Të turpëruarit nga All-llahu i Madhërishëm

Si të mos turpërohet robi nga All-llahu kur e di se All-llahu e sheh dhe e ka nën mbikëqyrje në të gjitha situatat.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Turpërohuni nga All-llahu ashtu siç Ai meriton! Kush turpërohet nga All-llahu ashtu siç Ai meriton, le ta ruajë kokën dhe atë që është në të (mendjen), barkun dhe atë që mban në të, le të përkujtojë vdekjen dhe sprovën. Ai i cili dëshiron ahiretin, braktis zbukurimet e kësaj bote, e ai i cili i bën këto, është turpëruar nga All-llahu ashtu siç meriton Ai.”[1]

Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Atë që nuk dëshiron të tjerët ta shohin prej teje, mos e bëj edhe kur je vetëm.”[2]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e porositi njërin nga sahabët duke i thënë: “Të porosis të turpërohesh prej All-llahut të Madhërishëm ashtu siç turpërohesh prej ndonjë njeriu të mirë nga populli yt.”[3]

Na përcillet se një njeri shkoi tek Ibrahim ibën Ed’hemi dhe i tha: O Ebu Is’hak… Unë i bëj zullum vetes sime (duke bërë mëkate), andaj më këshillo si të largohem nga mëkatet.

Ibrahim ibën Ed’hemi i tha: Do të t’i tregoj pesë parime, të cilave nëse u përmbahesh, nuk do të jesh më mëkatar.

Njeriu: M’i trego ato parime, o Ebu Is’hak!

Ibrahimi i tha: E para: Nëse dëshiron t’i bësh mëkat All-llahut, atëherë mos ha asgjë nga rizku (furnizimi) i Tij!

E nga të ha – pyeti njeriu me habi -, kur i gjithë rizku është prej All-llahut?!

Atëherë Ibrahimi tha: Atëherë a të ka hije të hash rizkun e Tij dhe në anën tjetër t’i bësh mëkat?!

Njeriu tha: Jo! Hajde tani ma trego të dytën!

Ibrahimi tha: Nëse dëshiron t’i bësh mëkat All-llahut, atëherë mos bano në asnjë vend të Tij!

Njeriu tha: Kjo është akoma më e rëndë se e para, o Ibrahim. Pasi lindja dhe perëndimi janë të Tij. Ku të jetoj unë?!

Atëherë Ibrahimi tha: O ti njeri, atëherë a të ka hije të jetosh në vendin e Tij dhe në anën tjetër t’i bësh mëkat?!

Njeriu tha: Jo! Hajde tani ma thuaj të tretën!

Ibrahimi tha: Kur të shprehësh dëshirë t’i bësh mëkat All-llahut, gjeje ndonjë vend ku All-llahu nuk të sheh dhe bëje mëkatin atje!

Njeriu tha: Ç’është kjo, o Ibrahim?! Si po kërkon një gjë të tillë kur Ai i sheh të gjitha fshehtësitë, e di atë që njeriu ka në brendinë e tij dhe asgjë nuk mund t’i shpëtojë diturisë së Tij?!

Atëherë Ibrahimi tha: O ti njeri, atëherë a të ka hije ta hash rizkun e tij, të jetosh në tokën e Tij dhe t’i bësh mëkat, ndërsa Ai të sheh dhe e di çfarë ke në vete?!

Njeriu tha: Jo! Hajde tani ma trego të katërtën!

Ibrahimi tha: Kur të vijë Meleku i Vdekjes të ta marrë shpirtin, thuaji: Më jep edhe pak kohë (jetë) deri në një afat të caktuar derisa të pendohem.

Njeriu tha: Këtë ai nuk e pranon prej meje…

Ibrahimi tha: Pasi nuk paske mundësi ta vonosh vdekjen që të pendohesh dhe e di se kur të vijë ai, nuk ka vonim, atëherë si e shpreson shpëtimin?!

Njeriu tha: Ashtu është. Hajde tani ma trego të pestën!

Ibrahimi tha: Kur të vijnë zebanijtë (melekët e ndëshkimit – xhehennemit) në ditën e kiametit për të të dërguar në xhehennem, mos shko me ta!

Njeriu tha: Ata nuk do ta pranojnë këtë prej meje.

Atëherë si e shpreson shpëtimin?! – tha Ibrahimi.

Atëherë njeriu tha:  Mjaft më, o Ibrahim, mjaft! Unë i kërkoj falje All-llahut dhe pendohem.

[1] Hasen: Shënon Tirmidhiu (2458). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (935) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[2] Hasen: shënon Ibën Hibbani në Sahihun e tij (2/129 nr. 403) dhe Dijai (4/178, nr. 1393). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1055) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[3] Shënojnë Taberaniu, Bejhekiu dhe Hasen ibën Sufjani. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2541) e ka klasifikuar si hadith sahih.

 

www,thirrjaislame.com