Blog
-

Ata janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, kështu që ndiqni udhëzimin e tyre (Pjesa e dytë
Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Sa pejgamberë janë përmendur në Kur’an?
Në Kur’an janë përmendur 25 pejgamberë. Thotë Allahu i Lartëmadhëruar në Kur’an: Dhe kjo ishte Prova Jonë që Ne ia dhamë Ibrahimit ndaj popullit të tij. Ne ngremë lart atë që Ne duam. Vërtetë që Zoti yt është më i Urti Gjithëgjykues, i Gjithëditur. Dhe Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin duke e udhëzuar secilin dhe para tij (Ibrahimit), Ne udhëzuam Nuhin dhe nga pasardhësit e tij Davudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë Ne Muhsinët (mirëpunuesit në Rrugë të Allahut). Edhe Zekerija, edhe Jahja, edhe Isai edhe Iljasi; secili prej tyre ishte prej të drejtëve. Edhe Ismaili, Eljasa, Junusi dhe Luti: secilin prej tyre Ne e ngritëm lartë përmbi Alemin (gjithë botën e njerëzve dhe xhinëve, secili prej tyre në kohën kur u dërgua).1
Në këto ajete janë përmendur tetëmbëdhjetë nga pejgamberët, kurse pejgamberët e tjerë janë përmendur në vende të tjera në Kur’an, e ata janë: Ademi, Hudi, Salihu, Shuajbi, Idrisi, Dhul Kifli dhe Muhamedi alejhimu selam.
Gjithashtu në Kur’an janë përmendur edhe të tjerë për të cilët nuk është e qartë se a janë nga njerëzit e mirë apo nga pejgamberët, e ata janë: Lukmani, Uzejri dhe Dhul Karnejni.
Sa pejgamberë kanë qenë nga arabët?
Nga arabët kanë qenë vetëm katër pejgamberë, e ata janë: Hudi, Salihi, Shuajbi dhe Muhamedi alejhimu selam.
Cili është dallimi mes pejgamberit dhe të dërguarit?
Pegamberët dallojnë nga të dërguarit, pra ka pejgamberë dhe të dërguar, dhe argument për këtë është hadithi të cilin e transmeton Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se e ka pyetur pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, për numrin e pejgamberëve. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka treguar se numri i tyre është njëqind e njëzet e katër mijë, kurse kur e ka pyetur për numrin e të dërguarve, pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka treguar se numri i tyre ishte treqind e pesëmbëdhjetë.1
Poashtu duke u mbështetur në fjalët e Allahut të Lartëmadhëruar ku thotë: Nuk ka ndodhur që, kur Ne kemi sjellë ndonjë të dërguar ose pejgamber para teje, dhe ai të shpallte nga Mesazhi ose fliste (ose ndërtonte diçka me përpjekje), shejtani të mos hidhte (mashtrime) në të.2 Pra, Allahu e bëri dallimin mes të dërguarve dhe pejgamberëve.
Çdo i dërguar është pejgamber, kurse çdo pejgamber nuk është i dërguar. Thotë Allahu i Lartëmadhëruar në Kur’an: Përmende në Libër (Kur’an) edhe Musain. Vërtetë që ai ishte i zgjedhur dhe ishte i dërguar (dhe) pejgamber.3
Gjithashtu edhe për Ismailin alejhi selam thotë Allahu i Lartëmadhëruar: Dhe ishte i dërguar (dhe) pejgamber.4
Dijetarët kanë përmendur disa dallime në mes të dërguarit dhe pejgamberit ku thanë:
1)I dërguar është ai të cilit i ka ardhur shpallja nga ana e Allahut dhe është urdhëruar ta shpërndajë atë tek njerzit (pra të bëj thirrje në të) kurse pejgamber është ai të cilit i ka ardhur shpallja nga ana e Allahut mirëpo nuk është urdhëruar ta shpërndajë atë (pra nuk është urdhëruar të bëj thirrje në të).
2)I dërguar është ai i cili është dërguar me sheriat të ri kurse pejgamber është ai i cili e pason sheriatin e të dërguarit para tij.
3)I dërguar është ai i cili u dërgua tek një popull pabesimtarë kurse pejgamber është ai i cili u dërgua tek një popull besimtarë. Pra kush është dërguar tek Beni Israilët
(pasardhësit e Jakubit alejhi selam) është pejgamber sepse ata kanë qenë pasusesit e Musait alejhi selam apo të Jakubit alejhi selam, ashtu siç thotë Allahu në Kur’an: Kujto kur Musai i tha popullit të tij: O Populli im! Përkujtoni mirësitë e Allahut mbi ju, kur Ai nxorri Pejgamberë nga gjiri juaj, ju bëri mbretër dhe ju dha çfarë Ai nuk i kishte dhënë askujt në gjithë Alemin (ndër njerëz e xhinë më parë).1 Pra pejamberët janë ata të cilët janë dërguar tek populli besimtarë, kurse të dërguar janë ata të cilët janë dërguar tek populli jobesimtarë siç është dërguar edhe i dërguari i parë Nuhi alejhi selam.
Dobitë nga mësimi i historisë së pejgamberëve
Nga mësimi i historisë së pejgamberëve nuk e kemi për qëllim vetëm të dijmë rreth tyre, tek cilët popuj janë dërguar, sa ka qenë periudha në të cilën kanë thirrur, kush i ka besuar ata… mirëpo përmes këtyre mësimeve ne të përfitojmë që ato t’i praktikojmë në jetët tona, ku mund t’i përmendim:
1)Se këta janë robërit më të përzgjedhur tek Allahu. Thotë Allahu në Kur’an: Allahu zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit përmbi të gjithë Alemin (njerëzimin, xhinët dhe gjithçka ekziston) (në kohën e tyre).2 Pra këta janë të përzgjedhurit e Allahut ne duhet të mësojmë për to që të dijmë të shkojmë rrugës së tyre edhe të bëhemi prej të përzgjedhurve tek Allahu.
2)Që të marrim mësim nga këto ndodhi, dhe t’i ndjekim e pasojmë pejgmberët që të jemi më afër Allahut. Thotë Allahu në Kur’an: Vërtetë që në ndodhitë e tyre ka mësim për njerëzit me mend.3
3)Që ta mësojmë mënyrat e thirrjes në rrugë të Allahut. Pra ai i cili bën thirrje në rrugë të Allahut përfiton shumë kur mëson sesi kanë bërë thirrje pejgamberët në rrugë të Allahut, pra metoda e një populli që janë shumë rebel apo të një populli që i jep përparsi logjikës, si t’i qasemi një populli që nuk pranojnë të thirren në mënyrë kolektive por indivudualisht, si t’i qasemi një populli që e ka të ndërtuar jetesën e tyre me magji dhe me çfarëdo problemi gjatë thirrjes në rrugë të Allahut, Allahu ka sjellur shembuj nga jeta e pejgamberëve.
4)Mëson njeriu sesi të bëj durim në sprova. Pra t’i marrim për model pejgamberët. Thotë Allahu i Lartëmadhëruar në Kur’an: Ata (pejgamberët) janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, kështu që ndiqni udhëzimin e tyre.4
Ku e kemi Nuhun alejhi selam i cili ka thirrur nëntëqind e pesëdhjetë vite në rrugë të Allahut, ai ka duruar për gjithë këto vite duke i thirrur njerëzit në rrugë të Allahut, poashtu Ejubi alejhi selam pasiqë kishte shëndet dhe familje, Allahu ia mori të gjithë fëmijët e tij si dhe ia mori shëndetin, Ejubi alejhi selam shtatë vite ishte i palëvizshëm, saqë ka ardhur në transmetime se trupi i tij kishte filluar të kalbej dhe nuk kishte kush që t’i qëndronte pranë nga era e keqe, por asnjëherë nuk tha ‘o Zot pse më sprovove me këtë sprovë’ dhe nuk tha ‘o Zot a nuk jam unë më i dashuri Yt?’ për arsye se ka qenë pejgamberi i asaj kohe, por ai kësaj sprove i bëri ballë me durim të çmuar.
5)Shtimi i imanit (besimit). Pra kur njeriu e di se Allahu i Lartëmadhëruar gjithmonë iu ndihmon robërve të tij të cilët i ka dërguar, ai bindet se Allahu siç i ka ndihmuar të dërguarit e Tij, Ai i ndihmon edhe thirrësit në rrugë të Tij.
6)Përforcimi i pejgamberisë së Muhamedit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili na tregon për gjëra të fshehta tek të cilat nuk ka prezantuar, ku tregon për to sikur të kishte qenë aty. Thotë Allahu në Kur’an: Kjo është pjesë nga njoftimet për gajbin (për të panjohurën, njoftimet për ndodhitë e shkuara për të cilat nuk ke asnjë njohuri) e të cilat po t’i shpallim ty (o Muhamed). Ti nuk ke qenë me ata kur ata hodhën short me pendat e tyre të shkrimit se cili duhej të ngarkohej për t’u kujdesur për Merjemen, nuk ishe me ta as edhe kur ata u kundërshtuan mes tyre.1
7)Për të treguar se thirrja e pejgamberëve ishte e njejtë. Pra të gjithë pejgamberët kanë thirrur që të mos i shoqërojë askush asgjë Allahut në adhurim.
Si dhe dobi të tjera të shumta nga të cilat do të përfitojmë me lejen e Allahut.
Lutja jonë e fundit është: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Zotin e gjithë botëve, njerëzve, xhinëve dhe gjithçkaje që është.”
Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti
(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Ata janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, kështu që ndiqni udhëzimin e tyre”)
www.thirrjaislame.com
-

Ata janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, kështu që ndiqni udhëzimin e tyre (Pjesa e parë)
Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Me lejen e Allahut do të fillojmë zingjirin e temave rreth pejgamberëve, për të cilët Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “Ata janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, kështu që ndiqni udhëzimin e tyre.”[1]
Para se të fillojmë të flasim për jetën e pejgamberëve dhe mësimeve të cilat i nxjerrim nga jeta e tyre në mënyrë që ne të përfitojmë nga to, së pari do të flasim për disa pika të cilat do ta sqarojnë më mirë temën.
