Falënderimi i takon All-llahut, ndërsa bekimet dhe përshëndetjet tona qofshin për pejgamberin më të nderuar, Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.
Zemra është thelbi i jetës së njeriut. Jeta, shpëtimi dhe pastërtia e njeriut është e lidhur me jetën, shpëtimin dhe pastërtinë e zemrës. Këtë realitet për të cilin flasin argumentet sheriatike e vërtetojnë edhe të dhënat shkencore dhe filozofike te popujt e tjerë gjatë historisë.
Që këtej, myslimani i urtë është ai i cili i hulumton faktorët e mirësisë, fuqisë dhe shëndetit të zemrës, ngase e di që kur ka një zemër të pastër nga të metat, atëherë do të ketë në dorë jetën, pastërtinë dhe bukurinë e saj.
I dërguari i All-llahut na tregon se shpëtimi dhe mirësia e njeriut janë të lidhura me mirësinë e zemrës së tij, dhe thotë: “Në trup ekziston një copë mishi, e cila nëse është në rregull, atëherë i gjithë trupi do të jetë në rregull. E nëse ajo është e prishur, atëherë i gjithë trupi do të jetë i prishur; ajo është zemra.” (Transmeton Nu’man ibën Beshiri radijAll-llahu anhu. Shënon Albani në librin e tij Sahihut-Tergibi vet-Terhib nr. 1731).
Vëlla i nderuar! Zemra yte është çelës i lumturisë dhe pasurisë, thesar i shpëtimit dhe udhëzimit dhe burim i fuqisë dhe kënaqësisë. Kujdesi yt ndaj saj është shumë më i rëndësishëm sesa kujdesi ndaj ajrit dhe ushqimit.
Si ta bësh zemrën tënde të shëndoshë dhe të rrahë me rrahje imani dhe jete?
E para: Bëhu ithtar akideje (besimi)
Njëshmëria e All-llahut të Madhërishëm është dritë që e mbush, e kthjellon dhe forcon zemrën. Ajo është lënda e gjallërisë së saj dhe thelbi i fuqisë dhe shpëtimit. Zemra nuk ka gjallëri përveçse me besim ndaj All-llahut të Madhërishëm, besim ky, që ndjellë rehati në zemër dhe qetësi në shpirt, dhe që e mbjellë mbështetjen në All-llahun e Madhërishëm me anë të së cilës lehtësohen vështirësitë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Kush i mbështetet All-llahut, Ai i mjafton atij.” (Et-Talak 3). Po ashtu e mbjellë bindjen e thellë, me anë të së cilës largohen brengat, vuajtjet dhe mërzitë, si dhe udhëzimin, me anë të të cilit arrihet përqendrimi dhe fuqia për të përballuar vështirësitë, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Çfarëdo e keqe që ndodh (godet), nuk mund të jetë ndryshe, vetëm sipas caktimit të All-llahut, e kush i beson All-llahut, Ai ia udhëzon zemrën e tij; All-llahu është i gjithëdijshëm për çdo send.” (Et-Tegabun 11)
Pra, besimi në All-llahun e Madhërishëm është një dritë që ecën në zemrën e besimtarit, ia ndriçon rrugën dhe i mundëson të përqendrohet në të, kështu që gjërat i sheh ashtu siç janë realisht, pra të keqen si të keqe dhe të mirën si të mirë.
