PUBLIKIMI I MËKATEVE

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për atë pas të cilit nuk ka më pejgamber.

Prej mizorive më të mëdha është që njeriu t’i bëjë keq atij që i ka bërë mirë, ta kundërshtojë në mendime dhe t’i kundërvihet udhëzimeve të tij. Kjo mizori është akoma më e madhe kur këto të këqija i publikon dhe nuk ka dert nëse dikush dëgjon për to apo e sheh, madje edhe nëse është ai që i ka bërë mirë dhe e ka nderuar. E ç’mendon, o lexues i nderuar, nëse ai bamirës është All-llahu i Madhërishëm, ndërsa mëkatarët publikë jemi unë dhe ti. Sprovë dhe fatkeqësi e madhe është që njeriu të mburret me mëkatin e tij ndaj All-llahut të Madhërishëm dhe ta publikojë qartë dhe hapur para të tjerëve duke harruar hakun dhe mirësinë e All-llahut ndaj tij.

Prandaj sheriati i pastër ka tërhequr vërejtjen nga publikimi i mëkateve. All-llahu i Madhërishëm na ka sqaruar se kjo është shkak për dënim dhe ndëshkim. Prej ajeteve që kanë të bëjnë me këtë temë është fjala e All-llahut të Madhërishëm: Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. All-llahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini.” (En-Nur 19). Ky qortim dhe kërcënim ka të bëjë me atë që dëshiron përhapjen e imoralitetit, e a thua si është puna me atë që e përhapë dhe publikon atë. Po ashtu e kemi edhe ajetin tjetër: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje bereqeti etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat).” (Err-Rrum 41). Ibën Kethiri gjatë komentit të këtij ajeti thotë se mangësia e prodhimeve bujqësore dhe frutave është si pasojë e mëkateve. Ndërsa Ebul-Alije thotë: “Kush i mëkaton All-llahut në tokë, e ka prishur tokën, ngase mirësia e qiellit dhe tokës është e lidhur me devotshmërinë ndaj All-llahut.”

Po ashtu All-llahu i Madhërishëm në kur’an na ka treguar se Ai nuk e do publikimin e mëkateve dhe ka thënë: “         All-llahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqia përveç (publikimit) të atij që i është bërë padrejtësi.” (En-Nisa’ 148).

Nga Ebu Bekri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: “Kur njerëzit e shohin të keqen dhe nuk e ndryshojnë, atëherë dënimi i All-llahut ndaj tyre është afër.” (Tirmidhiu)

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: “I gjithë ummeti im është i falur përveç atyre që mëkatet i bëjnë haptas.” (Buhariu dhe Muslimi). Ky është ligj i All-llahut të Madhërishëm në gjithësi. Pra, kur merr guximin t’i mëkatojë All-llahut dhe të mburret me mëkatet, All-llahu do t’i shkatërrojë e asgjësojë. Nëse mendojmë rreth popujve të mëparshëm do ta shohim qartësisht këtë realitet. Përse Ademi alejhis-selam u nxorr nga xhenneti? Përse populli i Nuhut alejhis-selam u përmbyt? Përse populli i Adit u shkatërrua nga një erë e fortë e pakufishme? Përse Themudi u shkatërrua nga një krismë e tmerrshme? Përse popullit të Lutit alejhis-selam iu shembën shtëpitë dhe u shkatërruan me gurë nga qielli? Përse u përmbyt Faraoni dhe ushtria e tij? Përse … dhe përse….? Kjo është si pasojë e mëkateve dhe publikimit të tyre.

All-llahu i Madhërishëm është i Fuqishmi ndërsa njerëzit janë të dobëtit, All-llahu i Madhërishëm është Krenari ndërsa ata janë të nënshtruar. Ai është i Madhëruari, i Lartësuari. Atij i takon krenaria gjithpërfshirëse dhe madhëria e pakufishme. Nga Ebu Seid el-Hudriu dhe Ebu Hurejra radijAll-llahu anhuma na përcillet se kanë thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: All-llahu ka thënë: “Krenaria është petku im i sipërm, madhëria është petku im i poshtëm. Kush më kundërshton në njërën prej atyre, do ta hedh në zjarr.” (Muslimi).

Ndoshta prej shkaqeve që ky mëkat konsiderohet kaq i keq dhe kaq i shëmtuar është se ajo në vete përmbanë një lloj përbuzjeje dhe moskokëçarjeje. Kjo ngjan sikur mëkatari në momentin kur e bën mëkatin i thotë All-llahut: E di se Ti e di vendin tim dhe i dëgjon fjalët e mia dhe e di se Ti je Mbikëqyrësi im dhe je Dëshmitari i veprave të mia… Por megjithatë, unë të mëkatoj dhe atë e shfaqi para Teje dhe para të gjithë atyre krijesave të Tua që më shohin!!

Po ashtu, prej faktorëve që ky mëkat konsiderohet i shëmtuar dhe i keq është se në vete ngërthen ftesë të njerëzve për zhytje në mëkate, duke e pasur parasysh se ai që e bën mëkatin publikisht, në realitet i fton njerëzit që t’i bashkëngjiten në atë mëkat. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Kush thërret (udhëzon) për në humbje, e ka gjynahun njëlloj sikur ata që e ndjekin pa ua pakësuar atyre gjynahun.” (Muslimi).

Prej shkaqeve të shëmtisë së këtij mëkati është edhe ajo se ai që bën mëkat publikisht ka mundësi që me kalimin e kohës ai mëkat t’i pëlqejë dhe të adaptohet me të, e kjo ndoshta mund të çojë deri tek ajo që ai ta llogarisë si gjë të lejuar. E, lejimi i mëkateve është prej gjërave më të rrezikshme për besimin e myslimanit dhe kjo mund të ndikojë në daljen e tij nga feja islame, e sidomos nëse ka të bëjë me çështjet, dispozita e të cilave detyrimisht dihet, si imoraliteti, homoseksualizmi, alkooli, kamata, dhe harame të tjera, All-llahu na ruajt prej tyre.