Pse janë dërguar Pejgamberët?
Ai i cili mediton rreth universit, e sheh se ai është i përbërë nga qiejt, toka, yjet, planetet, pemët, të mbjellat, frytet, e shumëçka tjetër dhe nuk ka dyshim që mendja e tij atë e drejton se egziston një Krijues i Madhërishëm i Cili e udhëheqë këtë univers.
Mirëpo cilat janë cilësitë e këtij Krijuesi? Përse na krijoi neve? Me çka na urdhëroi neve? Nga çka na ndaloi? Cili është shpërblimi i atij i cili iu bindet këtyre urdhëresave? Cili është denimi i atij i cili i nëpërkëmbë ato?
Të gjitha këto çështje nuk mund t’i dijë robi i dobët, përveçse kur atë ta informojë Krijuesi.
Dhe nga mëshira e Allahut të Lartëmadhëruar për krijesat e Tij është se tek to dërgoi pejgamberët të cilët i informojnë njerëzit për Zotin e tyre, pra kush është Ai, cilat janë emrat e Tij, cilat janë cilësitë e Tij, çka dëshiron nga ne, e nga çka na ndalon! Sigurisht dhe çfarë shpërblimi ka ai i cili iu bindet urdhërave të Tij, si dhe çfarë ndëshkimi ka ai i cili i nëpërkëmbë ato?
Pra, këto pejgamberë janë ndërmjetësues mes Allahut të Lartëmadhëruar dhe krijesave të Tij në informim.
Ata (pejgamberët) e përciellin tek njerëzit mesazhin e Allahut (çfarë kërkon Allahu prej tyre), ua kumtojnë njerëzve se çfarë iu bën dobi në jetën e tyre dhe çfarë vepra të bëjnë që të kenë dobi nga to edhe pasi që të vdesin. Ata gjithashtu iu tregojnë se me çka është i kënaqur Zoti i tyre dhe nga çka hidhërohet Ai, në mënyrë që njerëzit të veprojnë ato vepra me të cilat e fitojnë dashurinë e Allahut dhe të largohen nga ato vepra me të cilat fitohet hidhërimi i Allahut.
Sa është numri i pejgamberëve?
Tregon Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se e ka pyetur Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, për numrin e pejgamberëve. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka treguar se numri i tyre është njëqind e njëzet e katër mijë, kurse kur e ka pyetur për numrin e të dërguarve, Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka treguar se numri i tyre ishte treqind e pesëmbëdhjetë.[2] Rreth saktësisë së këtij hadithi ka mospajtim në mes të dijetarëve, mirëpo neve na mjafton fjala e Allahut të Lartëmadhëruar: “Nuk ka pasur asnjë popull që të mos ketë shkuar mes tyre këshillues (pejgamber).”[3]
Pse ishte numri aq i madh i pejgamberëve?
Numri i tyre ishte aq i madh për disa shkaqe, ku prej tyre mund të përmendim që numri i popujve ishte po aq i madh dhe se tek popujt e mëhershëm Allahu dërgonte pejgamber në secilin popull. Thotë Allahu i Lartëmadhëruar në Kur’an: “Nuk ka pasur asnjë popull që të mos ketë shkuar mes tyre këshillues (pejgamber).”[4]
Shkaku tjetër është nevoja e njerëzve për pejgamberë, sepse njerëzit nuk mund ta adhurojnë Allahun e Lartëmadhëruar ashtu siç duhet pa e ditur se çka kërkon Allahu prej tyre dhe nuk mund ta dijnë atë përveçse përmes të dërguarve.
Besimi në pejgamberët e Allahut
Besimi se Allahu ka dërguar pejgamberë është nga bazat e kësaj feje madhështore, ku Xhibrili, paqja qoftë mbi të, e pyeti Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, për imanin (besimin) ku Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, iu përgjigj se imani (besimi) është: “të besosh: Allahun, melaqet e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Gjykimit dhe të besosh në kaderin, të mirën në të, si dhe të keqen.”[5]
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar në Kur’an: I Dërguari (Muhamedi) beson në çfarë i është zbritur atij nga Zoti i tij dhe pokështu edhe besimtarët (besojnë bashkë me të). Gjithësecili prej tyre beson në Allahun, në melaqet e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij.[6]
Gjithashtu thotë Allahu i Lartëmadhëruar në Kur’an: Nuk është El-Bir (përkushtim, drejtësi dhe çdo lloj veprimi tjetër në bindje ndaj Allahut) se ju e ktheni fytyrën tuaj drejt lindjes (apo) perëndimit (në falje), por El-Bir është (cilësi e atij) i cili beson në Allahun, Ditën e Gjykimit, në melaqet, në librin, në pejgamberët.[7]
Gjithashtu në Surën Hadiid thotë Allahu i Lartëmadhëruar: Vraponi drejt Faljes nga Zoti juaj (Allahu) dhe drejt Xhenetit, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiellit dhe e tokës, përgatitur për ata të cilët besojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij.[8]
Pra, besimi në pejgamberët e Allahut është bazë nga bazat e imanit (besimit). Allahu nuk e pranon besimin e askujt, përderisa ai nuk i beson pejgamberët e Tij.
Pejgamberët janë më të nderëshmit dhe më të përsosurit
Pejgamberët dhe të Dërguarit janë më të mirët prej të gjithë njerëzve, pra janë robërit më të pastër tek Allahu i Lartëmadhëruar. Thotë Allahu në Kur’an: Dhe kjo ishte Prova Jonë që Ne ia dhamë Ibrahimit ndaj popullit të tij. Ne ngremë lart atë që Ne duam. Vërtet që Zoti yt është më i Urti Gjithëgjykues, i Gjithëditur. Dhe Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin duke e udhëzuar secilin dhe para tij (Ibrahimit), Ne udhëzuam Nuhin dhe nga pasardhësit e tij Davudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë Ne Muhsinët (mirëpunuesit në Rrugë të Allahut). Edhe Zekerija, edhe Jahja, edhe Isai edhe Iljasi; secili prej tyre ishte prej të drejtëve. Edhe Ismaili, Eljasa, Junusi dhe Luti: secilin prej tyre Ne e ngritëm lart përmbi Alemin (gjithë botën e njerëzve dhe xhinëve, secili prej tyre në kohën kur u dërgua).[9]
Pra Allahu i dalloi pejgamberët nga të gjithë krijesat, mirëpo me këtë dallim atyre iu shtua edhe përgjegjësia, i obligoi ata me gjëra të cilat nuk i obligoi të tjerët. Për shembull, neve na u lejohet të ikim nga lufta, nëse armiqtë tanë janë edhe një herë sa ne e më shumë (nëse ne jemi njëqind kurse armiqtë tanë janë dyqind neve nuk na u lejohet të ikim nga lufta, mirëpo nëse ne jemi njëqind kurse armiqtë tanë janë më shumë se dyqind neve na u lejohet të ikim nga lufta), kurse pejgamberët nuk kanë pasur të drejtë të ikin nga lufta në çfarëdo situate që kanë qenë, pra Allahu ata i obligoi me gjëra të cilat nuk i obligoi të tjerët.
Kurse të Dërguarit janë më të mirë (më të zgjedhur) se pejgamberët, ku më vonë do të flasim me lejen e Allahut për dallimin mes të dërguarve dhe pejgamberëve.
Kurse më të zgjedhurit prej tyre janë Ulu’l Azmi (Nuhu, Ibrahimi, Musa, Isa dhe Muhamedi alejhimu selam).
Kurse më i zgjedhuri nga të gjithë është Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.
Lutja jonë e fundit është: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Zotin e gjithë botëve, njerëzve, xhinëve dhe gjithçkaje që është.”
Vazhdon…
Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti
(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Ata janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, kështu që ndiqni udhëzimin e tyre”)
www.thirrjaislame.com
[1] El-En’am: 90.
[2] Transmeton Ibn Hatimi.
[3] Fatir: 24.
[4] Fatir: 24.
[5] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[6] El-Bekareh: 285.
[7] El-Bekareh: 177.
[8] El-Hadid: 21.
[9] El-En’am: 83-86.
-

IMANI DHE SËMUNDJET E ZEMRËS
Me emrin e Allahut Mëshirëgjërit, Mëshirëplotit
Falënderimi i takon vetëm Allahut, vetëm Atë falënderojmë! I kërkojmë ndihmë, falje dhe mbrojtje nga të këqijat e vetëve tona e nga te këqijat e punëve tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humbë dhe atë që Ai e humbë nuk ka kush e udhëzon! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut dhe Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Prej sëmundjeve më të mëdha të zemrës janë:
· Mendjemadhësia,
· Vetëpëlqimi dhe
· Syfaqësia.
Mendjemadhësia
Mendjemadhësia është sëmundje që vështirë shërohet , dhe rreziku më i madh i saj është refuzimi i të vërtetës . Thotë Pejgamberi sal-l Allahu alejhi ue sel-lem:”Mendjemadhësia është mos pranimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve tjerë. Transmeton Ebu Davudi, Hakimi nga Ebu Hurejre, Shejh Albani hadithin e ka bërë të vërtet.
Gjithashtu është ndër pengesat më të mëdha që robin e pengon për në Xhenet.
Thotë Pejgamberi sal-l Allahu alejhi ue sel-lem:”Në Xhenet nuk do të hyjë asnjëri që në zemrën e vet ka mendjemadhësi madje edhe sa një thërmi” Transmeton Muslimi
Thotë Imam Ebu Hamid el-Gazali Allahu e mëshiroftë: “Mendjemadhësia është bërë pengesë për në Xhenet, për shkak se pengon mes njerëzve dhe karaktereve të besimtarëve, këto karaktere janë dyert e Xhenetit, ndërsa mendjemadhësia dhe lavdërimi i vetvetes i mbyll të gjitha këto dyer për shkak se mendjemadhi nuk ka mundësi që ta dojë për besimtarët atë që e donë për veten e tij, nuk ka mundësi që të bëhet modest ku modestia është koka e karaktereve të të devotshmëve, nuk ka mundësi që të vazhdojë në besnikëri, nuk ka mundësi që ta lë xhelozinë, nuk ka mundësi që të këshillon me butësi, nuk shpëton prej nënçmimit dhe përgojimit të njerëzve… Dhe nuk ka prej karakterit të keq vetëm se mendjemadhi detyrimisht e vepron duke ruajtur pozitën e tij, dhe nuk ka prej karakterit të mirë vetëm se mendjemadhi e ka të pamundur që ta veprojë nga frika se mos i humb lavdërimi i tij. (Ihjau Ulum ed-Din 345, 344/3).
Mendjemadhësia është pasion që vështirë nënshtrohet, e cila nëse kapet fort në gjoksin e njerëzve, i mbyll dritaret e të kuptuarit, i ngrit njerëzit mbi shkallën që nuk e posedojnë, i bën ata që të binden se nuk janë sikurse njerëzit tjerë, e ky është medhhebi i iblisit duke parë veten dhe shoqërinë e tij mbi të tjerët, duke menduar se ata janë të dashurit e Allahut dhe më të mirët e Tij, pa marrë parasysh a veprojnë vepra të mira apo jo. Sipas tyre nuk futet në Xhenet vetëm se kush është prej tyre, kurse të tjerët janë të humbur. Mendjemadhësia të bën t’i nënçmosh të tjerët duke ngritur veten, me dallime e veçime dhe duke refuzuar që të zbatohet e drejta mbi ta sikurse që zbatohet mbi njerëzit tjerë.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
“Unë do t’i zmbraps nga argumentet e Mia ata të cilët pa pasur të drejtë bëjnë kryelartësi në tokë, …” [el A’rafë, 146]
Është e vërtetë se All-llahu e di atë që e fshehin dhe atë që e shfaqin haptazi dhe se Ai nuk i do mendjemëdhenjtë. [en Nahl, 23]
Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në xhehennem”. [Gafir, 60]
Thotë Pejgamberi sal-l Allahu alejhi ue sel-lem:”Në Xhenet nuk do të hyjë asnjëri prej jush që në zemrën e vet ka edhe sa një thërmi mendjemadhësie” – prandaj një njeri e kishte pyetur: “Po njeriu (nga natyrshmëria) dëshiron që veshmbathja e tij të jetë e bukur?” Pastaj iu përgjigj Pejgamberi sal-l Allahu alejhi ue sel-lem: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve tjerë.” Transmeton Muslimi.
Vetëpëlqimi
Dije se vetëpëlqimi është sëmundje e zemrës dhe si e tillë është e urryer në librin e Allahut dhe sunetin e Pejgamberit alejhi selam.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
Nuk ka dyshim se All-llahu ju ka ndihmuar në shumë beteja, e edhe në ditën e Hunejnit, kur juve ju mahniti numri i madh, i cili nuk ju vlejti asgjë, dhe me gjerësinë e saj që e kishte toka u ngushtua për ju, pastaj ju u zmbrapsët (ikët). [et Tevbe, 25]
Thotë Pejgamberi sal-l Allahu alejhi ue sel-lem:”Tri gjëra janë shpëtimtare, ndërsa tri shkatërrimtare. Shpëtimtare janë: devotshmëria fshehurazi dhe haptazi, të folurit e të vërtetës në kënaqësi dhe në hidhërim si dhe maturia në pasuri dhe varfëri; ndërkaq shkatërrimtare janë: të pasuarit e pasioneve, koprracia dhe mahnitja e njeriut me vetveten. Kjo e fundit është më shkatërrimtarja.” Transmeton El Bez-zar, shejh Albani thotë ky hadith është hasen in sha Allah.
Gjithashtu Pejgamberi sal-l Allahu alejhi ue sel-lem thotë:”Përderisa një njeri i veshur me dy guna, i mahnitur me vetveten, ecte me mburrje, Allahu bëri që nën këmbët e tij toka të çahet dhe ai të bjerë në të dhe kështu ai do të fundoset deri në ditën e Gjykimit.”Transmeton Imam Buhariu dhe Muslimi
Ibën Mes’udi radijAllahu anhu ka thënë: ”Dy gjëra janë shkatërrimtare për njeriun: dëshpërimi dhe vetëpëlqimi.”
Syfaqësia
Shumë ajete Kur’anore dhe hadithe të Pejgamberit sal-l Allahu alejhi ue sel-lem tregojnë se syfaqësia është e ndaluar dhe se vepruesi i sajë është i urryer.
Thotë Allahu i Lartmadhëruar:
Mjerë për ata që falen,
të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm.
