Blog
-
Angazhimi me vepra të ahiretit
Ai që e angazhon veten me këtë dynja duke e lënë ahiretin, i humbë që të dyja, ndërsa ai që angazhohet me ahiretin duke e lënë dynjanë, do t’i fitojë që të dyja.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kushdo që e ka për qëllim ahiretin, All-llahu do ta bëjë të pasur në zemër, do t’ia pakësojë problemet e kësaj bote dhe të mirat e kësaj bote do t’i vijnë edhe pse ai nuk i ka synuar. Ndërsa kushdo që e ka dert këtë botë, All-llahu do t’ia sjellë varfërinë para syve të tij, do t’ia përhapë problemet dhe nuk do t’i jepet asgjë tjetër prej dynjasë përpos asaj që All-llahu e ka shkruar për të.”[1]
Po ashtu ka thënë: “Kush i mbledhë brengat dhe i bën një brengë të vetme, e që është brenga e ditës së kiametit, All-llahu do t’ia largojë brengat e dynjasë. E kujt i shpërndahen brengat për çështjet e kësaj bote, All-llahu nuk e ka dert për të se në cilën luginë shkatërrohet.”[2]
[1] Sahih: Shënon Tirmidhiu (2465). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6510) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[2] Hasen: Shënon Ibën Maxhe (257). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6189) e ka klasifikuar si hadith hasen.
www.thirrjaislame.com
-
Përpjekja e nefsit në adhurim të All-llahut të Madhërishëm
Nefsi është i prirur të anojë nga epshet dhe t’i refuzojë adhurimet. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Epshi është shumë nxitës për të keqen, përveç atë që Zoti im e ka mëshiruar.“[1]
Myslimani e ka për detyrë të përpiqet për adhurime duke e adaptuar nefsin në këtë gjë gradualisht.
Thabit el-Bunaniu thotë: “Njëzet vjet kam përballuar vështirësinë e namazit të natës, njëzet vitet e ardhshme jam kënaqur me namazin, ndërsa tani hyj në namaz dhe më brengos ajo se do të dal prej saj.”[2]
[1] Kaptina Jusuf, ajeti 53.
[2] D.m.th. njëzet vjet jam munduar ta shijoj namazin ashtu siç duhet derisa ia kam arritur qëllimit, ndërsa tani më brengos ajo se kur filloj namazin, duhet edhe ta mbaroj. (shën. përkth.)
www.thirrjaislame.com