ZULLUMI BËHET ERRËSIRA NË DITËN E KIAMETIT

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Në këtë temë do të flasim rreth një dukurie e cila është përhapur në mesin e disa njerëzve, dhe e cila është përmendur në kur’anin famëlartë dhe në sunnetin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem; ndonjëherë në formë të qortimit e ndonjëherë duke sqaruar përfundimin e keq të zullumqarit.

Ajo është dukuria e zullumit, të cilin All-llahu i Madhërishëm ia ka ndaluar Vetes dhe e ka bërë të ndaluar për robërit e Tij. All-llahu i Madhërishëm në një hadith kudsij thotë: “O robërit e mi, Unë ia kam ndaluar Vetes zullumin dhe e kam bërë të ndaluar mes jush, prandaj mos i bëni zullum njëri-tjetrit.” (Shënon Muslimi).

Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Largohuni nga të bërit zullum, sepse zullumi në ditën e kiametit bëhet errësira. (Shënon Muslimi).

Zullumi ndahet në tri lloje:

Lloji i parë: Zullumi i njeriut ndaj Zotit të tij, dhe kjo nënkupton mohimin dhe mosbesimin ndaj All-llahut të Madhërishëm, I Cili thotë: Pabesimtarët janë mizorë.” (El-Bekare 254). Po ashtu nënkupton edhe shirkun në ibadet ndaj All-llahut, që ka për qëllim bërjen e disa ibadeteve për dikë tjetër pos All-llahut të Madhërishëm, I Cili thotë: “Idhujtaria (shirku) është padrejtësi më e madhe!” (Lukman 13).

Lloji i dytë: Zullumi i njeriut ndaj vetes, dhe kjo nënkupton pasimin e epshit dhe nëpërkëmbjen e obligimeve fetare, fëlliqjen e vetes me gjurmët e ndikimit të mëkateve, krimeve dhe të këqijave. All-llahu i Madhërishëm thotë: “All-llahu nuk u bëri padrejtësi atyre, por ata ishin që vetvetes i bënë padrejtësi.” (En-Nahl 33).

Lloji i tretë: Zullumi i njeriut ndaj robërve dhe krijesave të All-llahut, dhe kjo nënkupton ngrënien e pasurisë së njerëzve në mënyrë të padrejtë, rrahja, fyerja, armiqësia dhe dominimi ndaj të dobtëve. Zullumi zakonisht i bëhet të dobëtit, i cili nuk ka mundësi të mbrohet e as t’ia dalë mbanë me të fuqishmin.

Disa forma të zullumit ndaj robërve dhe krijesave të All-llahut:

Uzurpimi i tokës

Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush ia merr dikujt një pëllëmbë toke padrejtësisht, atij njeriu do t’i lidhet një zinxhir në fyt dhe do të shafitet shtatë pashë në dhé në ditën e kiametit.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Zhagitja e dhënies së hakut atij që e meriton

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Zhagitja e hakut nga pasaniku është zullum.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Mosdhënia e pagës punëtorit

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu i Madhërishëm ka thënë: Unë do të jem armik i tre njerëzve në ditën e kiametit: …, …, dhe një njeri që ka marrë një punëtor me pagë dhe nuk i ka dhënë pagën.” (Shënon Buhariu).

Me këtë rast më bie ndërmend një ndodhi që e kam dëgjuar nga një hoxhë në një prej xhamive të Mekës, i cili tha: Një njeri kishte punuar te një punëdhënës, ndërsa ky i fundit nuk i kishte bërë pagesën për tre muaj. Punëtori vazhdimisht ia kërkonte pagën dhe i thoshte që ka nevojë të madhe për ato para. I thoshte se ka dy prindër, bashkëshorten dhe fëmijët në fshatin e tij dhe ata kanë nevojë urgjente, por punëdhënësi nuk iu përgjigj kërkesave të tij, sikur në veshët e tij të kishte shurdhim të rëndë. Atëherë njeriu i tha: Mua më mjafton All-llahu kundër teje. Në Dorën e Tij e lë këtë çështje. Vallahi do t’i lutem All-llahut kundër teje. Punëdhënësi i tha: Shko dhe lutu kundër meje te Qabeja, e shau dhe e përzuri. Dhe përnjëmend, njeriu iu përgjigj kërkesës së tij, shkoi dhe u lut te Qabeja duke zgjedhur kohët kur duaja është më afër pranimit. Ishin këto ditë të Ramazanit të bekuar. All-llahu i Madhërishëm thotë: E ata që bënë zullum do ta kuptojnë se ç’përfundimi i shkojnë (ç’dënim të ashpër ose ç’vendi në xhehennem do t’i nënshtrohen).” (Esh-Shuara’ 227). Ditët kalonin. Pas ca kohe, borxhliu u sëmur rëndë, saqë nuk e lëvizte trupin dot. Sëmundja e lodhi aq shumë saqë për një kohë të gjatë qëndroi në spital. Punëtori morri vesh se ç’kishte ngjarë me të, dhe vendosi të shkojë për ta vizituar bashkë me disa njerëz. Borxhliu kur e pa, i tha: A je lutur kundër meje? Po – tha ai, dhe në vendin që ti e kërkove prej meje. Atëherë borxhliu e thirri të birin e vet dhe i tha: Jipja këtij të gjithë borxhin që ia kam. Pastaj kërkoi falje prej tij dhe i kërkoi që ta lusë All-llahun për shërimin e tij.

