Blog
-
Dashuria dhe urrejtja të jenë për hirin e All-llahut të Madhërishëm
Kështu, mos duaj askënd përveçse për hirin e All-llahut, dhe mos urre askënd përveçse për hirin e All-llahut. Dhe mos jep apo mos ndalo dhënien e diçkaje përveçse për hirin e All-llahut. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush do (dikë) për hirin e All-llahut, urren (dikë, diçka) për hirin e All-llahut, jep për hirin e All-llahut dhe ndalon dhënien për hirin e All-llahut, e ka plotësuar besimin.”[1]
Ibën Kajjimi thotë: “Kush i jep përparësi mbështetjes në All-llahun ndaj mbështetjes në veten e tij, All-llahu do t’i mjaftojë dhe nuk do ta lërë të jetë i varur nga vetja (aftësitë e tij). Kush i jep përparësi mbështetjes në All-llahun ndaj mbështetjes te njerëzit, All-llahu do t’i mjaftojë dhe nuk do ta lërë të jetë i varur nga njerëzit. E kush i jep përparësi mbështetjes në veten e tij ndaj mbështetjes në All-llahun, All-llahu do ta lërë të jetë i varur nga vetja (aftësitë e tij). Dhe kush i jep përparësi mbështetjes në njerëzit ndaj mbështetjes në All-llahun, All-llahu do ta lërë të jetë i varur nga njerëzit.”[2]
[1] Sahih: shënon Ebu Davudi (4681). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (380) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[2] Shkëputur nga libri El-Fevaid, fq. 122. Autor: Ibën Kajjimi.
-
Mosmarrja e kompetencave të cilat i takojnë vetëm All-llahut të Madhërishëm
Kjo do të thotë të mos i marrësh kompetencat të cilat janë ekskluzivisht të All-llahut dhe të mos gjykosh për robërit duke thënë: Filani është në xhennet apo filani është në zjarr, sikur ti të jesh ai që i merr në llogari krijesat.
Nga Xhundubi radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut tregon se një njeri kishte thënë: “Vallahi All-llahu nuk ia falë filanit, ndërsa All-llahu i Madhërishëm ka thënë: Kush është ai që i jep të drejtë vetes para All-llahut duke thënë që nuk ia falë filanit, e Unë ia kam falë filanit, ndërsa veprat e tua t’i kam asgjësuar.”[1] Ki kujdes, o vëllai im, të mos e ngritësh veten para All-llahut të Madhërishëm, sepse kjo mund të ndikojë në asgjësimin e veprave të tua dhe kështu ta humbasësh dynjanë e ahiretin. Përmbaju kompetencave të tua, shikoi mundësitë e tua, mos iu largo adhurimit tënd ndaj Mbizotëruesit të Madhërishëm, mos i jep vetes të drejtë para All-llahut të Madhërishëm, mos fol në emrin e Tij dhe mos i jep propozime Atij, por përmbaju kornizave të edukatës me Të.[2]
[1] Sahih: shënon Muslimi (2621).
[2] Shkëputur nga libri Ibnul-Islam, fq. 39.
-
Pajtimi me caktimin e All-llahut të Madhërishëm
Prej pjesëve përbërëse të besimit është që robi besimtar të jetë në pajtim me caktimin e All-llahut dhe të dijë se caktimet nuk ndodhin sipas dëshirave dhe pasioneve të tij por ndodhin sipas urtësisë dhe caktimit të Krijuesit. Duhet ditur se ne nuk jemi në pozitën e propozuesit, por në pozitën e adhurimit dhe dorëzimit ndaj All-llahut. Prandaj, detyrë e jonë është të pajtohemi me caktimin e All-llahut të Madhërishëm në çdo situatë.
Të qenit në pajtim me caktimin e All-llahut të Madhërishëm është fryt prej fryteve të dashurisë dhe njëra prej shkallëve më të larta të të afërmve të All-llahut.
Të qenit në pajtim me caktimin e All-llahut të Madhërishëm është balsam për plagë.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Interesante është puna e besimtarit! Vërtet e gjithë çështja e tij është hair, dhe këtë nuk e ka askush përveç besimtarit. Nëse i ndodhë ndonjë e mirë ai e falënderon (All-llahun) dhe kjo është mirë për të, e nëse i ndodhë ndonjë e keqe ai bën durim, dhe gjithashtu kjo është mirë për të.”[1]
Besimtari e di se një e mirë që i ka ndodhur nuk ka pasur mundësi të ketë qenë e keqe, dhe një e keqe që i ka ndodhur nuk ka pasur mundësi të jetë e mirë. Ai e di se sikur i gjithë ummeti të bashkohen për t’ia sjellë ndonjë dobi të cilën All-llahu nuk e ka caktuar për të, nuk do të kishin pasur mundësi t’ia sillnin atë, dhe sikur i gjithë ummeti të bashkohen për t’i bërë ndonjë të keqe, nuk do të kishin pasur mundësi të bëjnë përveç asaj të cilën All-llahu e ka caktuar për të. Lapsat janë ngritur dhe letrat (në të cilat është shkruar caktimi-kaderi) janë tharë.[2] Përse pra të ketë kundërshtim dhe ankesa ndaj caktimit të All-llahut të Madhërishëm?!
Një njeri që vuante nga halucinacionet e pyeti një psikiatër për gjendjen e tij, ndërsa psikiatri mysliman iu përgjigj: “Dije se bota është liruar nga krijimi dhe planifikimi i Tij (All-llahut), dhe në të nuk ndodhë asnjë lëvizje apo pëshpërimë përveçse me lejen e All-llahut të Madhërishëm. Përse të ketë mërzi e brengë?! “All-llahu i ka shkruar caktimet e krijesave pesëdhjetë mijë vjet para se t’i krijojë qiejt e tokën, ndërsa Arshi i Tij akoma gjendej mbi ujë.”[3]
Ibën Tejmije, All-llahu e mëshiroftë, kur u fut në burgun e kalasë dhe u gjend brenda mureve të tij, goja e tij e recitonte ajetin kur’anor: “Atëherë vihet ndërmjet tyre njëfarë muri që ka një derë, e brendia e tij është mëshirë (Xhenneti), e ana e jashtme e tij është dënimi (zjarri).”[4] Ai, me një vendosmëri të madhe, e shprehte pajtimin e tij me caktimin e All-llahut të Madhërishëm duke thënë: “Ç’mund të më bëjnë armiqtë e mi mua? Kopshtin tim unë e kam në gjoks… Kudo që të shkoj, kopshtin e kam me vete… Me vete e kam librin e All-llahut dhe sunnetin e të dërguarit të Tij. Nëse më vrasin, kjo do të jetë një vrasje shehidllëku. Nëse më dëbojnë nga vendi im, ky dëbim do të jetë shëtitje për mua. Nëse më burgosin, kjo do të jetë vetmim me Zotin tim. I burgosur është ai që është i ndarë (penguar) nga Zoti, ndërsa rob (skllav) është ai që është i robëruar nga epshet.
All-llahu e mëshiroftë poetin e vargjeve në vijim:
Ah sikur të gjeje ëmbëlsinë kur jeta është e hidhur
Ah sikur të jesh i kënaqur kur njerëzit janë të hidhëruar
Ah sikur gjërat mes meje dhe Teje të jenë të rregulluara
Ndërsa mes meje dhe të gjithë të tjerëve të jenë të shkatërruara
Kur dashuria Yte është e mirëfilltë, atëherë çdo gjë është e lehtë
Se çdo gjë që është mbi dhé është dhé.
Prandaj për këtë tipar ka folur nxënësi i tij, Ibën Kajjimi, All-llahu e mëshiroftë, dhe ka thënë: “Pasha All-llahun, nuk kam parë askënd që është gëzuar me jetën edhe përkundër vështirësive me të cilat është përballur, dhe nuk kam parë njeri që e ka refuzuar jetën luksoze dhe komode dhe që është kënaqur me jetën modeste sikur ai. Por megjithëkëtë, ai ka qenë njeriu me jetë më të mirë, me zemër më të gëzuar dhe më të fuqishme e me shpirt më të lumtur. Kënaqësia e përjetimeve vërehej në fytyrën e tij. Kur neve na shtohej frika, mbusheshim me pesimizëm e na ngushtohej jeta, shkonim tek ai, dhe sapo e shihnim dhe dëgjonim fjalët e tij, të gjitha ato të këqija zhdukeshin nga ne dhe shndërroheshin në gëzim, fuqi, bindje dhe qetësi.”
[1] Sahih: shënon Muslimi (2999) nga Suhejbi radijAll-llahu anhu.
[2] D.m.th. shkrimi i caktimeve (kadereve) ka mbaruar më.
[3] Sahih: shënon Muslimi (2653) nga Abdullah ibën Amri radijAll-llahu anhuma.
[4] Kaptina El-Hadid, ajeti 13.
www.thirrjaislame.com
-
Mendimi i mirë ndaj All-llahut të Madhërishëm
Prej begative më madhështore është që robi të ketë mendim të mirë ndaj All-llahut të Madhërishëm.
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: All-llahu i Madhërishëm thotë: Unë jam në kujtimin e robit Tim për Mua, Unë jam me të kur më përmend Mua; nëse ai më përmend në veten e tij, Unë e përmend atë në Veten Time, e nëse ai më përmend Mua në bashkësi, edhe Unë atë e përmend në një bashkësi më të mirë se të atij. Nëse robi im më afrohet një pëllëmbë, Unë i afrohem atij një kut; nëse ai më afrohet një kut, Unë i afrohem një pash, e nëse më vjen duke ecur, Unë i shkoj duke nxituar.”[1]
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë se All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “Unë jam në kujtimin e robit Tim për Mua; nëse ka mendim të mirë për mua, e ka për vete, e nëse ka mendim të keq për mua, e ka për vete.”[2]
Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut, tri ditë para se të ndërronte jetë, duke thënë: Askush prej jush të mos vdesë pa pasur mendim të mirë ndaj All-llahut të Madhërishëm.”[3]
Prandaj mendimin e mirë të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ndaj All-llahut të Madhërishëm askush nuk ka mundësi ta përshkruajë sado që të jetë orator. Mjafton të ceket se ai kur ishte në shpellë, Ebu Bekri radijAll-llahu anhu i tha: “O i dërguari i All-llahut, nëse ndonjëri prej tyre shikon poshtë këmbëve të tij, do të na shohë.” E ai ia ktheu: “Ç’mendon, o Ebu Bekër, për dy veta, i treti i të cilëve është All-llahu?”[4]
[1] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7405) dhe Muslimi (2675).
[2] Sahih: shënon Ahmedi (8833). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4315) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[3] Sahih: shënon Muslimi (2877).
[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3653) dhe Muslimi (2381).
ww.thirrjaislame.com
-
Mbështetja në All-llahun e Madhërishëm
Mbështetja në All-llahun e Madhërishëm është prej plotësisë së imanit.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe vetëm All-llahut mbështetjuni, nëse jeni besimtarë të sinqertë.”[1] Kur robi mbështetet në Të, All-llahu e do robin. All-llahu i Madhërishëm thotë: “e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten.”[2] Mbështetja në All-llahun është prej cilësive të besimtarëve të sinqertë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur u përmendet All-llahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.”[3]
Dijetarët në lidhje me mbështetjen kanë thënë se ajo është t’ia dorëzosh zemrën All-llahut të Madhërishëm, kështu që robi para All-llahut të jetë sikur i vdekuri para larësit të xhenazeve, të cilin ai e lëvizë si të dojë, ndërsa i vdekuri nuk ka lëvizje e as të menduar.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Në xhennet nga ummeti im do të hyjnë shtatëdhjetë mijë njerëz pa dhënë llogari.” Dikush pyeti: Cilët janë ata, o i dërguari i All-llahut? Ai u përgjigj: “Ata janë ata të cilët nuk kauterizohen (kaustifikohen) (duke kërkuar shërim), nuk kërkojnë t’u bëhet rukje,[4] dhe te Zoti i tyre mbështeten.”[5]
Nga Abdullah ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “Na mjafton All-llahu, Ai është Mbështetësi dhe Mbikëqyrësi më i mirë.” Këtë e ka thënë Ibrahimi alejhis-selam kur u hodh në zjarr. Gjithashtu e ka thënë edhe Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur i thanë: “Me të vërtetë, njerëzit (jobesimtarët) janë mbledhur kundër jush, andaj frikësojuni atyre! Porse, atyre iu shtua imani (besimi) dhe thanë: Na mjafton All-llahu, Ai është Mbështetësi dhe Mbikëqyrësi më i mirë që rregullon punët e njerëzve!”[6]
Një herë dikush e pyeti Hatim el-Esammiun, All-llahu e mëshiroftë, duke i thënë: “Ku e bazon çështjen e mbështetjes tënde (në All-llahun)?” Ai u përgjigj: “E bazoj në katër gjëra: E kam kuptuar se rizkun tim nuk e ha kush tjetër pos meje, dhe prandaj zemra më është qetësuar. E kam kuptuar se punën time nuk e kryen askush pos meje, dhe prandaj jam angazhuar me punë. E kam kuptuar se unë jam nën mbikëqyrjen e All-llahut në çdo rast, dhe prandaj turpërohem prej Tij. E kam kuptuar se vdekja vjen papritmas, dhe prandaj jam përgatitur për të.”
Kjo mbështetje në All-llahun e Madhërishëm ka fryte të mëdha dhe të shumta në jetën e besimtarit. Prej tyre:
- a) Mjaftimi i All-llahut të Madhërishëm për robin e Tij besimtar
Kjo, sepse All-llahu i Madhërishëm e mbron robin e Tij nga sherret e njerëzve e xhinnëve dhe e largon nga çdo e keqe. All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kush i frikësohet All-llahut, Ai atij ia lehtëson punën.”[7] Ai që mbështetet tek All-llahu i Madhërishëm ashtu siç duhet, All-llahu do ta mbrojë nga çdo e keqe. Omer ibën Hattabi radijAll-llahu anhu ka thënë: “Kush ia ka frikën All-llahut, All-llahu do ta mbrojë; kush mbështetet tek Ai, Ai i mjafton atij; kush i huazon All-llahut një hua, Ai do ta shpërblejë; dhe kush e falënderon All-llahun, Ai do t’ia shtojë atij të mirat.”[8]
- b) Fuqia e zemrës së besimtarit
Besimtari i këtillë e thotë të vërtetën pa asnjë lloj frike, urdhëron në të mirë, ndalon nga e keqja, fton në rrugën e All-llahut, urdhrat e All-llahut i çon në vend dhe nuk i frikohet kërcënimit të asnjë kërcënuesi ngase e di se askush nuk e ka në dorë dëmtimin apo dobiprurjen ndaj tij përveçse me lejen e All-llahut të Madhërishëm. Po ashtu, ai është i bindur se vdekja dhe rizku janë në Dorën e All-llahut të Madhërishëm, siç ka thënë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Shpirti i Shenjtë (Xhibrili alejhis-selam) më frymëzoi në zemër se asnjë njeri nuk do të vdesë derisa t’i plotësohet rizku. Prandaj, kijeni frikë All-llahun dhe kërkojeni rizkun në mënyrën më të mirë, e mos t’ju çojë vonimi (ngadalësimi) i rizkut që ju ta kërkoni atë duke i bërë mëkat All-llahut, sepse ajo që gjendet tek All-llahu nuk arrihet ndryshe veçse me anë të adhurimit ndaj Tij.”[9]
- c) Të qenit mesatar në kërkimin e nevojave të jetës
Kjo, ngaqë besimtari e di bindshëm se nxitimi pas nevojave të kësaj bote nuk e shton dot rizkun të cilin All-llahu i Madhërishëm e ka caktuar. Po ashtu edhe për shkak të urdhrit pejgamberik për të qenë mesatar në kërkimin e nevojave të kësaj bote, siç e pamë në hadithin e sipërpërmendur.
ç) Ecja e besimtarit prapa faktorëve sheriatikë të lejuar
Kjo ka të bëjë me të gjitha sferat e jetës së tij, sepse ai i pason faktorët e lejuar sheriatikisht për të plotësuar nevojat dhe për të arritur qëllimet e tij, duke ia shtuar kësaj dorëzimin e të gjitha punëve All-llahut të Madhërishëm. Kështu p.sh, ai martohet duke pasur për qëllim vazhdimin e llojit njerëzor në tokë dhe pasardhësve të mirë, por edhe këtë gjë ai e lë në dorë të All-llahut. Po ashtu ai mbjellë dhe ujit tokën duke shpresuar fitimin, por ka bindje të thellë se çdo gjë është në Dorën e All-llahut të Madhërishëm. Po ashtu ai kërkon ilaçin për t’u shëruar, ndërsa e di se shërimi është në Dorën e All-llahut të Madhërishëm. Pra, mbështetja në All-llahun nuk bie ndesh me pasimin e faktorëve të lejuar sheriatikisht. E nga ana tjetër, lënia pas dore krejtësisht e faktorëve është mbështetje në dikë a diçka tjetër pos All-llahut.
[1] Kaptina El-Maide, ajeti 23.
[2] Kaptina Alu Imran, ajeti 159.
[3] Kaptina El-Enfal, ajeti 2.
[4] ‘Rukje’ do të thotë kurimi i të sëmurëve nga sihri, prekja e xhinëve dhe syri i lig me anë të kur’anit dhe sipas sunnetit të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. (shën. përkth.)
[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6541) dhe Muslimi (220).
[6] Sahih: shënon Buhariu (4563). Ndërsa ajeti gjendet në kaptinën Alu Imran, nr. 173.
[7] Kaptina Et-Talak, ajeti 4.
[8] Shënon Ibën Ebi Dun’ja në librin e tij Et-Tekva, si dhe Ebu Bekër Es-Suliu. Shih në librin Kenzul-Ummal (44189).
[9] Sahih: shënon Ebu Bekër El-Haddadi në librin e tij El-Muntehab fi Fevaidi ibën Alevijje el-Kattan (1/168) dhe Ibën Merdivejhi në librin e tij Thelathetu Mexhalis (1-2/188). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2866) e ka klasifikuar si hadith sahih.
www.thirrjaislame.com
-
Kujdesi ndaj kufijve dhe urdhrave të All-llahut
Kjo arrihet me zbatimin e urdhrave të Tij, duke i braktisur ndalesat e Tij dhe duke mos i tejkaluar kufijtë e Tij… Pra, të mos bësh diçka që All-llahu e ka ndaluar të bëhet si dhe të bësh të gjithë atë që All-llahu e ka urdhëruar të bëhet.
Në një rast pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nëpërmjet Abdullah ibën Abbasit radijAll-llahu anhu, e këshillon ummetin e tij me këto fjalë:
“O djalosh, po t’i mësoj disa fjalë. Bëhu i vëmendshëm ndaj All-llahut dhe Ai do të jetë i vëmendshëm ndaj teje. Bëhu i vëmendshëm ndaj All-llahut dhe do ta gjesh Atë para vetes. Kur të lypësh, lypi All-llahut. Kur të kërkosh ndihmë, kërkoji All-llahut. Mbaje mend se, sikur të gjithë njerëzit të bashkohen për të të bërë dobi, ata s’do të të bëjnë dobi, përveç çka All-llahu ka shkruar për ty; sikur të gjithë njerëzit të bashkohen për të të dëmtuar, ata s’do të mund ta bëjnë këtë, përveç çka All-llahu ka shkruar për ty. Lapsat janë vënë anash dhe fletët janë tharë.”[1]
[1] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2516) dhe Ahmedi (2664). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7957) e ka klasifikuar si hadith sahih. Ndërsa me fjalën “Lapsat janë vënë anash dhe fletët janë tharë”, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na bën me dije se shkrimi i caktimeve (kadereve) ka mbaruar më. (shën. përkth.)
