medine.

    [6] Ali Imran: 41.

    [7] El-Enfal: 45.

    [8] El-Enfal: 45.

    [9] Ta-Ha: 33,34.

    [10] Haxh: 40.

    [11] Esh-Shuara: 224 – 227.

    [12] El-Ahzab: 21.

    [13] El-Ahzab: 35.

    [14] El-Ahzab: 41.

    [15] El-Xhumuah: 10.

     

    Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

    (Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

    www.thirrjaislame.com