Blog

  • Devotshmëria ndaj All-llahut të Madhërishëm

    Devotshmëria ndaj All-llahut të Madhërishëm

    Kjo arrihet duke vendosur mes vetes dhe dënimit e ndëshkimit të All-llahut një mburojë me anë të veprimit të veprave të obliguara dhe largimit nga mëkatet dhe veprat e këqija si dhe duke e ditur se All-llahu ka mundësi të të ndëshkojë në çdo moment, por Ai të jep afat në mënyrë që të pendohesh e t’i kthehesh Atij. Kështu devotshmëria bëhet shkak që t’ia kesh frikën All-llahut dhe të largohesh nga gjërat që mund të shkaktojnë hidhërimin dhe dënimin e Tij.

    Devotshmëria ka fryte të mëdha. Prej tyre po përmendim:

    1. Të qenët e All-llahut me robin e Tij, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: S’ka dyshim se All-llahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave).”[1] Të qenët e All-llahut të Madhërishëm me robin e Tij të devotshëm në vete ngërthen udhëzimin, përmirësimin, kujdesin, suksesin, nderimin, mëshirën, mbrojtjen etj.
    2. Shpëtimi nga kurthet e armiqve, sado që të jenë të mëdha ato. All-llahu i Madhërishëm thotë: “në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe u ruheni (mëkateve), dinakëria e tyre nuk do t’ju dëmtojë aspak.[2]
    3. Dallimi i të vërtetës nga e kota, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “O ju që besuat, nëse keni frikë All-llahun, Ai do të vërë udhëzim (në zemrat tuaja) për ju, do t’jua mbulojë të këqijat, do t’jua falë mëkatet.”[3] Pra, të devotshëmve All-llahu u jep një dritë dhe udhëzim me anë të të cilit janë në gjendje të dallojnë të vërtetën nga e kota, udhëzimin nga devijimi, kështu që ata nuk devijojnë e as nuk lajthisin si dhe nuk bien në rrugët e devijimit duke i menduar ato si rrugë udhëzimi.

    ç. Mbulimi i të këqijave dhe falja e mëkateve

    Këtë e vërejmë nga ajeti i sipërpërmendur dhe ajetet e tjera që kanë kuptim të ngjashëm me të. Devotshmëria është prej faktorëve më të mëdhenj për faljen e mëkateve dhe shlyerjen e të këqijave dhe gabimeve.

    1. Fitimi i mëshirës së All-llahut të Madhërishëm, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Mëshira ime ka përfshirë secilin send. Atë (mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët u ruhen (mëkateve).”[4] Pra ata që u ruhen mëkateve (të devotshmit) janë njerëzit më meritorë për mëshirën e All-llahut të Madhërishëm.
    2. Hyrja në xhennet dhe shpëtimi nga zjarri, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: Ato janë xhennetet që do t’ua trashëgojmë robërve Tanë që ishin të ruajtur.”[5] Po ashtu thotë: “Pastaj, (pas kalimit pranë tij) do t’i shpëtojmë ata që u ishin ruajtur (mëkateve), e zullumqarët do t’i lëmë aty të gjunjëzuar.”[6] Kjo është një gjë që lidhet drejtpërdrejt me devotshmërinë.

    [1] Kaptina En-Nahl, ajeti 128.

    [2] Kaptina Alu Imran, ajeti 120.

    [3] Kaptina El-Enfal, ajeti 29.

    [4] Kaptina El-E’raf, ajeti 156.

    [5] Kaptina Merjem, ajeti 63.

    [6] Kaptina Merjem, ajeti 72.

     

    www.thirrjaislame.com

  • Të turpëruarit nga All-llahu i Madhërishëm

    Të turpëruarit nga All-llahu i Madhërishëm

    Si të mos turpërohet robi nga All-llahu kur e di se All-llahu e sheh dhe e ka nën mbikëqyrje në të gjitha situatat.

