- Tubimi rreth ushqimit
Kjo është një gjë që sjell bereqetin, e shton dashurinë dhe e i forcon lidhjet vëllazërore. Me një rast, kur sahabët u ankuan te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem duke i thënë se ushqimi nuk u mjafton, ai u tha: “Mblidhuni bashkë rreth ushqimit tuaj dhe përmendeni All-llahun (thuani bismil-lah) para se të filloni, do t’ju jepet bereqet në të.”[1]
- Larja e duarve para ushqimit
Para ushqimit, preferohet larja e duarve, e sidomos nëse janë ndyrë me diçka. Një grup i selefëve e kanë praktikuar këtë gjë.
- Pritja derisa ushqimi i nxehtë të ftohet
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në lidhje me këtë ka thënë: “Kjo (pritja deri në ftohje) është më e bereqetshme.”[2], d.m.th. pasi t’i ikë nxehtësia dhe avulli. Ushqimi shumë i nxehtë e dëmton njeriun, ashtu siç e dëmton edhe ushqimi shumë i ftohtë.
- Mospërbuzja e ushqimit
Përbuzja e ushqimit, qoftë kur njeriu është mysafir apo është në shtëpinë e tij, është përbuzje e begatisë së All-llahut të Madhërishëm… Njeriu duhet kujtuar se ka shumë njerëz në botë që nuk kanë aspak ushqim. Kush e përbuz begatinë e All-llahut, është meritor që ajo begati t’i merret.
- Mosnënçmimi i ushqimit
Ky veprim është në kundërshtim me sunnetin, është përbuzje e ushqimit dhe e futë në siklet dhe ia prish qejfin pronarit të atij ushqimi… Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kurrë nuk e ka nënçmuar ushqimin. Nëse i pëlqente, e hante, e nëse nuk i pëlqente, e linte.”[3]
- Përmendja e All-llahut të Madhërishëm para ngrënies
Kjo është miratim i njeriut se All-llahu është Pronari i vërtetë i ushqimit dhe se ky ushqim është prej Tij.
Po ashtu, kjo është mënyrë për ta përzërë shejtanin, i cili dëshiron ta shoqërojë njeriun gjatë ushqimit, si dhe në çdo gjendje.
7.Fillimi i ngrënies me ‘bismil-lah’
Kjo është prej rregullave më të mëdha dhe më të rëndësishme të ushqimit. Në lidhje me këtë temë, janë transmetuar shumë hadithe, si p.sh. fjala e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem drejtuar një djaloshi të vogël: “O djalosh, thuaj ‘bismil-lah’, ha me dorën e djathtë dhe ha para vetes.”[4] Po ashtu porosia e tij drejtuar atij që kishte harruar thënien e fjalës ‘bismil-lah’: “Kur ndonjëri prej jush të hajë ushqim, le të thotë ‘bismil-lah’, e nëse harron të thotë nga fillimi, atëherë le të thotë: Bismil-lah nga fillimi në mbarim.”[5]
- Mosnxitimi në fillimin e të ngrënit
Njeriu nuk duhet nxituar para të tjerëve e të fillojë ngrënien, ngase kjo është shenjë e pangopësisë.
- Fillimi i ushqimit me ndonjë pemë
Këtë gjë e kanë përmendur disa dijetarë duke u bazuar në fjalët e All-llahut: “Edhe pemë sipas dëshirës së tyre. Edhe mish shpezësh, cilin ta duan.”[6] Disa mjekë thonë se kjo mënyrë e të ushqyerit është më e dobishmja për trupin, dhe në përgjithësi për procesin e tretjes.
- Ngrënia me dorën e djathtë
Kjo është vaxhib (obligim). Ngrënia me dorën e majtë është haram (e ndaluar), bazuar në fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kur të hani, hani me dorën e djathtë dhe kur të pini, pini me dorën e djathtë, sepse shejtani ha me dorën e majtë dhe pi me dorën e majtë.”[7]
- Të ngrënit me tre gishta
Ato janë gishti i madh, ai tregues dhe i mesmi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem hante me tre gishta, dhe para se ta fshinte dorën (pas ngrënies), e lëpinte.[8]
- Të ngrënit para vetes
Kjo është një edukatë e lartë gjatë ushqimit, e që do të thotë që njeriu të hajë para vetes, duke mos e zgjatur dorën në anën e të tjerëve, dhe duke mos i shqetësuar ata, si dhe të mos akuzohet me pangopësi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “… dhe ha para vetes.”[9]
- Të ngrënit nga skajet e tepsisë, e jo nga mesi i saj
Kjo lidhet me rregullën e sipërpërmendur. Kështu ka porositur i dërguari i All-llahut, i cili thotë: “Hani nga skajet e tepsisë, e jo nga mesi i saj, ngase bereqeti gjendet në mesin e saj.”[10]
- Përtypja e mjaftueshme e ushqimit
Kjo është një prej rregullave të cilës duhet përmbajtur. Mospërtypja e mjaftueshme e ushqimit ndikon negativisht në shëndetin e njeriut. Po ashtu ngrënia pa përtypje të mjaftueshme shkakton dispepsi (mostretje) dhe teprim në ushqim.
- Zvogëlimi i kafshatës
Kjo, me qëllim që të mos i shqetësojë njerëzit që janë duke ngrënë së bashku me të dhe të mos hajë më shumë se ata. Kjo mund të shkaktojë edhe xhelozi tek ata si dhe mund ta akuzojnë me pangopësi.
- Mos-shpejtimi gjatë ushqimit
Ndodh që njeriu të fusë në gojë një kafshatë dhe ndërkohë merr në dorë kafshatën tjetër dhe e mban ashtu derisa të përtypë kafshatën që e ka në gojë. Kjo është prej shenjave të pangopësisë, krahas asaj që i shqetëson njerëzit e tjerë që janë duke ngrënë.
- Kujdesi nga gjërat dëmtuese që mund të gjenden në ushqim
Këtu mund të përmendim kockat që mund të gjenden te peshku ose copëza të vogla kockash në mish, e kështu me radhë. Gjëra sikur këto ka mundësi ta dëmtojnë njeriun.
- Mosngrënia duke qenë i mbështetur
Kjo do të thotë të hajë duke qenë i përkulur apo i mbështetur në dorën e tij, bazuar në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Unë nuk ha duke qenë i mbështetur.”[11] Një veprim i këtillë është shenjë e mendjemadhësisë.
- Mosngrënia duke qenë i shtrirë në bark
Ky veprim është në kundërshtim me udhëzimin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe dëmton shëndetin… Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar uljen në një tavolinë ku pihet alkool dhe ngrënien duke qenë i shtrirë në bark.[12]
- Largimi nga çdo veprim që i shqetëson ata që hanë
Këtu mund të përmendim fryrjen e hundës, nxjerrjen e këlbazës, të zhurmojë me fyt në drejtim të ushqimit apo të teshtijë në drejtim të pjatave, e kështu me radhë. Të gjitha këto veprime i shqetësojnë dhe i neverisin ata që janë duke ngrënë.
- Mos-shikimi drejt në sy ndaj atyre që janë duke ngrënë
Kjo është një prej rregullave që duhet pasur parasysh. Nuk i ka hije njeriut që t’i zgurdullojë sytë drejt njerëzve që janë duke ngrënë, ngase i vë në siklet dhe nuk mund të hanë ashtu siç duan. Veç kësaj, atyre mund t’u shkojë mendja se ky njeri ëshrë koprrac nëse është pronari i ushqimit.
- Mbyllja e buzëve gjatë ngrënies
Hapja e buzëve gjatë ngrënies mund të shkaktojë “fluturimin” e një pjese të pështymës në ushqim apo spërkatja e mbeturinave të ushqimit në ushqim, gjë që i neverit ata që janë duke ngrënë. Veç kësaj, mënyra e këtillë e të ngrënit shkakton fërkim dhe zë të lartë gjatë ushqimit.
- Mosngrënia e dy hurmave përnjëherë
Kjo është një edukatë e lartë, që të mos shqetësohen ata që hanë për shkak të ngrënies së më shumë hurmave të njeriut. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga kjo gjë dhe ka thënë: “Kush ha hurma te dikush, të mos hajë nga dy hurma përnjëherë, përveç nëse ata ia lejojnë.”[13]
Disa dijetarë thonë se kjo ka të bëjë vetëm me hurmat, e disa të tjerë thonë që kjo është e përgjithshme për të gjitha pemët, dhe mendimi i dytë është më i saktë. All-llahu e di më së miri.
- Marrja e ushqimit që bie në tokë
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ju bie kafshata, merreni atë, largojeni prej saj papastërtinë dhe hajeni, e mos ia lini shejtanit.”[14]
- Mospërzierja e lëvoreve dhe bërthamës me ushqim
Nuk duhet që bërthamat të lihen në të njëjtën pjatë me ushqimin, lëvoret e shalqirit apo të vezëve të hidhen në pjatën e njëjtë me ushqimin, apo kockat dhe mbeturinat e mishit të lihen në të njëjtën pjatë me mishin. Kjo nuk i ka hije njeriut dhe shkakton neveri tek ata që janë duke ngrënë, ngase ka mundësi që mbeturinat të jenë të përziera me pështymën e atij që ha.
