Blog
-
SHPESHTIMI I LEXIMIT TË KUR’ANIT FISNIK
Me Emrin e Allahut, Mëshiruesit të përgjithshëm, Mëshiruesit me mëshirë të veçantë për besimtarët muslimanë!
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Kur’ani Fisnik është litari i fortë i Allahut, ndërmjetësues në Ditën e Gjykimit, kush kapet për të udhëzohet në Rrugën e Drejtë, kush e braktisë atë do të jetë kundërshtari i tij në Ditën e Gjykimit. Transmeton Xhabir ibn Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili ka thënë: “Kurani do të jetë ndërmjetësues për ty apo kundërshtar i vërtetë kundër teje. Kush vepron sipas tij, do ta çojë në Xhenet. Ndërsa, kush e lë pas shpine, do ta çojë në Xhehenem”1.
Nëse punon sipas Kur’anit, ai do të jetë dëshmi për ty. Nëse e kundërshton atë dhe nuk punon sipas tij, ai do të jetë dëshmi kundër teje. Transmeton Ebu Malik Eshariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Pastërtia është gjysma e imanit, (thënia) elhamdulilah e mbush (me shpërblim) peshoren, (thëniet) subhanallah (i pa të meta është Allahu) dhe elhamdulilah (lavdërimi i takon Allahut) mbushin hapësirën ndërmjet qiellit dhe tokës. Namazi është dritë, lëmosha është argument, durimi është shkëlqim dhe Kurani është dëshmi për ty ose kundër teje. Çdo njeri, kur del në mëngjes, e shet veten e tij: ose e ç’robëron (nga kthetrat e dynjasë) ose e shkatërron (pas epsheve)”2.
Për këtë Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nxiti në shoqërimin e Kur’anit me leximin e shumtë të tij, në nxënien e tij përmendësh dhe në përsëritjen e tij.
Do të flasim shkurtimisht për pesë çështje të cilat lidhen me shpeshtimin e leximit të Kur’anit:
1. Nxitja nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në leximin e shumtë të Kur’anit.
2. Nxitja nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në nxënien e Kur’anit përmendësh dhe përsëritjen e tij.
3. Shpërblimi i shpeshtimit të leximit të Kur’anit dhe nxënies së tij përmendësh,
4. Suret dhe ajetet të cilat pëlqehet të shpeshtohet leximi i tyre.
5. Nxitja nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në leximin e shumtë të Kur’anit gjatë muajtit të Ramazanit.
Nxitja nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në leximin e shumtë të Kur’anit
Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka nxitur që mos të zgjasë leximi i një hatmeje më shumë se katërdhjetë ditë. Transmeton Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai e ka pyetur Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në sa ditë mund ta bëj hatme Kur’anin? Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: Bëje Kur’anin hatme për katërdhjetë ditë…3
Është transmetuar nga Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai kërkoi leje nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që ta lexoj Kur’anin në më pak se shtatë ditë, mirëpo Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nuk ia lejoi këtë. Ky sahabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: Kam agjëruar çdo ditë dhe kam bërë hatme Kur’anin çdo natë. Këtë ia tregova Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ose ai dërgoi dikë që të më thërras dhe unë shkova te ai. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, më tha:
– Kam dëgjuar se ti agjëron çdo ditë dhe e bën hatme Kur’anin çdo natë?
– Po, o Pejgamber i Allahut. Me këtë dua të arrij vetëm të mirën, – i thashë. Kurse ai më tha:
– Si mendon që të agjërosh tri ditë në çdo muaj?
– O Pejgamber i Allahut, unë mundem më shumë se kaq, i thashë. Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha:
– Por, ndaj gruas sate ke hak, ndaj mysafirit tënd ke hak, dhe ndaj trupit tënd ke hak. – Shtoi edhe këtë: Atëherë, praktikoje agjërimin e pejgamberit të Allahut, Davudit, paqja e Allahut qoftë mbi të, një ditë agjëro e ditën tjetër ha. – Pastaj tha: – Bëje Kur’anin hatme një herë në muaj.
– O Pejgamber i Allahut, unë mundem më shumë se kaq, i thashë.
– Atëherë, bëje hatme në çdo njëzetë ditë, – tha Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.
– Por, o Pejgamber i Allahut, unë mundem më shumë se kaq, – i thashë. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha:
– Atëherë, bëje hatme në çdo dhjetë ditë. – Sërish i thashë:
– O Pejgamber i Allahut, unë mundem më shumë se kaq.
– Bëje hatme në çdo shtatë ditë dhe mos kërko më shumë, sepse ndaj gruas sate ke hak, ndaj mysafirit tënd ke hak, dhe ndaj trupit tënd ke hak, – tha Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.
Unë e vështirësova dhe m’u vështirësua. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, më tha:
– Ti nuk e di, ndoshta do ta kesh jetën e gjatë.
Me ndodhi ajo që ma tha Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, dhe kur u plaka, dëshirova sikur ta kisha pranuar lehtësimin e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.4
Në një transmetim tjetër ka ardhur se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nuk e ka pëlqyer që hatmeja të bëhet në më pak se tri ditë. Transmeton Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, më tha: Agjëro nga tri ditë në çdo muaj.
– Unë mundem më shumë se kaq, – i thashë. Kështu vazhdova, derisa më tha:
– Një ditë agjëro, një ditë ha. Dhe më tha: Lexoje Kuranin në çdo muaj.
– Unë mundem më shumë se kaq, – i thashë. Vazhdova kështu derisa më tha:
– (Bëje hatme) brenda tri ditësh.5
Kurse në trasmetimin e Tirmidhiut, Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Kush e ka bërë Kur’anin hatme për më pak se tri ditë, nuk e kuptuar atë.6
Gjithashtu nga nxitja e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në leximin e shumtë të Kur’anit është që nëse ndokush nga muslimanët e ka zakon faljen e namazit gjatë natës apo leximin e ndonjë pjese të Kur’anit, mirëpo në ndonjërën prej netëve atë e zë gjumi apo për ndonjë arsye të caktuar, ai nuk mund ta kryej atë vepër, ai atë e kompenson në ditën e nesërme. Transmeton Omer ibn Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:
Ai që fle ndaj adhurimit që vazhdimisht e bën natën (qoftë namaz nate, lexim i Kur’anit, përmendja e Allahut,…), apo ndaj një pjese të tij, kurse atë vepër e kryen në mes namazit të sabahut dhe të drekës, do t’i shkruhet sikurse ta ketë kryer atë gjatë natës.7
Abdurrahman el-Mubarakfuri, Allahu e mëshiroftë, në komentimin e hadithit të mësipërm, të cilin e transmetoi Omer ibn Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Hadithi dëshmon se lejohet që njeriu ta bëjë zakon ndonjë adhurim gjatë natës (qoftë namaz nate, lexim i Kur’anit, përmendja e Allahut,…), gjothashtu hadithi dëshmon se lejohet kompensimi i asaj vepre nëse i ka ikur për shkak të gjumit apo për ndonjë arsye të caktuar. Kështu, kush e kryen atë vepër në mes të namazit të sabahut dhe të drekës, është sikurse ta kishte kryer atë natën. Muslimi, Tirmidhiu dhe të tjerët, transmetojnë nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila ka thënë: Pejgamberi i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur mbetej pa u falur natën, për shkak të ndonjë sëmundje apo diç tjetër, i falte ditën dymbëdhjetë rekate.8
Gjithashtu, nga nxitja e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në leximin e shumtë të Kur’anit është se iu dha përparësi atyre të cilën lexojnë më shumë ajete Kur’anore në namazin e tyre, duke i përgëzuar me shpërblimin e pasurive të panumërta. Transmeton Abdullah ibn Amr ibn Asi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:
Ai falet gjatë natës me dhjetë ajete, nuk shkruhet nga të pakujdesshmit. Ai që falet me njëqind ajete shkruhet nga të përulurit (devotshmit). Ai që falet me njëmijë ajete shkruhet nga pronarët me pasuri të panumërt.9
Këtë shpërblim të madh mund ta arrish shumë lehtë me leximin e dy xhuzave të fundit të Kur’anit – xhuzi Tebarek dhe xhuzi Amme – të cilat kanë nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë ajete, dhe me leximin e Sures Fatiha tejkalohen një mijë ajete.