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Turpërohuni nga All-llahu ashtu siç Ai meriton! Kush turpërohet nga All-llahu ashtu siç Ai meriton, le ta ruajë kokën dhe atë që është në të (mendjen), barkun dhe atë që mban në të, le të përkujtojë vdekjen dhe sprovën. Ai i cili dëshiron ahiretin, braktis zbukurimet e kësaj bote, e ai i cili i bën këto, është turpëruar nga All-llahu ashtu siç meriton Ai.”[1]

    Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Atë që nuk dëshiron të tjerët ta shohin prej teje, mos e bëj edhe kur je vetëm.”[2]

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e porositi njërin nga sahabët duke i thënë: “Të porosis të turpërohesh prej All-llahut të Madhërishëm ashtu siç turpërohesh prej ndonjë njeriu të mirë nga populli yt.”[3]

    Na përcillet se një njeri shkoi tek Ibrahim ibën Ed’hemi dhe i tha: O Ebu Is’hak… Unë i bëj zullum vetes sime (duke bërë mëkate), andaj më këshillo si të largohem nga mëkatet.

    Ibrahim ibën Ed’hemi i tha: Do të t’i tregoj pesë parime, të cilave nëse u përmbahesh, nuk do të jesh më mëkatar.

    Njeriu: M’i trego ato parime, o Ebu Is’hak!

    Ibrahimi i tha: E para: Nëse dëshiron t’i bësh mëkat All-llahut, atëherë mos ha asgjë nga rizku (furnizimi) i Tij!

    E nga të ha – pyeti njeriu me habi -, kur i gjithë rizku është prej All-llahut?!

    Atëherë Ibrahimi tha: Atëherë a të ka hije të hash rizkun e Tij dhe në anën tjetër t’i bësh mëkat?!

    Njeriu tha: Jo! Hajde tani ma trego të dytën!

    Ibrahimi tha: Nëse dëshiron t’i bësh mëkat All-llahut, atëherë mos bano në asnjë vend të Tij!

    Njeriu tha: Kjo është akoma më e rëndë se e para, o Ibrahim. Pasi lindja dhe perëndimi janë të Tij. Ku të jetoj unë?!

    Atëherë Ibrahimi tha: O ti njeri, atëherë a të ka hije të jetosh në vendin e Tij dhe në anën tjetër t’i bësh mëkat?!

    Njeriu tha: Jo! Hajde tani ma thuaj të tretën!

    Ibrahimi tha: Kur të shprehësh dëshirë t’i bësh mëkat All-llahut, gjeje ndonjë vend ku All-llahu nuk të sheh dhe bëje mëkatin atje!

    Njeriu tha: Ç’është kjo, o Ibrahim?! Si po kërkon një gjë të tillë kur Ai i sheh të gjitha fshehtësitë, e di atë që njeriu ka në brendinë e tij dhe asgjë nuk mund t’i shpëtojë diturisë së Tij?!

    Atëherë Ibrahimi tha: O ti njeri, atëherë a të ka hije ta hash rizkun e tij, të jetosh në tokën e Tij dhe t’i bësh mëkat, ndërsa Ai të sheh dhe e di çfarë ke në vete?!

    Njeriu tha: Jo! Hajde tani ma trego të katërtën!

    Ibrahimi tha: Kur të vijë Meleku i Vdekjes të ta marrë shpirtin, thuaji: Më jep edhe pak kohë (jetë) deri në një afat të caktuar derisa të pendohem.

    Njeriu tha: Këtë ai nuk e pranon prej meje…

    Ibrahimi tha: Pasi nuk paske mundësi ta vonosh vdekjen që të pendohesh dhe e di se kur të vijë ai, nuk ka vonim, atëherë si e shpreson shpëtimin?!

    Njeriu tha: Ashtu është. Hajde tani ma trego të pestën!

    Ibrahimi tha: Kur të vijnë zebanijtë (melekët e ndëshkimit – xhehennemit) në ditën e kiametit për të të dërguar në xhehennem, mos shko me ta!

    Njeriu tha: Ata nuk do ta pranojnë këtë prej meje.

    Atëherë si e shpreson shpëtimin?! – tha Ibrahimi.

    Atëherë njeriu tha:  Mjaft më, o Ibrahim, mjaft! Unë i kërkoj falje All-llahut dhe pendohem.

    [1] Hasen: Shënon Tirmidhiu (2458). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (935) e ka klasifikuar si hadith hasen.

    [2] Hasen: shënon Ibën Hibbani në Sahihun e tij (2/129 nr. 403) dhe Dijai (4/178, nr. 1393). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1055) e ka klasifikuar si hadith hasen.

