Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, jo vetëm që na porositi ta përmendim Allahun, mirëpo ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na nxiti që ta shpeshtojmë përmendjen e Allahut të Lartëmadhëruar për shkak të shpërblimit të madh që ka kjo vepër.
Musliman i mençur është ai i cili e përmendë Allahun në çdo gjendje, duke qenë në këmbë, ulur dhe shtrirë, duke qenë në përputhmëri me fjalët e Allahut të Lartëmadhëruar ku thotë:
“Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë”[1].
Ka thënë Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë: “Nuk është robi nga ata të cilët e përmendin Allahun shpesh, përderisa nuk e përmendin Allahun duke qenë në këmbë, ulur dhe shtrirë”[2].
Kur njërit nga beduinët iu bënë shumë ligjet e Islamit, ai e pyeti Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, për ndonjë vepër që të kapet pas saj, kurse Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i tha që ta shton përmendjen e Allahut. Transmeton Abdullah ibn Busri, Allahu qoftë i kënaqur me të:
“Një njeri shkoi tek Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, ligjet e Islamit më janë bërë shumë, ndaj më trego ndonjë çështje përmbledhëse, që të kapemi pas saj!” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “Le të jetë gjuha jote gjithnjë e lagur nga përmendja e Allahut të Madhërishëm”[3].
Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na tregon se kush nuk mund të falë namaz nate ose tregohet koprrac në dhënien e sadakasë, ose frikësohet që të dalë në rrugë të Allahut e t’i luftojë armiqtë, le ta shpeshtojë përmendjen e Allahut në këmbim të këtyre punëve madhështore. Argument për këtë e kemi hadithin të cilin e transmeton Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:
“Kush prej jush nuk mund të falë namaz nate ose tregohet koprrac që të jep nga pasuria e tij, ose frikësohet që ta luftojë armikun, le ta shpeshtojë përmendjen e Allahut.”[4]
Ai i cili e shfleton Librin e Allahut (Kur’anin) e gjen se shumica e ajeteve të cilat të urdhërojnë për përmendjen e Allahut, janë se ato kanë kërkuar që Allahu të përmendet shpesh. Kanë ardhur nëntë ajete, ku shtatë prej tyre janë medinase[5] të cilat urdhërojnë në shtimin e përmendjes së Allahut:
- Thotë Allahu në Kur’an:
Ai (Zekirija) tha: “Zoti im! Më jep mua një shenjë (që ta kujtoj).” Allahu i tha: “Shenja për ty do të jetë se ti nuk do tu flasësh njerëzve për tri ditë përveçse me shenja dhe përmende Zotin tënd (sa më shumë me lavdërime) dhe madhëroje Atë mbrëmje e mëngjes.”[6]
Shiko me vëmendje sesi Allahu i Lartëmadhëruar e ndaloi Zekerijan, paqja qoftë mbi të, nga të folurit përveç përmendjes së Allahut të Lartëmadhëruar. Për këtë ka thënë Muhamed ibn Ka’ab el-Kurdhi, Allahu e mëshiroftë: “Nëse do t’iu ishte lejuar dikujt lënja e përmendjes së Allahut, atëherë ajo do t’iu lejohej Zekerijasë, paqja qoftë mbi të, sepse Allahu i tha atij: “Shenja për ty do të jetë se ti nuk do t’u flasësh njerëzve për tri ditë përveçse me shenja dhe përmende Zotin tënd (sa më shumë me lavdërime) dhe madhëroje Atë mbrëmje e mëngjes.”, apo sikur t’iu ishte lejuar dikujt tjetër lënja e përmendjes së Allahut, atëherë ajo do t’iu ishte lejuar atyre që luftojnë në rrugë të Allahut, mirëpo Allahu u thotë atyre: “O ju që keni besuar! Kur takoheni me forcat (armike), qëndroni fort përballë tyre dhe përmendeni shumë Allahun (me gojë e me zemër) që të jeni me të vërtetë të fituar”[7].
- Thotë Allahu në Kur’an:
“O ju që keni besuar! Kur takoheni me forcat (armike), qëndroni fort përballë tyre dhe përmendeni shumë Allahun (me gojë e me zemër) që të jeni me të vërtetë të fituar”[8].
- Allahu na tregon në Kur’an se Musa, paqja qoftë mbi të, i tha Atij:
Që ne të të lavdërojmë Ty shumë dhe të të përmendim (përkujtojmë) Ty shumë[9].
