PYETJE: A do të hyjë Iblisi në zjarr? Si do të hyjë në zjarr duke qenë se ai vetë është i krijuar nga zjarri? A ka ndonjë argument që vërteton se si do të dënohet Iblisi?
PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.
E para:
Ajo që Iblisi do të hyjë në xhehennem përgjithmonë është gjë në të cilën nuk ka dyshim. All-llahu i Madhërishëm e ka përmendur destinacionin e tij të ahiretit në disa ajete. Prej tyre po përmendim:
- All-llahu i Madhërishëm thotë: “(All-llahu) Tha: “Cka të pengoi ty të bësh sexhde, kur Unë të urdhërova?” Ai (Iblisi) tha: “Unë jam më i vlefshëm se ai, më krijove mua nga zjarri, e atë e krijove nga balta!” (All-llahu) Tha: “Zbrit nga ai (xhenneti), nuk të takon të bësh kryelartësi në të, dil jashtë, s’ka dyshim ti je i poshtëruar”.(Iblisi) Tha: “Më afatizo gjer ditën kur ringjallen (njerëzit)!” (All-llahu) Tha: “Ti je i afatizuar!”(Iblisi) Tha: “Për shkak se më humbe mua, unë do t’u ulem atyre (do t’u zë pusi) në rrugën Tënde të drejtë, Mandej do t’ju sillem atyre para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh që të falënderohen (të besojnë)!”(All-llahu) Tha: “Dil nga ai (xhenneti), i urrejtur, i dëbuar. Kush prej tyre vjen pas teje, Unë kam për ta mbushur xhehennemin me të gjithë ju.” (El-E’raf 12-18).
Taberiu, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Ky është betim nga All-llahu i Madhërishëm se ata njerëz që e pasojnë dhe i binden armikut të All-llahut, Iblisit, me të gjithë ata do ta mbushë xhehennemin, d.m.th. me mosbesimtarët nga bijtë e Ademit alejhis-selam dhe me Iblisin dhe pasardhësit e tij. (Tesfirut-Taberij 8/139).
- All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ai tha: “O Iblis, ç’është ajo që ti të mos jeshë me ata që bënë sexhde?” Ai tha: “Nuk është për mua t’i bëjë sexhde një njeriu që e krijove nga balta e tharë, e zezë e me erë”. (All-llahu) tha: “Dil pra prej aty, ti qofsh i mallkuar!” Vërtet, mallkimi kundër teje qoftë deri në ditën e gjykimit”. (Iblisi) Tha: “Zoti im, më jep pra afat deri në ditën kur ata (njerëzit) të ringjallen!” (Zoti) Tha: “Ti je prej të afatizuarve, deri në kohën e ditës së caktuar”.(Iblisi) Tha: “Zoti im, për shkak se më përzure (më largove), unë do t’ua zbukuroj (të këqijat) atyre sa të jenë në tokë (në këtë botë) dhe të gjithë ata do t’i largoj nga rruga e drejtë!” Përveç robërve të Tu, të cilët i ke bërë të sinqertë.(Madhëria e Tij) Tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë (e qartë)”. Se ti ndaj robërve të Mi (të sinqertë) nuk ke kurrfarë force (as fizike as mendore), përveç atyre të humburve që vijnë pas teje. E s’ka dyshim se xhehennemi është vendpremtimi i të gjithë atyre. Ai (xhehennemi) i ka shtatë dyer, çdonjëri prej tyre ka shtegun (derën) e caktuar (nëpër të cilën do të hyjë).” (El-Hixhr 32-44).
Shenkiti, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Në çdo ajet ku përmendet devijimi që Iblisi ua bën bijve të Ademit alejhis-selam është e qartë se Iblisi dhe të gjithë ata që e pasojnë atë do të jenë në xhehennem, siç thotë në ajetet e mësipërme: “E s’ka dyshim se xhehennemi është vendpremtimi i të gjithë atyre.” (Edvaul-Bejan 3/131).
- All-llahu i Madhërishëm thotë: “(Zoti) Tha: “Pasha të vërtetën, e Unë e flas vetëm të vërtetën: Unë do ta mbush xhehennemin me ty dhe me të gjithë ata që vijnë pas teje!”(Sad 84-85).
- All-llahu i Madhërishëm i përmendë edhe fjalët e xhinnëve të cilët kanë thënë: “Është e vërtetë se prej nesh ka besimtarë (muslimanë) dhe prej nesh ka që janë jashtë rrugës (jobesimtarë), e kush e pranoi islamin, të tillët mësynë rrugën e shpëtimit. Ndërsa, ata që lëshuan rrugën, ata u bënë lëndë e xhehennemit!”(El-Xhinn 14-15).
E dyta:
Për sa i përket asaj se si do të dënohet Iblisi me zjarr duke qenë se është i krijuar nga zjarri, do të përgjigjemi në vijim:
Të qenit e xhinnëve të krijuar nga zjarri, nuk nënkupton domosdoshmërisht se ata edhe tani janë zjarr, ashtu siç njerëzit janë të krijuar nga dheu (balta), por tani nuk janë baltë.
Ebul-Vefa’ ibën Akili thotë: “Lidhja e shejtanëve me zjarrin është identike sikur lidhja e njerëzve me dheun dhe baltën e terur (pjekur), që do të thotë se esenca e krijimit të njeriut ka qenë nga dheu apo balta, por ai në realitet nuk është baltë. E njëjta vlen edhe për xhinnët, esenca e krijimit të të cilëve ka qenë nga zjarri, por në realitet ata nuk janë zjarr.” (Lektul-Merxhan Fi Ehkamil-Xhann, fq. 33, dhe Alemul-Xhinni Vesh-Shejatin, fq. 58).
Duke e pasur parasysh që njeriu u krijua nga dheu apo balta dhe një sasi e vogël e tyre mund t’i dëmtojë, e nëse varrosen në të, vdesin dhe nëse goditen me të (baltën e pjekur), lëndohen ose vdesin, atëherë nuk është e çuditshme që xhinnët të dënohen me zjarrin e xhehennemit, edhepse janë krijuar prej zjarrit.
Pra, All-llahu i Madhërishëm i krijoi xhinnët nga zjarri, por ata tani nuk janë zjarr. Argumentet për këtë gjë janë të shumta. Prej tyre po përmendim:
- Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem njëherë derisa po falej, i erdhi Shejtani, ndërsa pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e kapi, e shtriu përtokë dhe e kapi për fyti, saqë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në lidhje me këtë rast thotë: “E vërejta gjuhën e ftohtë të tij në dorën time. Sikur të mos ishte lutja e vëllait tim, Sulejmanit alejhis-selam, do ta lidhja që ta shohin njerëzit.” (Shënon Nesaiu në Es-Sunenul-Kubra 6/442, dhe Ibën Hibbani 6/115).
- Nga Ebu Derda radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut derisa po falej, e dëgjuam duke thënë:“Kërkoj mbrojtjen eAll-llahut prej teje.” Pastaj tha:“Të mallkoj me mallkimin e All-llahut.” Këtë e përsëriti tri herë, dhe e zgjati dorën sikur të kapë diçka. Pasi e kreu namazin, i thamë: O i dërguari i All-llahut, të dëgjuam duke thënë në namaz diçka, që nuk e kemi dëgjuar prej teje më parë, dhe të pamë duke e zgjatur dorën!” I dërguari i All-llahut tha: ”Armiku i All-llahut, Iblisi, erdhi me një gacë zjarri që të ma hedhë në fytyrë, dhe unë thashë tri herë:“Kërkoj mbrojtjen e All-llahut prej teje”, e pastaj thashë:“Të mallkoj me mallkimin e plotë të All-llahut”, e ai nuk u zbraps tri herë rresht. Pastaj desha ta kapi atë. Pasha All-llahun, sikur mos të kishte qenë lutja e vëllait tonë Sulejmanit, do ta lidhja dhe me të do të luanin fëmijët e Medinës.” (Shënon Muslimi 542).
- Nga Safijje bintu Hujejj radijAll-llahu anha na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shejtani shkon në çdo pjesë të trupit të njeriut sikur gjaku.” (Shënojnë Buhariu 1933 dhe Muslimi 2175).
Sikur shejtani të kishte qenë zjarr, njeriu do të digjej prej tij ngase shejtani është në brendinë e tij. Pra, duhet bërë dallimin mes të qenit e shejtanit zjarr dhe mes të qenit të shejtanit i krijuar nga zjarri.
Ta zëmë sikur shejtani të ishte zjarr tani, dhe All-llahu i Madhërishëm të dëshironte ta dënojë me zjarrin e xhehennemit, All-llahu i Madhërishëm ka fuqi për çdo send, dhe nuk ka send që mund ta pengojë.
All-llahu e di më së miri.
Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI
www.thirrjaislame.com