    [3] Shënojnë Taberaniu, Bejhekiu dhe Hasen ibën Sufjani. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2541) e ka klasifikuar si hadith sahih.

     

    www,thirrjaislame.com

  • Frika nga All-llahu i Madhërishëm

    Frika nga All-llahu i Madhërishëm

    Frika është një prej edukatave më të mëdha me All-llahun e Madhërishëm. Kjo frikë buron nga njohja e pozitës së All-llahut, madhështisë së Tij mbi krijesat, madhësisë së fuqisë së Tij, ashpërsisë së dënimit dhe ndëshkimit të Tij, hakmarrjes ndaj armiqve të Tij, armiqve të të dërguarve të Tij dhe armiqve të evliave të Tij duke i pasur parasysh dënimet që i ka zbritur mbi ta në këtë dynja. Po ashtu buron nga meditimi rreth teksteve sheriatike (kur’an dhe sunnet) për sa i përket kërcënimeve të Tij, meditimit në lidhje me atë se çfarë lloje dënimesh ka përgatitur All-llahu për armiqtë e tij në varr dhe në zjarrin e xhehenemit. Kur myslimani bindet se All-llahu ka mundësi t’i dënojë të gjitha krijesat e Tij, dhe se vendimin e Tij nuk mund ta thyejë askush si dhe gjykimin e Tij nuk mund ta ndryshojë askush, atëherë kjo e shpien deri te frika ndaj All-llahut të Madhërishëm. Kjo frikë e përfshin zemrën, depërton në damarët e saj si dhe rrjedh në brendinë e saj ashtu siç rrjedh gjaku. Kjo është ajo frikë që e ndalon myslimanin nga mëkatimi ndaj All-llahut të Madhërishëm, e largon nga veprimet që e hidhërojnë All-llahun, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Me këtë All-llahu i frikëson robërit e Vet: “O robërit e Mi, kini frikë (dënimin)!”[1] E në një ajet tjetër thotë: “Kështu Ne e shpallëm këtë kur’an arabisht dhe përsëritëm në të vërejtjet, në mënyrë që ata të ruhen ose ai (kur’ani) t’u sjellë atyre përvojë mësimi.”[2]

    Kjo frikë është prej gjërave më të dobishme për myslimanin, sidomos në kohën e rinisë kur ai është i fuqishëm. Kjo frikë duhet ta përcjellë myslimanin në çdo situatë gjatë gjithë jetës së tij dhe nuk duhet ndarë prej saj as për një moment. Kjo frikë sjell fryte dhe dobi shumë të mëdha për besimtarin i cili i frikohet All-llahut.

    Nga ana tjetër, mospasja frikë nga All-llahu i Madhërishëm është sjellje e keqe me Të, tejkalim i kufijve të Tij dhe veprim i asaj që All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar.

    Frika nga All-llahu i Madhërishëm ngërthen në vete fryte të shumta. Prej tyre:

    – Largimi nga mëkatimi ndaj All-llahut të Madhërishëm.

    – Kthimi nga obligimet dhe adhurimet ndaj All-llahut dhe praktikimi i tyre në mënyrë të vazhdueshme.

    – Lidhja me All-llahun e Madhërishëm. Kjo, duke e pasur parasysh se nuk ka strehim dhe shpëtim diku tjetër përpos tek Ai si dhe nuk ka mbrojtës prej dënimit të Tij përpos Tij.

    – Përqendrimi i zemrës ndaj krijesave dhe mospasja frikë prej tyre, sepse zemra e mbushur me frikë nga All-llahu, nuk ia ka frikën askujt pos Tij, madje të tjerët ia kanë frikën atij njeriu. Kështu vëren se kriminelët janë ata që frikohen nga njeriu i mirë, ndërsa ai nuk frikohet prej tyre.

    [1] Kaptina Ez-Zumer, ajeti 16.

    [2] Kaptina Ta-Ha, ajeti 113.

     

    www.thirrjaislame.com

  • Mbikëqyrja e All-llahut të Madhërishëm

    Mbikëqyrja e All-llahut të Madhërishëm

    Kjo arrihet duke e ditur se All-llahu të sheh dhe i di veprat e tua të fshehura e publike. Ai gjithnjë të ka nën mbikëqyrje dhe Atij nuk i fshihet asnjë çështje e jotja.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ta dini se All-llahu e di çka fshihni në vete, pra kini frikë prej Atij.”[1] “All-llahu është përcjellës ndaj çdo sendi.”[2] “A nuk e di ai se All-llahu e sheh?“[3] “se ti je nën mbikëqyrjen tonë.”[4]Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra.”[5]

    Ndërsa në hadithin e njohur si Hadithi i Xhibrilit, Xhibrili alejhis-selam e pyeti Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për ihsanin, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem iu përgjigj: “Ta adhurosh All-llahun sikur e sheh Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh.”[6]

    Prandaj kur Xhunejdi, All-llahu e mëshiroftë, u pyet: “Me se njeriu e ka më lehtë të ulë shikimin (nga harami)? Ai u përgjigj: Duke e pasur në vetëdije se shikimi i shikuesit tënd (All-llahut) është më i shpejtë sesa shikimi yt që ia bën diçkaje.”

    Abdullah ibën Mubareku njëherë i tha një njeriu: “Përmbaju mbikëqyrjes së All-llahut.” Njeriu e pyeti: “E ç’nënkuptojmë me mbikëqyrjen?” Ai u përgjigj: “Llogarite gjithnjë se je duke e parë All-llahun e Madhërishëm.”

    Sa fjalë e bukur është kjo e Sufjan e Theuriut, All-llahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Përmbaju mbikëqyrjes së Atij të Cilit nuk i fshihet asgjë; përmbaju lutjes së Atij që e ka në pronë besnikërinë; përmbaju kujdesit ndaj Atij që në Dorë e ka ndëshkimin.”

    Abdullah ibën Dinari thotë: “Një herë dola me Abdullah ibën Omer ibën Hattabin radijAll-llahu anhuma për në Mekë dhe në mbrëmje u ulëm në një vend për të pushuar. Papritmas pamë një njeri që po zbriste nga kodra. Abdullah ibën Omeri i tha: O ti bari, a na shet një dele?

    Bariu tha: Bagëtia nuk është e imja, unë jam rob dhe rrogëtar i zotërisë tim… Prandaj nuk mund të shes gjë prej saj.

    Abdullahu, duke dashur ta provojë bariun, i tha: Thuaj zotërisë tënd: E hëngri ujku.

    Bariu tha: Nëse këtë ia them zotërisë dhe mikut tim, ku mbeti All-llahu? Ç’do t’i them All-llahut të Madhërishëm?

    Abdullahu qau nga kjo fjalë, e pastaj shkoi te zotëria i bariut dhe e bleu këtë rob prej tij dhe bashkë me të i bleu të gjithë bagëtinë… Pastaj këtij bariu ia fali lirinë ndërsa bagëtinë ia bëri dhuratë.”

    [1] Kaptina El-Bekare, ajeti 235.

    [2] Kaptina El-Ehzab, ajeti 52.

    [3] Kaptina El-alek, ajeti 14.

    [4] Kaptina Et-Tur, ajeti 48.

    [5] Kaptina Gafir, ajeti 19.

    [6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (50) dhe Muslimi (9, 10) nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu. Po ashtu Muslimi (8) nga Omer ibën Hattabi radijAll-llahu anhu.

     

    www.thirrjaislame.com

  • Meditimi rreth dhuntive të All-llahut ndaj teje

    Meditimi rreth dhuntive të All-llahut ndaj teje

    Kjo do të thotë të meditosh rreth dhuntive të All-llahut ndaj teje, të jesh mirënjohës dhe ta falënderosh All-llahun për to. Dhuntitë e All-llahut nuk mund t’i numërosh a përkufizosh e as të realizosh falënderimin për to. Çdo dhunti, e madhe apo e vogël, është vetëm prej Tij dhe prej askujt tjetër.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej All-llahut.”[1] “Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato.”[2]

    Mirësitë e Tij e kanë përfshirë njeriun që kur ka qenë spermë në mitrën e nënës së tij. All-llahu sikur i drejtohet njeriut duke i thënë: Të kam marrë nën kujdesin Tim dhe të kam shndërruar nga sperma në copë gjaku të ngjizur, nga copa e gjakut në copë mishi, nga mishi deri në fazën kur eshtrat i vesha me mish. Në barkun e nënës për ty bëra mbështetëse në anën e djathtë dhe në anën e majtë. Në anën e djathtë mbështetëse e bëra mëlçinë ndërsa në anën e majtë shpretkën. Fytyrën ta mbulova me një cipë që mos të shqetësohesh nga era e ushqimit. Po ashtu të mësova të qëndrosh në këmbë e të ulesh në barkun e nënës… A ka mundësi këtë ta bëjë kush tjetër pos Meje?!

