Blog

  • 2. Llogaritja e vetvetes

    2. Llogaritja e vetvetes

     Kjo do të thotë që myslimani të dijë se ç’ka vepruar nga hairi apo sherri.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, frikësojuni All-llahut dhe le të shikojë çdonjëri se ç’ka bërë për nesër. Dhe frikësojuni All-llahut! S’ka dyshim se All-llahu është i Njoftuar për atë që punoni!”[1]

    Omer ibën Hattabi radijAll-llahu anhu thotë: “Llogariteni veten para se të merreni në llogari dhe matini veprat tuaja para se t’ju maten.”

    Vehb ibën Mennebehu thotë: “Nga urtësia e familjes së Davudit është: Njeriu i mençur nuk duhet qenë i shkujdesur nga katër çështje: E para është që t’i lutet Zotit të tij, e dyta është që ta llogarisë veten, e treta është që të shoqërohet me vëllezërit e tij të cilët do ta informonin për të metat e tij dhe e katërta është që të lëshohet në kënaqësitë e kësaj bote të cilat janë të lejuara dhe të bukura. Kjo, sepse këto çështje janë ndihmëse për çështjet e tjera dhe qetësim për zemrat.”

    Prandaj robi duhet të gjejë kohë për ta kushtëzuar nefsin (veten), e t’i thotë: Unë nuk kam tjetër artikull përveç jetës. Nëse ajo harxhohet, atëherë më harxhohet kapitali, dhe tregtia ime falimenton.

    Çdo ditë duhet t’i thotë nefsit: O nefs, All-llahu më ka mundësuar të jetoj këtë ditë, e ka prolonguar jetën time dhe kështu më ka begatuar. Sikur të ma marrë shpirtin, unë do të dëshiroja të më kthejë në këtë botë vetëm edhe për një ditë që të punoj vepra të mira. Pra, llogarite se ke vdekur dhe më pas je kthyer në këtë botë dhe ki kujdes të mos e humbasësh këtë ditë, sepse çdo frymëmarrje është një margaritar që nuk kthehet më.

    Kjo është një llogaritje e nefsit për momentin në të cilin gjendet. Por gjithashtu myslimani nefsin duhet marrë në llogari edhe për kohën që ka kaluar, siç ka urdhëruar All-llahu i Madhërishëm në këtë ajet: “O ju që besuat, frikësojuni All-llahut dhe le të shikojë çdonjëri se ç’ka bërë për nesër!”[2] All-llahu e mëshiroftë Malik ibën Dinarin, i cili ka thënë: “All-llahu e mëshiroftë atë njeri që i thotë nefsit: A nuk e ke bërë këtë e këtë gjë? Pastaj e qorton veten, i “vë kapistër” dhe e detyron t’i përmbahet librit të All-llahut, kështu që ai (nefsi) i përmbahet atij.[3]

    [1] Kaptina El-Hashr, ajeti 18.

    [2] Po aty.

    [3] Shkëputur nga librat Ihja’ Ulumud-Din (4/480) dhe Tehdhibu Mev’idhatil-Mu’minin (2/238).

     

    www.thirrjaislame.com

  • 1. Kërkimi i ndihmës së All-llahut për përmirësimin e nefsit (vetvetes)

    1. Kërkimi i ndihmës së All-llahut për përmirësimin e nefsit (vetvetes)

    Medoemos duhet ditur se nuk ka kush që mund ta përmirësojë nefsin përveç All-llahut të Madhërishëm. Prandaj kur dëshirojmë ta përmirësojmë nefsin, patjetër duhet të mbështetemi tek All-llahu i Madhërishëm… Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “…kur të kërkosh diçka, kërkoje prej All-llahut; dhe kur të kërkosh ndihmë, kërkoje prej All-llahut…”[1]

    Prandaj prej lutjeve të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë edhe kjo: “O Zot, jipja nefsit tim devotshmërinë, pastroje, se Ti je ai që më së miri e pastron, Ti je Pronari dhe Zoti i tij…”[2]

    Nga Umran ibën Husajni radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem babait tim i ka thënë: O Husajn, nëse ti e pranon islamin, unë do të të mësoj dy lutje që do të të sjellin dobi. E kur e pranoi islamin, tha: O i dërguari i All-llahut, m’i mëso ato dy lutje që m’i premtove, ndërsa ai i tha: O All-llah, më inspiro rrugën e drejtë dhe më ruaj nga sherri i vetvetes.”[3]

    [1] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2516) dhe Ahmedi (1/303). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7957) e ka klasifikuar si hadith sahih.

    [2] Sahih: shënon Muslimi (2722).

    [3] Daif: shënojnë Tirmidhiu (3483) dhe Ahmedi (4/444). Shejh Albani në librin e tij el-Mishkah (5820) e ka klasifikuar si hadith daif.

    www.thirrjaislame.com