Vëlla i nderuar: Dije se lumturia dhe jeta e mirë nuk mund të arrihen përveçse nëse për bazë e kanë një gjë, e që është udhëzimi, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dunja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër)”. E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë.” (Ta-Ha 123-124)
Gjëja tjetër që duhet ta dish është se vendi i udhëzimit është zemra, dhe ky vend nuk mund të bartë udhëzimin përveçse nëse në të ka iman dhe bindje që e bën atë kompetent për një gjë të tillë. Prandaj All-llahu i Madhërishëm thotë: “e kush i beson All-llahut, Ai ia udhëzon zemrën e tij.” (Et-Tegabun 11)
Që këtej, realizimi i udhëzimit kushtëzohet nga realizimi i akides së shëndoshë dhe imanit të dëlirë nga papastërtitë e shirkut ndaj All-llahut të Madhërishëm. Aq sa robi e njeh Zotin e vet dhe aq sa ka bindje në të, aq do të jetë i përpiktë, i devotshëm dhe i udhëzuar, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët.”(Fatir 28)
Nëse mediton rreth ndikimit të zemrës nga përmendja dhe frika ndaj All-llahut, do të shohësh se ky ndikim ndodhë vetëm te zemrat që bindshëm e besojnë All-llahun, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.” (Err-Rra’d 28). Pra, All-llahu i Madhërishëm në këtë ajet bën lidhshmërinë mes qetësimit të zemrës përmendëse të All-llahut dhe mes imanit, gjë që vërteton se zemra e besimtarit kur e dëgjon përmendjen e All-llahut, i kupton më qartë elementet që i ngërthen ajo, dhe kjo e bën të ndikohet prej saj dhe e bën më të përpiktë ndaj argumenteve dhe realiteteve të fshehura. Prandaj, kur e përmendë All-llahun, i shikon të metat dhe dobësitë e veta dhe njëherit e shikon madhërinë, fuqinë, mëshirën dhe cilësitë e larta të All-llahut, ndryshe nga besimtari i dobët, të cilit i kanë vdekur ndjenjat e zemrës, kështu që as nuk dëgjon e as nuk kupton, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë.” (El-E’raf 179). “Ato janë zemra që kanë drynat e vet!” (Muhammed 24). “Në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat në kraharor.” (El-Haxh 46).
Zemra e besimtarit është zemër e mençur. Atë nuk e mashtrojnë pamjet e jashtme të gjërave ngase ai nuk shikon vetëm me sy por edhe me zemër. Aliu radijAll-llahu anhu thotë: “Mendja është në zemër, mëshira në mëlçi, dhembshuria në shpretkë dhe fryma në mushkëri.” (Shënon Albani në librin e tij Sahihul-Edebil-Mufred, nr. 425). Zemra e besimtarit ndriçon me njëshmërinë e All-llahut të Madhërishëm, dhe më shumë i kupton argumentet e Tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur u përmendet All-llahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.” (El-Enfal 2).
Shejh Abdurr-Rrahman Es-Sa’di thotë: “All-llahu i përshkroi besimtarët me këto cilësi të cilat në vete ngërthejnë bazat dhe degët e fesë si dhe gjërat e jashtme dhe të brendshme. Pra, i përshkroi me një besim, gjurmët e të cilit shfaqen në bindjen, fjalët dhe veprat e tyre, të dukshme dhe të fshehta. Po ashtu krahas besimit të përqendruar, sa herë që atyre u lexohen ajetet e All-llahut, u shtohet besimi, dhe sa herë që përmendet All-llahu, atyre u shtohet frika prej Tij. Ata çdoherë me zemër janë të mbështetur tek All-llahu i Madhërishëm.”
E dyta: Liroje zemrën nga angazhimet dhe gjërat e kota
- Lakimi i zemrës
Vëlla i dashur! Besimi, mbështetja dhe bindja në All-llahun e Madhërishëm ndjellin fuqi, intelekt dhe arsye të shëndoshë në zemër me anë të të cilave maten gjërat dhe realizohet udhëzimi në mënyrë që besimtari të jetojë i sigurt nga sherri i gjërave të kota dhe i rrugëve të së keqes. Por ligj i All-llahut në tokë është që besimtari të mbetet në dilemë dhe luftë që zemra e tij të vazhdojë në besim dhe devotshmëri. Mirëpo, sado që besimtari të ketë fuqinë e besimit, ai medoemos të ballafaqohet me neglizhencë dhe dobësi. Zemra (në gjuhën arabe: Kalb që d.m.th. Lakim) është emërtuar me këtë emër për shkak të lakimit të madh dhe mospërqendrimit të saj në një gjendje. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Zemra quhet kështu për shkak të lakimit të saj. Shembulli i zemrës është sikur pupla në një shkretëtirë që është ngjitur për një degë peme, dhe era e rrokullis (lakon) nga një anë në tjetrën.” (Transmeton Ebu Musa El-Esh’ariu radijAll-llahu anhu. Shënon Albani në librin e tij Sahihul-Xhami’ nr. 2365). Ky lakim, që është cilësia më e veçantë e zemrës, është pikënisje për përshkrimin e njeriut me padrejtësi, tradhti dhe gabim, ngase ai është i ndryshueshëm në gjendjen dhe cilësitë e tij, mundet nga epshi, i ngatërrohen çështjet për shkak të dyshimit, e kaplon harresa, epshi dhe tirania. Po ashtu shpesh kontrollohet nga dëfrimet e kësaj bote apo mbisundohet nga karakteri i tij, që do të thotë se për një shkak apo një tjetër, karakteri i tij është i ndryshueshëm.
