Kush thotë: La ilahe ilAllah Muhamedun rasulullah me sinqeritet, hyn në Islam dhe me këtë rast atij iu mbrohen pasuria, gjaku dhe nderi. Largohet nga ai mosbesimi përderisa nuk vjen me diçka që e bën atë mosbesimtar, shpëton nga dënimi i përhershëm në zjarr (Xhehenem), do të gjenë shpëtim një ditë prej ditësh, edhe pse i takon ajo çfarë duhet t’i takojë (ndonjë ndëshkim në zjarr për mëkatet e tij) para se të gjejë shpëtimin, do të jetë njeri fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në Ditën e Gjykimit dhe do të hyjë në Xhenet me lejen e Allahut.
Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se e ka pyetur Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:
O i Dërguari i Allahut, kush është njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tënd Ditën e Gjykimit? I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha: “Kam pandehur, o Ebu Hurejre, se askush para teje nuk do të më pyesë për këtë çështje, për shkak se kam vënë re se ke interesim të madh ndaj hadithit. Njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tim Ditën e Gjykimit është ai që deklaron ‘la ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut) me zemër të sinqertë – ose ka thënë: me sinqeritet”[1].
Transmeton gjithashtu Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:
“Kush thotë: ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut), gjenë shpëtim një ditë prej ditësh, edhe pse i takon ajo çfarë duhet t’i takojë (ndonjë ndëshkim në zjarr për mëkatet e tij) para se të gjejë shpëtimin”[2].
Transmeton Enes ibn Maliki, Allahu qoftë i kënaqur me të: Na ka rrëfyer i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke thënë:
“Kur të ndodhë Dita e Kijametit, do të vërshojnë njerëzit mbi njëri-tjetrin e do t’i shkojnë Ademit, paqja qoftë mbi të, e do t’i thonë: “Ndërmjetëso për ne te Zoti yt, dhe ai do t’u thotë: nuk më takon mua ajo, por shkoni tek Ibrahimi, sepse ai është miku i (Allahut) të Gjithëmëshirshmit. I shkojnë Ibrahimit dhe ai u thotë: nuk më takon mua ajo, por shkoni tek Musai, është ai që i ka folur vetë Allahu. I shkojnë Musait dhe ai u thotë: nuk më takon mua ajo, por shkoni tek Isai, ai është shpirti i krijuar prej Allahut dhe Fjala e Tij. I shkojnë Isait dhe ai u thotë: nuk më takon mua ajo, por shkoni te Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, dhe ata më vijnë mua e u them: unë jam për të dhe kërkoj leje tek Allahu. Më jepet leja dhe Ai (Allahu) më frymëzon dhe unë e falënderoj me fjalë që nuk i di tani, e falënderoj me to dhe bie për Të (Allahun) në sexhde, e thuhet: O Muhamed! Ngrije kokën, thuaj e do të dëgjohesh, kërko e do të të jepet, ndërmjetëso e do të të lejohet të ndërmjetësosh……….., pastaj kthehem për të katërtën herë dhe e falënderoj me këto falënderime, pastaj bie për Të në sexhde dhe thuhet: O Muhamed! Ngrije kokën, thuaj e do të dëgjohesh, kërko e do të të jepet, ndërmjetëso e do të të lejohet të ndërmjetësosh. Them: O Zot! Më lejo të ndërmjetësoj për atë që ka thënë ‘la ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut). Thotë (Allahu): Pasha Fuqinë, Lavdinë, Pushtetin dhe Madhështinë Time, do të nxjerr prej tij (Zjarrit) kush ka thënë: ‘la ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut)”[3].
Kjo fjalë konsiderohet edhe si dhikri më i mirë; Transmeton Xhabir ibn Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur me të: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke thënë:
“Dhikri më i mirë është (fjala) la ilahe ilAllah (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut),…” [4].
Gjithashtu konsiderohet edhe pjesa (dega) më e lartë e imanit (besimit); Transmeton Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të: ka thënë i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:
“Imani (besimi) është shtatëdhjetë e ca -ose gjashtëdhjetë e ca – pjesë (degë); më e mira është fjala ‘la ilahe ila Allah’, ndërsa më e ulëta është largimi i të keqes (pengesës) nga rruga. Edhe turpi është degë e besimit”[5].
[1] Transmeton Buhariu.
[2] Transmeton Bejhakiu; E saktësoi Shejh Albani.
[3] Transmeton Buhariu.
[4] Transmeton Tirmidhiu; Shejh Albani e saktësoi hasen.
[5] Transmeton Muslimi.
Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti
(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)
www.thirrjaislame.com