Në mesin e disa myslimanëve është përhapur kjo sëmundje e rrezikshme dhe e ka kapluar ummetin saqë pothuaj nuk shpëton prej saj ndonjë qytet, fshat apo shoqëri. All-llahu na ruajt.

Prej formave të publikimit të mëkateve në të cilat kanë rënë disa myslimanë po përmendim:

Mosfalja e namazit me xhemat, edhe përkundër mundësisë për këtë gjë. Kështu sheh plot myslimanë që hynë në shtëpitë e tyre, ndërsa ikameti për namaz thërret e ata nuk i kushtojnë vëmendje dhe nuk çajnë kokën, sikur ezani dhe ikameti u dedikohen njerëzve të tjerë. Akoma më e keqe se kjo është që disa prej myslimanëve bëjnë shitblerje apo diçka të ngjashme pikërisht gjatë ikametit të namazit. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Gati kam vendosur që të urdhëroj dikë nga ju t’ua falë namazin me xhemat e unë shkoj në shtëpitë e atyre që nuk vijnë në xhami për t’u falur me xhemat e t’ua djeg shtëpitë.” (Buhariu dhe Muslimi).

– Thirrja për mëkate, shpallja dhe reklamimi i tyre, si shpalljet për tregtimin me kamatë, bashkëpunimi me një bankë e cila punon me kamatë, shitja e gjërave të ndaluara, thirrja për prezantim në festivale muzikore apo tubime që përmbajnë këngë, muzikë, vegla muzikore e kështu me radhë.

– Ngritja e zërit të disa instrumenteve dëfryese nëpër rrugë, nëpër semafora, nëpër plazhe, pikniqe etj.

– Përngjasimi i disa të rinjve myslimanë me të rinjtë e perëndimit në të folur, veshje, mjete udhëtimi, stile flokësh, lëvizje dhe gjëra të ngjashme, derisa disa prej tyre mburren me këto gjëra, ndërsa të mjerët nuk e dinë se me anë të kësaj kanë hyrë në vrimën e hardhucës prej derës më të ngushtë. Nga Ebu Seid El-Hudriu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Do t’i pasoni traditat e atyre që kanë qenë para jush pëllëmbë pas pëllëmbe e kut pas kuti, saqë po të hynin ata në vrimën e hardhucës, ju do t’i pasonit.” I thamë: “Kush janë ata, çifutët dhe të krishterët?” Tha: “Kush tjetër përveç tyre?” (Buhariu dhe Muslimi).

– Shkrimi i disa publicistëve, gazetarëve, analistëve e të ngjashëm me ta, kolumna të cilat janë në kundërshtim me sheriatin e All-llahut, si p.sh. kolumna që kanë të bëjnë me qenien e All-llahut të Madhërishëm, fyerjen e fesë dhe të dërguarit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, thirrjen për kundërshtim të Kur’anit dhe sunnetit, si thirrja për “emancipimin” e gruas, zhveshjen e mbulesës së saj, të folurit rreth mbulesës me përçmim dhe tallje, tallja me mjekrën, pantallonat e shkurtra dhe misvakun, tallja me njerëzit e mirë dhe me ata që urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja, shtypja e dijetarëve dhe studiuesve të fesë dhe gjëra të tjera të ngjashme me këto, të cilat mund ta çojnë njeriun deri në kufër. Ka pasur njerëz të cilët kanë luftuar bashkë me pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem duke marrë pjesë nëpër disa beteja bashkë me myslimanët, por megjithatë kanë rënë në kufër për shkak se kanë thënë ca fjalë të cilat janë shumë më të lehta se gjërat që i bëjnë dhe thonë ca të prishur e të rebeluar nëpër disa media, qofshin radio, televizione apo portale të ndryshme.

– Dalja e grave të zbukuruara nëpër rrugë, qendra tregtare etj, ndonjëherë me nevojë, e në të shumtën e rasteve pa nevojë, dhe shpeshherë të parfumosura dhe joshëse.

– Mburrja e njeriut duke folur në praninë e të tjerëve për mëkatet e veta, ndërkohë që All-llahu ia ka mbuluar, siç përmendet në hadithin që na e përcjellë Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu se i dërguari i All-llahut ka thënë: “… publikim është kur një njeri natën kryen një mëkat, e kur gdhin në mëngjes All-llahu ia ka mbuluar këtë mëkat, por ai i drejtohet dikujt me këto fjalë: O filan, mbrëmë kam bërë këtë e këtë, ndërohë që All-llahu ia kishte mbuluar dhe ai e publikon atë mëkat.” (Buhariu dhe Muslimi).

Të gjithë këtyre kategorive të njerëzve u themi: Pendohuni tek All-llahu, kërkoni falje prej Tij dhe kthehuni drej Tij. Dijeni se Zoti juaj është i Butë dhe i Mëshirshëm, e pranon pendimin e robërve të Tij, i falë mëkatet dhe i shlyen gabimet. All-llahu i Madhërishëm thotë: Pendohuni të gjithë tek All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (En-Nur 31).

E lus All-llahun që t’i udhëzojë myslimanët e devijuar, të na mundësojë të bëjmë vepra të cilat Ai i do dhe është i Kënaqur me to, të na i falë mëkatet tona. Ai është i Vetmi që ka mundësinë për një gjë të tillë.

Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

 

www.thirrjaislame.com

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI