PËSHPËRITJE DËLIRJEJE DHE NDRYSHIMI

Dëlirja është ai udhëtim i gjatë dhe i mundimshëm për të vendosur veten (nefsin) në të vërtetën dhe për ta larguar nga pasionet dhe e pavërteta, në mënyrë që t’i nënshtrohet shpalljes hyjnore me kënaqësi dhe bindje.

Ajo është hapi i parë në rrugën e ndryshimit. Është sikur ndërtesa e atij personi i cili është i kualifikuar për të bërë ndryshime, kështu që shpërthen me potencialin që ka dhe angazhohet të ndërtojë një jetë të shëndetshme dhe qytetërim të lavdishëm. Kjo, pasi ai të ketë fituar betejën e parë me veten e tij dhe të ketë përmirësuar atë copë mishi, e cila nëse rregullohet, e rregullon tërë trupin, e që është zemra.

Pra, dëlirje do të thotë pasimi i asaj rruge që të shpëton nga të qenit mendjemadh, nga egoizmi, urrejtja, mëria dhe nga dashuria ndaj kësaj bote, të cilën All-llahu e përshkroi si gjë e përkohshme dhe ofertë kalimtare. Dëlirje do të thotë që zemra të jetë një pasqyrë e një dashurie të përjetshme, pas të ketë fshirë dashurinë ndaj gjërave të kësaj bote të përkohshme.

Dijetarët islamikë thonë: “Ndryshimi dhe përmirësimi i vetes duhet filluar nga përmirësimi i besimit duke marrë për bazë monoteizmin e Krijuesit, pastaj nga përmirësimi i bindjes dhe të kuptuarit e gjithësisë, jetës, njeriut, historisë, individit dhe shoqërisë, gruas dhe burrit, si dhe fesë e urtësisë… Prandaj, kur kolonizatorët hynë në vendet islame, synimin kryesor e kishin ndryshimin e të kuptuarit dhe mendimeve të myslimanëve, me anë të mësimit, kulturës dhe informimit. Kështu, arritën të mbjellin në mendjet e myslimanëve se feja nuk ka lidhje me politikën dhe nuk ka lidhje me etikën, dhe se liria është mbi vlerat, dhe se gruaja është plotësisht e barabartë me burrin, dhe se veshja dhe gjithçka që lidhet me të, i referohet traditës dhe zakoneve, e jo fesë.”

Kur nefsi fillon të bindet se është drejtuar për në rrugën e drejtë, atëherë ai më veç është i përgatitur për përmirësim të vetes dhe ftesë për përmirësimin e të tjerëve, nisur nga rregulla: “Përmirëso veten dhe thirri të tjerët në përmirësim.”

Bëhu shembull për familjen, fqinjët dhe miqtë e tu. I dërguari i All-llahut ka qenë shembulli më i lartë dhe më i mirë për ummetin e tij në çdo gjë.

Po ashtu, shembulli i mirë u mishërua edhe me sahabët e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe me të tjerët që i pasuan ata. Me këtë shembull, islami i përhap në lidje e perëndim.

Kështu, islami në shumë prej vendeve arriti nëpërmjet tregtarëve myslimanë dhe thirrësve të sinqertë, të cilët nga vetja e tyre bënë shembull dhe pasqyrë të mirë për islamin.

A thua ne jemi pasqyrë e mirë për islamin?

A thua ne, për jomyslimanët që vijnë në vendet tona japim një pasqyrë të mirë të myslimanit të sinqertë e besnik, një pasqyrë të myslimanit i cili nuk gënjen, nuk tradhton dhe nuk mashtron, nuk e ha pasurinë e myslimanëve dhe ua ruan atyre nderin, e mban fjalën e dhënë, e nuk thotë: “Do të jem i pranishëm në kohën që u morrëm vesh, InshaAllah”, por në vete e di që do ta thyejë këtë premtim dhe aspak nuk do të jetë i pranishëm, saqë këtë fjalë, fatkeqësisht, e kemi bërë mjet loje për të huajt që vizitojnë vendin tonë!!

Xhahidhi rrëfen se Ukbe ibën Ebi Sufjani e çoi djalin e tij te një edukator, dhe i tha: “Puna e parë të cilën do ta bësh për përmirësimin e të birit tim është përmirësimi i vetes tënde, ngase sytë e tyre (fëmijëve) janë të lidhur me syrin tënd. Ajo që ti e sheh si të mirë, edhe ata e shohin si të tillë. Dhe ajo që ti e sheh si të keqe, edhe ata e shohin si të tillë. Mësoua atyre biografinë e njerëzve të urtë, sjelljen e njerëzve të edukuar dhe bëhu për ta sikur mjeku, i cili nuk angazhohet me sëmundjen derisa të detektojë sëmundjen.”

Prej porosive që Sufjan Eth-Theuriu ia la Ali ibën Hasenit, mes tjerash ishin edhe këto: “Vëllai im! Kije frikë All-llahun, bëhu i sinqertë në fjalë, në nijete dhe në vepra, dhe mos fut në to tradhti e mashtrim, ngase All-llahu të sheh edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai është me ty kudo që të jesh dhe Atij nuk i fshihet asgjë që ka të bëjë me ty. Mos tento ta mashtrosh All-llahun, dhe kështu mashtrimi të të kthehet ty dhe të jetë shkak që All-llahu të ta largojë imanin nga zemra duke mos qenë i vetëdijshëm për këtë. Mos i bëj dredhi asnjërit prej myslimanëve, ngase dredhia nuk e godet askënd tjetër përveçse ata që e kurdisin atë. Mos u bëj kryeneç ndaj asnjërit prej myslimanëve, ngase All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju njerëz! Kryeneçësia juaj është vetëm kundër vetes suaj.” (Junus 23), dhe bëhu i mirë në vetmi, e All-llahu ta përmirëson gjendjen tënde para të tjerëve. Rregulloji raportet e tua me All-llahun, e All-llahu t’i rregullon raportet e tua me njerëzit dhe puno për ahiret, se All-llahu ta rregullon dynjanë. Shite dynjanë në këmbim të ahiretit; kështu do t’i fitosh që të dyja, e mos e shit ahiretin në këmbim të dynjasë se do t’i humbasësh që të dyja. Bëhu i sinqertë në çdo situatë dhe ruaju nga rrena, tradhtia dhe shoqërimi me rrenacakët e tradhtarët se e gjithë kjo është mëkat. Ruaju nga vetëpëlqimi, ngase vepra e mirë nuk ngritet (tek All-llahu) nëse në të ka vetëpëlqim, dhe mos e merr fenë përveç prej atij që e do fenë.”

Llojet e ndryshimit në gjithësi

Prej këtyre llojeve të ndryshimit po përmendim:

  1. Ndryshim i patjetërsueshëm, derisa jeta të përmirësohet dhe toka të pastrohet nga zullumqarët. All-llahu i Madhërishëm thotë: A nuk e ke kuptuar ti se All-llahu krijoi qiejt dhe tokën me urtësi, e nëse Ai do, juve ju zhdukë e sjell popull të ri.” (Ibrahim 19).
  2. Ndryshim që varet nga veprimet e njerëzve. All-llahu i Madhërishëm thotë: “All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre. Po, kur All-llahu vendos ta ndëshkojë një popull, atë nuk ka kush që ta zmbrapsë. Ata, (njerëzit) nuk kanë mbrojtës tjetër pos Tij.”(Err-Rra’d 11).
  3. Ndryshim drejt së keqes, dhe kjo lidhet me zullumin e robërve (keqbërja). All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ne shpartalluam sa vendbanime që ishin mizore, e në vend të tyre sollëm popull tjetër.” (El-Enbija’ 11)
  4. Ndryshim drejt së mirës, dhe kjo lidhet me veprimin e veprave të mira (bamirësia). All-llahu i Madhërishëm thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (En-Nahl 97)
  5. Bamirësia dhe keqbërja rrotullohen rreth udhëzimit, respektivisht devijimit. All-llahu i Madhërishëm thotë: Kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dunja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër)”. E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër.” (Ta-Ha 123-124). Po ashtu thotë: “E për sa i përket atij që ka tepruar. Dhe i dha përparësi jetës së kësaj bote, xhehennemi do të jetë vendi i tij. E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, xhenneti është vendi i tij.” (En-Naziat 37-41)
  6. Ndryshimi është shenjë vëzhgimi dhe sprovimi për të dalluar robërit e mirë të All-llahut nga të tjerët. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Elif, Lam, Mim. A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” (El-Ankebut 1-2). Po ashtu thotë: “Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve për t’u ditur tek All-llahu ata që besuan dhe për t’i zgjedhur disa prej jush për dëshmorë (ose dëshmues). All-llahu nuk i do zullumqarët.” (Alu Imran 140).

Domethënia e ndryshimit

Dijetarët islamikë në lidhje me domethënien e ndryshimit, thonë: “Ndryshimi është dyllojësh. I pari ka të bëjë me botën fizike që na rrethon, dhe këtë lloj ndryshimi e ka marrë përsipër All-llahu i Madhërishëm me qenien e Tij. Ndërsa i dyti ka të bëjë me vetë njeriun dhe varet nga lidhja e tij me All-llahun e Madhërishëm. Këtë ndryshim All-llahu i Madhërishëm e ka lënë në përgjegjësinë e vetë njeriut.

Pra, sikur All-llahu i Madhërishëm po thotë: O i biri i Ademit! Kthehu te vetvetja dhe rregulloi raportet e tua me Mua në rrugën në të cilën thërret natyrshmëria jote dhe në rrugën në të cilën thërret hyjnia Ime. Nëse e bën këtë, të garantoj se do ta ndryshoj dhe do të ta nënshtroj botën për ty.

A nuk e ke dëgjuar mirë fjalën e All-llahut të Madhërishëm: Ata që mohuan të dërguarit e vet thanë: “Për Zotin, ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë, ose ju domosdo do të ktheheni në fenë tonë!” E atyre (të dërguarve) Zoti u shpalli: “Ne gjithqysh do t’i shkatërrojmë zullumqarët”. Dhe pas tyre Ne do t’ju vendosim në atë tokë. E këtë (ndihmë) për atë që i frikësohet pranisë Sime dhe i frikësohet dënimit Tim.” (Ibrahim 13-14).

Ky është vendimi i All-llahut, I Cili botën fizike ia nënshtron besimtarit. Ndërsa më pas na e jep ligjin duke thënë: E këtë (ndihmë) për atë që i frikësohet pranisë Sime dhe i frikësohet dënimit Tim.” (Ibrahim 14).

Me fjalë të tjera, Unë këtyre njerëzve do t’ua nënshtroj këtë botë dhe do të bëj që rregullat e gjithësisë të veprojnë sipas dëshirave të tyre, çdoherë kur të ketë nevojë.

Ka prej të rinjve që dëshirojnë rezultate të shpejta. Ata thonë: Punuam dhe punuam… dhe akoma nuk po shohim rezultat!! Ai sikur dëshiron të punojë sot, ndërsa rezultatet e punës së tij t’i korrë nesër.

Por ligjet e All-llahut në tokë funksionojnë ndryshe. All-llahu i Madhërishëm ka bërë që jeta të ecë në mënyrë graduale, kështu që as dielli nuk lind përnjëherë dhe as bima nuk mbinë përnjëherë. E këtillë është edhe çështja me fenë.

Ka ndodhur që disa prej sahabëve po ashtu kanë pritur disa rezultate të shpejta. E si u përgjigj atyre i dërguari i All-llahut? Ai u tha: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, All-llahu do ta plotësojë këtë fe derisa kalorësi të ecë nga Hadrameuti deri në Jemen, ose nga Jemeni deri në Hadrameut, duke mos pasur frikë askënd pos All-llahut, ndërsa ujku është në afërsi të bagëtisë së tij… Por ju po shpejtoni!!”

E tillë është jeta, ngritje e rënie, pengesa e vështirësi, kodra e shpate, derisa të arrish synimin tënd në këtë jetë.

 

www.thirrjaislame.com

Shkroi: Dr. Hassan Shemsi BASHA

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

Shkëputur nga Libri: Pëshpëritje në Veshin e Rinisë