Betimi i rrejshëm për t’i marrë të drejtën njerëzve

Nga Ebu Umame Ijjas ibën Tha’lebe El-Harithiu radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush ia merr të drejtën një myslimani me betim, All-llahu ia ka bërë obligim zjarrin dhe ia ka bërë haram xhennetin.” Një njeri tha: Edhe nëse është ndonjë gjë e vogël, o i dërguari i All-llahut? Ai tha: “Edhe nëse është një degëz e erakut (degë e pemës së misvakut).” (Shënon Muslimi).

Sihri, me të gjitha llojet e tij

Këtu po veçojmë sihrin për ndarjen mes dy bashkëshortëve. All-llahu i Madhërishëm thotë: E, mësonin (njerëzit) prej atyre dyve atë (magji) me çka ndanin burrin prej gruas së vet.” (El-Bekare 102). Nga Ebu Hureja radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Largohuni shtatë mëkateve shkatërruese.” Thanë: Cilat janë ato, o i dërguari i All-llahut? Ai tha: Shirku ( idhujtaria), sihri (magjia), mbytja e njeriut padrejtësisht, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, ikja nga vija e frontit dhe shpifja ndaj grave të ndershme.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Mosbërja drejtësi mes fëmijëve

Nga Nu’man ibën Beshiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Babai im më bëri një dhuratë, ndërsa nëna ime tha: Nuk jam e pajtimit me këtë gjë derisa të kërkosh dëshmi për këtë nga i dërguari i All-llahut. Babai im shkoi tek i dërguari i All-llahut për të kërkuar dëshmi prej tij për dhuratën që ma kishte bërë. I dërguari i All-llahut i tha: “A u ke bërë dhuratë të njëjtë të gjithë fëmijëve të tu?” Ai i tha: Jo. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Kini frikë All-llahun dhe trajtojini të gjithë fëmijët tuaj me drejtësi. Unë nuk dëshmoj për padrejtësi.” Kështu, babai im u kthye dhe e morri dhuratën e tij prapa.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Mbyllja e kafshëve dhe shpezëve derisa të ngordhin

Nga Abdullah ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Një grua u fut në zjarr (xhehennem) për shkak të një maceje të cilën e kishte lidhur dhe as nuk e kishte ushqyer e as nuk e kishte lënë të lirë të hante nga ushqimet e tokës, derisa kishte ngordhur.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Dëshmia e rrejshme

Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut njëherë i përmendi mëkatet e mëdha dhe tha: “Shirku, arroganca ndaj prindërve dhe mbytja e njeriut.” Pastaj tha: “A t’ju rrëfej për mëkatin më të madh? – Dëshmia e rrejshme.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).

Po ashtu këtu mund të numrojmë edhe forma të tjera të zullumit ndaj robërve dhe krijesave të All-llahut, si: Ngrënia e mehrit të gruas me forcë, vjedhja, shqetësimi i besimtarëve, besimtareve dhe fqinjëve, tradhtia, fshehja e dëshmisë, të folurit keq për të tjerët, zhdukja e të vërtetës, përgojimi, cenimi i nderit, bartja e fjalëve, mashtrimi i gafilit, thyerja e premtimit dhe mosmbajtja e fjalës, pengimi i të tjerëve, heshtja para të vërtetës, mospengimi i zullumqarit nga zullumi, si dhe lloje të tjera të zullumit, qofshin të dukshme apo të fshehta.

O ti që i bën zullum tjetrit:

Dije se lutja e atij që i bëhet zullum është e pranuar dhe nuk kthehet bosh, qoftë mysliman apo mosbesimtar. Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kini frikë nga lutja e atij që i bëhet zullum edhe nëse është mosbesimtar, ngase para saj (lutjes) nuk ka pengesë (për t’u pranuar).” (Shënon Ahmedi).