Ata që vetëm shtiren (sa për sy e faqe). [El Maunë; 4,5,6]
Në një hadith kudsij Allau i Madhëruar thotë:
“Unë jam më i pavaruri prej të tjerëve. Cili prej jush vepron diçka duke më përshkruar Mua shok do t’ia lë atij që më ka përshkruar shok”. Transmeton Muslimi
Pejgamberi sal-l Allahu alejhi ue sel-lem thotë: “Më së shumti çka frikësohem për ju është shirku i vogël. Pas kësaj e pyetën, o i Dërguari i Allahut ç’është shirku i vogël? Ai u përgjigj: “Syfaqësia”. Allahu i Lartmadhëruar të tillëve në ditën e gjykimit do t’u thotë: “shkoni tek ata para të cilëve jeni shtirur në dunja ndoshta ata do t’u shpërblejnë”. Transmeton imam Ahmedi, e saktësoi shejh Albani.
Të parët tanë të mirë i kanë kushtuar shumë kujdes ruajtjes nga kjo sëmundje sa që tregohet një ngjarje ku Ebu Umame el Bahilij e pa një njeri në xhami duke qarë në sexhde dhe e këshilloi: “A nuk do të ishte më mirë ta kishe vepruar këtë në shtëpinë tënde”.
Transmetohet nga Fudejl ibën Ijad të ketë thënë: “të kryesh vepra të mira për hirë të njerëzve është sikur t’i përshkruash shok Allahut. Ta lësh veprën për hir të njerëzve është syfaqësi, sinqeriteti është të jesh i ruajtur nga Allahu prej këtyre sëmundjeve”.
Lutja jonë e fundit është: ,,Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të Botëve”.
Përktheu dhe përshtati: Tafil Ramuka
(Sqarim: kjo temë është pjesë e zinxhirit të temave rreth edukatës së imanit)
www.thirrjaislame.com
-

IMANI BËN MREKULLI
Me emrin e Allahut Mëshirëgjërit Mëshirëplotit
Falënderimi i takon vetëm Allahut, vetëm Atë falënderojmë! I kërkojmë ndihmë, falje dhe mbrojtje nga të këqijat e vetëve tona e nga te këqijat e punëve tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humbë dhe atë që Ai e humbë nuk ka kush e udhëzon! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut dhe Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Kur drita e imanit të depërtoj në zemër i largon të gjitha errësirat, dhe i djegë të gjitha prirjet negative të epshit, natyrisht kur dihet se kjo është dritë e Sunduesit të të gjithë sundimeve.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket. [el Enbija, 111]
Në vazhdim do të ndjekim disa shembuj nga libri i Allahut të Lartëmadhëruar të cilat tregojnë për mrekullitë që sjellë depërtimi i imanit në zemër.
1. Qëndrimi i magjistarëve të Faraonit në të vërtetën.
Magjistarët ishin ata me të cilët erdhi Faraoni me qëllim që të argumentohet para njerëzve se Musa alejhi selam nuk është tjetër vetëm se një magjistar. Për këtë Faraoni dërgoi nëpër qytete tubues që të sjellin të gjithë magjistarët më të ditur tek ai, kurse popullit i tha: “ejani e tubohuni në mënyrë që ti përkrahni magjistarët kur ata të triumfojnë. Magjistarët erdhën me qëllimet e tyre të ulëta si dhe me mendimet e tyre djallëzore, duke synuar epshin dhe qëllimet e dunjasë.
Magjistarët erdhën te faraoni, e thanë: “Ne do të kemi shpërblim në qoftë se dalim fitues!” [el A’rafë, 113]
Faraoni e njihte natyrshmërinë e llojit të këtyre njerëzve, ata ishin të cilët e mbështesnin dhe e mbronin sundimin e tij, dhe ata punonin në kancelarit e tij e faraoni u tha atyre i bindur duke i përgëzuar :
Ai (faraoni) tha: “Po, dhe ju do të jeni prej të afërmve të mi”. [el A’rafë, 114]
Pra, për ju do të ketë atë që kërkoni prej pasurisë dhe atë që kërkon nefsi juaj dhe mendjet tuaja. Kur magjistarët u bindën për interesat e tyre të dunjasë:
Ata (magjistarët) thanë: “O Musa, (zgjidh) ose do të hedhësh ti, ose ne po hedhim?” [el A’rafë, 115]
Kështu i dhanë të zgjedhë Musaut alejhi selam, duke shfaqur predominimin dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Ai (Musai) tha: “Hidhni ju”! E kur hodhën ata (shkopinj e litarë), magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe sollën një magji të madhe. [el A’rafë, 116]
E Ne e frymëzuam Musain (duke i thënë): “Hidhe shkopin tënd!” Kur qe, ai gëlltiste atë që kishin magjepsur. [el A’rafë, 117]
Shkopi i Musait alejhi selam u shndërrua në gjarpër të madh dhe kështu gëlltiti litarët dhe shkopinjtë e magjistarëve që me ta i mashtruan njerëzit. Magjistarët e njihnin magjinë mirë dhe me atë që erdhi Musa alejhi selam e kuptuan se kjo nuk ishte magji por ishte mrekulli e pejgamberit, dhe kështu:
E magjistarët u hodhën (u përulën) në sexhde.
Dhe thanë: “Ne i besuam Zotit të gjithësisë,
Zotit të Musait dhe të Harunit!” [el A’rafë, 120,121,122]
Tagutët dhe tiranët sikurse i sundojnë trupat e njerëzve duke vrarë kë dëshirojnë, duke burgosur, dhe duke i bërë rob të tyre, mendojnë se kanë sundim edhe në zemrat e tyre duke mos lejuar askënd që të besojë dhe të rrënqethet me dashurinë e Allahut vetëm se me lejen e tyre, sikur tha faraoni duke i kërcënuar:
E faraoni tha: “I besuat atij (Musait) para se t’ju lejoj unë? Kjo është një dredhi që ju e përgatitët në qytet (Misir) për t’i dëbuar prej tij banorët e tij (kibtët), po më vonë do ta kuptoni (çka do t’ju gjejë). [el A’rafë, 123]
Dhe kështu tagutët dhe tiranët, në çdo kohë dhe vend i drejtohen mejdanit të dhunës dhe ndëshkimit kur të humbin në mejdanin e debatit dhe të argumentimit.
Vështro gjendjen e magjistarëve pasi që imani depërtoi në zemrat e tyre se si u bënë pronar të qëllimeve të larta, trima të qëndrueshëm, e ngritën flamurin e imanit, sakrifikuan me shpirtrat e tyre dhe nuk hoqën dorë nga ajo shkallë që i ngriti Allahu i Lartmadhëruar me besim të pastër, kur faraoni u tha atyre:
Kam për t’ua prerë duart dhe këmbët tërthorazi, pastaj të gjithë juve do t’ju gozhdoj. [el A’rafë, 124]
Përgjigja e tyre ishte:
Ata (që besuan) thanë: “S’ka dyshim, ne jemi të kthyer te Zoti ynë”. [el A’rafë, 125]
Ata thanë: “Pasha Atë që na krijoi, nuk të japim përparësi ty ndaj argumenteve që na erdhën, e ti bëje atë që mendon ta bësh, dhe mund ta zbatosh vetëm atë që i takon jetës së kësaj bote!” [Ta Ha, 72]
Thotë Sejjid Kutbi Allahu e mëshiroftë: “Kur tagutët, tiranët, nuk posedojnë argument në përballjen me të vërtetën (hakun), atëherë si mjet përdorin dhunën kundër të vërtetës. (Fi Dhilalil el Kur’an 1351/3)
2. Floktarja e bijës së faraonit
Nga Abdullah ibn Abbasi radijAllahu anhuma transmetohet se: i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë:
“Natën e udhëtimit për në Mesxhidi Aksa, ndjeva aromë të këndshme, i thash Xhibrilit: Ç’është kjo aromë?
Ai më tha: Kjo është aroma e floktares së bijës së faraonit dhe fëmijëve të saj.
I thash Xhibrilit ç’është puna me të?
Ai më tha: Një ditë kur kjo ishte duke ia krehur flokët vajzës së faraonit, i ra krehri nga dora dhe duke e marrë tha BISMILAH.
Atëherë bija e faraonit i tha, babai im?
Ajo tha: jo, Zoti im dhe Zoti i babait tënd, Allahu.
E bija e faraonit ia ktheu: do ta njoftoj babain tim.
Ajo tha: po, njoftoje.
Atëherë faraoni e ftoi atë dhe i tha: oj filane, a ke ti zot tjetër pos meje?
Ajo tha: Zoti im dhe Zoti yt është Allahu.
Atëherë faraoni urdhëroi që t’ia sjellin një enë të madhe në formë të lopës nga bakri dhe e nxehën deri sa u skuq, pastaj e urdhëruan të hedhet bashkë me fëmijët e saj në të.
Ajo iu drejtua, unë kam një kërkesë.
Ai tha: cila është kërkesa jote?
Dëshiroj që eshtrat tona pas djegies t’i vendosni në një teshë dhe të na varrosni bashkë.
Ai tha: ky është obligimi ynë ndaj jush.
Para saj ia hodhën fëmijët një nga një, derisa i erdhi radha fëmijës së fundit që e kishte në gji dhe kjo në këtë rast sikur ngadalësoi veten për shkak të dhembshurisë së fëmijës.
Ai tha: oj nëna ime hidhu bashkë me mua ngase ky dënim është shumë më i lehtë se sa dënimi i botës tjetër, dhe e hodhën veten. Transmeton Imam Ahmedi në musnedin e tij 309/3, hadith hasen (i mirë).
Thotë dr. Omer el Eshkar Allahu e mëshiroftë:
Kjo grua ishte duke jetuar në pallatin mbretëror dhe duke u kujdesur për bijën e faraonit. Fakti që kjo jetonte brenda pallatit tregon se kjo grua ishte e privilegjuar, prandaj edhe ishte zgjedhur si kujdestare e bijës së faraonit, mirëpo edhe pse jetonte në bollëk, imani pushtoi zemrën e saj ashtu sikurse pushtoj zemrën e gruas së faraonit, kështu pra imani gjen rrugë tek zemrat e të pasurve sikurse gjen edhe tek zemrat e të varfërve, atëherë kur Allahu dëshiron hajr për robin e Tij.
