Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Me të vërtetë përmendja e Allahut të Lartëmadhëruar është rruga më e lehtë për ngritjen e gradëve dhe afrimin tek Allahu i Lartëmadhëruar, gjithashtu është nga adhurimet më të lehta, mirëpo nuk e shfrytëzon këtë përveçse një numër i vogël i njerëzve. Ajo është më e mirë tek Allahu se sa shpenzimi i arit dhe argjendit në rrugë të Allahut, gjithashtu është më e mirë se lufta në rrugë të Allahut. Transmeton Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:
“A t’iu tregoj për punët më të mira dhe më të pastërta tek Sunduesi juaj, që i lartësojnë më së shumti gradët dhe janë më të mira për ju se shpenzimi i arit e argjendit (për të fituar kënaqësinë e Allahut) dhe janë më e mirë për ju se ta takoni armikun dhe t’ua hiqni kokat atyre apo t’jua heqin kokat juve?” I thanë: “Po.” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) u tha: “Përmendja e Allahut të Lartëmadhëruar!” Ka thënë Muadh ibn Xhebel, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Nuk di diçka që shpëton nga dënimi i Allahut sikur përmendja e Allahut”[1].
Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, kur ka folur se si mund të jetë ‘dhikri’ (përmendja e Allahut) më e mirë se ‘xhihadi’ (lufta në rrugë të Allahut) ka thënë: “Përmendja e Allahut në hadithin e Ebu Derdas ka për qëllim dhikrin e plotë, e që nënkupton bashkimin e dhikrit të gjuhës dhe të zemrës, duke e medituar kuptimin e dhikrit dhe duke e ndier në shpirt madhështinë e Allahut. Ai që vepron kështu, është më i mirë se ai që lufton në rrugë të Allahut, mirëpo nuk e përmendë Allahun në këtë mënyrë.”[2]
Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, në komentimin e hadithit e Ebu Derdas kur ka treguar se ‘dhikri’ (përmendja e Allahut) është më e mirë se ‘xhihadi’ (lufta në rrugë të Allahut), ai këtë e bërë duke e ndarë në tri kategori:
Kategoria e parë: ‘dhikri’ (përmendja e Allahut) dhe ‘xhihadi’ (lufta në rrugë të Allahut) së bashku. Thotë Allahu në Kur’an: “O ju që keni besuar! Kur takoheni me forcat (armike), qëndroni fort përballë tyre dhe përmendeni shumë Allahun (me gojë e me zemër) që të jeni me të vërtetë të fituar.”[3]
Kategoria e dytë: ‘dhikri’ (përmendja e Allahut).
Kategoria e tretë: ‘xhihadi’ (lufta në rrugë të Allahut).
Pra, ‘dhikri’ (përmendja e Allahut) është më i mirë se ‘xhihadi’ (lufta në rrugë të Allahut) sepse xhihadi bëhet me qëllim që të përmendet Allahu dhe të adhurohet vetëm Ai, Një dhe i Vetëm.”[4]
Prej shkaqeve të ndalimit të pijeve dehëse (alkoolit) është se pijet dehëse (alkooli) e ndalojnë njeriun nga përmendja e Allahut. Thotë Allahu në Kur’an:
Shejtani do vetëm të nxitë armiqësi e urrejtje mes jush me anë të pijeve dehëse (alkoolike e të tjera marramendëse) e bixhozit dhe t’iu ndalojë ju nga përmendja e Allahut dhe nga namazi. Kështu, a nuk do të hiqni dorë, pra?[5]
Ai i cili e përmendë Zotin e tij është njeri i gjallë, nga i cili shpresohet që të ketë dobi në këtë jetë, kurse ai i cili nuk e përmendë Zotin e tij është sikurse të jetë i vdekur dhe nga ai nuk shpresohet që të ketë dobi. Transmeton Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:
“Shembulli i atij i cili e përmendë Zotin e tij dhe i atij i cili nuk e përmendë Zotin e tij është si shembulli i të gjallit me të vdekurin”[6].
Ata të cilët e përmendin Allahun janë të nderuar me prezencën e melaqeve të cilët i rrethojnë me krahët e tyre. Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:
“Allahu ka caktuar melaqe që shëtisin nëpër rrugë duke kërkuar ata që përmendin Allahun. Dhe nëse gjejnë ndonjë vend ku përmendet Allahun ulen me ata dhe i rrethojnë të pranishmit me krahët e tyre dersia e mbulojnë çfarë ka mes tyre dhe qiellit të dunjasë. Kur njerëzit shpërndahen atëherë ngriten dhe hipin nëpër shkallët e qiellit. Pastaj Allahu i pyet melaqet, ndërkohë Ai e di më mirë: “Prej nga po vini?” Ata thonë: “Vijmë nga disa robërit e Tu në tokë të cilët të lartësojnë, të madhërojnë, të njëhsojnë, të falenderojnë dhe të luten Ty.” Thotë: “Çfarë kërkojnë ata nga Unë?” Thonë: “E kërkojnë Xhenetin Tënd!” I pyet Allahu: “A e kanë parë ata Xhenetin?” I thonë: “Jo o Zot!” U Thotë: “Po si do të ishte sikur ata ta shihnin Xhenetin Tim?” Thonë: “O Zot ata gjithashtu kërkojnë t’i mbrosh.” Thotë: “Prej çfarë kërkojnë mbrojtje?” Thonë: “Nga zjarri Yt!” U Thotë: “A e kanë parë zjarrin Tim?” Thonë: “Jo!” Thotë: “Si do të ishte sikur ta kishin parë zjarrin Tim?” Thonë: “Ata poashtu kërkojnë që t’i falësh.” Thotë: “Ua falë atyre, iu jap atyre çfarë kërkojnë, i mbroj ata nga ajo e cila kërkojnë mbrojtje.” Pastaj melaqet thonë: “O Zot me ta është filani mëkatarë, ka kaluar atje rastësisht në tubimin e tyre dhe është ulur me ta.” Thotë Allahu: “Edhe atij ia kam fal mëkatet. Ata janë popull nga të cilët nuk është fatëzi ai i cili ulet me ta”[7].
Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e shpeshtonte dhikrin dhe i linte fjalët e kota. Abdullah ibn Ebu Eufa, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton:
“I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e shpeshtonte përmendjen e Allahut, e linte fjalën e kotë…” [8].
Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti
(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)
www.thirrjaislame.com
[1] Transmeton Tirmidhiu; E saktësoi Shejh Albani.
[2] Fet’h el-Barij: 11/210
[3] El-Enfal:45.
[4] Aun el-Mabud Sherh Sunen Ebi Davud Ve Mahu Hashijeh Ibn Kajim Tehdhib Sunen Ebi Davud: 7/126.
[5] El-Maideh: 91.
[6] Transmeton Buhariu.
[7] Transmeton Muslimi.
[8] Transmeton Nesaiu; E saktësoi Shejh Albani.