O zullumqar! Kujto fjalët e All-llahut të Madhërishëm: E ti kurrsesi mos e mendo All-llahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët; Ai vetëm është duke i lënë ata deri në një ditë në të cilën sytë shtangen (mbesin të hapur). (atë ditë) Ata të ngutur e duke u ngritur kokat e tyre lart, nuk lëvizin sytë e tyre (për të shikuar), e zemrat e tyre janë të zbrazura (nga frika).” (Ibrahim 42-43). “A mos mendon njeriu se do të lihet duke mos zënë asgjë (pa kurrfarë përgjegjësie).” (El-Kijameh 36). “Ne do t’i afrojmë ata dalëngadalë te dënimi prej nga nuk presin. Dhe atyre Unë u jap afat, sepse ndëshkimi Im është shumë i fortë.” (El-Kalem 44-45). E ata që bënë zullum do ta kuptojnë se drejt ç’përfundimi shkojnë (ç’dënim të ashpër ose ç’vendi në xhehennem do t’i nënshtrohen).” (Esh-Shuara’ 227). Ndërsa pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu i jep afat zullumqarit (të vazhdojë me zullumin e tij) derisa kur ta dënojë nuk ka mundësi të shpëtojë.”, e pastaj e lexoi ajetin kur’anor: Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm, e i ashpër.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi, ndërsa ajeti është në kaptinën Hud, nr. 102).

O zullumqar! Përkujto vdekjen me agoninë dhe vështirësinë e saj, varrin me errësirën dhe ngushtësinë e tij, peshoren e kiametit dhe saktësinë e saj, siratin dhe hollësinë e tij, ringjalljen dhe gjendjen e saj, daljen para All-llahut dhe pamjen e saj. Përkujto kur meleku i vdekjes do të të vijë të ta marrë shpirtin. Përkujto kur do të të lëshojnë në varr vetëm me veprat e tua. Përkujto kur Zoti yt do të të thërrasë për llogari në ditën e gjykimit. Dhe përkujto qëndrimin tënd në ditën e gjatë të kiametit.

Përkujto, o zullumqar, fjalët e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cili thotë: “Në ditën e kiametit çdonjërit do t’i jepet e drejta (që i është marrë padrejtësisht në dynja), derisa edhe kafshët do të hakmerren mes vete, delja pa brirë do të hakmerret ndaj deles me brirë.” (Shënon Muslimi). Në ditën e kiametit shpagimi do të jetë duke i marrë zullumqarit nga veprat e mira të tij dhe duke ia dhënë atij që i është bërë zullum. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i ka bërë zullum vëllait të vet në nderin e tij a në diçka tjetër, le t’i kërkojë falje atij që sot, para ditës kur nuk do të ketë dinarë as dërhemë. Nëse ai ka vepra të mira, do t’i merren nga ato aq sa ka bërë zullum. E nëse nuk ka vepra të mira, atëherë do t’i merren mëkatet e të dëmtarit dhe do t’i jepen atij (që ka bërë zullum).” (Shënon Buhariu). Po ashtu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: A e dini kush është i falimentuar (muflis)?” (Sahabët) Thanë: “I falimentuar sipas nesh është ai i cili nuk ka as para e as pasuri.” (I dërguari) Tha: “I falimentuar nga ummeti im është ai që në ditën e kiametit vjen me namaz, me agjërim, me zekat, por edhe me mëkatin e sharjes së një personi, me shpifje të një tjetri, me ngrënien e pasurisë së një tjetri, me gjakderdhjen e një personi, me rrahjen e një tjetri, dhe kështu secilit prej të dëmtuarve u jepen prej veprave të mira të këtij. E nëse harxhohen mirësitë e tij para se t’u paguhen borxhet, atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t’i ngarkohen këtij, pastaj ky do të hidhet në zjarr.” (Shënon Muslimi).

Por, megjithatë, myzhde për ty, o zullumqar!

Kjo, ngase akoma ke kohë në dispozicion sepse dera e pendimit ende është e hapur. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu e shtrin Dorën e Tij natën që mëkatari i ditës të pendohet, dhe e shtrinë Dorën e Tij ditën që mëkatari i natës të pendohet, derisa dielli të lindë nga perëndimi (deri në kiamet, shën. përkth.)(Shënon Muslimi).

Por pendimi pranohet me plotësimin e katër kushteve:

– Largimi nga mëkati

– Keqardhja për të kaluarën

– Vendosmëria për të mos iu kthyer mëkatit

– Kthimi i të drejtave dhe gjërave te pronarët e tyre, si pasuria apo diçka e ngjashme.

Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

 

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com