Abdullah ibn Musudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur i nxiste pasuesit e tij që të lexojnë sa më shumë Kur’an, u thoshte atyre: Përjetësojeni shikimin tuaj në Mus’haf (Kur’an).10
Habab ibn El-Erti, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Afrohu tek Allahu me çka të mundesh, dhe dije se ti nuk mund të afrohesh tek Ai me gjë më të dashur për Të se fjala e Tij.11
Lutja jonë e fundit është: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Zotin e gjithë botëve, njerëzve, xhinëve dhe gjithçkaje që është.”
1.Ibn Ebu Shejbe (30054) ; Shejh Albani e cilësoi sahih në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib.
2.Muslimi (223).
3 Transmeton Tirmidhiu (1395).
4 Muslimi (1159).
5 Buhariu (1978).
6 Tirmidhiu (2949); Shejh Albani e cilësoi sahih në Sahih Et-Tirmidhi (2349).
7 Muslimi (747).
8 Tuhfte El-Ehuedhij BiSherh Et-Tirmidhi Li-l-Mubarakfuri.
9 Transmeton Ebu Davudi (1398) Shejh Albani në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib e cilësoi hasen-sahih (639).
10 Fet’h El-Bari BiSherh Sahih El-Buhari Li Ibn Haxher El-Askalani.
11 Xhamiu El-Ulum Ue El-Hikem Li Ibn Rexheb (342/2)
Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti
(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)
www.thirrjaislame.com
-
EDUKATA GJATË GOGËSIMËS
Vëllezër të dashur,
Duhet të dimë se gogësima është nga shejtani dhe se All-llahu i Madhërishëm e urren atë. Por njeriu shpesh përballet me këtë dukuri.
Prandaj duhet të mësojmë rregullat të cilat myslimani duhet përvetësuar gjatë gogësimës.
Në vazhdim, po përmendim disa prej tyre:
- Përpjekja për ta neutralizuar gogësimën
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikujt prej jush i hapet goja në namaz, le të mundohet ta ndalë sa të mundet, sepse shejtani hyn nga goja e tij.”[1]
- Mosngritja e zërit gjatë gogësimës
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikujt prej jush i hapet goja në namaz, le ta vendosë dorën në gojë, sepse shejtani qeshet me të.”[2]
- Vendosja e dorës në gojë
Nëse gjatë gogësimës njeriu e mban gojën hapur, atëherë kjo është një pamje e shëmtuar. Veç kësaj, shejtani qeshet me njeriun kur është në këtë gjendje.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikujt prej jush i hapet goja në namaz, le të mundohet ta ndalë sa të mundet, sepse shejtani hyn nga goja e tij.”[3]
- Mosnxjerrja e zërave gjatë gogësimës
Shejtani qeshet me njeriun i cili gjatë gogësimës thotë: haa, haaa. Prandaj, myslimani kur të gogësijë, nuk duhet nxjerrur asnjë zë.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Teshtima është prej All-llahut, ndërsa gogësima është prej shejtanit. Kur dikujt prej jush i hapet goja, le ta vendosë dorën në gojë. E kur thotë: haaa (gjatë hapjes së gojës), shejtani qeshet me të. All-llahu i Madhërishëm e do teshtimën dhe e urren gogësimën.”[4]
[1] Sahih: shënon Muslimi (2995).
[2] Sahih: shënon Ibën Maxhe (968). Shejh Albani në librin e tij Sahih ibën Maxhe e ka klasifikuar si hadith sahih.
[3] Sahih: shënon Muslimi (2995).
[4] Hasen: shënon Tirmidhiu (2746). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4130) e ka klasifikuar si hadith hasen.
www.thirrjaislame.com
-
EDUKATA GJATË TESHTIMËS
Vëllezër të dashur,
Teshtimë do të thotë dalja e ajrit me vrull, papritur e pa dashje nga hunda e nga goja, zakonisht me stërpika, pështymë e me një zhurmë të veçantë. (Fjalori Elektronik Shpjegues).
Edukata e teshtimës është pjesë e edukatës së përgjithshme të cilën myslimani duhet përvetësuar, që do të thotë se ajo duhet të jetë e hijshme në praninë e vëllezërve myslimanë.
Teshtima është gjë të cilën All-llahu i Madhërishëm e do, siç na përcillet nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu se i dërguari i All-llahut ka thënë: “All-llahu e do teshtimën, ndërsa e urren gogësimën (hapjen instiktive te gojës)…”[1] Teshtima vërteton shkathtësinë dhe kthjelltësinë e trupit, ndërsa gogësima, në përgjithësi vërteton ngathtësinë dhe përtacinë e trupit. Prandaj gogësima ka të bëjë me shejtanin, i cili kënaqet me të, apo është shkak që e thirrë t’i përgjigjet pasioneve dhe epshit.[2]
Në vazhdim, po përmendim disa rregulla të cilat duhet pasur parasysh gjatë teshtimës.
- Vendosja e dorës në gojë për të ulur zërin
Kjo bëhet me qëllim të uljes së zërit dhe për të mos i shqetësuar të pranishmit. Po ashtu që të mos shpërndahen pika të pështymës dhe kështu t’i shqetësojë njerëzit që ka përreth, apo që të mos shkaktojë përhapjen e bakterieve te të tjerët. Prandaj, prej udhëzimit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë që kur teshtinte e vendoste dorën apo teshën e tij në gojë, dhe me to e ndalonte zërin.[3]
- Të thotë el-hamdu lil-lah (falënderimi i takon All-llahut) pas teshtimës
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri nga ju teshtinë, le të thotë el-hamdu lil-lah (falënderimi i takon All-llahut), e kur të thotë ashtu, vëllai apo shoku i tij le t’i thotë: Jerhamukell-llah (All-llahu të mëshiroftë), e ky le t’ia kthejë: Jehdikumull-llahu ve juslihu balekum (All-llahu ju udhëzoftë dhe ua përmirësoftë gjendjen tuaj).”[4] Disa dijetarë të lëmit të mjekësisë kanë cekur se teshtima ka mundësi të jetë shkak i shumë sëmundjeve. Pra, ajo teshtimë e befasishme mund të lërë pasoja të rënda në sistemin nervor, madje mund të shkaktojë edhe vdekje. Një mjek amerikan i cili para disa viteve e pranoi islamin pasi bëri një hulumtim shkencor te një numër i madh njerëzish, konstatoi se teshtima mund të shkaktojë vdekje momentale, verbëri momentale, paralizë, rrëshqitje të kërces, zgjerim të venave të mitrës te femrat, e shumë sëmundje të tjera të cilat arrijnë deri në pesëmbëdhjetë. Pas këtij hulumtimi, ai e kuptoi përse myslimanët e falënderojnë All-llahun pas teshtimës, dhe për këtë arsye e pranoi islamin.
