SI T’I KTHEHESH ALL-LLAHUT?

Me emrin e All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për vulën e pejgamberëve dhe të dërguarve, Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Nga Enes ibën Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se  pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Çdo bir i Ademit është shumë i gabueshëm. Por, më i miri prej të gabueshëmve është ai që pendohet.” (Shënojnë Imam Ahmedi, Tirmidhiu, Hakimi dhe Bejhekiu).

Të gjitha gabimet dhe mëkatet e robit janë të shënuara tek All-llahu i Madhërishëm dhe nuk ka mundësi që robi të shpëtojë prej tyre. Këtë e bazojmë në hadithin ku pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: Çdo biri të Ademit i është caktuar hisja në zina (amoralitet) dhe nuk ka mundësi t’i shpëtojë asaj (zinasë), kështu që sytë bëjnë zina e zinaja e tyre është shikimi, veshët bëjnë zina e zinaja e tyre është dëgjimi, duart bëjnë zina e zinaja e tyre është kapja (prekja), këmbët bëjnë zina e zinaja e tyre është ecja (deri te vendi i zinasë). Zemra shpreson dhe e dëshiron këtë, ndërsa organi gjenital e vërteton apo e demanton.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi). Por dijetarët thonë se robi nuk qortohet për bërjen e mëkateve edhe nëse janë të mëdha, aq sa qortohet për lënien apo vonesën e pendimit, ngase All-llahu i Madhërishëm është Mëkatfalës, i Mëshirshëm dhe i do ata që pendohen, i do ata që i pranojnë mëkatet dhe kthehen të penduar tek Ai. A nuk e keni lexuar fjalën e All-llahut të Madhërishëm: All-llahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.” (El-Bekare 222).

Dije, o rob i All-llahut, se ti je në luftë të vazhdueshme me shejtanin. Ky armik i përbetuar është vigjilues që në zemrën tënde të fusë pesimizmin dhe humbjen e shpresës nga mëshira e All-llahut të Madhërishëm, është vigjilues të të largojë nga pendimi dhe të vendosë pengesa para teje, duke të të thënë: Pendimi yt nuk është i sinqertë. Ti vetëm po e mashtron veten. Prandaj mos u pendo. Ose të thotë: Mos e lodh veten me pendime dhe istigfare të shumta, ngase ti së shpejti prapë do t’i kthehesh mëkatit. Kështu që, pendimi yt nuk është i sinqertë, mos e lodh veten kot dhe vazhdo të jesh ashtu siç ke qenë deri më tani. Po ashtu mund të të thotë: All-llahu nuk do të ta pranojë pendimin derisa kjo të jetë gjendja jote, ngase ti prapë do t’i kthehesh mëkatit, si dhe fjalë dhe vesvese të tjera të ngjashme, qëllimi i të cilave është pengesa dhe largimi i hyrjen në derën e pendimit.

Robi ka detyrim që të pranojë gabimin e tij dhe t’i kthehet All-llahut të Madhërishëm, madje edhe nëse e përsëritë mëkatin, ngase në këtë rast ai ka nevojë për një pendim tjetër të sinqertë. Kështu, ai është në luftë të vazhdueshme me shejtanin. Kryesorja është që ai të mos vazhdojë me gabimin dhe mëkatin, por të nxitojë në pendim.

All-llahu i Madhërishëm i ka lavdëruar disa prej pejgamberëve të Tij për arsye se ata i ktheheshin All-llahut shpejt, pa ngurrim. All-llahu i Madhërishëm në lidhje me Davudin alejhis-selam ka thënë: “Ti duro ndaj asaj që thonë ata, dhe përkujto robin Tonë Davudin, të fuqishmin (në fé e trup), vërtet ai gjithnjë i drejtohej All-llahut.” (Sad 17). All-llahu i Madhërishëm lavdërimin për të e përsëritë edhe në një ajet tjetër ku thotë: “E merre me dorën tënde një deng thupra dhe bjeri me të, e mos e thyej betimin! Vërtet, Ne e gjetëm atë të durueshëm. Sa rob shumë i mirë ishte ai dhe i kthyer te Zoti.” (Sad 44).

All-llahu i Madhërishëm po ashtu e ka lavdëruar edhe pejgamberin e Tij, Sulejmanin alejhis-selam, për shpejtësinë e kthimit të tij tek All-llahu i Madhërishëm, dhe ka thënë: “Ne Davudit i falëm Sulejmanin, rob shumë i mirë dhe shumë i kthyer nga Zoti.” (Sad 30). I kthyer nga Zoti, d.m.th. me pendim dhe istigfar.

Përderisa All-llahu i Madhërishëm këtë cilësi ua përshkruan në kur’an disa prej pejgamberëve të Tij, kjo njëkohësisht është thirrje për të gjithë që të përvetësojnë këtë cilësi madhështore.

Të kthehesh tek All-llahu i Madhërishëm është një virtyt madhështor, ndërsa të vazhdosh në mëkat është një rrezik i madh i cili përfundon me dënim të dhembshëm.

All-llahu i Madhërishëm nuk i do ata që vazhdojnë me ngulm në mëkate të vogla. Kjo, ngase mëkati i vogël me përsëritje, shndërrohet në mëkat të madh.  E të mos flasim për përsëritjen e mëkatit të madh!

Robërit që i kthehen All-llahut dallohen me disa cilësi të cilat duhet përvetësuar, nëse dëshirojnë të jenë të tillë. Prej atyre po përmendim shtatë cilësi:

E para: Saherë që robi të bëjë një mëkat, të madh apo të vogël, nuk duhet humbur shpresat por duhet penduar dhe kërkuar falje nga All-llahu, si dhe nuk duhet t’i dorëzohet vesveseve të shejtanit. Ne kemi shembullin më të mirë në hadithin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem transmeton fjalët e Zotit të tij në një hadith kudsij, i Cili thotë: Një rob kishte bërë një mëkat dhe kishte thënë: “O All-llah, më fal mua.” All-llahu i Madhërishëm kishte thënë: “Robi im bëri një mëkat, dhe e di që ai ka Një Zot i cili i falë mëkatet dhe e ndihmon atë?” Pas një kohe, ky robi prapë kishte bërë një tjetër mëkat dhe kishte thënë: “O Zoti im, më fal mua.” All-llahu i Madhërishëm kishte thënë: “Robi im bëri një mëkat, dhe e di që ai ka Një Zot i cili i falë mëkatet dhe e ndihmon atë?” Pas një kohe, ky robi prapë kishte bërë një tjetër mëkat dhe kishte thënë: “O Zoti im, më fal mua.” All-llahu i Madhërishëm kishte thënë: “Robi im bëri një mëkat, dhe e di që ai ka Një Zot i cili i falë mëkatet dhe e ndihmon atë? O robi im, bëj ç’të duash. Ta kam dhuruar faljen.” Abdul-A’la thotë: Nuk e di a herën e tretë apo të katërtën tha: “Bëj ç’të duash.” (Shënon Muslimi, 2112).

E dyta: Nëse bën një mëkat në vetmi, nxito shpejt në pendim dhe mos ia shfaq mëkatin askujt. Muxhahidi, All-llahu e mëshiroftë thotë: “I kthyeri te Zoti me pendim të shpejtë është njeriu i cili e bën mëkatin në vetmi, e pastaj pendohet për atë mëkat në vetmi.”

E treta: Saherë të të kujtohet mëkati yt, kërko falje për të nga All-llahu i Madhërishëm. Junus ibën Habbabi, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Njëherë Muxhahidi më tha: A t’ju tregoj kush është ai që i kthehet All-llahut? I thashë: Po, si jo. Atëherë më tha: Ai është njeriu i cili kur e kujton mëkatin në vetmi, kërkon falje tek All-llahu për atë mëkat.” (Shkëputur nga libri Ez-Zuhd, fq. 378. Autor: Ahmed ibën Hanbel).

E katërta: Para se të largohesh nga ndeja, mos harro të thuash duanë për keffaretin e ndejës, dhe kështu do të jesh i kthyer tek All-llahu i Madhërishëm. Sufjan Eth-Theuriu, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “I kthyer tek All-llahu është ai njeri që nuk e lëshon ndejën derisa të kërkojë falje nga All-llahu dhe të pendohet.”

Nga Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Keffareti i mexhlisit është që robi të thotë: Subhaneke All-llahumme ve bi hamdike, Eshhedu en la ilahe il-la Ente; estagfiruke ve etubu ilejke.”, që do të thotë: “I Lartësuar je ti, o All-llahu im, Ty të përket falënderimi. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Teje, kërkoj falje prej Teje dhe te Ti pendohem.” (Shënon Taberaniu, 10333).

Ndërsa për sa i përket shpërblimit të kësaj lutjeje, nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Ai që ulet në ndonjë mexhlis dhe bën shumë gabime, dhe para se të çohet nga ai mexhlis thotë: ‘Subhanekellahumme ve bihamdike, eshhedu en la ilahe il-la ente, estegfiruke ve etubu ilejke’, atij i falen gabimet e bëra gjatë atij mexhlisi.” (Shënon Tirmidhiu, 25418).

Pra, përmbaju kësaj lutjeje, o rob i All-llahut, dhe thuaje me zë, që bashkëbiseduesit e tu të marrin shembull prej teje, dhe kështu të arrini të jeni prej të kthyerve tek All-llahu.

E pesta: Kur të kthehesh nga ndonjë udhëtim, shfaqe kthimin tënd tek All-llahu ashtu siç vepronte i dërguari i All-llahut. Nga Bera’ ibën Azibi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur kthehej nga udhëtimi, thoshte: Ajibune taibune abidune li Rabbina hamidune.”, që do të thotë:U kthyem me pendim dhe përkushtim, duke i bërë Zotit tonë falënderim.” (Shënojnë Buhariu (5986), Muslimi (1342) dhe Tirmidhiu (3440). Madje transmetohet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e përsëriste këtë lutje derisa hynte në Medinë. (Shënon Buhariu (3086).

