Transplantimi i pjesëve të trupit, pjesa -II-
Falënderimi dhe Lavdërimi i takon Allahut, paqja dhe shpëtimi i Tij qofshin për të Dërguarin e Tij, familjen e tij, shokët dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij.
Si plotësim i pjesës së parë në këtë çështje, vlen të ceken disa dispozita shtesë që kanë të bëjnë me transplantimin, prej tyre:
1- Transplantimi i organeve nga i vdekuri tek i gjalli. Sa i përket personit të vdekur fillimisht duhet ditur se kemi të bëjmë me dy raste:
- a) I sëmuri i cili është goditur me vdekje të trurit, e cila është: ndërprerja e përhershme e funksionit të trurit të njeriut, pa kthim mbrapa. Po ashtu i godituri me vdekje klinike. Ky rast, dispozita e tij sipas sheriatit është sikurse personi i gjallë, andaj gjykimi për të është sikurse te personi i gjallë, gjë që është sqaruar në pjesën e parë.
- b) I vdekuri tek i cili është vërtetuar dalja e shpirtit dhe mbarimi i jetës së tij në mënyrë të sigurt. Gjykimi: Transplantimi nga i vdekuri, ka të njëjtin gjykim sikurse tek i gjalli. Pra, të dy mendimet e cekura në pjesën e parë të kësaj teme ekzistojnë edhe këtu. Duke shtuar se tek i vdekuri sipas mendimit që e lejon një gjë të tillë, lejohet edhe transplantimi i pjesëve që shkaktojnë vdekje, apo paaftësi të ndonjë organi vital të tij, si: zemra, mëlçia, truri, etj. sepse tashmë personi është i vdekur. Gjithnjë duke iu përmbajtur kushteve të lartpërmendura, duhet shtuar këtu: Marrja leje paraprake nga vet personi sa ishte gjallë, ose me pëlqimin e familjes së tij pas vdekjes, pra nuk lejohet vetëm së me lejen e tyre. Këshilli Ndërkombëtar i Fikhut Islam, pas shqyrtimit të studimeve fikhore dhe mjekësore të bëra në këtë drejtim, në mbledhjen e tyre te mbajtur në Xhiddeh me 1408 h, ka vendosur se: lejohet transplantimi i organeve, qoftë nga i gjalli, apo nga i vdekuri, sipas kushteve të lartcekura.
2- Transplantimi nga kafsha te njeriu. Së pari, duhet ditur se kafshët sipas legjislacionit islam janë dy lloje:
- a) Të pastërta: janë ato kafshë që lejohet ngrënia e mishit të tyre.
Gjykimi: Lejohet transplantimi i organeve të këtyre kafshëve tek njeriu, me kusht që të therret së pari sipas rregullave të sheriatit. Nëse nuk therret, atëherë nuk lejohet përveç në rast domosdoshmërie.
- b) Të ndyta: janë ato kafshë që nuk lejohet ngrënia e mishit të tyre.
Gjykimi: Nuk lejohet transplantimi nga këto kafshë, përveç në raste shume te domosdoshme, si: frika nga shkatërrimi, apo humbja e ndonjë pjese trupore, atëherë në këtë rast lejohet.
3- Transplantimi i fabrikuar. Këtu hyjnë: organet e fabrikuara nga materialet e ndryshme plastike, qelqi, etj.
Gjykimi: Lejohet. Për rastet e lartcekura shih vendimin e Këshillit Ndërkombetar të Fikhut, të mbajtur në Indi, me 1410 h. Shih po ashtu librin: Fikhu newazil te dr. Muhamed Xhejzani, vëll. 4.
4- Transplantimi nga embrioni apo foshnja e abortuar, te njeriu.
Gjykimi: Ka dy mendime lidhur me këtë çështje: I pari: Nuk lejohet. I dyti: Lejohet nëse është qëllimi për të shpëtuar një jetë. Me kusht që mos të abortohet qëllimisht mirëpo të jetë abortim natyral, apo me arsye sheriatike. Allahu e di më së miri.
Këshillë: Çdokush që detyrohet ta marrë një hap të tillë drejt transplantimit, e këshillojmë që para së gjithash të konsultohet me dy persona:
I pari: Mjeku specialist i besueshëm, ashtuqë ta orientojë në opsionet e mundshme dhe efikase.
I dyti: Hoxhë i besueshëm që ka njohuri rreth gjykimit të kësaj çështje, ashtuqë ta orientojë në atë që është e lejuar dhe ta largojë nga ajo që është e ndaluar. Lus Allahun t’i shërojë të sëmurët e muslimanëve dhe t’u japë begati dhe mirëqenie. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Përgatiti: Agron Krasniqi