Një grup bretkosash duke kërcyer me plot kënaqësi nga një dru në drurin tjetër, po shkonin në punën e tyre. Kur, dy prej tyre ranë në një gropë të thellë! Të gjithë bretkosat tjera u afruan rreth gropës për të parë se çfarë duhet të bënin për t’i ndihmuar shoqet e tyre. Kur e panë se sa e thellë ishte gropa, ato u tronditën dhe u pajtuan me faktin se ishte e pamundur që t’ia dilnin kësaj pune. Kështu, ato u thanë dy bretkosave në gropë që të përgatiteshin për çastin e fundit, sepse vërtet kishin qenë shumë afër vdekjes.
Duke mos dashur që ta pranojnë fatin e tyre, dy bretkosat filluan të kërcejnë me gjithë fuqinë që kishin. Disa nga mikeshat që gjendeshin jashtë gropës bërtisnin duke thënë se ishte e pamundur të dilnin që atje dhe se nuk do të ishin në gjendje të atillë, në qoftë se do të kishin qenë më të kujdesshme, më të përgjegjshme dhe më të dëgjueshme ndaj rregullave të bretkosave.
Derisa bretkosat tjera vazhdonin me pikëllim të brohoritnin se duhej ta ruanin energjinë dhe të dorëzoheshin derisa të vdisnin, dy bretkosat e rëna në gropë vazhdonin të kërcenin aq fuqishëm sa mundeshin dhe pas disa orëve përpjekje të dështuara, ato u ndjenë mjaft të lodhura.
Përfundimisht, një nga bretkosat u pajtua me thirrjen e shoqeve të saj që qenë jashtë gropës. E rraskapitur dhe e dëshpëruar, qetë iu dorëzua fatit të saj: u shtri në dysheme të gropës dhe vdiq ashtu siç të tjerat e shikonin në gjendjen e saj të mjeruar e të paaftë.
Bretkosa tjetër vazhdoi të kërcejë me tërë energjinë që e posedonte, edhe pse trupi i saj ishte i shkatërruar dhe ishte plotësisht e rraskapitur nga dhimbjet.
Shoqet e saj filluan përsëri të bërtitnin drejt saj, në mënyrë që t’i dorëzohet fatit të saj, t’i ndalë dhimbjet dhe të vdesë e qetë. Mirëpo, bretkosa e këputur kërceu fort e më fort – çudi mbi çudi! Më në fund kërceu aq lart, sa që u hodh jashtë gropës. Të mahnitura, bretkosat tjera e festuan lirinë e saj të mrekullueshme dhe të grumbulluara përreth e pyetën: “Përse vazhdove me të kërcyerit kur ne të thamë se ishte e pamundur të dalësh që atje?” Duke i lexuar buzët e tyre se ç’po flitnin, bretkosa e befasuar u shpjegoi se kishte qenë e shurdhër dhe se kur i shihte gjestet dhe britmat e tyre, ajo kishte menduar se ato janë duke e nxitur dhe duke e përkrahur që të kërcejë. Atë që ajo e kishte perceptuar si inkurajim, e kishte inspiruar që të përpiqet fuqishëm dhe t’ia dalë me sukses ndaj të gjitha pengesave dhe vështirësive.
Pra, ky tregim i thjeshtë përmban në vete një mesazh shumë të fuqishëm. Fjalët e tua inkurajuese mund ta ngrenë dikë në këmbë. Kurse fjalët destruktive mund të shkaktojnë plagë të thella; ato mund të jenë arma që mund t’i shkatërrojë dëshirat e dikujt për ta vazhduar jetën dhe përpjekjet gjatë saj. Fjalët e tua destruktive e të pakujdesshme mund ta nënvlerësojnë dikë në sytë e të tjerëve, mund ta shkatërrojnë ndikimin e tij dhe ta ulin nivelin e përgjegjësisë së të tjerëve në bashkëveprim me të. Prandaj, “Flit mirë ose hesht!”
Përktheu nga anglishtja: Thirrja Islame