- Pastrimi i zemrës me pendim
Këtë ndryshim te njeriu, All-llahu i Madhërishëm nuk e krijoi për gjë tjetër veçse për ta sprovuar atë me gabimin e tij sikur që e sprovon me saktësinë e tij. I dërguari i All-llahut thotë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, sikur ju të mos mëkatonit, All-llahu do t’ju zhdukte dhe do të sillte një popull tjetër të cilët mëkatojnë, dhe kërkojnë falje, e All-llahu ua falë.” (Transmeton Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu. Shënon Muslimi. Hadith sahih). Këtë ndryshim, All-llahu i Madhërishëm, po ashtu e bën për t’ia përkujtuar njeriut mëshirën e Tij kur ai e pranon mëkatin dhe kthehet tek All-llahu i Madhërishëm me pendim të sinqertë. Prandaj, vëlla i dashur, duhet të dish se ti në çdo kohë ke nevojë për ripërtëritje të pendimit dhe kërkim faljeje të shpeshta, ngase ato e pastrojnë zemrën nga të metat dhe papastërtitë. Për këtë shkak, All-llahu i Madhërishëm i ka porositur robërit e Tij besimtarë me pendim dhe këtë e ka bërë bazë për shpëtimin e tyre, duke thënë: “Pendohuni të gjithë tek All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (En-Nur 31)
Ndërsa në një hadith, pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Fitnet (sprovat) u ekspozohen zemrave njësoj sikurse kallamat e hasrës (rrogozit), degë-degë. Çdo zemër që i pranon ato, vendoset në të një pikë e zezë, ndërsa te çdo zemër që i refuzon, vendoset në to një pikë e bardhë. Ato vazhdojnë kështu derisa të bëhet një zemër e bardhë dhe e kthjellët, të cilën nuk e dëmtojnë sprovat derisa të ekzistojnë qiejt dhe toka, dhe një tjetër e zezë dhe e errët, sikurse ena e përmbysur, nuk pranon të mirë dhe as nuk ndalon të keqe veç asaj që ia do ëndja (epshi).” (Transmeton Hudhejfe ibën Jemani radijAll-llahu anhu. Shënon Albani në librin e tij Sahihul-Xhami’ nr. 2960).
Vëlla i dashur! Kur të kuptosh se mëkatet e sëmurin zemrën dhe ia shuajnë fuqinë e të kuptuarit, atëherë kujdesu për pastrimin e zemrës tënde nga sëmundjet e mëkateve duke u larguar prej tyre, si dhe përkushtoju pendimit dhe kërkimit të faljes, ngase fuqia dhe shpëtimi i zemrës varen nga pastërtia e saj. Për sa i përket pastrimit të zemrës, ajo arrihet me anë të tri gjërave:
E para: Me pendim dhe kërkim faljeje nga All-llahu i Madhërishëm.
E dyta: Me shtim të të mirave, ngase ato i shlyejnë gjërat e këqija. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, e edhe në orët e afërta (me ditën) të natës. S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat.” (Hud 114).
E treta: Duke i marrë parasysh faktorët për fajle të mëkateve, si namazi, nafilet, abdesti, pritja e namazit të radhës pas përfundimit të namazit, umreja dhe haxhi, si dhe të ngjashme me to që mundësojnë faljen e All-llahut të Madhërishëm. I dërguari i All-llahut ka porositur me këto fjalë: “Kije frikë All- llahun kudo që të jesh, pasoje të keqen me të mirë për ta shlyer dhe sillu me moral të mirë ndaj njerëzve.” (Transmetojnë Muadh ibën Xhebeli dhe Ebu Dherr El-Gifariu radijAll-llahu anhuma. Shënon Albani).
- Pastrimi i zemrës nga sëmundjet
Pastrimi i zemrës nga sëmundjet dhe largimi i gjërave që i shkaktojnë ato është prej faktorëve më të mëdhenj që shkaktojnë butësinë dhe qetësinë e zemrës. Pronari i kësaj zemre është njeriu më i mirë dhe më i dashur tek All-llahu, siç e kemi hadithin kur dikush e pyeti të dërguarin e All-llahut: O i dërguari i All-llahut: Cili është njeriu më i mirë? Ai tha: “Personi me zemër të pastër dhe gjuhë të sinqertë.” Dikush tha: “O i dërguari i All-llahut, e kemi të qartë gjuhën e sinqertë, por ç’është zemra e pastër? Ai tha: “Ajo është zemra e devotshme, e dëlirë, në të cilën nuk ka mëkat, dhunë dhe smirë.” Dikush tjetër tha: “O i dërguari i All-llahut: “E kush është në këtë rrugë? Ai tha: “Ai që e urren dynjanë dhe e do ahiretin.” Një tjetër tha: Nuk dimë dikë tjetër në mesin tonë me këto cilësi veç Rafiut, shërbëtorit të të dërguarit të All-llahut. E kush është në këtë rrugë? Tha: “Një besimtar me moral të mirë.” (Transmeton Abdullah ibën Amër ibën Asi radijAll-llahu anhuma. Shënon Albani. Hadith sahih).
Pra, në këtë hadith i dërguari i All-llahut sqaroi mënyrën e pastrimit të zemrës, dhe ky sqarim përfshinë tri cilësi, e që janë: Largimi nga mëkatet, nga dhuna dhe nga smira.
Këto janë prej sëmundjeve më të rrezikshme të zemrës, të cilat nëse e kaplojnë zemrën, e mbushin me mllef, ia shuajnë dritën dhe ia dobësojnë të kuptuarit.
Nëse mëkatet shkaktojnë nga një pikë të zezë në zemër, smira i djegë të mirat, të cilat e pastrojnë zemrën, ashtu siç zjarri e djegë drurin.
Ndërsa smirë do të thotë të dëshirosh që tjetri të mos e ketë një begati e caktuar, ose urrejtja dhe keqardhja që të ngjallet kur sheh dikë në gjendje të mirë. Kjo është një cilësi e shëmtuar që është e pranishme te zemrat e dobëta e të vdekura. Kështu, ka mundësi të shohësh një njeri që ka cilësi të mira, si dhe pasuri të cilën nuk e kanë të tjerët, por për shkak të dominancës së smirës në karakterin e tij, ai nuk dëshiron që këto të mira t’i shohë te dikush tjetër.
Vëlla i nderuar! Dije se smira është kundërshtim i vendimit të All-llahut të Madhërishëm, siç thuhet: “Kush pajtohet me caktimin e All-llahut, nuk ka kush e hidhëron; kush pajtohet me riskun e All-llahut, nuk ka mundësi që smira të depërtojë tek ai.”
Ibën Tejmije thotë: “Nuk ka trup që në vete nuk ka smirë. Por, i keqi e publikon, ndërsa i miri e fshehë.”
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos i ndërprisni lidhjet mes jush, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos e urreni njëri-tjetrin dhe mos e smironi njëri tjetrin. Bëhuni robër të Allahut, vëllezër. Nuk është e lejuar që myslimani të braktisë (të hidhërohet me) vëllain e vet (për nga feja) më tepër se tri ditë.” (Transmeton Enes ibën Malik radijAll-llahu anhuma. Shënon Albani. Hadith Sahih).
Dije, vëlla i dashur, se smira ashtu siç ndikon në fortësimin e zemrës, karakterin e keq dhe prishjen e moralit, ajo po ashtu i pamundëson zemrës arritjen e shpërblimeve më të mëdha, ngase zemra që nuk ka smirë, medoemos të jetë e mbushur me hair, kështu që këtë njeri nuk e sheh ndryshe veçse duke nxitur veten në vepra të mira. E nëse nuk arrin dot t’i bëjë, atëherë të paktën ka nijetin e pastër dhe dëshirën për t’u sjellë dobi të tjerëve.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas nijetit, dhe çdo njeriu i takon ajo që ka pasur për nijet.” (Transmeton Omer ibën Hattabi radijAll-llahu anhuma. Shënon Albani. Hadith Sahih).
Vëlla: Nëse synon zemër të pastër, atëherë përqendrohu në durim dhe përpiqu t’u bësh dobi njerëzve. Bëji mirë atij që të bën keq, mbaji lidhjet me atë që shkëputë lidhjet me ty, jipi atij që s’të jep, fale atë që të ka shqetësuar. I dërguari i All-llahut ka thënë: “Besimtari që përzihet me njerëz dhe duron kur ata e shqetësojnë është më i mirë sesa besimtari i cili nuk përzihet me njerëz dhe nuk duron kur ata e shqetësojnë.” (Transmeton Abdullah ibën Amri radijAll-llahu anhu. Shënon Ibën Haxher El-Askalani. Hadith Sahih).
Asthu siç pastrimi i zemrës të sjellë dëlirjen dhe shpëtimin, ashtu edhe durimi yt ndaj ziliqarit, duke pasur mundësinë për ta shqetësuar atë, si dhe mirësia yte ndaj tij, të sjellë ty mirësinë, qetësinë dhe fitoren.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.” (Fussilet 34)
- Bëje zemrën tënde të kënaqur
Kjo, ngase përkushtimi ndaj të mirave të kësaj bote shkakton varfëri në zemër dhe ngjallë një zbrazëtirë të cilën asgjë nuk e mbushë dot. Nga ana tjetër, të qenit i kënaqur me atë që All-llahu e ka caktuar si risk, sjellë pasuri në zemër dhe ndjellë në të qetësi dhe rehati. Nga Ebu Dherri radijAll-llahu anhu na përcillet se një herë i dërguari i All-llahut i tha atij: “O Ebu Dherr! A je i mendimit që bollëku i mallit është pasuri?” – Po, o i dërguari i All-llahut, i thashë. “E a je i mendimit që mangësia e mallit është varfëri? – Po, o i dërguari i All-llahut, i thashë. Atëherë më tha: “Pasuri e vërtetë është pasuria e zemrës dhe varfëri e vërtetë është varfëria e zemrës.” (Transmeton Ebu Dherr El-Gifariu radijAll-llahu anhuma. Shënon Albani në librin e tij Sahihut-Tergib, nr. 3203).
Kur në zemër e kemi të pranishme satisfaksionin ndaj riskut, atëherë zemrën e përfshinë e tërë mirësia dhe shpëton nga pasojat e koprracisë dhe lakmisë, të cilat janë prej sëmundjeve më të rrezikshme shkatërruese. All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kush i ruhet lakmisë së vetvetes, të tillët janë të shpëtuarit.” (Et-Tegabun 16).
Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ruajuni nga koprracia e madhe ose lakmia (shuhh), sepse ajo i ka shkatërruar ata që kanë qenë para jush. I urdhëroi me derdhje gjaku dhe me lejim të harameve, dhe ata i bënë këto.” (Transmeton Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma. Shënon Muslimi. Hadith Sahih).
Vëlla i dashur: Dije se të kujdesurit për gjërat që e forcojnë dhe e shërojnë zemrën janë shumë dhe nuk mund të përkufizohen në një temë të këtillë. Por ajo që duhet bërë është përmendja e shumtë e All-llahut pas t’i keshë kryer farzet ndaj Tij. Kjo është ndihmesa më e madhe për pastërtinë e zemrës tënde. Nëse ti vazhdon në përmendjen e All-llahut me tesbih, istigfar, tehlil dhe tekbir, gjurmët e këtyre gjërave do t’i ndiesh qartë në zemrën tënde. Po ashtu nëse e shton kujdesin ndaj agjërimit, dhe largohesh nga teprimi në gjumë, haje, biseda dhe të qeshura, atëherë do të arrish të kesh zemër të shëndoshë dhe të shpëtuar.
Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.
www.thirrjaislame.com
Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI