Na ishte një herë një njeri që jetonte në një fshat dhe që kultivonte plantacione vreshtash, e që quhej Sehlul koprraci.
Ditët po kalonin dhe erdhi stina e verës, e rrushi u poq. Zogjtë u gëzuan pa masë dhe fluturuan shpejt te vreshti… Por kur u afruan, njëri prej zogjve duke dashur t’u tërheqë vërejtjen të tjerëve, tha: Kujdes, këtu paska një njeri në mesin e vreshtave!
Një tjetër zog tha: Në dorë paska pushkë!
Tjetri tha: Nuk duhet ta hedhim veten në rrezik…
Kështu zogjtë u frikuan dhe ikën me shpejtësi…
Të nesërmen, zogjtë që me të gdhirë u drejtuan nga rrushi, me shpresë se do të arrinin para njeriut të frikshëm.
Por ç’të shohin?! Ata u befasuan kur përsëri e panë njeriun e njëjtë, që nuk e kishte lëvizur vendin aspak!
Ata e vështruan pushkën me frikë për një kohë dhe u larguan të frikësuar e të pikëlluar. Ata për disa ditë me radhë nuk u dukën te vreshti. Por atyre filloi t’u humbë durimi. Po ashtu iu shtua malli për rrush. Dhe prandaj vendosën të shkojnë përsëri te vreshtat.
Por sa shumë që u befasuan kur përsëri e panë të njëjtin njeri duke qëndruar në vendin e njëjtë si i shtangur në mes të vreshtave, sikur të ishte statujë. Përsëri zogjtë nuk patën guxim të hynë te vreshtat… Ata qëndronin larg duke vëzhguar njeriun…
Kaloi një kohë e gjatë, por njeriu nuk lëvizi fare nga vendi…
Një zog i zgjuar tha: Ky nuk duhet të jetë njeri!
Një tjetër tha: Po… ai nuk lëviz fare!
Një zogëz tha: Kaluan ca ditë, por ai rri i ngurtë në vend!
Një zog trim tha: Do t’i afrohem të shoh se ç’është puna me të.
Nëna e tij tha: A po e hedh veten në rrezik?!
Zogu trim ia ktheu: Çdo sakrificë në të mirë të popullit tim, të zogjve është e lehtë… dhe pastaj u nis me trimëri drejt njeriut…
Iu afrua njeriut, dhe u nis drejt tij me shumë kujdes. Njeriu nuk lëvizi fare. Zogu u ngjit në pushkën e tij dhe qeshi nga thellësia e zemrës, sepse ai ishte vetëm një dru i thatë.
Iu afrua te fytyra, por nuk pa sy të vërtetë. Zemra iu qetësua…
I foli njeriut me shaka: Si je, o pushkatar?!
Njeriu nuk u përgjigj. Ai i foli përsëri, por prapë nuk u përgjigj.
Zogu me shaka i tha: Njeriu i vërtetë ka gojë e cila hapet dhe zë i cili dëgjohet.
Zogu fluturoi mbi kapelën e njeriut, e lëvizi fuqishëm atë dhe ajo ra në tokë.
Zogjtë e tjerë me vëmendje po ndiqnin atë që po ndodhte dhe që të gjithë qeshën nga gëzimi i madh. Pastaj fluturuan drejt shokut të tyre dhe që të gjithë u ndalën mbi njeriun…
Filluan ta lëvizin me kthetra e sqepa derisa e rrëzuan përtokë. Pastaj iu vërsulën mbi gjoks duke e shpuar e gërvishtur.
Palltoja i ra në tokë dhe u shfaq kashta e thatë!!
Zogjtë thanë me tallje: Ai qenka i mbushur me kashtë…
Një zogëz tha: Sa jemi frikuar nga një gjë që nuk frikëson!
Një tjetër tha: Sikur të mos ishte shoku ynë, ne akoma do të vazhdonim jetën në frikë.
Një zog i vogël tha: Sa e çuditshme… Ai dukej si të ishte njeri i vërtetë!
Babai i tij i tha: Pamjet e këtilla nuk do të na frikësojnë më…
Zogjtë, të gëzuar nga kjo fitore, ia filluan këngës. Pastaj hynë në mesin e vreshtave duke ngrënë rrushin me ëndje.
Marur nga libri “MORALI I PEJGAMBERIT sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem”
Përshtati: www.thirrjaislame.com