    E kur mbaroi koha e caktuar, e urdhërova melekun përgjegjës për mitrat dhe ai të nxori nëpërmjet një puple të fletëve të tij… Nuk kishe dhëmbë me të cilët do të kafshoje, duart e tua nuk mund të kapnin asgjë, këmbët e tua nuk mund të ecnin. Mbiva për ty dy burime të buta në gjoksin e nënës tënde që nxjerrin qumësht të kulluar, i nxehtë gjatë dimrit ndërsa i ftohtë gjatë verës. E kur shpina jote u forcua dhe u rrite, atëherë më mëkatove duke qenë në vetmi dhe nuk pate turp prej Meje! Megjithëkëtë, sikur të pendohesh sinqerisht, unë ta pranoj pendimin dhe sikur të kërkoje falje prej Meje, unë të falë.[3]

    [1] Kaptina En-Nahl, ajeti 53.

    [2] Kaptina En-Nahl, ajeti 18.

    [3] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 10. Autor: Prof. Muhammed Buhajri.

     

    www.thirrjaislame.com

  • Veçimi i adhurimit ndaj All-llahut të Madhërishëm

    Veçimi i adhurimit ndaj All-llahut të Madhërishëm

    Pranimi i veprave është i lidhur drejtpërdrejt me veçimin e adhurimit ndaj All-llahut të Madhërishëm. Kjo, ngase njeriu mund të bëjë mirësi të mëdha por megjithatë ka mundësi të mos arrijë as edhe një shpërblim të vetëm, sepse me ato vepra nuk ka pasur për qëllim arritjen e kënaqësisë së All-llahut.

    Prandaj myslimani duhet ta ripërtërijë nijetin në zemrën e tij para çdo veprimi që bën, duke synuar që me atë vepër të arrijë kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.”[1] “Thuaj: “Unë jam i urdhëruar ta adhuroj All-llahun, të jem i sinqertë në adhurimin ndaj Tij!”[2]Thuaj: “Vetëm All-llahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim.”[3] “S’ka dyshim, munafikët do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të zjarrit dhe për ta nuk do të gjesh mbrojtës, përveç atyre që u penduan, u përmirësuan, iu përmbajtën All-llahut (mësimeve të Tij) dhe praktikojnë sinqerisht fenë e tyre për hirin e All-llahut. Të tillët do të jenë bashkë me besimtarët, e All-llahu ka për t’u dhënë besimtarëve shpërblim të madh.”[4]

    I dërguari i All-llahut thotë: “Në trup gjendet një copë mishi, e cila kur përmirësohet, atëherë i tërë trupi përmirësohet, dhe kur ajo prishet, i tërë trupi prishet. Ajo është zemra.”[5]

    Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Me të vërtetë, All-llahu nuk shikon pamjen dhe pasurinë tuaj, por shikon zemrat dhe veprat tuaja.”[6]

    Nga Muavije radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Veprat janë sikur ena; nëse ushqimi në fund të saj zihet si duhet, atëherë edhe pjesa e sipërme zihet si duhet, e nëse është pjesa e poshtme digjet, atëherë edhe pjesa e sipërme e saj digjet.”[7]

    Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu thotë: “Zemra është mbret ndërsa organet e tjera janë ushtarët e saj. Kur mbreti është i mirë, atëherë edhe ushtria do të jenë të mirë, ndërsa kur mbreti është i prishur, atëherë edhe ushtria do të prishen.”

    [1] Kaptina El-Bejjine, ajeti 5.

    [2] Kaptina Ez-Zumer, ajeti 11.

    [3] Kaptina Ez-Zumer, ajeti 14.

    [4] Kaptina En-Nisa’, ajetet 145-146.

    [5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (52) dhe Muslimi (1599).

    [6] Sahih: shënon Muslimi (2564).

    [7] Sahih: shënon Ibën Maxhe (4119) dhe Ebu Ja’la. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2320) e ka klasifikuar si hadith sahih.

     

    www.thirrjaislame.com