www.thirrjaislame.com
-
T’i japësh përparësi All-llahut para të gjitha krijesave në përgjithësi
Kjo do të thotë t’i japësh përparësi kënaqësisë së All-llahut para kënaqësisë së të gjitha krijesave dhe të jesh i përpiktë të bësh çdo gjë që e kënaq All-llahun edhe nëse të gjithë njerëzit hidhërohen me ty.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i kënaq njerëzit duke e hidhëruar All-llahun, All-llahu do ta lërë në dorë të njerëzve. Ndërsa kush i hidhëron njerëzit duke e kënaqur All-llahun, All-llahu do ta bëjë të pavarur prej njerëzve.”[1]
Tani mendo rreth një ndodhie të bukur që do ta përmendim në vazhdim
Kur kalifi asket, Omer ibën Abdul-Azizi ndërroi jetë, në krye të kalifatit erdhi Jezid ibën Abdul-Meliku, i cili për udhëheqës të Irakut e emëroi Omer in Hubejre el-Fizariun. Jezid ibën Abdul-Meliku shpesh i dërgonte letra Omer ibën Hubejres në të cilat e urdhëronte të zbatojë urdhrat që gjendeshin të shkruara në ato letra, edhe nëse urdhrat e tij ishin në kundërshtim me hakun.
Një ditë Ibën Hubejre i ftoi dy dijetarët e vyer, Hasen el-Basriun dhe Sha’biun dhe u tha: Kalifi i besimtarëve, Jezid ibën Abdul-Meliku po i detyron njerëzit t’u binden urdhrave të tij. Siç po e shihni, ai më ka emëruar si udhëheqës të Irakut dhe herë pas here më dërgon letra duke më urdhëruar t’i zbatoj urdhrat e tij ndër të cilat unë shoh gjëra të padrejta. A mendoni se mund të më gjeni rrugëdalje në sheriat për pasimin që unë po ia bëj atij?
Sha’biu i dha një përgjigje që në njëfarë mënyre i justifikonte veprimet e Omer ibën Hubejres… ndërsa Haseni rrinte i heshtur.
Omer ibën Hubejre iu drejtua Hasenit e i tha: Ç’thua ti për këtë, o Ebu Seid?
Ai u përgjigj: O Ebu Hubejre, jipi përparësi frikës së All-llahut ndaj Jezidit, e jo frikës së Jezidit ndaj All-llahut… Dije se All-llahu i Madhërishëm të mbron nga Jezidi, ndërsa Jezidi nuk të mbron nga All-llahu. O Ebu Hubejre, në çdo moment është e mundshme të të zbresë një melek i ashpër, i cili nuk e thyen urdhrin e All-llahut, dhe të të zhdukë nga ky krevat i yti, e të të transferojë nga gjerësia e pallatit tënd në ngushtësinë e varrit tënd, ku nuk do ta gjesh Jezidin, por do t’i gjesh veprat e tua në të cilat e ke kundërshtuar Zotin e Jezidit.
O Ibën Hubejre: Nëse ti je me All-llahun e Madhërishëm dhe nën urdhrin e Tij, kjo të mjafton ndaj të këqijave të Jezidit (që mund të t’i bëjë) në dynja e ahiret. Por nëse je me Jezidin dhe i mëkaton All-llahut të Madhërishëm, atëherë All-llahu të lë në mbështjen e Jezidit.
Dije, o Ebu Hubejre, se nuk i bëhet respekt krijesës derisa i bën mëkat Krijuesit të Madhërishëm.
Nga këto fjalë, Omer ibën Hubejre qau derisa lotët ia lagën mjekrën.
Nga kjo ditë, Hasen El-Basriu tek ai gëzonte një respekt të veçantë. Ata dy pasi dolën nga Shtëpia e Omerit, u drejtuan për në xhami. Njerëzit u mblodhën rreth tyre dhe i pyesnin për vizitën e tyre që i bënë udhëheqësit të Irakut, Omer ibën Hubejres, ndërsa Sha’biu u kthye nga ata dhe u tha: O ju njerëz, kush ka mundësi që t’i japë përparësi All-llahut të Madhërishëm para çdo gjëje, le ta bëjë këtë, sepse, pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, atë që Haseni ia tha Omer ibën Hubejres nuk është që nuk e dija, por me atë që thash unë synova kënaqësinë e Ibën Hubejres, ndërsa Haseni me atë që tha synoi kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm, kështu që All-llahu më largoi nga Ebu Hubereja, ndërsa Hasenin e afroi tek ai dhe ia bëri të dashur.
[1] Sahih: Shënon Tirmidhiu (2414). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6010) e ka klasifikuar si hadith sahih.
www.thirrjaislame.com
-
Shumimi i përmendjes së All-llahut të Madhërishëm
Ai që ka besuar All-llahun, e ka dashur Atë, ia ka frikën Atij dhe është lidhur me Të, medoemos që do ta shumojë përmendjen e All-llahut me zemër duke shprehur dashuri, dëshirë, nënshtrim dhe lidhje me Të, me gjuhën e tij duke shprehur lavdërim, falënderim, madhërim, njësim, lutje, kërkim dhe falje, si dhe me gjymtyrët e tij duke vepruar me respekt ndaj Tij. Që të gjitha këto janë gjëra shoqëruese të imanit, dashurisë, lidhjes, frikës, ngase ai që do diçka, e shumon përmendjen e tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, përkujtoni All-llahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje.”[1]
Përmendja e shumtë e All-llahut le gjurmë më të bukura në dynja e ahiret. Prej tyre:
a) Qetësimi i zemrës dhe stabilizimi i saj në përmendjen e All-llahut të Madhërishëm, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.”[2]
Kjo është prej gjërave që besimtarin përmendës të All-llahut të Madhërishëm e bën stabil në zemrën e tij, të paluhatshëm dhe të përmbajtur gjatë fatkeqësive dhe vështirësive.
b) Përqendrimi në adhurim e respekt ndaj All-llahut
Ai që e angazhon gjuhën e vet në përmendjen e All-llahut të Madhërishëm, nuk ka mundësi të flasë diçka që është mëkat. Po ashtu ai që i angazhon gjymtyrët e veta në adhurim, nuk ka mundësi të angazhohet në mëkat. Pra, kështu ai bëhet i përqendruar në rrugën e All-llahut të Madhërishëm, me zemër, gjuhë dhe gjymtyrë.
c) Mburoja nga shejtani
Kjo, ngase shejtani ikën dhe zhduket kur përmendet All-llahu i Madhërishëm. Andaj kush e shpeshton përmendjen e All-llahut, e ka mbrojtur veten nga shejtani sikur ai që ka vendosur para vetes një fortifikatë të fuqishme për t’u mbrojtur nga armiku.
ç) Shumimi i shpërblimeve
Përmendja e All-llahut është prej veprave të mira më madhështore me të cilat njeriu afrohet tek All-llahu i Madhërishëm dhe e cila ndikon në fitimin e shpërblimeve. Në tekstet sheriatike kemi shumë argumente që tregojnë për shpërblime të llojllojshme varësisht nga lloji i përmendjes së All-llahut, por këtu nuk është momenti për përmendjen e tyre.
d) Përmendja e All-llahut të Madhërishëm dhe të qenët e Tij me robin
Ai që e përmend All-llahun e Madhërishëm, All-llahu e përmend atë, siç shihet në hadithin kudsijj: “All-llahu i Madhërishëm thotë: Unë jam në kujtimin e robit Tim për Mua, Unë jam me të kur më përmend Mua; nëse ai më përmend në veten e tij, Unë e përmend atë në Veten Time, e nëse ai më përmend Mua në bashkësi, edhe Unë atë e përmend në një bashkësi më të mirë se të atij…”[3] E kur All-llahu e përmend një rob, kjo është prej faktorëve më të mëdhenj të lumturisë, suksesit dhe udhëzimit.
[1] Kaptina El-Ehzab, ajetet 41-42.
[2] Kaptina Err-Rra’d, ajeti 28.
[3] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7405) dhe Muslimi (2675).
www.thirrjaislame.com