Blog
-
EDUKATA GJATË NAMAZIT TË NATËS
Duhet ditur se besimtari, zemra e të cilit është e mbushur me dashurinë ndaj All-llahut të Madhërishëm, nuk mjaftohet vetëm kryerjen e farzeve, por përpiqet të bëjë sa më shumë nafile, ngase ai synon të fitojë dashurinë e All-llahut të Madhërishëm. All-llahu i Madhërishëm në një hadith kudsij thotë: “…Robi im vazhdimisht më afrohet Mua me vepra fakultative (nafile) derisa ta dua. E kur e dua, të dëgjuarit e tij me të cilin dëgjon është vetëm për Mua; të pamurit e tij me të cilin sheh është vetëm për Mua; dora e tij me të cilën kapë, punon vetëm për Mua; këmba e tij me të cilën ecën, ecën vetëm për Mua. I këtilli nëse më kërkon diçka, do t’ia jap, e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbroj atë.”[1]
Dihet se një ndër nafilet më madhështore me të cilat robi afrohet tek All-llahu i Madhërishëm është namazi i natës. Namazi i natës është nder i besimtarit, tipar i njerëzve të mirë, afrim tek All-llahu i Madhërishëm, është prej faktorëve më të mëdhenj për shtimin e imanit, arritjen e begative të varrit, fitimin e shefaatit të kur’anit dhe hyrjen në xhennetet më të larta.
Së këndejmi, duhet mësuar rregullat të cilat myslimani duhet përvetësuar për sa i përket namazit të natës. Ja disa prej tyre:
- Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm
Gjatë namazit të natës, medoemos duhet ndier se ne e bëjmë atë namaz me qëllim të arritjes së kënaqësisë së All-llahut të Madhërishëm, duke kërkuar afrimin tek Ai dhe dashurinë e Tij. Ai është i Cili ka thënë në librin e Tij: “Vazhdo me sexhde dhe afroju Zotit me të.”[2]
Namazi i natës është ndër ibadetet më të mëdha me të cilat afrohemi tek All-llahu i Madhërishëm.
- Të flejmë duke synuar të ngrihemi për namaz nate
Para se të flejmë, duhet pasur nijetin që të zgjohemi për namaz nate… Kështu, nëse arrijmë të zgjohemi, falënderimi i takon All-llahut, e nëse jo, atëherë e kemi fituar shpërblimin nëse nijeti jonë për t’u zgjuar për namaz nate ka qenë i sinqertë ndaj All-llahut të Madhërishëm.
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Secili rob i cili vendosë të zgjohet për të falur namaz nate dhe e zë gjumi (dhe nuk mund të zgjohet për namaz), gjumi i tij i llogaritet si sadeka të cilën All-llahu e ka dhënë për të, dhe i shkruhet shpërblimi për nijetin që e ka pasur.”[3]
Po ashtu ka thënë: “Njeriu që (zakonisht) falë namaz nate, por (nganjëherë) e zë gjumi (dhe nuk mund të zgjohet për namaz), All-llahu do t’ia shkruajë shpërblimin sikur të ketë falur namaz, ndërsa gjumi i tij i llogaritet si sadeka.”[4]
- Përpjekja për të qëlluar një të tretën e fundit të natës
Kjo është koha kur All-llahu i Madhërishëm zbret në qiellin e dynjasë me një zbritje që i takon madhërisë dhe plotësisë së Tij.
I dërguari i All-llahut thotë: “All-llahu i Lartësuar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë kur kalon një e treta e parë e natës dhe thotë: Unë jam Mbreti! Unë jam Mbreti! Kush është ai që më lutet, e t’i përgjigjem lutjes së tij? Kush është ai që më kërkon, e t’i jap? Kush është ai që më kërkon falje, e ta fal atë? Vazhdon kështu, deri sa të dalë drita e mëngjesit.”[5]
- Të kujdesemi për gjërat me anë të të cilave shpëtojmë nga kurthet e shejtanit
Që të shpëtosh nga kurthet e shejtanit dhe të mund të zgjohesh për namaz nate për hirin e All-llahut të Madhërishëm, duhet të t’i kesh parasysh gjërat në vijim:
- Të flesh me avdes
Nga Bera ibën Azibi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut më tha: Kur dëshiron të flesh, merr abdest ashtu siç merr abdest për namaz dhe pastaj shtriju në krahun e djathtë…”[6]
- T’i bashkosh duart para gjumit dhe të këndosh në to suren El-Ihlas dhe Muavvidhatet
Pastaj të fryesh në to (në formë të pështymës) dhe të përshkosh me to sa mundesh nga trupi yt, duke filluar nga koka dhe fytyra. Ky sunnet na përcillet nga Aisheja radijAll-llahu anha në dy Sahihat.
- Të këndosh Ajetul-Kursinë
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur shkon në krevat, lexoje Ajetul–Kursinë, sepse atëherë do të kesh një rojtar nga All-llahu i cili do të të ruajë tërë natën, dhe shejtani nuk do të mund të të afrohet deri në agim.”[7]
ç. Të lexosh dy ajetet e fundit të sures El-Bekare
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i lexon dy ajetet e fundit të sures El-Bekare natën, do t’i mjaftojnë.”[8]
Me fjalën ‘do t’i mjaftojnë’ thuhet se qëllimi është se do t’i mjaftojnë për namaz nate. Po ashtu thuhet se qëllimi është se do t’i mjaftojnë për t’ia larguar të keqen. Po ashtu thuhet se qëllimi është se do t’i mjaftojnë kundër shejtanit.
Ibën Haxheri, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Është e mundshme që të jenë për qëllim të gjitha këto që u përmendën.”
- Të thuash tridhjetë e tri herë subhanAll-llah, tridhjetë e tri herë el-hamdu lil-lah dhe tridhjetë e katër herë All-llahu Ekber para gjumit
Kjo ka qenë porosia e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem drejtuar të bijës së tij, Fatimesë radijAll-llahu anha dhe burrit të saj, Aliut radijAll-llahu anhu, ndërsa ky hadith gjendet në dy Sahihat.
- Ta falësh vitrin para gjumit, përveç nëse dëshiron ta falësh atë nga fundi i natës (para agimit)
Kjo e fundit është më e vlefshme ngase All-llahu i Madhërishëm zbret në qiellin e tokës në pjesën e tretë të natës.