- Kur miza bie në enën e ushqimit…
Nëse miza bie në enën e ushqimit, duhet zhytur mizën tërësisht në ushqim, e pastaj nxirret dhe hidhet. Njeriu nuk duhet neveritur apo turpëruar nga kjo gjë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse miza bie në pijen e ndonjërit nga ju, le ta zhysë në të e pastaj ta nxjerrë, ngase në njërin krah të mizës ka sëmundje, e në krahun tjetër ka ilaç.”[15]
- Ushqyerja e bashkëshortes me dorë
Nëse bashkëshorti është duke ngrënë me bashkëshorten e tij dhe e ushqen duke i vendosur asaj ushqimin në gojë me dorën e tij, do të shpërblehet për këtë gjë. Me anë të kësaj ai i shpreh asaj dashurinë që ka për të. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem njëherë i tha Sa’d ibën Ebi Vekkasit: “Çdo lëmoshë që e jep e me të cilën e kërkon kënaqësinë e All-llahut, All-llahu me të t’i shton shkallët dhe të lartëson, madje edhe për kafshatën që e fut në gojën e bashkëshortes tënde.”[16] Kjo po ashtu ndikon në forcimin e ndjenjave mes bashkëshortëve.
- Ofrimi i ushqimit për ata që janë ulur në sofër
Kjo sidomos vlen për nikoqirin, e në veçanti kur vëren se ndonjëri prej mysafirëve turpërohet të zgjatë dorën për të marrur ushqimin.
- T’i ftojë të pranishmit për ushqim
Nëse njeriu vëren se ndonjëri nga të pranishmit nuk është ulur të hajë, atëherë duhet ta ftojë në ushqim, e sidomos nëse është nikoqiri i ushqimit.
- Dhënia përparësi të tjerëve para vetes
Preferohet që njeriu t’u japë përparësi të tjerëve për ushqim, e sidomos nëse ata janë njerëz të mirë dhe të dijes, ose e di se atyre ua ka ëndja atë ushqim apo ushqimi është i pamjaftueshëm. All-llahu i Madhërishëm thotë: “edhe sikur të kishin vetë nevojë për te, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes.”[17]
- Mosteprimi në ushqim
Njeriu duhet ngrënë aq sa për ta larguar urinë dhe nuk ka nevojë për dispepsi dhe teprim në ushqim, ngase kjo është e dëmshme për trupin.
- Ngrënia e pjesëve të mbetura të ushqimit në pjatë
Kjo do të thotë që të mos lihen pjesë të vogla të ushqimit në pjatë por të mblidhen me dorë duke lënë pjatën të pastër dhe duke lëpirë gishtat. Arsyeja për këtë gjë është se nëse mbeturinat e ushqimit lihen në pjatë, atëherë ajo bëhet hise e shejtanit. Arsyeja tjetër është se bereqeti i ushqimit mund të gjendet pikërisht te këto mbeturina.
- Lëpirja e gishtave
Kjo bëhet para fshirjes apo larjes së duarve me qëllim të kërkimit të bereqetit të ushqimit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të hani ushqimin, mos e fshini me pecetë derisa t’i lëpini apo t’ua jipni dikujt tjetër t’i lëpijë,[18] ngase nuk dihet se në cilën pjesë të ushqimit mund të jetë bereqeti i tij.”[19]
- Mosfshirja e duarve me bukë apo diçka të ngjashme me të
Një veprim i këtillë është përbuzje e begatisë së All-llahut dhe dëm ndaj bukës. Prandaj, kurrë nuk duhet fshirë duart me bukë apo me ndonjë ushqim tjetër.
[1] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3764), Ibën Maxhe (3286) dhe Ahmedi (3/501). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (664) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[2] Sahih: shënon Ahmedi (6/350). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (659) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[3] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3563) dhe Muslimi (2064).
[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5376) dhe Muslimi (2022).
[5] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3767), Tirmidhiu (1858) dhe Ibën Maxhe (3264). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (380) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[6] Kaptina El-Vakia, ajetet 20-21.
[7] Sahih: Shënon Muslimi (2020).
[8] Sahih: Shënon Muslimi (2032).
[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5376) dhe Muslimi (2022).
[10] Sahih: shënojnë dhe Ahmedi (1/270) dhe Bejhekiu në Es-Sunenul-Kubra (25167/278). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4502) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[11] Sahih: shënon Buhariu (5399).
[12] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3774) dhe Ibën Maxhe (3370). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6874) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[13] Sahih: shënon Hatibi në librin e tij Et-Tarih (7/180). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6088) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[14] Sahih: shënon Muslimi (2033).
[15] Sahih: shënon Buhariu (3320).
[16] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1296) dhe Muslimi (1628).
[17] Kaptina El-Hashr, ajeti 9.
[18] Si p.sh. bashkëshortes, fëmijëve apo dikujt tjetër që nuk neveritet nga gishtat tuaj. (shën. përkth.)
[19] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5456) dhe Muslimi (2031).
www.thirrjaislame.com