Gazeta “El-Ehbar” e Kajros rreth fundit të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të njëzetë ka publikuar lajmin për vdekjen momentale të një plake pas një teshtime të befasishme. Ndoshta, pikërisht ky mund të jetë shkaku përse islami na urdhëron që ta falënderojmë All-llahun pas teshtimës, ngase All-llahu e ka mbrojtur atë që teshtinë prej këtyre gjërave të rrezikshme.[5]
- Atij i cili nuk thotë: el-hamdu lil-lah, nuk duhet thënë jerhamukell-llah
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush teshtinë dhe thotë: El-hamdu Lil-lah, thuani atij: Jerhamukell-llah. E nëse nuk thotë: El-hamdu Lil-lah, mos i thoni: Jerhamukell-llah.”[6] Kjo ka qenë praktikë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Njëherë dy njerëz teshtinë në praninë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndërsa ai njërit i tha: Jerhamukell-llah, e tjetrit nuk i tha. Ky i fundit tha: “O i dërguar i All-llahut! Këtij i the Jerhamukell-llah, e mua jo!” Ai iu përgjigj: “Ky tha el-hamdu lil-lah, ndërsa ti nuk the.”[7]
- Atij që teshtinë nuk i thuhet jerhamukell-llah pas herës së tretë
Nëse një njeri teshtinë disa herë me radhë, preferohet që t’i thuhet ‘jerhamukellah’ deri në teshtimën e tretë… Nga Seleme ibën Ekve’ radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Një njeri teshtiu në praninë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndërsa unë po shikoja, e i dërguari i All-llahut i tha: Jerhamukellah. Pastaj teshtiu për herë të dytë apo të tretë ndërsa i dërguari i All-llahut tha: Jerhamukellah, ky qenka me grip.”[8] Pra, pas herës së tretë nuk i thuhet më ‘jerhamukellah’. Por disa prej dijetarëve thonë që nëse dikush dëgjon dikë duke teshtitur më shumë se dy herë, atëherë preferohet të lutet për të me shërim.[9]
- Jomyslimani kur teshtinë, i thuhet ‘jehdikumull-llahu ve juslihu balekum’
Hebrenjtë teshtinin qëllimisht para Pejgamberit alejhi selam, duke shpresuar që ai t’u thotë “jerhamukumull-llah”, por ai u thoshte: “Jehdikumull-llahu ve juslihu balekum.”[10]
Nga Imam Ahmedi na përcillet se ka thënë: “Nuk preferohet që mosbesimtarit t’i thuhet ‘jerhamukell-llah’, ngase të thënit atij ‘jerhamukell-llah’ është përshëndetje për të, sikurse ta përshëndesim me selam, ndërsa nuk është e preferuar që myslimani të fillojë me përshëndetje i pari ndaj mosbesimtarit. Por nëse myslimani dëshiron t’i thotë diçka mosbesimtarit kur ky i fundit teshtinë, atëherë i thotë ‘jehdikumull-llahu ve juslihu balekum.’”
- Përkujtimi i atij që teshtinë me fjalën el-hamdu lil-lah kur ai e harron atë
Nëse shohim dikë duke teshtirë, dhe nuk thotë el-hamdu lil-lah, atëherë duhet t’ia përkujtojmë. Kjo është prej porosive për t’u përmbajtur me të vërtetën dhe prej urdhërimit në të mirë.
Abdullah ibën Mubareku e pa një njeri i cili teshtiu dhe nuk tha el-hamdu lil-lah, prandaj e pyeti: “Çfarë thotë njeriu kur teshtinë?” Ai tha: “Thotë el-hamdu lil-lah.” Abdullah ibn Mubareku ia ktheu: “Jerhamukell-llah.”
Përkujtimi duhet bërë me metodë të mirë dhe me butësi. E nëse ai që teshtinë dhe harron të thotë el-hamdu lil-lah është prej dijetarëve apo njerëzve të mirë, më e hijshme është që përkujtimi t’i bëhet në mënyrë indirekte.[11]
- Nëse një fëmijë i vogël teshtinë, i thuhet: ‘burike fike’ (qofsh i bekuar) ose ‘xhebberekellah’ (All-llahu të forcoftë)
Kjo ka të bëjë me atë nëse fëmija ka mësuar të thotë ‘el-hamdu lil-lah’ pasi të teshtijë. E nëse nuk di, atëherë kujdestari i tij le të thotë ‘el-hamdu lil-lah’, dhe le ta mësojë se si duhet ta falënderojë All-llahun.
Hasen El-Basriu, All-llahu e mëshiroftë, thotë se Imam Ahmedi u pyet në lidhje me atë se ç’duhet thënë fëmijës kur të teshtijë. Ai u përgjigj: “Atij duhet thënë burike fike.”[12]
- Nëse njeriu teshtinë gjatë namazit, i lejohet të thotë ‘el-hamdu lil-lah
Nga Rifaa Ibën Rafi’ ibën Afra’ radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “U fala mbrapa të dërguarit të All-llahut, dhe teshtiva në namaz e thashë: el-hamdu lil-lahi hamden kethiren tajjiben mubareken fihi, mubareken alejhi kema juhibbu rabbuna ve jerda![13] I dërguari i All-llahut pasi e përfundoi namazin, pyeti: Kush foli gjatë namazit? Askush nuk u përgjigj. Përsëri pyeti: Kush foli gjatë namazit? Përsëri askush nuk u përgjigj. Kur pyeti për herë të tretë: Kush foli gjatë namazit?, u ngrita dhe thashë: Unë fola, o i dërguari i All-llahut. Po çfarë the?– e pyeti i dërguari i All-llahut. Thashë: El-hamdu lil-lahi hamden kethiren tajjiben mubareken fihi, mubareken alejhi kema juhibbu rabbuna ve jerda! Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, tridhjetë e ca melekë garuan se cili i pari do ta ngritë këtë fjalë tek All-llahu.”[14]
[1] Sahih: shënon Buhariu (6223).
[2] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin Fil-Adabil-Islamijje, fq. 475. Autor: Pr. Muhammed Abdul-Ati Buhajri.
[3] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5029) dhe Tirmidhiu (2745). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4755) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[4] Sahih: shënon Buhariu (6224).
[5] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, fq. 618. Autor: Abdul-Aziz Neda.
[6] Sahih: shënon Muslimi (2992).
[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6225) dhe Muslimi (2991).
[8] Sahih: shënon Muslimi (2993).
[9] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin Fil-Adabil-Islamijje, fq. 477. Autor: Prof. Muhammed Abdul-Ati Buhajri.
[10] Sahih: shënon Buhariu (6224).
[11] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, fq. 620.
[12] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin Fil-Adabil-Islamijje, fq. 478.
[13] Që do të thotë: “Falënderimi i takon All-llahu, falënderim i shumtë, në të cilin është mirësia dhe bekimi, i bekuar ashtu siç do dhë është i Kënaqur Zoti Ynë.” (shën. përkth.)
[14] Hasen: Shënon Tirmidhiu (404). Shejh Albani në librin e tij El-Mishkah (992) e ka klasifikuar si hadith hasen.
www.thirrjaislame.com
-
EDUKATA GJATË PIRJES
Vëllezër të dashur,
Njeriu nuk mund të jetojë pa ushqim e pije. Madje nevoja e tij për pije është më e madhe se ajo për haje. Prandaj All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi.”[1]
Që këtej, është e domosdoshme t’i mësojmë rregullat të cilat myslimani duhet përvetësuar gjatë pirjes.
- Nijeti i mirë
Kjo do të thotë që njeriu gjatë pirjes të ketë nijetin të forcohet për ibadet ndaj All-llahut të Madhërishëm, si dhe kjo pije të jetë shkak për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së tij.
- Të thënit ‘bismil-lah’ para pirjes
Ashtu siç thotë ‘bismil-lah’ para ushqimit, ashtu duhet thënë ‘bismil-lah’ edhe para pirjes. Kjo është shkak për të arritur bereqetin e pijes dhe largimin e shejtanit nga kjo pije.
- Pirja duke bërë ulur nëse jepet mundësia
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar pirjen duke qenë në këmbë dhe ka thënë: “Mos pini duke qenë në këmbë. E kush harron (dhe pi në këmbë), le të vjellë.”[2] Po ashtu ka thënë: “Sikur ta dinte ai që pi në këmbë se ç’ka në barkun e tij, do të villte.”[3] Po ashtu, na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar pirjen në këmbë.[4] D.m.th. esenca është që pirja të bëhet duke qenë ulur, dhe kjo është më e mirë se pirja në këmbë.