Kjo grua e fshehu imanin e sajë sikurse e fshehu edhe gruaja e faraonit dhe besimtari i familjes së faraonit.
E atyre që besuan, All-llahu ua solli shembull gruan e faraonit kur ajo tha: “Zoti im, më bën një vend pranë mëshirës sate në xhennet dhe më shpëto prej faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej popullit mizor!” [Et Tahrimë, 11]
Një njeri besimtar nga familja e faraonit që e fshehte besimin e vet… [Gafir, 28]
Përmes këtyre shembujve shihet qartë që njeriu edhe pse mundohet ta fshehë atë që lëvizë në brendësinë e tij, në momente të caktuara në mënyrë të natyrshme e shfaqë atë në veprimet e tij.
Lutja jonë e fundit është: ,,Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të Botëve”.
Përktheu dhe përshtati: Tafil Ramuka
(Sqarim: kjo temë është pjesë e zinxhirit të temave rreth edukatës së imanit)
-

A LEJOHET MBISHKRIMI I EMRIT NË VARR?
Pyetje: Disa njerëz e shkruajnë emrin e të vdekurit në gurin e varrit, për ta dalluar atë gjatë vizitës, nga shkaku i numrit të madh të varreve dhe ngjashmërisë që kanë mes vete. A lejohet kjo gjë apo jo?
Përgjigje: Në esencë, mbishkrimi i emrit në varr është haram dhe nuk lejohet.
Por, një grup dijetarësh, All-llahu i mëshiroftë, janë të mendimit se shkrimi i emrit, pa shtuar asgjë tjetër, lejohet nëse nevoja e kërkon një gjë të tillë.
Në librin El-Meusuatul-Fikhijje (32/252) qëndron: “Po ashtu, dijetarët e fikhut kanë qëndrime të ndryshme mbi mbishkrimet në varr. Kështu, malikijtë, shafiijtë dhe hanbelijtë janë të mendimit se mbishkrimet në varr janë mekruh, bazuar në hadithin i cili na përcillet nga Xhabiri radijAll-llahu anhuma i cili thotë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar murosjen e varreve, uljen mbi to, ndërtimin mbi to dhe shkrimin mbi to. Ndërsa hanefijtë dhe Subkiu (dijetar i shafiijve) janë të mendimit s’ka gjë të keqe nëse shkruhet diçka mbi varr nëse nevoja e kërkon një gjë të tillë, që të mos i humben gjurmët dhe të mos nëpërkëmbet.”
Shejh Ibën Uthejmini, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Për sa i përket mbishkrimeve mbi varre, kjo gjë ka nevojë të sqarohet më hollësisht. Kështu, mbishkrimi i cili përmban vetëm emrin, me të cilin nuk synohet gjë tjetër veçse dallimin e një varri nga tjetri, nuk ka diçka të keqe. Ndërsa mbishkrimi i cili i përngjan asaj që veprohej në kohën e xhahilijjetit, si shkrimi i emrit të të vdekurit, shkrimi i lëvdatave për të, apo shkrimi i vargjeve poetike etj, kjo gjë është haram. E ngjashme me këto është edhe ajo që e bëjnë disa injorantë të cilët e shkruajnë mbi varr kaptinën El-Fatiha apo ajete të tjera. E gjithë kjo është haram.” (Sherhu Rijadis-Salihin)
Shejh Hamed ibën Abdullah El-Hamed, All-llahu e ruajt, thotë: “A lejohet që shkrimi i emrit mbi varr të përdoret si shenjë nga ana e familjarëve që ta dallojnë varrin e familjarit të tyre, duke e pasur parasysh numrin e madh të varreve?
Një grup dijetarësh janë të mendimit se kjo gjë lejohet. Pra nëse shkruhet vetëm emri, pa mos shtuar gjë tjetër, nuk ka diçka të keqe, me kusht që të mos ketë mundësi të vendosë ndonjë shenjë tjetër veç emrit, dhe kjo për shkak të nevojës së identifikimit të varrit të të vdekurit.
Në Sunenin e Ebu Davudit na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem vendosi një gur te koka e Uthman ibën Medh’unit dhe tha: “Kështu e njoh varrin e vëllait tim, dhe i varros aty ata që vdesin prej familjarëve të mi.”
Ky është një mendim i mirë dhe i pranueshëm, inshaAllah. (Sherhuz-Zad).
All-llahu e di më mirë.
Marrë nga islamqa.info
Nr. rendor i pyetjes: 174737
Përktheu: Fahrudin REXHEPI
www.thirrjaislame.com




![[HUTBE] – Familja jonë në ramazan – Hoxhë Dhulkarnejn Ramadani](https://thirrjaislame.com/wp-content/uploads/2021/05/Familja-jone-ne-ramazan.png)