- Ta shkundësh dyshekun me rrobën tënde dhe të thuash duanë në vijim
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush ngrihet nga dysheku, e pastaj kthehet sërish, le ta shkundë me rrobën e tij tri herë sepse ai nuk e di se ç’ka ngjarë me të pasi është larguar, e kur të shtrihet le të thotë: ‘Bismike Rabbi veda’tu xhenbi ve bike erfeuhu. Fe in emsekte nefsi ferhamha, ve in erselteha fehfedhha bima tehfedhu bihi ibadekes-salihin.’ (Me emrin Tënd, o Zoti im, bie në gjumë dhe me emrin Tënd ngrihem. Nëse ma merr shpirtin, mëshiroje atë. E nëse e dërgon (e kthen prapë) në trupin tim, mbroje atë ashtu siç i mbron robërit e Tu të mirë).”[9]
ë. Ose ta këndosh duanë në vijim
“All-llahumme Alimel gajbi vesh-shehadeti, Fatires-semavati vel erdi, Rabbe kul-li shein ve melikuhu. Eshhedu en la ilahe il-la Ente. Eudhu bike min sherri nefsi, ve min sherrish-shejtani ve shirkih. Ve en ekterife ala nefsi suen, ev exhurrehu ila muslim. (O All-llah, Ti je Ai që i di të fshehtat dhe të dukshmet, Krijues i qiejve dhe i tokës, Zoti i çdo sendi dhe Mbizotërues i tij. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja e vetes sime, nga e keqja e shejtanit dhe nga ajo me të cilën ai të shpie në shirk, dhe kërkoj të më mbrosh, që vetvetes apo ndonjë muslimani të mos i bëj keq).”[10]
- Të përfundosh ditën me dhikër ndaj All-llahut të Madhërishm
Nga Xhabiri radijAll-llahu anhuma na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur njeriu shtrihet në shtratin e tij, një melek dhe një shejtan nxitojnë drejt tij. Meleku thotë: Përfundo me të mirë, kurse shejtani i thotë: Përfundo me të keqe. Nëse njeriu e përmendë All-llahun dhe e zë gjumi, meleku e mbron atë tërë natën. Kur të zgjohet, meleku i thotë: Filloje ditën me të mirë, kurse shejtani i thotë: Hape ditën me të keqe. Nëse njeriu thotë: El-Hamdu lil-lahil-ledhi redde alejje nefsi ve lem jumit’ha fi menamiha (Falënderimi i takon All-llahut i Cili ma ktheu shpirtin dhe nuk e bëri që të vdesë në gjumë), El-Hamdu lil-lahil-ledhi ‘Jumsikus-semavati vel-erda en tezula’[11] (Falënderimi i takon All-llahut i Cili i mban qiejt dhe tokën që të mos zhduken), El-Hamdu lil-lahil-ledhi Jumsikus-semae en tekaa alel-erdi il-la biidhnih[12] (Falënderimi i takon All-llahut i Cili e mban qiellin të mos bie në tokë përveç me lejen e Tij). Dhe nëse rrëzohet nga shtrati dhe vdes, do të hyjë në xhennet.”[13]
- Gjatë shqetësimit, frikës dhe vetmisë duhet thënë duanë në vijim
“Eudhu bi kelimatil-lahit-tammati min gadabihi ve ikabihi, ve sherri ibadihi, ve min hemezatish-shejatini ve en jehdurun. (Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të All-llahut nga zemërimi dhe dënimi i Tij, nga dëmi i robërve të Tij dhe nga mashtrimet e shejtanëve dhe nga prania e tyre.)”[14]
Ky është një sunnet i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe bëhet me qëllim që gojës t’i vijë erë e këndshme. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kur ndonjëri prej jush zgjohet për të falur namaz nate, le të përdorë misvak, sepse gjatë namazit kur lexon kur’an, një melek e vendos gojën e tij në gojën e tij (njeriut). Çdo gjë që del prej gojës së tij, hyn në gojën e melekut.”[15] Po ashtu transmetohet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kur zgjohej për të falur namaz nate, i pastronte dhëmbët me misvak.”[16]
- Hapja e namazit të natës me dy rekate të shkurtra
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem vepronte kështu për të na mësuar neve se si gradualisht të kthjellohemi dhe si të përgatitemi për çfarëdo lloj ibadeti. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kur zgjohej natën për t’u falur, e fillonte namazin me dy rekate të shkurtra.”[17]
- Zgjimi i familjes për namaz
All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.”[18]
Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Çdonjëri prej jush është bari dhe çdonjëri do të japë llogari për kopenë e tij.”[19]
Prej kornizave të kujdesit të burrit ndaj gruas së tij dhe gruas ndaj burrit të saj është që të ndihmohen mes vete për namaz nate që të fitojnë këtë shpërblim të madh.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu e mëshiroftë një njeri që zgjohet natën dhe falet, dhe e zgjon bashkëshorten e tij, dhe ajo falet. E nëse refuzon (të zgjohet), i hedhë pak ujë në fytyrë. All-llahu e mëshiroftë një grua që zgjohet natën dhe falet, dhe e zgjon bashkëshortin e saj, dhe ai falet. E nëse refuzon (të zgjohet), i hedhë pak ujë në fytyrë.”[20]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush zgjohet natën për namaz dhe e zgjon bashkëshorten e tij dhe i falin dy rekate së bashku, atë natë hyjnë në regjistrin e atyre që e përmendin All-llahun shumë.”[21]
- Ndërrimi mes leximit me zë dhe pa zë
Kjo bëhet për ta thyer monotoninë dhe për t’u kthjelltësuar, ngase shpirti nga vetë natyra e tij e kërkon ndryshimin. Andaj, namazfalësi herë e ngrit zërin saqë e dëgjon veten duke lexuar, e herë e ulë, dhe kështu me radhë. Ky ka qenë zakon i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Transmetohet se ai “kur lexonte kuran (në namaz nate), herë e ngrinte zërin e herë e ulte.”[22]
- Zgjatja e kijamit (qëndrimit në këmbë)
Kjo vlen për atë që mundet t’i përballojë kësaj. Ndërsa ai që nuk mund t’i përballojë, All-llahu nuk e ngarkon njeriun aq sa nuk mund të përballojë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Namazi më i vlefshëm është zgjatja e kunutit.”[23]
Neveviu thotë: “Kunut” do të thotë “kijam” (qëndrim në këmbë). Po ashtu transmetohet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “falte namaz nate derisa i rraskapiteshin (ënjteshin) këmbët.” E kur dikush e pyeti: “O i dërguari i All-llahut! Përse e gjithë kjo kur All-llahu t’i ka falë mëkatet e kaluara dhe të ardhshmet?” Ai u përgjigj: “A nuk duhet të jem rob falënderues?!”[24]
- Falja e namazit dy nga dy rekate
Kjo është forma më e mirë e namazit të natës, pra që myslimani të falë namazin e natës dy nga dy rekate. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Namazi i natës është dy nga dy. E nëse dikush nga ju frikohet se është afruar sabahu, atëherë e fal një rekat tek që ta përfundojë namazin me tek (vitër).”[25]
Edhe pse ekzistojnë edhe transmetime të tjera për mënyrën e faljes së këtij namazi, më e vlefshmja është që të falet dy nga dy rekate.
- Mosveçimi i natës së xhuma për namaz nate
Nëse myslimani falë namaz nate gjatë tërë netëve të javës, ku natyrisht, përfshihet edhe nata e xhuma, kjo është më e vlefshme. Por që myslimani të mos falë namaz nate në netët tjera, ndërsa ta veçojë natën e xhuma për namaz nate, kjo është ajo të cilën Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar duke thënë: “Mos e veçoni natën e xhuma për namaz nga netët tjera, dhe mos e veçoni ditën e xhuma me agjërim ndaj ditëve të tjera, përveç nëse rastis me agjërimin e dikujt që agjëron (me ndonjë bazë në sheriat).”[26] Kjo, për arsye që myslimani të mos i ngjasojë ithtarëve të librit (hebrenjve dhe të krishterëve) të cilët veçojnë ndonjë kohë për ibadet.
- Nëse ndien nevojë për gjumë, duhet të flejë
Pra, kur njeriu zgjohet për të falur namaz nate, por pas një kohe e kaplon nevoja për gjumë, atëherë duhet të shkojë të flejë, sepse e humbë përqendrimin në namaz dhe ndoshta në vend që të lutet për vete ka mundësi që të lutet kundër vetes. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikush nga ju fal namaz nate dhe i ngatërrohet kurani në gjuhën e tij saqë nuk e di se çka thotë, atëherë le të shtrihet (të flejë).”[27]
- Të mos e përsërisë vitrin brenda një nate
Nëse myslimani e falë namazin e vitrit pas namazit të jacisë dhe shprehë dëshirë të zgjohet në pjesën e tretë të natës për namaz nate, ai nuk duhet falur vitrin përsëri, por duhet falur namaz nate dy nga dy rekate. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka dy vitre në një natë.”[28]
Më e vlefshme është që namazi i vitrit të vonohet për pjesën e tretë të natës, por nëse ka frikë se nuk mund të zgjohet, atëherë më mirë është të falë vitrin para gjumit.
- Ta përfundojë namazin e natës me vitër
Ashtu siç thash më parë, kjo është më e vlefshme, pra myslimani ta përfundojë namazin e tij me një rekat vitër (tek). Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Namazin tuaj të fundit gjatë natës bëjeni vitër (tek).”[29]
- Moslënia e namazit të natës pas shijimit të ëmbëlsisë së tij
Myslimani duhet vazhduar me vepra të mira dhe ibadet dhe nuk duhet lënë pasi t’i ketë vepruar për një kohë. Ai duhet bërë ato në vazhdimësi edhe nëse janë të pakta, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vepra më e mirë është ajo që bëhet në vazhdimësi edhe nëse është e paktë.”[30]
Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na e ka tërhequr vërejtjen nga lënia e namazit të natës, dhe Abdullah ibn Amrit radijAll-llahu anhuma i ka thënë: “O Abdullah, mos u bëj si filani, më parë falte namaz nate, e tani e ka braktisur.”[31]
- Kompensimi i namazit të natës nëse të ikë
Kjo do të thotë që nëse njeriu është adaptuar në namaz nate, e pastaj i ikë për shkak se e kaplon gjumi apo për shkak të ndonjë sëmundjeje, atëherë ai e kompenson atë në kohën e duhasë (koha prej pas lindjes së diellit deri në namazin e drekës), por duhet ta falë me numër çift të rekateve. Pra, duhet ta ketë në konsideratë numrin e rekateve që i falte zakonisht gjatë natës, dhe më në fund t’ua shtojë atyre edhe një rekat që numri i rekateve të bëhet çift. Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kur e kaplonte gjumi apo kur ishte i sëmurë në netët që e kishte nijet të falej, atëherë gjatë ditës i falte dymbëdhjetë rekate.”[32] Këtë e bënte për arsye se ai gjatë natës zakonisht falte njëmbëdhjetë rekate, kështu që gjatë ditës ua shtonte edhe një rekat që t’i bëjë çift, gjegjësisht dymbëdhjetë.
[1] Sahih: shënon Buhariu (6502).
[2] Kaptina El-Alek, ajeti 19.
[3] Shënon Abdurr-Rrezzaku (2/501). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (602) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[4] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1314) dhe Nesaiu (1784). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (5690) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1145) dhe Muslimi (758).
[6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (247) dhe Muslimi (271).
[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3275) dhe Muslimi (505).
[8] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4008) dhe Muslimi (807).
[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6320) dhe Muslimi (2714).
[10] Sahih: shënon Tirmidhiu (3529). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2753) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[11] Kaptina Fatir, ajeti 41.
[12] Kaptina El-Haxh, ajeti 65.
[13] Daif: shënon Hakimi (1/733). Shejh Albani në librin e tij Daif et-Tergibi vet-Terhib (346) e ka klasifikuar si hadith daif.
[14] Hasen: shënon Tirmidhiu (3528). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tirmidhi (2793) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[15] Sahih: shënojnë Bejhekiu në Shuabul-Iman (2/381), dhe Temami në El-Fevaid (1/367). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (720) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[16] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (246) dhe Muslimi (255).
[17] Sahih: shënon Muslimi (767).
[18] Kaptina Et-Tahrim, ajeti 6.
[19] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (893) dhe Muslimi (1829).
[20] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1308), Nesaiu (1610) dhe Ibën Maxhe (1336). Shejh Albani në librin e tij Sahih Sunen Ebi Davud (1182) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[21] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1451) dhe Ibën Maxhe (1335). Shejh Albani në librin e tij Sahih Sunen Ebi Davud (1305) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[22] Sahih: shënon Ebu Davudi (1328). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (4767) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[23] Sahih: shënon Muslimi (756).
[24] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4837) dhe Muslimi (731).
[25] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (472) dhe Muslimi (749).
[26] Sahih: shënon Muslimi (1144). Ndërsa pjesa e fundit e hadithit: “përveç nëse rastis me agjërimin e dikujt që agjëron.” do të thotë p.sh. nëse dikush vazhdimisht agjëron një ditë dhe e prishë një ditë, e që është agjërimi më i vlefshëm, apo dikush nëse është zotuar se do të agjërojë nëse i shërohet fëmija dhe kjo ditë rastis të jetë e xhuma, e kështu me radhë, atëherë nuk ka ndalesë në këtë gjë. (shën. përkth.)
[27] Sahih: shënon Muslimi (787).
[28] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1439), Tirmidhiu (470) dhe Nesaiu (1679). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7567) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[29] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (998) dhe Muslimi (749).
[30] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6464) dhe Muslimi (782).
[31] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1152) dhe Muslimi (1159).
[32] Sahih: Shënon Muslimi (746) nga Aisheja radijAll-llahu anha.
WWW.THIRRJAISLAME.COM
-
EDUKATA GJATË NAMAZIT
Namazi është pjesa përbërëse më madhështore pas dy dëshmive, është nëna e ibadeteve dhe peshore e madhërimit të fesë në zemrën e myslimanit. Namazi është gjëja me të cilën All-llahu ka urdhëruar dhe është porosia e fundit e të dërguarit të All-llahut. Namazi është strehim i besimtarit gjatë sprovave dhe vështirësive. All-llahu me anë të namazit i ngritë gradat, i falë mëkatet dhe e shpëton robin nga dënimi i Zotit të tokës dhe qiejve. Namazi është dëshirë (e parealizueshme) e të dënuarve dhe të vdekurve. Ai është mbrojtës nga epshet, largues i ndalesave dhe rrugë që shpie në begatitë e pafundme të xhennetit.
Namazi në zemrën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kishte vend të madh dhe pozitë të lartë saqë për të ishte më i shtrenjtë sesa ajri i butë të cilën njeriu e nuhatë.
Mjafton të meditojmë rreth fjalës së Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili thotë: “Nga gjërat e kësaj bote më janë bërë të dashura gratë (e mia) dhe parfumet. Ndërsa gëzimi kulmor më është bërë në namaz.”[1]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur gjendej në vështirësi, gjente strehim në namaz. Këtë e ka bërë në natën e luftës së Ahzabit.
Hudhejfeja radijAll-llahu anhu thotë: “U ktheva te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem natën e Ahzabit dhe e gjeta të mbështjellur me një mbulesë të leshtë duke falur namaz. I dërguari i All-llahut kur kishte ndonjë vështirësi, falej.”[2]
Po ashtu në ditën e Bedrit gjeti strehim në namaz. Nga Aliu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Në natën e Bedrit të gjithë ishin në gjumë përveç të dërguarit të All-llahut, i cili fali namaz dhe u lut deri në kohën e sabahut.”
Po ashtu falte namaz kur All-llahu e begatonte me ndonjë begati. Prej tyre po përmendim rastin kur All-llahu i Madhërishëm e bagatoi Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me çlirimin e Mekës, ai e lau trupin dhe fali tetë rekate namaz si falënderim ndaj All-llahut të Madhërishëm.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e donte namazin pa masë saqë i thoshte Bilalit radijAll-llahu anhu: “O Bilal, bëje ikametin për namaz, na qetëso me të (namazin).”[3]
Madje gjatë sëmundjes së vdekjes dhe në momentet e fundit të jetës së tij, i binte të fikët e pastaj kur i kthehej vetëdija, pyeste: “A u falën njerëzit?”, ndërsa të afërmit i përgjigjeshin: “Jo, ata të presin ty, o i dërguari i All-llahut.” Pastaj përsëri e humbte vetëdijen dhe kur kthehej në vete, nuk pyeste gjë tjetër përveçse: “A u falën njerëzit?”[4]
Sahabët e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe pasuesit e tyre e kanë dashur namazin dhe janë përmalluar për të. Namazi ka zënë vend në zemrat e tyre duke i kapluar tërësisht.
Namazi ka pozitë madhështore tek All-llahu i Madhërishëm. Prandaj ai është veçuar nga farzet e tjera me veçori të panumërta.
Mjafton fakti që ai është ibadeti i vetëm të cilin All-llahu ia dha Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në natën e Israsë dhe Mi’raxhit pa ndërmjetësues, nga mbi shtatë kate qiej, dhe kjo për shkak të pozitës së lartë tek All-llahu i Madhërishëm. Pra, është farzi i vetëm që u bë obligim në qiell.
Prandaj, çdo mysliman e ka për detyrë të jetë i kujdesshëm ndaj namazit, ta dijë vlerën e tij dhe t’i mësojë rregullat që kanë të bëjnë me të. Në vazhdim do të përmendim disa prej tyre:
- Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm
All-llahu i Madhërishëm thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.”[5]
Ne e dimë se sinqeriteti është kusht për pranimin e veprës, ndërsa vepra më e madhe që ka nevojë për sinqeritet pas tevhidit është namazi.
Prandaj çdo mysliman duhet të jetë i sinqertë në nijetin e tij, d.m.th të falë namazin duke kërkuar kënaqësinë dhe shpërblimin e All-llahut
- Madhërimi i vlerës së namazit
Kjo do të thotë që namazi duhet zënë pozitë të lartë në zemrat tona, ta duam dhe të përmallohemi për të, siç ka thënë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Nga gjërat e kësaj bote më janë bërë të dashura gratë (e mia) dhe parfumet. Ndërsa gëzimi kulmor më është bërë në namaz.”[6]
Omeri radijAll-llahu anhu u shkruante punonjësve të tij: “Vërtet gjëja më e rëndësishme e juaj për mua është namazi. Kush kujdeset për të, është kujdesur për fenë e tij. E kush e humbë atë, atëherë i ka humbur edhe gjërat e tjera. Kush e lë namazin, nuk ka hise në islam.”
- Zbukurimi dhe përgatitja e mirë për namaz
Përgatitja bëhet me zemër dhe me trup.
Për sa i përket përgatitjes me zemër, kjo nënkupton ndjenjën e nënshtrimit (ndaj All-llahut) para fillimit të namazit. Ali ibën Husejni kur merrte abdest, fytyra i zverdhej. Kur u pyet për këtë gjë, ai u përgjigj: “A e dini përpara kujt do të qëndroj tani?!”
Ndërsa për sa i përket përgatitjes trupore, All-llahu i ka nxitur robërit e tij për zbukurim gjatë shkuarjes në xhami duke thënë: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).”[7]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të faleni, vishni dy rroba,[8] ngase All-llahu është më meritori që të zbukuroheni para Tij.”[9]
- Përpikëria në avdes
Kjo do të thotë që të marrësh avdes me përpikëri duke bërë që uji të përshkojë të gjitha pjesët e trupit që përfshihen në avdes.
Nga Ukbe ibën Amiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: Kush merr avdes si duhet, pastaj falë dy rekate (namaz nafile) me përqendrim dhe kënaqësi në to, xhenneti do t’i patjetërsohet.”[10]
- Falja e namazit me xhemat
Myslimani duhet të jetë i përpiktë në faljen e pesë namazeve me xhemat në xhami.
All-llahu i ka lavdëruar robërit e tij besimtarë të cilët marrin pjesë në namaz në shtëpitë e All-llahut dhe ka thënë: “(ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që All-llahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij, t’i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje. Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet. (ata i luten) që All-llahu t’i shpërblejë më së miri për atë që punuan dhe për t’ua shtuar të mirat nga Ai. All-llahu e dhuron pa masë atë që do.”[11]
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Namazi i njeriut në xhemat është më i vlefshëm se namazi i falur në shtëpinë e tij apo në treg për njëzet e pesë gradë. Kush merr avdes në formën më të mirë, pastaj shkon në xhami me të vetmin qëllim për të falur namazin në xhemat, duke mos i interesuar asgjë tjetër, për çdo hap të tij i shtohet nga një gradë dhe i shlyhet nga një mëkat derisa të hyjë në xhami. E kur të hyjë në xhami, i llogaritet që është në namaz derisa të vijë koha e namazit. Atë e bekojnë melaiket, derisa të qëndrojë në vendin ku ka falur namazin. Ata thonë: O Zot, bekoje! O Zot, mëshiroje! Ai është në namaz përderisa e pret namazin.”
E në një transmetim tjetër qëndron: “O Zot, fale. O Zot, pranoja pendimin.” (Melaiket veprojnë kështu) përderisa njeriu të mos fillojë t’u pengojë të tjerëve, apo ta prishë avdesin në xhami.”[12]
Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka tërhequr vërejtjen për ata që e lënë namazin me xhemat (pa arsye sheriatike), dhe ka thënë: “Nuk ka namaz më të rëndë për munafikët se namazi i jacisë dhe i sabahut. Sikur ta dinin çfarë (shpërblime) ka në to, do të kishin ardhur zvarrë. Jam menduar që të urdhëroj të bëhet thirrja e ezanit, dhe pastaj të urdhëroj dikë që t’u dalë imam njerëzve. Pastaj, të nisen me mua disa burra që kanë me vete stivë drush, për të shkuar tek ata njerëz që nuk janë të pranishëm në namaz me xhemat, dhe t’ua vë zjarrin shtëpive të tyre.”[13]
Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhuma në lidhje me namazin me xhemat thotë: “Namazin me xhemat në kohën tonë nuk e linte kush tjetër veç munafikëve, të cilët njiheshin me nifak. Ndodhte që e fusnin njeriun e dobët mes dy burrave në saf në mënyrë që të rrijë në këmbë duke u mbajtur për ta.”[14]
- Kujdesi për të falur namazin në fillim të kohës së tij
Myslimani duhet falur namazin në fillim të kohës së tij dhe nuk duhet vonuar.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët.”[15] Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar me faljen e namazit në kohën e tij dhe ka thënë: “Fale namazin në kohën e tij…”[16], dhe faljen e namazit në kohën e tij e ka konsideruar si vepër më e mirë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u pyet: “Cila është vepra më e mirë? Tha: “Namazi në kohën e tij.” Pas kësaj? – u pyet përsëri. Tha: “Respektimi i prindërve.” Pas kësaj? – u pyet përsëri. Tha: “Xhihadi në rrugën e All-llahut…”[17]
- Shkuarja në xhami me qetësi dhe edukatë
Myslimani duhet shkuar në xhami me qetësi të plotë dhe edukatë. Atë që e arrinë nga namazi, e falë, ndërsa ajo që i ka kaluar, e plotëson.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të thirrë ikameti për namaz, mos shkoni (në xhami) me nxitim, por shkoni duke ecur me qetësi. Atë që e arrini (nga namazi), faleni, ndërsa ajo që ju ikën, plotësojeni.”[18]
Ndërsa në transmetimin e Buhariut qëndron: “Kur të dëgjoni ikametin, shkoni në namaz duke ecur me qetësi dhe edukatë dhe mos shpejtoni. Atë që e arrini (nga namazi), faleni, ndërsa ajo që ju ikën, plotësojeni.”[19]
Ndërsa në një transmetim tjetër Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka sqaruar shkakun e këtij ndalimi dhe ka thënë: “… sepse kur ndonjëri prej jush synon të shkojë në namaz, ai (veç më) është në namaz.”
- Mosfalja e namazit me praninë e ushqimit ose duke duruar dy nevojat fizioligjike
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikujt prej jush i shtrohet ushqimi dhe thërret ikameti për namaz, le të fillojë me ushqim. Dhe të mos shpejtojë por le të hajë (ngadalë) aq sa të ketë nevojë.”[20]
Po ashtu ka thënë: “Nuk ka namaz në prani të ushqimit, dhe duke duruar nevojën fiziologjike.”[21]
Imam Neveviu, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Këto hadithe tregojnë se mekruh është të falet namaz në praninë e ushqimit të shtruar të cilin njeriu dëshiron ta hajë. Kjo, për shkak se zemra angazhohet me të dhe kështu përqendrimi në namaz nuk është i plotë. Po ashtu mekruh është falja e namazit nëse njeriu ka nevojë fiziologjike. Kësaj mund t’i bashkëngjiten edhe gjëra të tjera që janë të ngjashme me këto, d.m.th. që e angazhojnë zemrën dhe e pamundësojnë përqendrimin e plotë në namaz.”
- Nxitimi për safin e parë
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Sikur ta dinin njerëzit se çfarë ka në ezan dhe në safin e parë e të mos gjenin mënyrë tjetër që t’i arrijnë ato veçse duke hedhur short, atëherë do hidhnin short për t’i arritur. Sikur të dinin çfarë ka në shkuarjen herët në xhami, do të garonin kush do të shkonte më herët. Sikur ta dinin çfarë (shpërblime) ka në jaci dhe sabah, do të kishin ardhur zvarrë.”[22]
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Safi më i mirë i burrave është safi i parë, ndërsa safi më i keq është safi i fundit.”[23] Kush nxiton për të arritur safin e parë, e fiton këtë mirësi.
Kush falet në safin e parë, e kaplon lavdërimi i All-llahut dhe i melaikeve.
Nga Bera’ ibën Azibi radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut thoshte: “All-llahu dhe melaiket i lavdërojnë safet e para.”[24]
- Vendosja e sutres[25]
Ai që falet në xhami duhet pasur kujdes që para vetes të ketë sutre, që të mos kalojë ndokush para tij e t’ia prishë përqendrimin, ose të mos ua vështirësojë vëllezërve të tij në xhami nëse dikush prej tyre dëshiron të dalë nga xhamia apo të ndërrojë vendin.
Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar që njeriu të falet pa sutre dhe ka thënë: “Kur dikush prej jush falet, le të falet me sutre dhe le të afrohet afër sutres së tij, që të mos lejojë shejtanin t’ia ndërpresë namazin.”[26]
Ky ka qenë prej veprimeve të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. “Kur ai e falte namazin në hapësirë ku nuk kishte sutre para tij, ai e ngulte shtizën e tij në tokë dhe e falte namazin drejt saj, ndërsa njerëzit ishin mbrapa tij.” “Po ashtu nuk vendoste gjë tjetër mes tij dhe sutres.”[27]
11.Përdorimi i misvakut para çdo namazi
Misvaku është një sunnet i pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili i bën dobi robit në fenë dhe dynjanë e tij.
Për sa i përket fesë, ai është send që e kënaqë All-llahun, ndërsa për sa i përket dynjasë, ai është pastrues i gojës, ngase kur njeriu e përdorë atë, substancën e cila gjendet në të All-llahu e bën shkak për neutralizimin e shtatëdhjetë llojeve të mikrobeve që gjenden në gojë dhe dhëmbë.[28]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sikur të mos ia rëndoja ummetit tim, do t’i urdhëroja të përdorin misvakun para çdo namazi.”[29]
Ndërsa në një transmetim tjetër ka thënë: “Sikur të mos ia rëndoja ummetit tim, do t’i urdhëroja të përdorin misvakun gjatë çdo avdesi.”[30]
Po ashtu ka thënë: “Misvaku është pastrues për gojën dhe gjë që e kënaqë All-llahun.”[31]
- Kujdesi ndaj duasë fillestare në namaz
Kjo bëhet pas tekbirit fillestar dhe para këndimit të fatihasë.
Duaja fillestare ka forma të ndryshme të transmetuara nga Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndërsa më e njohura është se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur e fillonte namazin, thoshte: “Subhanekell-llahumme ve bi hamdike ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke.” (I Lartësuar je ti, o All-llahu im, Ty të përket falënderimi. I Lartësuar qoftë emri Yt dhe e Lartësuar qoftë Madhëria Jote. S’ka të adhuruar tjetër përveç Teje).[32]
- Përulja në namaz
Robi kur nuk është i përulur në namaz, namazi i tij bëhet trup pa shpirt. Myslimani e ka për detyrë të jetë i përulur në namazin e tij, në mënyrë që t’i vjelë frytet e vërteta të namazit. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit.”[33]
- Moslëvizja e kokës (shikimit) në namaz
Kjo lëvizje e mënjanon përuljen nga zemra dhe prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga një gjë e tillë.
Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “E pyeta të dërguarin e All-llahut në lidhje me lëvizjen e kokës (shikimit) në namaz, e ai më tha: Ajo është një rrëmbim i shejtanit nga namazi i robit.”[34]
Lëvizja e kokës (shikimit) gjatë namazit pa nevojë është e ndaluar. Por nëse lëvizja e kokës bëhet për ndonjë nevojë apo justifikim sheriatik, atëherë nuk ka pengesë në të.
- Largimi nga pakujdesia dhe papërfillshmëria në namaz
Myslimani duhet kujdesur që të meditojë rreth domethënies së ajeteve dhe dhikreve gjatë namazit dhe të ketë në vetëdijen e tij se gjendet para All-llahut të Madhërishëm. Po ashtu duhet larguar, sa më shumë që ka mundësi, nga pakujdesia dhe papërfillshmëria gjatë namazit, gjë për të cilën Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na e ka tërhequr vërejtjen, dhe e gjithë kjo që të mos humbasim shpërblimin e namazit që bëjmë.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njeriu e mbaron namazin ndërkohë që nuk i është shkruar vetëm se një e dhjeta e tij, një e nënta, një e teta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një e katërta, një e treta, gjysma e tij.”[35]
- Falja e namazit me qetësi dhe mos-shpejtimi në të
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, njeriut që e fali namazin keq, i tha: “Kur ngrihesh për namaz, merr avdes në formën më të mirë, pastaj drejtohu kah kibla dhe shqipto tekbirin (All-llahu ekber), pastaj lexo ç’të vijë më lehtë nga ajo që di (përmendësh) nga kur’ani. Pastaj përkulu në ruku dhe rri sa të jesh qetësuar në këtë pozicion. Pastaj ngrihu dhe qëndro në këmbë sa të drejtohesh. Pastaj përkulu në sexhde dhe qëndro, derisa të jesh qetësuar në këtë pozicion. Pastaj ngrihu dhe qëndro, derisa të jesh qetësuar i ulur. Pastaj shko prapë në sexhde dhe qëndro, derisa të jesh qetësuar në të. Kështu pra vepro gjatë gjithë namazit tënd.”[36]
- Mosngritja e shikimit lartë gjatë namazit
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njerëzit, o do përmbahen nga shikimi lartë në qiell gjatë faljes, o shikimi i tyre nuk do t’u kthehet më.”[37]
Sunnet është që namazfalësi të shikojë në vendin e sexhdes. Aisheja radijAll-llahu anhu thotë: “I dërguari i All-llahut hyri në Qabe (për namaz), dhe shikimi i tij nuk u largua dot nga vendi i sexhdes derisa doli prej saj.”[38]
- Përmbajtja nga gogësima
Disa njerëz, kur iu hapet goja në namaz, e hapin atë deri në fund, madje edhe e shoqërojnë këtë me zë të lartë sikur të jetë ndonjë alarm lufte, kështu që e shqetëson tjetrin që e ka afër vetes, madje e shpërqendron nga përulja e tij në namaz.
Ndërsa sunneti i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është që kur njeriun ta kaplojë gogësima, të përmbahet prej saj sa të ketë mundësi, ta vendosë dorën në gojë dhe të mos nxjerrë zë.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikujt prej jush i hapet goja në namaz, le të mundohet ta ndalë sa të mundet, sepse shejtani hyn nga goja e tij.”[39]
Po ashtu ka thënë: “Kur dikujt prej jush i hapet goja në namaz, le ta vendosë dorën në gojë, sepse shejtani hyn me hapjen e gojës.”[40] E në një transmetim tjetër thotë: “… sepse kur ndonjëri prej jush thotë: haaa (gjatë hapjes së gojës), shejtani qeshet me të.”[41]
- Përcjellja e imamit
Disa njerëz shpejtojnë gjatë namazit deri në atë shkallë saqë e tejkalojnë edhe imamin. Kjo është një vepër e ndaluar, bazuar në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “A nuk ka frikë ndonjëri prej jush kur e ngritë kokën nga rukuja para imamit që All-llahu t’ia shndërrojë kokën në kokë gomari, apo pamjen e tij në pamje gomari.”[42]
- Plotësimi i rukusë dhe sexhdes
Namazfalësi duhet që të qetësohet plotësisht në ruku dhe sexhde saqë t’i mundësohet t’i thotë dhikret përkatëse të rukusë e sexhdes. Kjo, ngase shpejtimi gjatë namazit ka mundësi ta prishë namazin.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, njeriut që nuk e kishte falur namazin si duhet, i tha: “Kthehu e falu, sepse ti nuk je falur.”, e pastaj e urdhëroi të jetë i qetë gjatë namazit dhe i tha: “Kur të biesh në sexhde, qetësoje fytyrën dhe duart derisa çdo asht (nyje) të kthehet në vendin e vet.”[43] Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Kur të biesh në sexhde, qetësohu mirë në të.”[44]
Po ashtu thoshte: “Vjedhja më e keqe që njeriu e bën është kur vjedhë nga namazi i tij.” Thanë: “E si vjedhë nga namazi i tij, o i dërguari i All-llahut?” Tha: “Nuk e plotëson rukunë dhe sexhden.”[45]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem një herë teksa po falej, vërejti me bishtin e syrit të tij një njeri që nuk e drejtonte kurrizin e tij gjatë rukusë dhe sexhdes. E kur njeriu doli nga xhamia, ai tha: “O myslimanë, nuk ka namaz ai që nuk e drejton kurrizin e tij në ruku dhe sexhde.”[46]
Ndërsa në një hadith tjetër ka thënë: “Namazi i njeriut nuk është i plotë derisa ta drejtojë shpinën në ruku dhe sexhde.”[47]
- Të thënit ‘SubhanAll-llah’ gjatë ndonjë gabimi në namaz
Si p.sh. kur namazfalësi dëshiron t‘ia tërheqë vërejtjen imamit në lidhje me ndonjë gabim që ai ka bërë, apo nëse ndodhë ndonjë gjë në namaz, atëherë ai duhet thënë ‘SubhanAll-llah’. Ndërsa gruaja nuk duhet thënë ‘subhanAll-llah’ por duhet duartrokitur duke i rënë pjesës së jashtme të dorës së majtë me shuplakën e dorës së djathtë. Kjo, siç e përmendë Imam Neveviu në komentin e Sahihut të Musilimit,[48] sepse sikur ajo të duartrokiste dy shuplakat me njëra-tjetrën, atëherë kjo më shumë do t’i përngjante dëfrimit. Ndërsa argument për këtë që u përmend e kemi hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Të thënit ‘subhanAll-llah’ është për burrat, ndërsa duartrokitja[49] është për gratë.”[50]
- Nëse ndodhë që i prishet avdesi gjatë namazit, duhet kapur hundën me dorë dhe duhet dalur jashtë xhamisë
D.m.th. nëse ndodhë që namazfalësit t’i prishet avdesi gjatë namazit, atëherë ai duhet kapur hundën me dorë dhe duhet dalur jashtë, bazuar në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Nëse ndonjërit prej jush i prishet avdesi në namaz, le ta kapë hundën me dorë dhe le të dalë jashtë.”[51]
Kjo është një edukatë e lartë islame. Kjo, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ditur që ndokush, nga turpi prej njerëzve, nuk do ta linte namazin e të dilte jashtë, e vazhdimi i namazit në gjendje kur ai e ka prishur avdesin është një gabim i rrezikshëm. Prandaj namazfalësit i është bërë ky veprim që t’i bëjë të tjerët të mendojnë se ka gjakrrjedhje në hundë, dhe e gjithë kjo për të ruajtur dinjitetin dhe krenarinë e tij dhe të mos vihet në siklet para xhematit që falen me të.[52]
- Pritja e namazit pas namazit
Preferohet që myslimani ta presë namazin pas namazit, si p.sh. ai që e pret namazin e jacisë pas namazit të akshamit, apo e pret lindjen e diellit pas namazit të sabahut me qëllim që të falë namazin e duhasë, ndërsa kohën derisa pret e shfrytëzon për dhikër dhe lexim të kur’anit.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “A dëshironi t’ju udhëzoj për atë se me çfarë All-llahu i shlyen mëkatet dhe i ngre pozitat?!” Ata u përgjigjën: “Po, o i dërguari i All-llahut”, ndërsa ai tha: “Me plotësimin e avdesit në vështirësi, me hapat e shumtë për në xhami dhe me pritjen e namazit pas namazit. Kjo është për ju ribat, kjo është për ju ribat, kjo është për ju ribat (vigjilencë në rrugën e All-llahut)!”[53]
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Robi, derisa është në vendin ku falet duke e pritur namazin, është në namaz. Atë e bekojnë melaiket duke thënë: O Zot, fale! O Zot, mëshiroje! (Melaiket veprojnë kështu) përderisa njeriu të mos shkojë, apo ta prishë abdestin në xhami.”[54]
- Kujdesi për faljen e suneteve të rregullta
Këto janë sunnetet që pasojnë pas farzeve, për të cilat Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kushdo që fal dymbëdhjetë rekate (sunnete) gjatë ditës dhe natës do t’i ndërtohet një shtëpi në xhennet: katër rekate para drekës dhe dy pas saj, dy rekate pas akshamit, dy rekate pas jacisë dhe dy rekate para sabahut.”[55]
Myslimani nuk duhet shpërfillur këto sunnete që të mos i ikë ky shpërblim i madh. I dërguari i All-llahut ka thënë: “All-llahu ka thënë: Gjëja më e dashur për Mua me të cilën robi Im mund të më afrohet është ajo me çka Unë e kam obliguar. Robi im vazhdimisht më afrohet Mua me vepra fakultative (nafile) derisa ta dua. E kur e dua, të dëgjuarit e tij me të cilin dëgjon është vetëm për Mua; të pamurit e tij me të cilin sheh është vetëm për Mua; dora e tij me të cilën kapë, punon vetëm për Mua; këmba e tij me të cilën ecën, ecën vetëm për Mua. I këtilli nëse më kërkon diçka, do t’ia jap, e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbroj atë.”[56]
Preferohet që sunnetet të falen në shtëpi, që edhe shtëpia jote të ketë një hise të namazit.
24. Falja e namazit në momentin kur të kujtohet (nëse ke harruar) ose në momentin kur zgjohesh nga gjumi
Kjo ka të bëjë me njeriun që e ka kapluar gjumi dhe i ka kaluar koha e namazit, apo është angazhuar me ndonjë punë saqë e ka harruar faljen e namazit – që nuk është e zakonshme për të – dhe ky e ka obligim ta falë atë namaz menjëherë në momentin kur t’i kujtohet, apo menjëherë sa të zgjohet nga gjumi, sepse në këto raste, ky namaz llogaritet sikur të jetë falur në kohën e vet.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush harron faljen e namazit apo e kaplon gjumi, shpagimi i atij namazi është ta falë në momentin kur t’i kujtohet.”[57] Por, nuk lejohet që me anë të këtij hadithi të justifikohet gjumi që dikush e ka bërë shprehi dhe duke mos i pasuar sebepet për t’u zgjuar për namaz. Kjo gjë nuk lejohet.
- Kujdesi ndaj një duaje pas teshehhudit dhe para selamit
Kjo dua duhet bërë pas përfundimit të teshehhudit të fundit siç na është përcjellur nga i dërguari i All-llahut. Në këtë dua ai kërkon mbrojtjen e All-llahut nga katër gjëra siç përmenden në hadithin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kur ndonjëri prej jush të përfundojë me teshehhudin e fundit, le të kërkojë mbrojtjen e All-llahut nga katër gjëra: nga dënimi i xhehennemit, nga dënimi i varrit, nga sprova e jetës dhe vdekjes dhe nga sprova e Dexhallit.”[58]
27.Kujdesi ndaj dhikreve pas namazit farz
Në vazhdim do të paraqes para jush disa prej dhikreve që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka bërë pas çdo namazi farz.
Nga Thevbani radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut kur e përfundonte namazin farz, thoshte tri herë ‘estagfirullah” (Kërkoj falje nga All-llahu), e pastaj thoshte: “All-llahumme Entes-Selamu ve minkes-Selam, tebarekte ja Dhel-Xhelali vel Ikram.” (O All-llah, Ti je shpëtimi, dhe prej Teje është shpëtimi. I lartësuar qofsh Ti që je i Madhëruar dhe Fisnik).[59]
Nga Abdullah ibën Zubejri radijAll-llahu anhuma na përcillet se pas farzit të çdo namazi thoshte: “La ilahe il-lAll-llahu vahdehu la sherike lehu, lehul mulku ve lehul hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir. La havle ve la kuvete il-la bil-lah, la ilahe il-lAll-llahu ve la na’budu il-la ijjah, lehun-ni’metu ve lehul fadlu ve lehuth-thenaul hasen, la ilahe il-lAll-llahu muhlisine lehud-dine ve lev kerihel kafirun. (S’ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut Një e të Pashoq. Atij i takon sundimi dhe lavdërimi, dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send. S’ka ndryshim e as fuqi pa ndihmën e All-llahut. Nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe nuk e adhurojmë askënd përveç Tij. Dhuntitë dhe mirësitë janë prej Tij dhe vetëm Atij i takon lavdërimi më i mirë. S’ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut. Atij i besojmë dhe i nënshtrohemi me sinqeritet, edhe pse këtë e urrejnë jobesimtarët).[60]
Nga Mugire ibën Shu’be radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem pas çdo namazi farz thoshte: “La ilahe il-lAll-llahu vahdehu la sherike lehu, lehul mulku ve lehul hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir. All-llahumme la mania lima e’tajte ve la mu’tije lima mene’te, ve la jenfeu dhel xheddi minkel xheddu. (S’ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut Një dhe të Pashoq. Atij i takon sundimi dhe lavdërimi. Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send. O All-llah, atë që Ti e jep s’ka kush e ndalon, dhe atë që Ti e ndalon s’ka kush e jep. (te Ti) nuk ka vlerë dobia e askujt, sepse çdo dobi vjen prej Teje).”[61]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Lexoni ‘muavvidhatet’ pas çdo namazi.”[62] e ato janë: ‘Kul huvAll-llahu Ehad, Kul eudhu bi Rabbil felek dhe Kul eudhu bi Rabbin-nas’.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e lexon Ajetul-Kursinë pas çdo namazi farz, nuk ka pengesë mes tij dhe hyrjes në xhennet përveç vdekjes.”[63]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha Muadhit radijAll-llahu anhu: “O Muadh! Vallahi unë të dua ty. Po të këshilloj, o Muadh që të mos e lësh pas çdo namazi të thuash: All-llahumme einni ala dhikrike ve shukrike ve husni ibadetike. (O All-llah, më ndihmo, që të të përmend e të të falënderoj, dhe më mundëso që të të adhuroj sa më mirë).”[64]
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai i cili pas namazit thotë tridhjetë e tri herë subhanAll-llah, tridhjetë e tri herë el-hamdu lil-lah dhe tridhjetë e tri herë All-llahu Ekber, këto janë nëntëdhjetë e nëntë. Pastaj si plotësim i njëqindëshit thotë: ‘La ilahe il-lAll-llahu vahdehu la sherike lehu, lehul mulku ve lehul hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir’, All-llahu ia falë mëkatet edhe nëse janë sa shkuma e detit.”[65]
- Arritja e fryteve të namazit
Myslimani duhet përpjekur të arrijë frytet e namazit, si frika ndaj All-llahut, ndjenja e mbikëqyrjes së Tij ndaj nesh në çdo gjendje e kohë, si dhe duhet përpjekur të largojë fjalët dhe veprimet e ndyra.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Fale namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e All-llahut është më e madhja (e adhurimeve); All-llahu e di ç’punoni ju.”[66]
[1] Sahih: shënojnë Nesaiu (3949) dhe Ahmedi (11884). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (3124) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[2] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (1319) dhe Ahmedi (22788). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (4703) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[3] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4985) dhe Ahmedi (22578). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (7892) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (687) dhe Muslimi (418).
[5] Kaptina El-Bejjineh, ajeti 5.
[6] Sahih: shënojnë Nesaiu (3949) dhe Ahmedi (3/128). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (3124) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[7] Kaptina El-E’raf, ajeti 31.
[8] D.m.th. të vishen dy pjesë të rrobave, të sipërme dhe të poshtme. Kjo, ngase në kohën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem disa njerëz veshnin vetëm pjesën e poshtme të rrobave duke mbuluar avretin (pjesën nga kërthiza e deri nën gjunjë). Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem preferoi që mbulimi i trupit gjatë namazit të jetë më i plotë dhe më i bukur. (shën. përkth.)
[9] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset (9/144). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (652) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[10] Sahih: shënon Muslimi (234).
[11] Kaptina En-Nur, ajetet 36-38.
[12] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (477) dhe Muslimi (649).
[13] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (657) dhe Muslimi (651).
[14] Sahih: shënon Muslimi (654).
[15] Kaptina En-Nisa’, ajeti 103.
[16] Sahih: shënon Muslimi (648).
[17] Sahih: shënon Muslimi (85).
[18] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (636) dhe Muslimi (602).
[19] Sahih: shënon Buhariu (636).
[20] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (674) dhe Muslimi (559).
[21] Sahih: shënon Muslimi (560).
[22] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (615, 644, 2689) dhe Muslimi (437,439, 651).
[23] Sahih: shënon Muslimi (440).
[24] Hasen: shënojnë Ebu Davudi ( 664), Nesaiu (811), Ibën Hibbani (386). Neveviu në librin e tij Rijadus-Salihin (1090) e ka klasifikuar si hadith hasen. Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (513) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[25] Sutre është një send që vendoset para vete kur njeriu falë namaz, si shkop, apo diçka tjetër, për të penguar kalimtarët të kalojnë mes tij dhe sendit të vendosur. (shën. përkth.)
[26] Sahih: shënojnë Ahmedi dhe Nesaiu nga Sehl ibën Ebi Hathme radijAll-llahu anhuma. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (650) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[27] Shkëputur nga libri Sifetu Salatin-Nebijji, fq. 55. Autor: Shejh Albani.
[28] Shkëputur nga libri Tedhkirul-Ummetil-Mensureh bil-Vaxhibati ves-Sunenil-Mehxhureh, fq. 9, nga vetë autori.
[29] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7240) dhe Muslimi (252).
[30] Sahih: shënojnë Ahmedi (9612), dhe Maliku (148). Shejh Albani në librin e tij Irvaul-Galil (70) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[31] Sahih: shënojnë Nesaiu (5) dhe Ahmedi (23683). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (3695) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[32] Sahih: shënon Muslimi (399).
[33] Kaptina El-Mu’minun, ajetet 1-2.
[34] Sahih: shënon Buhariu (751).
[35] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (796) dhe Ahmedi (18400). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (1626) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[36] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (760) dhe Muslimi (397).
[37] Sahih: shënon Muslimi (429).
[38] Sahih: Shënon Hakimi (1/479) dhe thotë: “Ky hadith është sahih dhe i plotëson kushtet e dy shejhëve (Buhariut dhe Muslimit), dhe me këtë pajtohet edhe Dhehebiu.” Shih po ashtu edhe librin Sifetus-Salah, fq. 89.
[39] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3289) dhe Muslimi (2994).
[40] Sahih: shënon Muslimi (2995).
[41] Sahih: shënon Buhariu (6223).
[42] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (691) dhe Muslimi (427). Po ashtu Ebu Davudi (623) dhe Tirmidhiu (582).
[43] Hasen: Shënon Ibën Huzejme (1/10/1). Shejh Albani në librin e tij Sifetu Salatin-Nebijji, fq. 142, e ka klasifikuar si hadith hasen.
[44] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (856) dhe Ahmedi (18516). Shejh Albani në librin e tij Sifetu Salatin-Nebijji, fq. 151, e ka klasifikuar si hadith sahih.
[45] Shënojnë Ibën Ebi Shejbe (1/89/2), Taberaniu dhe Hakimi, i cili thotë se ky hadith ës
htë sahih, dhe me të pajtohet edhe Dhehebiu.
[46] Shënojnë Ibën Ebi Shejbe (1/89/2), Ibën Maxhe dhe Ahmedi me sened sahih.
[47] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (855) dhe Tirmidhiu (265). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7224) e ka klasifikuar si hadith sahih. Ndërsa teksti është shkëputur nga libri Sifetu Salatin-Nebijji, fq. 99. Autor: Shejh Albani, All-llahu e mëshiroftë.
[48] Shih komentin e Neveviut të Sahihut të Muslimit (4/145/146).
[49] Me të njëjtën mënyrë që u përmend më sipër. (shën. përkth.)
[50] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1203) dhe Muslimi (422).
[51] Sahih: shënon Ebu Davudi (1114). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (286) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[52] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, (2/510/511). Autor: Abdul-Aziz Neda.
[53] Sahih: shënon Muslimi (251).
[54] Sahih: shënon Muslimi (649).
[55] Sahih: Shënon Tirmidhiu (415). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6362) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[56] Sahih: shënon Buhariu (6502).
[57] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (597) dhe Muslimi (684).
[58] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1377) dhe Muslimi (588). Ndërsa teksti është shkëputur nga libri Mevsuatul-Hukukil-Islamijje (2/513, 517).
[59] Sahih: shënon Muslimi (591).
[60] Sahih: shënon Muslimi (594).
[61] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6330) dhe Muslimi (593).
[62] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1523), Tirmidhiu (2903) dhe Nesaiu (1336). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (645) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[63] Sahih: Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (972) e ka klasifikuar si hadith sahih. Ndërsa fjala “përveç vdekjes” ka për qëllim se ai i ka plotësuar kushtet për hyrje në xhennet, porse nuk i ka ardhur momenti i vdekjes dhe kjo e pengon të hyjë, që do të thotë se në momentin që ai vdes, plotësohet edhe kushti i fundit për të hyrë në xhennet. (shën. përkth.)
[64] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1522) dhe Nesaiu (1303). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (7969) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[65] Sahih: shënon Muslimi (597).
[66] Kaptina El-Ankebut, ajeti 45.
WWW.THIRRJAISLAME.COM