Pajtimi me caktimin e All-llahut të Madhërishëm

Prej pjesëve përbërëse të besimit është që robi besimtar të jetë në pajtim me caktimin e All-llahut dhe të dijë se caktimet nuk ndodhin sipas dëshirave dhe pasioneve të tij por ndodhin sipas urtësisë dhe caktimit të Krijuesit. Duhet ditur se ne nuk jemi në pozitën e propozuesit, por në pozitën e adhurimit dhe dorëzimit ndaj All-llahut. Prandaj, detyrë e jonë është të pajtohemi me caktimin e All-llahut të Madhërishëm në çdo situatë.

Të qenit në pajtim me caktimin e All-llahut të Madhërishëm është fryt prej fryteve të dashurisë dhe njëra prej shkallëve më të larta të të afërmve të All-llahut.

Të qenit në pajtim me caktimin e All-llahut të Madhërishëm është balsam për plagë.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Interesante është puna e besimtarit! Vërtet e gjithë çështja e tij është hair, dhe këtë nuk e ka askush përveç besimtarit. Nëse i ndodhë ndonjë e mirë ai e falënderon (All-llahun) dhe kjo është mirë për të, e nëse i ndodhë ndonjë e keqe ai bën durim, dhe gjithashtu kjo është mirë për të.”[1]

Besimtari e di se një e mirë që i ka ndodhur nuk ka pasur mundësi të ketë qenë e keqe, dhe një e keqe që i ka ndodhur nuk ka pasur mundësi të jetë e mirë. Ai e di se sikur i gjithë ummeti të bashkohen për t’ia sjellë ndonjë dobi të cilën All-llahu nuk e ka caktuar për të, nuk do të kishin pasur mundësi t’ia sillnin atë, dhe sikur i gjithë ummeti të bashkohen për t’i bërë ndonjë të keqe, nuk do të kishin pasur mundësi të bëjnë përveç asaj të cilën All-llahu e ka caktuar për të. Lapsat janë ngritur dhe letrat (në të cilat është shkruar caktimi-kaderi) janë tharë.[2] Përse pra të ketë kundërshtim dhe ankesa ndaj caktimit të All-llahut të Madhërishëm?!

Një njeri që vuante nga halucinacionet e pyeti një psikiatër për gjendjen e tij, ndërsa psikiatri mysliman iu përgjigj: “Dije se bota është liruar nga krijimi dhe planifikimi i Tij (All-llahut), dhe në të nuk ndodhë asnjë lëvizje apo pëshpërimë përveçse me lejen e All-llahut të Madhërishëm. Përse të ketë mërzi e brengë?! “All-llahu i ka shkruar caktimet e krijesave pesëdhjetë mijë vjet para se t’i krijojë qiejt e tokën, ndërsa Arshi i Tij akoma gjendej mbi ujë.”[3]

Ibën Tejmije, All-llahu e mëshiroftë, kur u fut në burgun e kalasë dhe u gjend brenda mureve të tij, goja e tij e recitonte ajetin kur’anor: Atëherë vihet ndërmjet tyre njëfarë muri që ka një derë, e brendia e tij është mëshirë (Xhenneti), e ana e jashtme e tij është dënimi (zjarri).”[4] Ai, me një vendosmëri të madhe, e shprehte pajtimin e tij me caktimin e All-llahut të Madhërishëm duke thënë: “Ç’mund të më bëjnë armiqtë e mi mua? Kopshtin tim unë e kam në gjoks… Kudo që të shkoj, kopshtin e kam me vete… Me vete e kam librin e All-llahut dhe sunnetin e të dërguarit të Tij. Nëse më vrasin, kjo do të jetë një vrasje shehidllëku. Nëse më dëbojnë nga vendi im, ky dëbim do të jetë shëtitje për mua. Nëse më burgosin, kjo do të jetë vetmim me Zotin tim. I burgosur është ai që është i ndarë (penguar) nga Zoti, ndërsa rob (skllav) është ai që është i robëruar nga epshet.

All-llahu e mëshiroftë poetin e vargjeve në vijim:

 

Ah sikur të gjeje ëmbëlsinë kur jeta është e hidhur

Ah sikur të jesh i kënaqur kur njerëzit janë të hidhëruar

Ah sikur gjërat mes meje dhe Teje të jenë të rregulluara

Ndërsa mes meje dhe të gjithë të tjerëve të jenë të shkatërruara

Kur dashuria Yte është e mirëfilltë, atëherë çdo gjë është e lehtë

Se çdo gjë që është mbi dhé është dhé.

 

Prandaj për këtë tipar ka folur nxënësi i tij, Ibën Kajjimi, All-llahu e mëshiroftë, dhe ka thënë: “Pasha All-llahun, nuk kam parë askënd që është gëzuar me jetën edhe përkundër vështirësive me të cilat është përballur, dhe nuk kam parë njeri që e ka refuzuar jetën luksoze dhe komode dhe që është kënaqur me jetën modeste sikur ai. Por megjithëkëtë, ai ka qenë njeriu me jetë më të mirë, me zemër më të gëzuar dhe më të fuqishme e me shpirt më të lumtur. Kënaqësia e përjetimeve vërehej në fytyrën e tij. Kur neve na shtohej frika, mbusheshim me pesimizëm e na ngushtohej jeta, shkonim tek ai, dhe sapo e shihnim dhe dëgjonim fjalët e tij, të gjitha ato të këqija zhdukeshin nga ne dhe shndërroheshin në gëzim, fuqi, bindje dhe qetësi.”

[1] Sahih: shënon Muslimi (2999) nga Suhejbi radijAll-llahu anhu.

[2] D.m.th. shkrimi i caktimeve (kadereve) ka mbaruar më.

[3] Sahih: shënon Muslimi (2653) nga Abdullah ibën Amri radijAll-llahu anhuma.

[4] Kaptina El-Hadid, ajeti 13.

 

www.thirrjaislame.com