Blog

  • DISA FORMA TË EDUKATËS QË MYSLIMANI DUHET T’I PËRVETËSOJË KARSHI PEJGAMBERIT sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem (pjesa e tretë)

    DISA FORMA TË EDUKATËS QË MYSLIMANI DUHET T’I PËRVETËSOJË KARSHI PEJGAMBERIT sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem (pjesa e tretë)

    Madhërimi, vlerësimi dhe edukata e mirë me të

     

    Kjo do të thotë të mos e thërrasësh atë vetëm thjesht me emrin e tij, por duhet të kesh respekt për të dhe të shfaqësh nderim kur përmendet emri i tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: Thirrjen e të dërguarit mos e konsideroni si thirrjen tuaj ndaj njëri-tjetrit. All-llahu i di ata që tërhiqen prej jush tinëzisht, prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënimi i hidhur.”[1] Po ashtu thotë: “Ne të dërguam ty (Muhammed) dëshmitar, përgëzues dhe qortues. Që ju (njerëz) t’i besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij dhe atë ta përkrahni e ta respektoni, e (All-llahun) ta madhëroni për çdo mëngjes e mbrëmje.”[2] Po ashtu thotë: “O ju që keni besuar, mos e ngritni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos e ditur.”[3]

    Ju do të çuditeni nëse e kuptoni se për kë është shpallur ky ajet. Ky ajet është shpallur për dy të mirët, të nderuarit, fisnikët, të dashurit: Ebu Bekrin radijAll-llahu anhu dhe Omerin radijAll-llahu anhu.

    Nga Ibën Ebi Mulejke radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Dy të mirët, Ebu Bekri dhe Omeri desh nuk u shkatërruan; ata ia ngritën zërin njëri-tjetrit kur te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem erdhi karvani i fisit Benu Temim. Njëri prej tyre bëri me shenjë nga Ekre’ ibën Habisi, ndërsa tjetri nga një njeri tjetër. Atëherë Ebu Bekri i tha Omerit: Qëllimi yt qe vetëm të më kundërshtosh, e Omeri tha: Jo, nuk pata qëllim të të kundërshtoj, dhe kështu ia ngritën zërin njëri-tjetrit. Prandaj All-llahu i Madhërishëm e zbriti ajetin: “O ju që keni besuar, mos e ngreni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit….”

    Abdullah ibën Zubejri ka thënë: “Pas zbritjes së këtij ajeti, Omeri radijAll-llahu anhu i fliste Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me zë aq të ulët saqë ai kërkonte prej tij ta përsërisë fjalën ngase nuk e dëgjonte se ç’thoshte.”

    Nga Enes ibën Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Kur zbriti ajeti: “O ju që keni besuar, mos e ngritni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos e ditur.”, Thabit ibën Kajsi radijAll-llahu anhu shkoi në shtëpinë e vet dhe tha: ‘Unë jam xhehennemli’, dhe nuk i dilte Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem më para syve. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e pyeti Sa’d ibën Muadhin radijAll-llahu anhu për Thabit ibën Kajsin radijAll-llahu anhu dhe i tha: “O Ebu Amër, ç’është puna me Thabitin? A ankohet për diçka?” Sa’di tha: “Unë atë e kam fqinj dhe me sa di unë, ai nuk ankohet për asgjë.” Pastaj Sa’di shkoi te Thabiti dhe ia tregoi fjalët e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Atëherë Thabiti tha: “Zbriti ky ajet; dhe ju e dini se unë jam njëri nga më të zëshmit në praninë e të dërguarit të All-llahut, prandaj unë jam xhehennemli.” Sa’di i tregoi Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për fjalët e Thabitit, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Përkundrazi, ai është xhennetli.”[4]

     

    Ndjekja e të dërguarit të All-llahut

     

    Kjo do të thotë ta ndjeksh atë në të gjitha fjalët e veprat, pa mos e tepruar… All-llahu i Madhërishëm thotë: Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun.”[5] Po ashtu thotë: “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.”[6]

     

    Mosteprimi në lavdërimin e tij

     

    Ai është robi dhe i dërguari i All-llahut

    All-llahu i Madhërishëm thotë: Thuaj: Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj.[7] Po ashtu thotë: Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar.”[8]

    I dërguari i All-llahut ka ndaluar nga teprimi në lavdërimin e tij dhe ka thënë: Mos më lavdëroni siç e kanë lavdëruar të krishterët birin e Merjemes, sepse unë jam vetëm një rob i All-llahut, kështu që thuani: Robi dhe i dërguari i All-llahut.”[9]

    [1] Kaptina En-Nur, ajeti 63.

