Pyetja:Dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixhe a kanë me shumë vlerë se ditët e tjera të vitit? Dhe cilat janë veprat të cilat preferohet të shpeshtohen gjatë këtyre ditëve?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon All-llahut…
Prej kohëve të përshtatshme dhe madhështore për adhurime janë edhe dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixhe. Këto ditë All-llahu i Madhërishëm i ka vlerësuar më tepër sesa ditët e tjera të vitit. Nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që veprat e mira të birit të Ademit të jenë më të dashura tek All-llahu i Madhërishëm sesa në këto dhjetë ditë.” Të pranishmit thanë: As lufta në rrugën e All-llahut?! (Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “As lufta në rrugën e All-llahut përveç atij që del për të luftuar vetë bashkë me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre.” (Buhariu 2/457)
Po ashtu nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka vepër më të pastër dhe më të shpërblyertek All-llahu i Madhërishëm sesa vepra e mirë që bëhet në këto dhjetë ditë.” Dikush pyeti: As lufta në rrugën e All-llahut?! (Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “As lufta në rrugën e All-llahut të Madhërishëm, përveç atij që del për të luftuar vetë bashkë me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre.” (Darimiu 1/357, ndërsa senedi i këtij hadithi është Hasen, siç përmendet në Irvaul-Galil (3/398)
Këto tekste sheriatike argumentojnë se këto dhjetë ditë janë më të vlefshme se çdo ditë tjetër e vitit pa përjashtim, madje edhe më të vlefshme se dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Por netët e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit janë më të vlefshme se dhjetë netët e para të muajit Dhul-Hixhe për shkak të natës së Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj. (Shih Tefsirin e Ibën Kethirit 5/412)
Prandaj, myslimani duhet filluar këto dhjetë ditë me pendim të sinqertë tek All-llahu i Madhërishëm, si dhe duhet shpeshtuar veprat e mira në përgjithësi, por theks të veçantë duhet t’u kushtojë veprave që do t’i përmendim në vijim:
- Agjërimi
Sunnet është që myslimani të agjërojë ditën e nëntë të Dhul-Hixhes, duke e pasur parasysh se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka nxitur në vepra të mira në dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes, ndërsa siç e dimë, agjërimi është prej veprave më të vlefshme, të cilin All-llahu i Madhërishëm e ka zgjedhur për Veten e Tij, siç ka thënë në hadithin Kudsij: “Çdo vepër e birit të Ademit i përket atij përveç agjërimit. Agjërimi është i Imi dhe Unë për të shpërblej.” (Buhariu 1805)
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e agjëronte ditën e nëntë të Dhul-Hixhes. Nga Hunejde bin Halidi radijAll-llahu anhu na përcillet se gruaja e tij i ka dëgjuar disa prej grave të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lemduke thënë: “I Dërguari i All-llahut agjëronte ditën e nëntë të Dhul-Hixhes, ditën e ashurës si dhe tre ditë nga çdo muaj, të hënën e parë të muajit dhe dy të enjte.” (Nesaiu 4/205 dhe Ebu Davudi. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith sahih në Sahih Sunen Ebi Davud2/462)
- Shpeshtimi i tahmidit, tehlilit dhe tekbirit
Prej sunnetit është që gjatë dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes të shpeshtohet tahmidi, tehlili, tekbiri dhetesbihu dhe kjo të bëhet me zë nëpër xhami, shtëpi, rrugë dhe në çdo vend ku lejohet përmendja e All-llahut, duke pasur për qëllim shfaqjen e adhurimit dhe madhërimin e All-llahut të Madhërishëm.
Kjo vlen për burrat, ndërsa gratë këtë duhet bërë pa zë.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin All-llahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe për që i ka furnizuar me kafshë.” (El-Haxh, ajeti 28)
Ndërsa për sa i përket fjalëve “në ato ditë të caktuara”, shumica e dijetarëve janë të mendimit se me to është për qëllim dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes duke marrë si argument transmetimin nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma i cili thotë: “Ditët e caktuara janë dhjetë ditët e Dhul-Hixhes.”
Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka ditë më madhështore dhe më të dashura tek All-llahu për sa i përket veprave të mira në to, sesa dhjetë ditët e Dhul-Hixhes. Prandaj shpeshtoni në këto ditë tahlilin, tekbirin dhe tahmidin.”(Ahmedi 7/224, ndërsa Ahmed Shakiri thotë se senedi i hadithit është sahih)
Njëra prej formave të tekbirit është: All-llahu EkberAll-llahu Ekber, La ilahe Il-lAllah, vAll-llahu Ekberu ve Lil-lahil Hamd. Po ashtu ka edhe forma të tjera.
Tekbiri në kohët e sodit është vënë në harresë, e sidomos në fillim të muajit, kështu nuk e dëgjon atë përvese nga një pakicë njerëzish. Prandaj duhet bërë atë me zë, për të ringjallur këtë sunnet dhe për t’i vetëdijësuar të shkujdesurit. Transmetohet se Ibën Omeri radijAll-llahu anhu dhe Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu gjatë dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes dilnin në treg dhe bënin tekbirin me zë, ndërsa njerëzit iu bashkëngjitnin atyre në tekbir. Qëllimi i kësaj është që njerëzit të përkujtojnë tekbirin dhe çdonjëri ta bëjë atë mëvetësisht e jo njëzëri në mënyrë grupore, ngase nuk ka argument për një gjë të tillë.
Ringjallja e sunneteve të zhdukura apo që janë në zhdukje e sipër ka shpërblim të madh, siç thotë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kushdo që e ringjall një sunnet timin që ka vdekur pas meje, do ketë shpërblim sa shpërblimi i atyre që punojnë me të, pa iu pakësuar fare shpërblimi atyre.” (Tirmidhiu 7/443. Ky është hadith hasen për shkak të haditheve të tjera që janë transmetuar në këtë kuptim.)
- Kryerja e haxhit dhe Umres
Prej veprave më të vlefshme gjatë këtyre dhjetë ditëve është haxhi në Shtëpinë e Shenjtë të All-llahut. Kujt All-llahu i mundëson bërjen e Haxhit në formën e kërkuar, inshaAllah do të ketë hise në atë që thotë i dërguari i All-llahut: “Haxhi i bërë me të gjitha rregullat siç duhet, nuk ka shpërblim tjetër përveçse xhennetit.”
- Kurbani
Prej veprave të lavdëruara gjatë këtyre ditëve është edhe afrimi tek All-llahu i Madhërishëm me therje të kurbanit dhe shpenzimi në rrugë të All-llahut.
Prandaj, të nxitojmë në shfrytëzimin e këtyre ditëve të vlefshme para se i shkujdesuri të pendohet për veprimin e tij dhe të kërkojë kthim mbrapa, por kjo kërkesë nuk i plotësohet dot.
Shejh Muhammed Salih EL-MUNEXHXHID
Përktheu: Fahrudin REXHEPI