- Thotë Allahu në Kur’an:
Atyre që janë përzënë nga shtëpitë e tyre padrejtësisht vetëm pse këta thoshin: “Zoti ynë është Allahu”. Dhe po të mos kishte qenë se Allahu provon një grup njerëzish me anë të një grupi tjetër, manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë në të cilat përmendet shumë Emri i Allahut, sigurisht që do të ishin rrafshuar për tokë dhe nuk ka dyshim se Allahu do të ndihmojë ata të cilët ndihmojnë (Çështjen e) Allahut. Vërtetë që Allahu është Fuqiplotë, i Gjithëfuqishëm.[10]
- Thotë Allahu në Kur’an:
Sa për poetët vjershëtorë, të gabuarit i ndjekin ata,
A nuk e sheh se ata flasin për çdo çështje (sa andej-këndej duke thurrur lavde të tjerëve – të drejtë a të prishur qofshin ata) në poezitë e tyre?
Dhe thonë çfarë nuk veprojnë.
Përveç atyre që besojnë (në Njësinë e Allahut, në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), dhe që punojnë mirësi e drejtësi, dhe që e përmendin Allahun shumë, dhe hakmerren dhe që u përgjigjen pasi u qe bërë padrejtësi [(në poezi) poezisë së padrejtë (të cilët paganët e thurrnin kundër muslimanëve)]. Dhe ata që bëjnë padrejtësi, do ta shohin se me çfarë përmbysje do të përmbysen.[11]
Shiko me vëmendje sesi Allahu i kritikoi poetët dhe veçoi nga ata besimtarët të cilët punojnë mirësi e drejtësi dhe që e përmendin Allahun shumë.
- Thotë Allahu në Kur’an:
Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun.[12]
Sikur ajeti po na thotë: Kush dëshiron që i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, të jetë për të shembulli më i lartë, le ta beson Botën Tjetër dhe le ta përmendë Allahun shumë.
- Thotë Allahu në Kur’an:
Me të vërtetë që muslimanët dhe muslimanet (që i nënshtrohet Vullnetit të Allahut në Islam), besimtarët dhe besimtaret (që besojnë dhe që janë në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), të bindurit dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtit dhe të drejtat (me fjalë e me vepra), durimtarët dhe durimtaret (në plotësimin e detyrave ndaj Allahut dhe në ndalimin nga çfarë ka urdhëruar Allahu), të nënshtruarit dhe të nënshtruarat (para Zotit të tyre, Allahut), sadakadhënësit dhe sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset (gjatë Ramazanit dhe agjërimi i lirë gjatë kohëve të tjera), ruajtësit e nderit dhe ruajtëset (që mbajnë veten të pastër e të pastra larg marrëdhënieve të paligjshme), shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut me zemër e me gojë, mu për këta Allahu ka përgaditur falje dhe shpërblim të madh (Xhenetin).[13]
- Thotë Allahu në Kur’an:
O ju që keni besuar! Përmendni Allahun sa më shpesh.[14]
- Thotë Allahu në Kur’an:
E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni Mirësitë e Allahut (me punë të ndryshme), por edhe përmendeni shpeshherë Allahun që të mund të jeni të fituar.[15]
[1] Ali Imran: 191.
[2] Tefsir el-Kur’an el-Adhim Li-Ibn Kethir (4\55)
[3] Transmeton Ahmedi; E saktësoi Albani.
[4] Transmeton Tabarani; E saktësoi Shejh Albani.
[5] Zbritja e Kur’anit ndahet në dy pjesë:
- Pjesa mekase është ajo që i ka zbritur Pejgamberit – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të – para hixhretit (shpërnguljes) në Medine.
- Pjesa medinase është ajo që i ka zbritur Pejgamberit – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të – pas hixhretit (shpërnguljes) në Medine.
[6] Ali Imran: 41.
[7] El-Enfal: 45.
[8] El-Enfal: 45.
[9] Ta-Ha: 33,34.
[10] Haxh: 40.
[11] Esh-Shuara: 224 – 227.
[12] El-Ahzab: 21.
[13] El-Ahzab: 35.
[14] El-Ahzab: 41.
[15] El-Xhumuah: 10.
Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti
(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)
www.thirrjaislame.com