    [2] Kaptina El-Fet’h, ajetet 8-9.

    [3] Kaptina El-Huxhurat, ajeti 2.

    [4] Sahih: shënon Muslimi (119).

    [5] Kaptina El-Ehzab, ajeti 21.

    [6] Kaptina En-Nisa’, ajeti 65.

    [7] Kaptina El-Kehf, ajeti 110.

    [8] Kaptina Alu Imran, ajeti 144.

    [9] Sahih: shënon Buhariu (3445).

  • DISA FORMA TË EDUKATËS QË MYSLIMANI DUHET T’I PËRVETËSOJË KARSHI PEJGAMBERIT sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem (pjesa e dytë )

    DISA FORMA TË EDUKATËS QË MYSLIMANI DUHET T’I PËRVETËSOJË KARSHI PEJGAMBERIT sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem (pjesa e dytë )

    Braktisja e çdo gjëje që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar dhe ka tërhequr vërejtjen

     

    Ashtu siç bindja ndaj urdhrit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është obligim, po ashtu edhe braktisja e asaj që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar, është obligim për myslimanin. All-llahu i Madhërishëm thotë: Çka t’ju jep i dërguari, atë merreni, e çka t’ju ndalojë, përmbajuni asaj.”[1]

    I dërguari i All-llahut ka thënë: “Veproni me aq sa ju kam porositur,[2] sepse popujt që kanë qenë para jush janë shkatërruar për shkak të pyetjeve të shumta dhe kundërshtimit të tyre ndaj pejgamberëve. Kur t’ju ndaloj diçka, largohuni prej saj, ndërsa kur t’ju urdhëroj me diçka, përmbusheni atë sa më shumë që mundeni.”[3]

     

    Pasimi i tij

     

    Kjo, ngase i tërë hairi është në pasimin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën.”[4] Po ashtu thotë: Nëse i bindeni atij, atëherë keni gjetur të vërtetën. I dërguari ka obligim vetëm komunikimin e qartë.”[5] E në një ajet tjetër thotë: “Thuaj: Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.”[6]

    Besimi në gjithçka që ka treguar (lajmëruar)

     

    Kjo, për arsye se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem informatat i merr nga Zoti i Tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: Pasha yllin kur ai bie (prej së larti poshtë)! Shoku juaj (Muhammedi që ju e njihni) as nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar (nga e vërteta). Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet. Atë ia mësoi Ai, fuqiforti, (Xhibrili).”[7]

    I dërguari i All-llahut në çdo gjë që infromon nga Zoti i Tij është i sinqertë. Madje do të çuditeni se sinqeritetin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka vërtetuar edhe jobesimtari përpara se ta vërtetojë besimtari mysliman. Mushrikët e Mekës para pejgamberllëkut të Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e kanë emërtuar atë me nofkën “I sinqerti, Besniku”.

    [1] Kaptina El-Hashr, ajeti 7.

    [2] D.m.th. qëllimi i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë që njerëzit të mos pyesin pyetje të shumta e të panevojshme, për shkak të të cilave mund të lind ndonjë dispozitë sheriatike, por t’i përmbahen vetëm asaj që u është lejuar apo ndaluar, pa mos e angazhuar veten me detale të shumta, të cilat mund t’u sjellin ngarkesë të padëshirueshme. (shën. përkth.)

    [3] Sahih: shënon Buhariu (7288).

    [4] Kaptina El-E’raf, ajeti 158.

    [5] Kaptina En-Nur, ajeti 54.

    [6] Kaptina Alu Imran, ajeti 31.

    [7] Kaptina En-Nexhm, ajetet 1-5.

  • DISA FORMA TË EDUKATËS QË MYSLIMANI DUHET T’I PËRVETËSOJË KARSHI PEJGAMBERIT sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ( pjesa e parë)

    DISA FORMA TË EDUKATËS QË MYSLIMANI DUHET T’I PËRVETËSOJË KARSHI PEJGAMBERIT sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ( pjesa e parë)

    Besimi në të dhe njohja e pozitës së tij tek All-llahu i Madhërishëm

     

    All-llahu i Madhërishëm thotë: Thuaj (Muhammed): O ju njerëz! Unë jam i dërguari i All-llahut te të gjithë ju. All-llahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s’ka të adhuruar tjetër pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson All-llahun dhe shpalljet e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën.”[1]

    Kadi Ijadi, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Besimi në të do të thotë besim në pejgamberllëkun e tij dhe misionin e All-llahut që ia ka ngarkuar atij, si dhe besimi në çdo gjë me të cilën ai ka ardhur dhe të cilën e ka thënë, duke ia bashkëngjitur kësaj edhe besimin me zemër dhe shqiptimin me gjuhë se ai është i dërguar i All-llahut. Në momentin kur besimi me zemër dhe shqiptimi me gjuhë të bashkohen, atëherë është plotësuar besimi në të.”[2]

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, çdo njeri i cili dëgjon për mua, qoftë hebre apo i krishterë, e pastaj vdes duke mos besuar në atë me të cilën u dërgova, do të jetë prej banorëve të zjarrit.”[3]

     Dashuria ndaj tij

     

    Kjo do të thotë që ta duash atë më shumë se veten, familjen, pasurinë dhe gjithë njerëzit.

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Askush prej jush nuk beson derisa unë të jem më i dashur për të se babai i tij, fëmija i tij dhe i gjithë njerëzimi.”[4]

    Nga Abdullah ibën Hishami radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Ishim me të dërguarin e All-llahut, ndërsa ai e kishte kapur për dore Omer ibën Hattabin, e ky i fundit i tha: O i dërguari i All-llahut, ti për mua je më i dashur se çdo gjë, përveç vetes sime. Atëherë i dërguari i All-llahut i tha: Jo pasha All-llahun, nuk ke besim të plotë derisa unë nuk jam më i dashur për ty sesa vetja yte. Atëherë Omeri i tha: Pasha All-llahun, që tani e tutje ti je më i dashur për mua edhe sesa vetja ime. Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: Tani t’u plotësua besimi (imani), o Omer.”[5]

     

     

     

    Bindja ndaj çdo urdhri të tij

     

    All-llahu i Madhërishëm thotë: Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.[6] Madje All-llahu i Madhërishëm, bindjen ndaj të dërguarit të Tij e ka bërë çelës të dashurisë ndaj All-llahut.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: “Thuaj: Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë. Thuaj: Bindjuni All-llahut dhe të dërguarit, e nëse ata refuzojnë, atëherë All-llahu nuk i do pabesimtarët!”[7]

    Ibën Kethiri, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ky ajet është gjykues për çdonjërin i cili pretendon dashurinë ndaj All-llahut por që nuk e pason rrugën e Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Ky njeri llogaritet gënjeshtar derisa nuk e pason sheriatin e Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe fenë e tij në të gjitha fjalët dhe veprimet e tij.”[8]

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “I gjithë ummeti im do të hyjë në xhennet, përveç atij që refuzon.” Thanë: “O i dërguar i All-llahut, e kush refuzon?” Ai tha: “Kush më respekton, do të hyjë në xhennet, e kush më kundërshton, ai ka refuzuar.”[9]

    Po ashtu ka thënë: “Kush më respekton mua, e ka respektuar All-llahun, e kush më kundërshton mua, e ka kundërshtuar All-llahun.”[10]

    [1] Kaptina El-E’raf, ajeti 158.

    [2] Shkëputur nga libri Esh-Shifa bi Ta’rifi Hukukil-Mustafa (2/539). Autor: Kadi Ijadi.

    [3] Sahih: shënon Muslimi (153).

    [4] Sahih: shënon Buhariu (14).

    [5] Sahih: shënon Buhariu (6632).

    [6] Kaptina En-Nisa’, ajeti 65.

    [7] Kaptina Alu Imran, ajetet 31-32.

    [8] Shkëputur nga Tefsiri i Ibën Kethirit (1/338).

    [9] Sahih: shënon Buhariu (7280).

    [10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2957) dhe Muslimi (1835).

  • EDUKATA NDAJ TË DËRGUARIT TË ALL-LLAHUT

    EDUKATA NDAJ TË DËRGUARIT TË ALL-LLAHUT

    Vëllezër të dashur,

    Pasi jemi duke folur për edukatën e myslimanit ndaj Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, duhet përmendur se ne nuk mund ta përkufizojmë vlerën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, edhe po të dëshironim, nuk do të mundnim t’ia jipnim hakun vlerës së tij.

    Mjafton të përmendim fjalën e All-llahut të Madhërishëm, i Cili i drejtohet Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me këto fjalë: Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”[1]

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem veçohej me elokuencë dhe gojëtari të lartë.

    Urtësia, falja kur ekziston mundësia për hakmarrje, durimi gjatë sprovave etj, kanë qenë cilësi me të cilat All-llahu e ka edukuar atë. Çdo të urti i ka ndodhur ndonjë gabim a lëshim, por sa më shumë që është sprovuar, atij aq më shumë i është shtuar durimi, dhe sa më shumë që ndonjë injorant e ka shprehur injorancën e tij, atij aq më shumë i është shtuar urtësia dhe butësia.

    Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “Çdoherë kur i dërguari i All-llahut ka pasur mundësi të zgjedhë mes dy gjërave, ai e ka zgjedhur më të lehtën përderisa nuk ka qenë mëkat. E nëse ka qenë mëkat, ai ka qenë njeriu më i largët prej saj. I dërguari i All-llahut asnjëherë nuk është hakmarrë ndaj dikujt kur bëhej fjalë për veten e tij, përveç nëse është shkelur ndonjë dispozitë e All-llahut, atëherë është hakmarrë për hirin e All-llahut.”[2]

    Bamirësia dhe fisnikëria e tij nuk mund të përkufizohen.

    Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë njeriu më zemërgjerë, e sidomos gjatë muajit të Ramazanit, ku për çdo natë të muajit të Ramazanit takohej me Xhibrilin alejhis-selam i cili ia mësonte atij kur’anin. Vërtet i dërguari i All-llahut ka qenë më i dobishëm me mirësi sesa era me dobinë e saj gjithëpërfshirëse.”[3]

    Ai ka qenë njeriu më trim. Ka marrë pjesë në betejat më të rënda. Shpeshherë ka ndodhur që komandantët më të shkathët të ikin prej tij gjatë luftës, ndërsa ai qëndronte i palëkundur.

    Ishte njeriu më i turpshëm. Nga Ebu Seid el-Hudriu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka qenë më i turpshëm sesa beqarja në gjerdekun e saj.[4] E kur ai shihte ndonjë gjë që nuk e donte, ne e vërenim këtë nga fytyra e tij.”[5]

    Ai nuk i nguliste sytë në fytyrën e askujt por i mbante sytë teposhtë. Po ashtu nuk i fliste askujt ndonjë fjalë të cilën e urrente dhe kjo ishte nga fisnikëria dhe turpi që kishte. Po ashtu kur dëgjonte diçka të keqe për dikë, nuk e emërtonte atë njeri me emër, por thoshte: “Ç’është puna me disa njerëz që bëjnë kështu e kështu…?”[6]

    Ishte njeriu më i drejtë, më i çiltër, më fjalëdrejtë, më besnik. Këto gjëra i kanë pohuar madje edhe armiqtë e tij. Edhe para pejgamberllëkut ai ishte njohur me nofkën “i sinqerti, besniku”, si dhe ishte i njohur me atë se njerëzit vinin për t’u gjykuar tek ai për shkak të drejtësisë së tij.

    Ka qenë njeriu më modest, njeriu më larg mendjemadhësisë, i ndalonte të tjerët të ngriten në këmbë për të sikur që ngriten për mbretërit, i vizitonte të varfërit, shoqërohej me ta, i përgjigjej thirrjes së robit, në mesin e shokëve të tij ulej sikur uleshin ata. Aisheja radijAll-llahu anha tregon: “Ai i ndreqte këpucët e tij, i qepte teshat e tij dhe punonte në shtëpi sikur ju që punoni në shtëpitë tuaja.”[7] Ai sillej sikur njerëzit e tjerë, i pastronte rrobat e tij, i milte delet dhe kujdesej për veten.”[8]

    Ka qenë njeriu që më së shumti e ka mbajtur premtimin, më së shumti i ka mbajtur lidhjet farefisnore, njeriu me dhembshurinë, butësinë dhe mëshirën më të madhe ndaj njerëzve të tjerë, më i miri dhe më i edukuari në raportet ndërnjerëzore, njeriu me moralin më të mirë, njeriu më i larguar nga morali i keq. Ai nuk ishte i vrazhdë dhe zemërashpër, nuk ishte zëmadh (i zhurmshëm) nëpër tregje, të keqen nuk e kthente me të keqe, por falte dhe ishte tolerant.[9] Ai nuk linte askënd të ecte mbrapa tij, nuk dallohej nga shërbëtorët e tij në ushqim apo veshje. E shërbente njeriun që i shërbente atij, dhe kurrë nuk i ka thënë shërbëtorit të tij as fjalën “of”, si dhe nuk e ka qortuar për ndonjë gjë që e ka bërë apo nuk e ka bërë.[10] I donte të varfërit, shoqërohej me ta, merrte pjesë në varrimin e tyre dhe nuk e nënçmonte asnjë të varfër për shkak të varfërisë së tij.

    Me një fjalë, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë i pajisur me cilësitë e plota që nuk ka mundësi askush t’i ketë. Zoti i tij e ka edukuar në mënyrën më të mirë, madje i është drejtuar me lëvdatë duke i thënë: Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”[11] Këto cilësi kanë qenë shkak që njerëzit i janë afruar, e kanë dashur me zemër, me këto cilësi ai ka qenë si një magnet tërheqës për njerëzit, dhe këto cilësi kanë ndikuar që edhe zemrat më të egra të popullit të tij të zbuten, saqë kanë hyrë turma-turma në fenë e All-llahut.[12]

    Mjafton lëvdatë për të fjala e All-llahut të Madhërishëm: Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”[13]

    [1] Kaptina El-Kalem, ajeti 4.

    [2] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3560) dhe Muslimi (2327).

    [3] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6) dhe Muslimi (2308).

    [4] Bëhet fjalë për beqaren kur në natën e parë të martesës vetmohet me njeriun (burrin e saj) që nuk e ka njohur kurrë më parë. (shën. përkth.)

    [5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6102) dhe Muslimi (2320).

    [6] Këto cilësi të lavdëruara janë përmendur në disa hadithe, si p.sh. te Buhariu (750), Muslimi (2401), Ebu Davudi (3930) dhe Ibën Maxhe (2017).

    [7] Sahih: shënojnë Ahmedi në librin e tij (6/106), Abd ibën Humejdi në librin e tij El-Muntehab (1482), Ebu Shejh (fq. 21), Ebu Ja’la (8/4653). Ibën Hibbani (12/5676, 5677) e ka klasifikuar si hadith sahih. Po ashtu edhe shejh Albani në librin e tij Sahih el-Edebil-Mufred (419) e ka klasifikuar si hadith sahih.

    [8] Sahih: shënojnë Ahmedi (6/256), Tirmidhiu në Esh-Shemailul-Muhammedijje (342), Buhariu në Edebul-Mufred (541), Begaviu në Sherhus-Sunneh (3676). Ibën Hibbani (12/5675) e ka klasifikuar si hadith sahih. Po ashtu edhe shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2/671) e ka klasifikuar si hadith sahih.

    [9] Sahih: shënojnë Tirmidhiu në Sunenin e tij (2017) dhe në Esh-Shemailul-Muhammedijje (330), Ahmedi (6/174) nga Aisheja radijAll-llahu anha. Tirmidhiu thotë: “Ky është hadith hasen sahih”. Ngjashëm me këtë e shënon edhe Buhariu (2125) dhe Ahmedi (2/174) nga Abdullah ibën Amri radijAll-llahu anhuma.

    [10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2768), Muslimi (2309), Ahmedi (3/101) dhe të tjerë, nga Enesi radijAll-llahu anhu.

    [11] Kaptina El-Kalem, ajeti 4.

    [12] Shkëputur nga libri Er-Rehikul-Mehtum, fq. 532-537, me pak ndërhyrje. Autor: Safijurr-Rrahman el-Mubarekfuri.

    [13] Kaptina El-Kalem, ajeti 4.

  • EDUKATA E PEJGAMBERËVE NDAJ ALL-LLAHUT TË MADHËRISHËM

    EDUKATA E PEJGAMBERËVE NDAJ ALL-LLAHUT TË MADHËRISHËM

    Vërtet, edukata e pejgamberëve dhe të dërguarve ndaj All-llahut ka qenë edukata më e vlefshme dhe më madhështore.

    All-llahu i Madhërishëm në lidhje me zotërinë e njerëzisë, Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Shikimi i tij nuk lakoi e as nuk tejkaloi.”[1] Ky është një përshkrim i edukatës së Tij në atë situatë, kur shikimi i tij nuk e tejkaloi atë që e pa, e kjo është plotësi e edukatës, duke e pasur parasysh se ai iu përkushtua tërësisht All-llahut, ndërsa zemra si e tillë është organ potencial për devijim apo tejkalim të kufijve. E njëjta vlen edhe për syrin, por që të dyja janë të palejueshme për zemrën dhe syrin e të dërguarit të All-llahut. Pra, zemra e tij nuk devijoi duke u drejtuar nga dikush tjetër pos All-llahut, si dhe nuk i tejkaloi kufijtë duke dalur jashtë kornizave të pozitës në të cilën ishte vendosur.

    All-llahu i Madhërishëm kur i tha Isait alejhis-selam “a ti njerëzve u the: “Më besoni mua dhe nënën time si dy zota pos All-llahut!?”, ai nuk tha: Jo, nuk e kam thënë këtë, por tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua ta them atë që s’është e vërtetë, ta kisha thënë unë atë, Ti do ta dije.” Pastaj e përmendi diturinë dhe sekretet që All-llahu i Madhërishëm i di, dhe tha:”Ti e di ç’ka në mua”, dhe më pas e përjashtoi veten nga dituria e tij për gjërat e fshehta që i di vetëm All-llahu dhe që janë të veçanta vetëm për Të, duke thënë “e unë nuk e di ç’ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave!”[2] Pastaj tha: “Nëse i dënon ata, në të vërtetë ata janë robër Tu, e nëse ua falë atyre, Ti je i gjithëfuqishmi, i urti.”[3] Kjo është prej edukatës më madhështore ndaj All-llahut në këtë situatë.

    Ndërsa Ibrahimi alejhis-selam me një edukatë madhështore tha: “Zoti që më krijoi, Ai më udhëzon mua. Dhe Ai që më ushqen dhe më jep të pijë. Dhe kur të sëmurem, Ai më shëron.”[4] Pra nuk ka thënë: Kur të më sëmurë, por kur të sëmurem, dhe kjo duke u kujdesur për edukatën ndaj All-llahut.

    Po ashtu e kemi rastin e Hidrit alejhis-selam kur tha: “e unë desha ta bëj atë (anijen) me të meta”[5] e nuk ka thënë: Zoti yt deshi ta bëjë atë me të meta.

    Po ashtu e kemi rastin e xhinnëve besimtarë kur thanë: “Ne nuk e dimë se me këtë (përgatitje të qiellit) është për qëllim ndonjë e keqe për ata që janë në tokë, apo Zoti i tyre dëshiron që ata t’i udhëzojë.”[6]

    Ndërsa më madhështorja është fjala e Ademit alejhis-selam kur tha: “Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë vetvetes, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!”[7], e nuk tha: O Zot, Ti e kishe caktuar për mua të veproj kështu, ose diçka të ngjashme.

    Po ashtu e kemi fjalën e Ejjubit alejhis-selam kur tha: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit!”[8], pra nuk ia përshkroi belanë Zotit të tij, duke shprehur kështu edukatë të lartë ndaj Tij.[9]

    [1] Kaptina En-Nexhm, ajeti 17.

    [2] Kaptina El-Maide, ajeti 116.

    [3] Kaptina El-Maide, ajeti 118.

    [4] Kaptina Esh-Shuara’, ajetet 78-80.

    [5] Kaptina El-Kehf, ajeti 79.

    [6] Kaptina El-Xhinn, ajeti 10.

    [7] Kaptina El-E’raf, ajeti 23.

    [8] Kaptina El-Enbija’, ajeti 83.

    [9] Shkëputur nga libri Medarixhus-Salikin (2/159-160). Autor: Ibën Kajjimi.

  • Të mos kërkosh gjë prej askujt veç All-llahut dhe të mos kërkosh ndihmë tek askush pos Tij

    Të mos kërkosh gjë prej askujt veç All-llahut dhe të mos kërkosh ndihmë tek askush pos Tij

    Kur të kërkosh diçka, mos kërko prej askujt tjetër pos All-llahut dhe mos kërko ndihmë prej askujt tjetër pos Tij. Kije bindjen e plotë se askush nuk e ka në dorë dëmtimin apo dobiprurjen ndaj teje përpos me lejen e All-llahut të Madhërishëm.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.”[1]

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “…kur të kërkosh diçka, kërkoje prej All-llahut; dhe kur të kërkosh ndihmë, kërkoje prej All-llahut…”[2] Ai është i Cili të përgjigjet kur ti i lutesh Atij, të jep kur kërkon prej Tij, të falë kur kërkon falje prej Tij, të ndihmon kur kërkon ndihmë prej Tij, ndërsa hidhërohet kur kërkon prej dikujt tjetër pos Tij.

    [1] Kaptina El-Bekare, ajeti 186.

    [2] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2516) dhe Ahmedi (1/303). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7957) e ka klasifikuar si hadith sahih.