E gjashta: Kujdesu të falësh namazin e Duhasë.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Namazin e Duhasë nuk e fal kush tjetër përveçse i kthyeri tek All-llahu, dhe ai është namazi i të kthyerve tek All-llahu.” (Shënon Hakimi 1182 dhe Taberaniu 3865). Po ashtu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Miku im i ngushtë më ka porositur me tri gjëra: Agjërim të tri ditëve nga çdo muaj, namazin e vitrit para se të fle dhe dy reqate të Duhasë, ngase ai është namazi i të kthyerve tek All-llahu.” (Shënon Ahmedi, 7596). Të njëjtën porosi pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ia ka dhënë edhe Ebu Derdasë radijAll-llahu anhu. (Shënon Muslimi, 722).

E shtata: Lute All-llahun e Madhërishëm të të bëjë prej të kthyerve tek All-llahu, ashtu siç pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem lutej me këtë lutje. “O Zot, më ndihmo e mos i ndihmo ndokujt kundër meje, më mundëso fitore e mos i mundëso ndokujt të më fitojë, bëj kurth për mua e jo kundra meje dhe më ndihmo kundër atij që më bën zullum. O Zot, më bëj falënderues Tëndin, përmendës Tëndin, që frikohet shumë prej Teje, i kërrusur para Teje, i mposhtur e i penduar te Ti. O Zot, pranoje pendimin tim, laje mëkatin tim, përgjigju lutjes sime, drejtoje gjuhën time, udhëzoje zemrën time dhe largoje prej gjoksit tim urrejtjen dhe zilinë.” (Shënon Tirmidhiu 3551).

Rob i kthyer tek All-llahu i Madhërishëm është ai që gabon dhe kërkon falje prej All-llahut, gabon sërish dhe kërkon falje, pastaj i kthehet gabimit dhe përsëri kërkon falje, dhe kështu ai është në luftë të vazhdueshme me nefsin e tij të dobët dhe me shejtanin.

Ai është një njeri që e ka kuptuar rrugën e drejtë dhe e pason atë, kështu që saherë që bën mëkat, nuk vazhdon me ngulm në të, por pendohet, kërkon falje dhe kështu vazhdon derisa sa të ndahet nga kjo jetë.

Kryesorja, o rob i All-llahut, është që të mos vazhdosh në mëkate. Kur je i vetëdijshëm se ke bërë mëkat, pendohu menjëherë tek All-llahu i Madhërishëm pa ngurrim. A nuk e di se All-llahu i Madhërishëm e ka bërë që meleku i anës së majtë, i cili i regjistron veprat e këqija, të mos e regjistrojë mëkatin e njeriut menjëherë por të presë me shpresë se mos pendohet apo kërkon falje? A ke parë mëshirë më të madhe se kjo?

Nga Ebu Umame radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Meleku i majtë e ngritë lapsin për gjashtë intervale kohore nga robi mëkatar. Nëse pendohet apo kërkon falje, nuk e regjistron. E nëse nuk pendohet, atëherë i shkruhet vetëm një mëkat.” (Shënon Taberaniu 7765).

Bëhu i kthyer tek All-llahu, o rob i All-llahut, që All-llahu të të dojë. Dije se prej shpejtimit të lavdëruar është nxitimi në pendim dhe kërkim faljeje. Prej cilësive të besimtarit të penduar është që saherë që të bëjë ndonjë mëkat dhe ta përsërisë atë, e ripërtërin pendimin e tij.

Nga Ebu Seid El-Ensariu radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Pishmanllëku është pendim. Ai që pendohet nga mëkati është i njëjtë me atë që nuk ka mëkat.” (Sahihul-Xhami’ 11749).

All-llahu i Madhërishëm i ka përgëzuar me xhennet ata që i kthehen All-llahut, ngase ata janë gjithnjë që i kthehen adhurimit të Tij dhe u ruhen ndalesave të Tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: Ndërsa besimtarëve të ruajtur xhenneti u afrohet krejt afër. Kjo është ajo që u premtohej për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë. Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer te Ai me zemër të sinqertë. (U thuhet) Hyni në të të shpëtuar, se kjo është dita e përjetshme.” (Kaf 31-34).

Nga Abdullah ibën Busri radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Lum për atë që në regjistrin e tij do të gjejë istigfare të shumta.” (Shënon Ibën Maxhe, 3818).

All-llahu i Madhërishëm na bëftë prej atyre që i dëgjojnë fjalët dhe e pasojnë më të mirën e tyre.

Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

 

Shkroi: Dr. Muhammed ibën Ibrahim EN-NEIM

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com