- Pirja me dorën e djathtë
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të hani, hani me dorën e djathtë dhe kur të pini, pini me dorën e djathtë, sepse shejtani ha me dorën e majtë dhe pi me dorën e majtë.”[5] Prandaj myslimanit nuk i lejohet të pijë me dorën e majtë.
- Pirja me tri frymëmarrje
Kjo do të thotë që atë që e pi, ta pijë duke e ndarë në tri pjesë, e jo duke e pirë përnjëherë.
Kjo ka qenë praktikë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ngase ai pinte me tri herë, dhe në fillim thoshte ‘bismil-lah’, ndërsa në fund thoshte ‘el-hamdu lil-lah’.[6]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem pinte me tri frymëmarrje (ndërprerje). Kur e afronte enën te goja, thoshte ‘bismil-lah’, e kur e mbaronte pirjen, thoshte el-hamdu lil-lah. Këtë e përsëriste tri herë.[7]
Ky sunnet i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në vete ngërthen dobi të shumta mjekësore. Disa mjekë kanë sqaruar se temperatura e lukthit zakonisht është më e lartë sesa temperatura e ujit që pihet. Prandaj, në fillim duhet pirë pakëz, e më pas e shton sasinë, e më në fund ngopet me ujë, derisa shkalla e temperaturës së lukthit gradualisht të adaptohet me temperaturën e ujit që depërton në të. Kështu, pija e parë duhet të jetë më e paktë se e dyta, ndërsa gjatë të tretës pi sa të ketë nevojë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk e ka bërë këtë për diçka tjetër përveçse për t’i mësuar njerëzit atë që është në dobinë e tyre.[8]
- Mospirja nga gryka e enës
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar pirjen nga gryka e enës.[9]
Arsyeja e kësaj është se nëse dikush pi nga gryka e enës, mund të lërë pas erën e keqe të gojës dhe kështu askush nuk mund të pijë pas tij. Po ashtu kjo mund të shkaktojë bartjen e sëmundjeve të ndryshme, e sidomos nëse dikush pi pasi ka pirë personi i sëmurë.
- Frymëmarrja gjatë pirjes
Pijen nuk duhet pirë përnjëherë, por duhet ndarë në tri pjesë dhe mes tyre duhet marrë frymë.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur pinte, merrte frymë tri herë, dhe në lidhje me këtë thoshte: “Kjo është më e ngopshme, më e dobishme dhe më e shëndetshme.”[10]
- Largimi i enës nga goja gjatë frymëmarrjes
Kjo do të thotë që pirja të bëhet nga ena, ndërsa kur dëshiron të marrë frymë, duhet larguar enën nga goja. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Largoje enën nga goja e pastaj merr frymë.”[11]
- Mosmarrja frymë në enë dhe mosfryrja në të
Arsyeja për këtë gjë është që era e gojës të mos transferohet në enë. Ka mundësi që era të jetë e neveritshme dhe të tjerët të mos mund të pinë më nga ajo enë.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga kjo gjë dhe ka thënë: “Kur të pini, mos merrni frymë në enë; kur të kryeni nevojën fiziologjike, mos e fshini (pastroni) organin gjenital me dorën e djathtë; dhe kur të pastroni prapanicën pas nevojës fiziologjike, mos e pastroni me dorën e djathtë.”[12] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar frymëmarrjen në enë dhe fryrjen në të.[13]
- Ndalimi i pirjes në enë të arit dhe të argjendit
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga kjo gjë dhe ka thënë: “Kushdo që pi nga ena prej ari dhe argjendi, ai gurgullon në barkun e tij zjarrin e xhehennemit.”[14] Po ashtu ka thënë: “Mos pini nga enë të arit dhe argjendit…”[15] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që pi nga ena prej argjendi, ai gurgullon në barkun e tij zjarrin e xhehennemit.”[16]
- Largimi nga pijet e ndaluara
Myslimani e ka për detyrë të largohet nga pijet e ndaluara, si alkooli dhe pijet tjera dehëse. Ai që pi pije të tilla, ka bërë një mëkat të madh.
- Preferohet pirja e pijeve të ëmbla e të freskëta
Këtu bëjnë pjesë lëngjet dhe të ngjashmet me to. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka dashur këto lloj pijesh. Në një hadith na përcillet se: “Pija më e dashur për Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë pija e ëmbël dhe e freskët.“[17]
- Preferohet pirja e mjaltit, qumështit dhe ujit
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka dashur këto pije dhe i ka pirë vazhdimisht.
- Dhënia përparësi anës së djathtë
Nëse ka një grup njerëzish që presin për të pirë, atëherë sunnet është që të fillohet nga ana e djathtë.
Njëherë Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem iu soll një enë me qumësht të përzier me ujë, ndërsa në anën e djathtë të tij kishte një beduin, e në anën e majtë të tij e kishte Ebu Bekrin. Enën ia dha beduinit, dhe tha: “E djathta ka përparësi.”[18]
- Kërkimi i lejes nga ai që është në anën e djathtë për të filluar me të tjerët
Ka mundësi që gjatë pirjes të ketë një grup njerëzish, ndërsa ai që shërben me pije ka dëshirë që të fillojë nga dikush tjetër që nuk është në anën e djathtë, dhe atë për shkak të pozitës apo diturisë që ka ai person. Në këtë rast, ai e ka obligim të marrë leje nga ai që është ulur në anën e djathtë, qoftë edhe nëse është fëmijë, ngase na përcillet se njëherë Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i sollën një pije. Pasi piu prej saj, në anën e tij të djathtë kishte një fëmijë, ndërsa në të majtën kishte ca pleq. Ai iu drejtua fëmijës duke i thënë: “A më lejon t’u jap këtyre pleqve para teje?” Fëmija tha: “Jo vallahi, askujt nuk i jap përparësi para vetes.” Atëherë i dërguari i All-llahut ia dha atij enën në dorë.[19]
- Mosteprimi në pije
All-llahu i Madhërishëm ka ndaluar teprimin dhe ka thënë: “hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).”[20]
Teprimi shkakton dëm në shëndetin e njeriut. Po ashtu teprimi nuk është cilësi e besimtarëve, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Besimtari pi me një plëndës, ndërsa mosbesimtari pi me shtatë plëndësa.”[21]
- Ai që shërben pijen, duhet pirë i fundit
Këtë e bazojmë në fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kush shërben pijen, është i fundit.”[22] Po ashtu në hadithin tjetër: “Ai që shërben pijen, pi i fundit.”[23]
Pra, sunnet është që shërbyesi i pijes nuk duhet pirë derisa të pinë të gjithë të pranishmit. E kur të mbarojnë, atëherë ai pi i fundit.
- Preferohet pirja e qumështit të lopës
Qumështi i lopës është i dobishëm. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka porositur me të dhe ka thënë: “Pini qumësht lope, ngase ato hanë nga të gjitha llojet e pemëve, dhe qumështi i tyre është shërim nga çdo sëmundje.”[24]
- Duaja para pirjes së qumështit
Ai që dëshiron të pijë qumësht, le të përkujtojë duanë të cilën Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ua mësoi njerëzve para pirjes së qumështit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të pini qumësht, thuani: O All-llah, na jep bereqet në të, na e shto atë, ngase nuk ka gjë që e përmbushë mungesën e ushqimit dhe pijes përveç tij.”[25]
- Gargaritja pas pirjes së qumështit
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka nxitur për një gjë të tillë duke thënë: “Kur të pini qumësht, gargaritni, sepse qumështi përmban yndyrë.”[26]
- Përkujtimi i duasë së Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjatë pirjes
Ajo dua është: “O All-llah, bëje dashurinë time për Ty më të dashur sesa dashurinë time për veten, familjen dhe ujin e freskët.”[27] Prandaj, përkujtoje dashurinë ndaj All-llahut dhe jipi përparësi asaj ndaj dashurisë për dikë tjetër. Po ashtu përkujtoje begatinë e Tij dhe falënderoje Atë.
- Falënderimi All-llahut pas pirjes
Ky falënderim në vete ngërthen mirënjohjen për mirësitë dhe begatitë e All-llahut, si dhe falënderimin ndaj Tij për të gjitha ato begati.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur mbaronte ushqimin apo pijen, thoshte: “Falënderimi i takon All-llahut, I Cili na dha të hamë e të pimë, e bëri të lehtë për përtypje dhe i bëri vend për dalje.”[28] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu do të jetë i Kënaqur me robin e Tij kur ai ha dhe e falënderon Atë, apo kur pi dhe e falënderon Atë.”[29]
[1] Kaptina El-Enbija’, ajeti 30.
[2] Sahih: shënon Muslimi (2026).
[3] Sahih: shënon Ahmedi (2/283). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5336) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[4] Sahih: shënon Muslimi (2024).
[5] Sahih: Shënon Muslimi (2020).
[6] Sahih: shënon Ibën Sunnij. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4956) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[7] Sahih: shënojnë Haraitiu në librin e tij Fadiletush-Shukr dhe Taberaniu në Mu’xhemul-Evset. Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1277) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[8] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (1/464-465). Autor: Abdul-Aziz Neda.
[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5628) dhe Muslimi (1609).
[10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5631) dhe Muslimi (2028).
[11] Sahih: shënojnë Bejhekiu në Shuabul-Iman (5/114), Maliku (2/925) dhe Ahmedi (3/57). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (385) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[12] Sahih: shënon Buhariu (5630).
[13] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3728), Tirmidhiu (3728) dhe Ibën Maxhe (3429). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3820) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[14] Sahih: Shënon Muslimi (2065).
[15] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5633) dhe Muslimi (2067).
[16] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5634) dhe Muslimi (2065).
[17] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (1895) dhe Ahmedi (6/38). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4627) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[18] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5619) dhe Muslimi (2029).
[19] Sahih: shënon Buhariu (5620).
[20] Kaptina El-E’raf. Ajeti 31.
[21] Sahih: shënon Muslimi (2063).
[22] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3725) dhe Ahmedi (4/354). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3588) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[23] Sahih: shënon Muslimi (681).
[24] Sahih: shënon Hakimi në Mustedrek (4/446). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4059) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[25] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3730) dhe Tirmidhiu (3455). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (381) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[26] Sahih: shënon Ibën Maxhe (499). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (628) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[27] Daif: shënon Tirmidhiu (3490). Shejh Albani në librin e tij Tahkik Rijadis-Salihin (1498) dhe Silsiletul-Ehadithid-Daife (1125) e ka klasifikuar si hadith daif.
[28] Sahih: shënon Ebu Davudi (3851). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4681) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[29] Sahih: shënon Muslimi (2734).
www.thirrjaislame.com
-
RREGULLAT PAS USHQIMIT
- Falënderimi ndaj All-llahut për begatinë e Tij
Ky falënderim bëhet me gjuhë ashtu siç bëhet edhe me zemër duke shprehur mirënjohjen tonë ndaj Tij. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur mbaronte ushqimin thoshte: “Falënderimi i takon All-llahut, I Cili na dha të hamë e të pimë, e bëri të lehtë për përtypje dhe i bëri vend për dalje.”[1]
- Lutja për nikoqirin e ushqimit
Kjo është një edukatë të cilën duhet pasur në konsideratë. Njëherit, kjo është falënderim ndaj All-llahut të Madhërishëm. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush nuk i falënderon njerëzit, nuk e ka falënderuar as All-llahun.”[2] Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem njëherë hëngri te njëri prej shokëve të tij, dhe pasi përfundoi me ushqimin, tha: “Bëfshin iftar te ju agjëruesit, ushqimin tuaj e ngrënçin njerëzit e mirë dhe për ju bëfshin dua melaiket.”[3]
- Shpërlarja e gojës dhe gargaritja pas ushqimit
Kjo ka qenë praktikë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Nga Suvejd ibën Nu’mani na përcillet se ka thënë: “Dolëm bashkë me Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për në Hajber. Kur arritëm në Sahba, kërkoi të shtrohet ushqimi, e që ishte vetëm suvejk (ushqim nga gruri dhe elbi). Pasi hëngrëm, u ngrit për të falur namazin, gargariti, dhe ne, po ashtu gargaritëm.”[4]
- Pastrimi i dhëmbëve
Kjo do të thotë largimi i mbeturinave të ushqimit ndërmjet dhëmbëve, qoftë me kleçkë, me pe medicinal, me brushë dhëmbësh apo me diçka tjetër, sepse mbeturinat e ushqimit ndërmjet dhëmbëve i dëmtojnë dhe i kalbin dhëmbët.
- Larja e duarve
Kjo bëhet me qëllim të largimit të mbeturinave të ushqimit dhe aromës së tij, në veçanti nëse ushqimi është i yndyrshëm dhe nëse njeriu pas ushqimit shtrihet për gjumë.
- Përdorimi i misvakut
Kjo bëhet me qëllim të ruajtjes së gojës dhe dhëmbëve, si dhe për t’i dhënë gojës aromë të këndshme, bazuar në hadithet e përgjithshme që porosisin dhe nxisin për përdorimin e misvakut.
- Moszgjatja e ndejës pas ushqimit
All-llahu i Madhërishëm thotë: “e kur të jeni ushqyer, atëherë shpërndahuni.”[5], dhe kjo ka të bëjë me atë nëse njeriu është duke ngrënë në shtëpinë e dikujt tjetër. Kështu, pasi të përfundojë ushqimin, ai duhet të ngrihet dhe të dalë nga shtëpia e nikoqirit, përveç nëse e di se nikoqiri ka dëshirë që të vazhdojë ndejën. Në këtë rast, nuk ka problem nëse e zgjatë ndejën.
- Marrja e avdesit pas ngrënies së mishit të devesë
Nëse njeriu ha mish deveje, le të marrë avdes pas ngrënies. Sahabët e kanë pyetur të dërguarin e All-llahut në lidhje me këtë, ndërsa ai u është përgjigjur: “Merrni avdes pasi të hani mishin e devesë, e mos merrni avdes pasi të hani mishin e deles. Faluni në torishtat e deleve e mos u falni në torishtat e deveve.”[6]
- Mosmarrja e një pjese të ushqimit me vete
Nëse njeriu ha te dikush, nuk është e hijshme që pasi të përfundojë me ushqimin, të marrë një pjesë të ushqimit me vete, sepse ky është një veprim i ulët.
- Mosfjetja direkt pas ngrënies
Kjo është një shprehi e keqe dhe ndikon negativisht për zemrën dhe organet e tjera.
RREGULLAT QË LIDHEN ME USHQIMIN
- Mosngrënia e hudhrës dhe qepës para namazit
Arsyeja është se ato lëshojnë erë të neveritshme. Nëse ha hudhër apo qepë, atëherë ose do të shkojë në xhami për namaz dhe t’i shqetësojë njerëzit dhe melaiket, ose do ta lërë namazin në xhami. Nëse insiston të hajë hudhër apo qepë, atëherë të paktën le t’i hajë të ziera, ngase kështu nuk e lëshojnë atë erë të neveritshme. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush ha hudhër ose qepë, le të largohet prej nesh, le të largohet prej xhamisë dhe le të rrijë në shtëpi.”[7]
- Mosngrënia në rrugë
Ky veprim, sipas selefëve, e prish burrërinë.
- Falënderimi ndaj All-llahut për begatitë e Tij
Myslimani duhet të jetë i kudesshëm për falënderimin ndaj All-llahut për begatinë e ushqimit dhe pijes, jo vetëm duke shprehur gojarisht lutjet dhe dhikret të transmetuara me sunnet, por edhe praktikisht duke vepruar sipas urdhrave të Tij. All-llahu i Madhërishëm e ka bërë që begatia e ushqimit domosdo të falënderohet dhe ka thënë: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni All-llahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.”[8] Po ashtu, adhurimin praktik e ka bërë esencë të falënderimit dhe ka thënë: “Veproni duke falënderuar, o familje e Davudit, e nga robërit e Mi, pak janë mirënjohës.”[9] Pra, ashtu siç njeriu dëfrehet me begati, njëkohësisht duhet t’ia japë hakun me anë të falënderimit.
[1] Sahih: shënon Ebu Davudi (3851). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4681) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[2] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (1955) dhe Ahmedi (2/258). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6541) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[3] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3854) dhe Ahmedi (3/118). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1226) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5455) dhe Muslimi (938).
[5] Kaptina El-Ehzab, ajeti 53.
[6] Sahih: shënon Muslimi (360).
[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (855) dhe Muslimi (564).
[8] Kaptina El-Bekare, ajeti 172.
[9] Kaptina Es-Sebe’, ajeti 13.
www.thirrjaislame.com
-
RREGULLAT GJATË USHQIMIT
- Tubimi rreth ushqimit
Kjo është një gjë që sjell bereqetin, e shton dashurinë dhe e i forcon lidhjet vëllazërore. Me një rast, kur sahabët u ankuan te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem duke i thënë se ushqimi nuk u mjafton, ai u tha: “Mblidhuni bashkë rreth ushqimit tuaj dhe përmendeni All-llahun (thuani bismil-lah) para se të filloni, do t’ju jepet bereqet në të.”[1]
- Larja e duarve para ushqimit
Para ushqimit, preferohet larja e duarve, e sidomos nëse janë ndyrë me diçka. Një grup i selefëve e kanë praktikuar këtë gjë.
- Pritja derisa ushqimi i nxehtë të ftohet
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në lidhje me këtë ka thënë: “Kjo (pritja deri në ftohje) është më e bereqetshme.”[2], d.m.th. pasi t’i ikë nxehtësia dhe avulli. Ushqimi shumë i nxehtë e dëmton njeriun, ashtu siç e dëmton edhe ushqimi shumë i ftohtë.
- Mospërbuzja e ushqimit
Përbuzja e ushqimit, qoftë kur njeriu është mysafir apo është në shtëpinë e tij, është përbuzje e begatisë së All-llahut të Madhërishëm… Njeriu duhet kujtuar se ka shumë njerëz në botë që nuk kanë aspak ushqim. Kush e përbuz begatinë e All-llahut, është meritor që ajo begati t’i merret.
- Mosnënçmimi i ushqimit
Ky veprim është në kundërshtim me sunnetin, është përbuzje e ushqimit dhe e futë në siklet dhe ia prish qejfin pronarit të atij ushqimi… Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kurrë nuk e ka nënçmuar ushqimin. Nëse i pëlqente, e hante, e nëse nuk i pëlqente, e linte.”[3]
- Përmendja e All-llahut të Madhërishëm para ngrënies
Kjo është miratim i njeriut se All-llahu është Pronari i vërtetë i ushqimit dhe se ky ushqim është prej Tij.
Po ashtu, kjo është mënyrë për ta përzërë shejtanin, i cili dëshiron ta shoqërojë njeriun gjatë ushqimit, si dhe në çdo gjendje.
7.Fillimi i ngrënies me ‘bismil-lah’
Kjo është prej rregullave më të mëdha dhe më të rëndësishme të ushqimit. Në lidhje me këtë temë, janë transmetuar shumë hadithe, si p.sh. fjala e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem drejtuar një djaloshi të vogël: “O djalosh, thuaj ‘bismil-lah’, ha me dorën e djathtë dhe ha para vetes.”[4] Po ashtu porosia e tij drejtuar atij që kishte harruar thënien e fjalës ‘bismil-lah’: “Kur ndonjëri prej jush të hajë ushqim, le të thotë ‘bismil-lah’, e nëse harron të thotë nga fillimi, atëherë le të thotë: Bismil-lah nga fillimi në mbarim.”[5]
- Mosnxitimi në fillimin e të ngrënit
Njeriu nuk duhet nxituar para të tjerëve e të fillojë ngrënien, ngase kjo është shenjë e pangopësisë.
- Fillimi i ushqimit me ndonjë pemë
Këtë gjë e kanë përmendur disa dijetarë duke u bazuar në fjalët e All-llahut: “Edhe pemë sipas dëshirës së tyre. Edhe mish shpezësh, cilin ta duan.”[6] Disa mjekë thonë se kjo mënyrë e të ushqyerit është më e dobishmja për trupin, dhe në përgjithësi për procesin e tretjes.
- Ngrënia me dorën e djathtë
Kjo është vaxhib (obligim). Ngrënia me dorën e majtë është haram (e ndaluar), bazuar në fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kur të hani, hani me dorën e djathtë dhe kur të pini, pini me dorën e djathtë, sepse shejtani ha me dorën e majtë dhe pi me dorën e majtë.”[7]
- Të ngrënit me tre gishta
Ato janë gishti i madh, ai tregues dhe i mesmi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem hante me tre gishta, dhe para se ta fshinte dorën (pas ngrënies), e lëpinte.[8]
- Të ngrënit para vetes
Kjo është një edukatë e lartë gjatë ushqimit, e që do të thotë që njeriu të hajë para vetes, duke mos e zgjatur dorën në anën e të tjerëve, dhe duke mos i shqetësuar ata, si dhe të mos akuzohet me pangopësi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “… dhe ha para vetes.”[9]
- Të ngrënit nga skajet e tepsisë, e jo nga mesi i saj
Kjo lidhet me rregullën e sipërpërmendur. Kështu ka porositur i dërguari i All-llahut, i cili thotë: “Hani nga skajet e tepsisë, e jo nga mesi i saj, ngase bereqeti gjendet në mesin e saj.”[10]
- Përtypja e mjaftueshme e ushqimit
Kjo është një prej rregullave të cilës duhet përmbajtur. Mospërtypja e mjaftueshme e ushqimit ndikon negativisht në shëndetin e njeriut. Po ashtu ngrënia pa përtypje të mjaftueshme shkakton dispepsi (mostretje) dhe teprim në ushqim.
- Zvogëlimi i kafshatës
Kjo, me qëllim që të mos i shqetësojë njerëzit që janë duke ngrënë së bashku me të dhe të mos hajë më shumë se ata. Kjo mund të shkaktojë edhe xhelozi tek ata si dhe mund ta akuzojnë me pangopësi.
- Mos-shpejtimi gjatë ushqimit
Ndodh që njeriu të fusë në gojë një kafshatë dhe ndërkohë merr në dorë kafshatën tjetër dhe e mban ashtu derisa të përtypë kafshatën që e ka në gojë. Kjo është prej shenjave të pangopësisë, krahas asaj që i shqetëson njerëzit e tjerë që janë duke ngrënë.
- Kujdesi nga gjërat dëmtuese që mund të gjenden në ushqim
Këtu mund të përmendim kockat që mund të gjenden te peshku ose copëza të vogla kockash në mish, e kështu me radhë. Gjëra sikur këto ka mundësi ta dëmtojnë njeriun.
- Mosngrënia duke qenë i mbështetur
Kjo do të thotë të hajë duke qenë i përkulur apo i mbështetur në dorën e tij, bazuar në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Unë nuk ha duke qenë i mbështetur.”[11] Një veprim i këtillë është shenjë e mendjemadhësisë.
- Mosngrënia duke qenë i shtrirë në bark
Ky veprim është në kundërshtim me udhëzimin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe dëmton shëndetin… Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar uljen në një tavolinë ku pihet alkool dhe ngrënien duke qenë i shtrirë në bark.[12]
- Largimi nga çdo veprim që i shqetëson ata që hanë
Këtu mund të përmendim fryrjen e hundës, nxjerrjen e këlbazës, të zhurmojë me fyt në drejtim të ushqimit apo të teshtijë në drejtim të pjatave, e kështu me radhë. Të gjitha këto veprime i shqetësojnë dhe i neverisin ata që janë duke ngrënë.
- Mos-shikimi drejt në sy ndaj atyre që janë duke ngrënë
Kjo është një prej rregullave që duhet pasur parasysh. Nuk i ka hije njeriut që t’i zgurdullojë sytë drejt njerëzve që janë duke ngrënë, ngase i vë në siklet dhe nuk mund të hanë ashtu siç duan. Veç kësaj, atyre mund t’u shkojë mendja se ky njeri ëshrë koprrac nëse është pronari i ushqimit.
- Mbyllja e buzëve gjatë ngrënies
Hapja e buzëve gjatë ngrënies mund të shkaktojë “fluturimin” e një pjese të pështymës në ushqim apo spërkatja e mbeturinave të ushqimit në ushqim, gjë që i neverit ata që janë duke ngrënë. Veç kësaj, mënyra e këtillë e të ngrënit shkakton fërkim dhe zë të lartë gjatë ushqimit.
- Mosngrënia e dy hurmave përnjëherë
Kjo është një edukatë e lartë, që të mos shqetësohen ata që hanë për shkak të ngrënies së më shumë hurmave të njeriut. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga kjo gjë dhe ka thënë: “Kush ha hurma te dikush, të mos hajë nga dy hurma përnjëherë, përveç nëse ata ia lejojnë.”[13]
Disa dijetarë thonë se kjo ka të bëjë vetëm me hurmat, e disa të tjerë thonë që kjo është e përgjithshme për të gjitha pemët, dhe mendimi i dytë është më i saktë. All-llahu e di më së miri.
- Marrja e ushqimit që bie në tokë
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ju bie kafshata, merreni atë, largojeni prej saj papastërtinë dhe hajeni, e mos ia lini shejtanit.”[14]
- Mospërzierja e lëvoreve dhe bërthamës me ushqim
Nuk duhet që bërthamat të lihen në të njëjtën pjatë me ushqimin, lëvoret e shalqirit apo të vezëve të hidhen në pjatën e njëjtë me ushqimin, apo kockat dhe mbeturinat e mishit të lihen në të njëjtën pjatë me mishin. Kjo nuk i ka hije njeriut dhe shkakton neveri tek ata që janë duke ngrënë, ngase ka mundësi që mbeturinat të jenë të përziera me pështymën e atij që ha.
- Kur miza bie në enën e ushqimit…
Nëse miza bie në enën e ushqimit, duhet zhytur mizën tërësisht në ushqim, e pastaj nxirret dhe hidhet. Njeriu nuk duhet neveritur apo turpëruar nga kjo gjë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse miza bie në pijen e ndonjërit nga ju, le ta zhysë në të e pastaj ta nxjerrë, ngase në njërin krah të mizës ka sëmundje, e në krahun tjetër ka ilaç.”[15]
- Ushqyerja e bashkëshortes me dorë
Nëse bashkëshorti është duke ngrënë me bashkëshorten e tij dhe e ushqen duke i vendosur asaj ushqimin në gojë me dorën e tij, do të shpërblehet për këtë gjë. Me anë të kësaj ai i shpreh asaj dashurinë që ka për të. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem njëherë i tha Sa’d ibën Ebi Vekkasit: “Çdo lëmoshë që e jep e me të cilën e kërkon kënaqësinë e All-llahut, All-llahu me të t’i shton shkallët dhe të lartëson, madje edhe për kafshatën që e fut në gojën e bashkëshortes tënde.”[16] Kjo po ashtu ndikon në forcimin e ndjenjave mes bashkëshortëve.
- Ofrimi i ushqimit për ata që janë ulur në sofër
Kjo sidomos vlen për nikoqirin, e në veçanti kur vëren se ndonjëri prej mysafirëve turpërohet të zgjatë dorën për të marrur ushqimin.
- T’i ftojë të pranishmit për ushqim
Nëse njeriu vëren se ndonjëri nga të pranishmit nuk është ulur të hajë, atëherë duhet ta ftojë në ushqim, e sidomos nëse është nikoqiri i ushqimit.
- Dhënia përparësi të tjerëve para vetes
Preferohet që njeriu t’u japë përparësi të tjerëve për ushqim, e sidomos nëse ata janë njerëz të mirë dhe të dijes, ose e di se atyre ua ka ëndja atë ushqim apo ushqimi është i pamjaftueshëm. All-llahu i Madhërishëm thotë: “edhe sikur të kishin vetë nevojë për te, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes.”[17]
- Mosteprimi në ushqim
Njeriu duhet ngrënë aq sa për ta larguar urinë dhe nuk ka nevojë për dispepsi dhe teprim në ushqim, ngase kjo është e dëmshme për trupin.
- Ngrënia e pjesëve të mbetura të ushqimit në pjatë
Kjo do të thotë që të mos lihen pjesë të vogla të ushqimit në pjatë por të mblidhen me dorë duke lënë pjatën të pastër dhe duke lëpirë gishtat. Arsyeja për këtë gjë është se nëse mbeturinat e ushqimit lihen në pjatë, atëherë ajo bëhet hise e shejtanit. Arsyeja tjetër është se bereqeti i ushqimit mund të gjendet pikërisht te këto mbeturina.
- Lëpirja e gishtave
Kjo bëhet para fshirjes apo larjes së duarve me qëllim të kërkimit të bereqetit të ushqimit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të hani ushqimin, mos e fshini me pecetë derisa t’i lëpini apo t’ua jipni dikujt tjetër t’i lëpijë,[18] ngase nuk dihet se në cilën pjesë të ushqimit mund të jetë bereqeti i tij.”[19]
- Mosfshirja e duarve me bukë apo diçka të ngjashme me të
Një veprim i këtillë është përbuzje e begatisë së All-llahut dhe dëm ndaj bukës. Prandaj, kurrë nuk duhet fshirë duart me bukë apo me ndonjë ushqim tjetër.
[1] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3764), Ibën Maxhe (3286) dhe Ahmedi (3/501). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (664) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[2] Sahih: shënon Ahmedi (6/350). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (659) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[3] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3563) dhe Muslimi (2064).
[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5376) dhe Muslimi (2022).
[5] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3767), Tirmidhiu (1858) dhe Ibën Maxhe (3264). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (380) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[6] Kaptina El-Vakia, ajetet 20-21.
[7] Sahih: Shënon Muslimi (2020).
[8] Sahih: Shënon Muslimi (2032).
[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5376) dhe Muslimi (2022).
[10] Sahih: shënojnë dhe Ahmedi (1/270) dhe Bejhekiu në Es-Sunenul-Kubra (25167/278). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4502) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[11] Sahih: shënon Buhariu (5399).
[12] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3774) dhe Ibën Maxhe (3370). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6874) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[13] Sahih: shënon Hatibi në librin e tij Et-Tarih (7/180). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6088) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[14] Sahih: shënon Muslimi (2033).
[15] Sahih: shënon Buhariu (3320).
[16] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1296) dhe Muslimi (1628).
[17] Kaptina El-Hashr, ajeti 9.
[18] Si p.sh. bashkëshortes, fëmijëve apo dikujt tjetër që nuk neveritet nga gishtat tuaj. (shën. përkth.)
[19] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5456) dhe Muslimi (2031).
www.thirrjaislame.com
-
EDUKATA E TË USHQYERIT
Njeriu nuk mund të jetojë pa ushqim. Ushqimi është ai që ia ruan jetën, shëndetin dhe fuqinë. Pa marrë parasysh a ka nijet të caktuar dhe praktikim të edukatës islame gjatë ngrënies apo nuk ka nijet të tillë, ai domosdo do të hajë. Por, nëse ai arrin të kuptojë se të ngrënit ka rregulla dhe edukatë të caktuar të cilën myslimani duhet përvetësuar dhe i zbaton këto rregulla praktikisht, ai ka mundësi që, krahas realizimit të qëllimit të ngrënies, që ka të bëjë me këtë dynja, të fitojë shpërblimin e ahiretit. Praktikimi i këtyre rregullave sjell bereqet, e përmirëson nefsin, e përvetëson modestinë, e realizon falënderimin ndaj All-llahut, i largon shejtanët dhe ndjellë dashuri mes njerëzve.
RREGULLAT PARA USHQIMIT
- Nijeti i mirë
Myslimani në ngrënien e ushqimit duhet të ketë nijet të mirë. Pra, ngrëina e tij nuk duhet të jetë thjesht rutinë ditore, e cila ia mbron jetën, ose thjesht kënaqje me llojet e ndryshme të ushqimit, por me anë të ushqimit ai duhet pasur nijet forcimin për ibadet ndaj All-llahut, si dhe ruajtjen e jetës dhe shëndetit.
- Kujdesi për ushqimin hallall
All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar ngrënien e haramit, dhe ai që e bën këtë vepër, do të hyjë në zjarr. All-llahu i Madhërishëm ka urdhëruar ngrënien e ushqimit të mirë dhe hallall.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “(Ne u patëm thënë): O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni.”[1] Po ashtu thotë: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni All-llahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.”[2]
3.Mosngrënia nëse je ngishëm
Njeriu nuk duhet ngrënë nëse është ngishëm, ngase kjo llogaritet shpenzim i tepruar, si dhe shkakton sëmundje. Kjo është në kundërshtim me udhëzimet e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.
- Përgjigjja ndaj ftesës
Nëse një vëlla mysliman të fton për ushqim, atëherë përgjigjju ftesës së tij, siç ka urdhëruar Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në përgjigjje ndaj ftesës dhe e ka numëruar në mesin e haqeve që myslimani i ka ndaj vëllait të tij mysliman, dhe ka thënë: “… kur të të ftojë në diçka, përgjigju ftesës.”[3]
- Mosngrënia në enë prej ari apo argjendi
Kjo është një gjë të cilën All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar. Kjo përmban teprim dhe shpenzim të panevojshëm, përbuzje të begatisë së All-llahut, dhe dëshpërim ndaj fukarenjve të cilët e shohin këtë pamje. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush ha në enë prej argjendi, e gurgullon zjarrin e xhehennemit në barkun e tij.”[4]
- Ftesa për ushqim të pranishëmve
Kjo është një edukatë e lartë, ngase i pranishmi gjatë servirjes së ushqimit ka mundësi të joshet nga ushqimi dhe të lakmojë. Prandaj, obligim i njerëzve që hanë është ta ftojnë t’u bashkëngjitet.
- Ftesa e shërbëtorit apo dhënia ushqim atij
Kjo është një edukatë fisnike e islamit. Shërbëtori i cili e përgatitë ushqimin, mund të lakmojë. Prandaj duhet të ftohet për ushqim duke e ulur bashkë me njerëzit apo duke i dhënë një pjesë të ushqimit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ndonjërit prej jush shërbëtori ia sjell ushqimin, le ta ulë në sofër. E nëse nuk e ulë në sofër, atëherë le t’i japë diçka nga ushqimi.”[5] Kjo gjë e gëzon atë dhe njeriu shfaqë modesti ndaj tij.
- Modestia
Kjo ka të bëjë edhe me mënyrën e uljes por edhe me llojshmërinë e ushqimit, si dhe me uljen e përbashkët me fukarenjtë dhe të ngjashmit me ta. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë ha sikur ha një rob dhe ulem sikur ulet një rob.”[6]
- Ftesa e fqinjit në ushqim
Kjo bëhet duke i dërguar atij ca ushqim për të dhe fëmijët e tij, e në veçanti nëse ai është i varfër dhe nuk ka mundësi t’ia mundësojë vetes atë lloj ushqimi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të gatuani ndonjë ushqim (gjellë), shtoni më shumë lëng mishi dhe jipni prej saj edhe fqinjit.”[7]
- Gatimi i ushqimit për vëllezërit dhe njerëzit e tjerë
Kjo po ashtu është prej gjërave në të cilat islami ka nxitur. Kjo është një prej mënyrave për të përhapur dashurinë në mesin e njerëzve. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Përhapeni selamin, përshëndetini njerëzit dhe bëhuni vëllezër ashtu siç All-llahu ju ka urdhëruar.”[8]
- Mosteprimi
Kjo do të thotë që njeriu të mos e teprojë duke gatuar ushqime të shumëllojshme, por lejohet që të gatuajë më shumë se një lloj.
[1] Kaptina El-Mu’minun, ajeti 51.
[2] Kaptina El-Bekare, ajeti 172.
[3] Sahih: shënon Muslimi (2162).
[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5634) dhe Muslimi (2065).
[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2557) dhe Muslimi (1663).
[6] Sahih: shënojnë Ibën Sa’di (1/371), Bejhekiu në Shuabul-Iman (5/107) dhe Abdurr-Rrezzaku nga Muammeri në librin e tij El-Xhami’ (10/417). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[7] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset (4/54). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (676) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[8] Sahih: Ibën Maxhe (3252) dhe Ahmedi (1/3). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1089) e ka klasifikuar si hadith sahih.
www.thirrjaislame.com
-
EDUKATA E GDHIRJES
Vëllezër të dashur,
Zgjimi nga gjumi është një begati madhështore nga All-llahu i Madhërishëm, I Cili me anë të kësaj na jep mundësinë dhe kohën për të bërë vepra të mira dhe të shumta, mundësinë për pendim tek All-llahu i Madhërishëm dhe mundësi për të bërë mirësi të mëdha… Zgjimi nga gjumi është një mundësi e madhe për të filluar një faqe të re të adhurimit, duke e mbushur kështu regjistrin e veprave tona me vepra me të cilat All-llahu i Madhërishëm është i kënaqur.
Prandaj duhet mësuar cilat janë rregullat të cilat duhet përvetësuar kur zgjohemi nga gjumi.
- Zgjimi i hershëm
Myslimani duhet të zgjohet herët, para agimit, duke e pasur parasysh se All-llahu i Madhërishëm ia ka caktuar bereqetin herët në mëngjes. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “O All-llah, jipi bereqet ummetit tim herët në mëngjes.”[1]
Pra, myslimani duhet të zgjohet herët në mëngjes në mënyrë që të përfitojë nga kjo kohë e begatshme duke filluar që herët me punët e tij dhe duke korrur të gjitha frytet e kësaj kohe.
- Përmendja e All-llahut të Madhërishëm
Myslimani sapo të zgjohet nga gjumi, duhet të përmendë All-llahun e Madhërishëm me këtë dua: “El hamdu lil-lahil-ledhi ahjana ba’de ma ematena ve ilejhin-nushur.”[2] që do të thotë: “Falënderimi i qoftë All-llahut, i Cili na ktheu sërish në jetë pasi na bëri të vdekur (në gjumë); dhe tek Ai do të tubohemi.”
Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush zgjohet nga gjumi dhe thotë: La ilahe il-lAll-llahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir. SubhanAllah vel hamdu lil-lah ve la ilahe il-lAllah vAll-llahu ekber ve la havle ve la kuvvete il-la bil-lahil Alijjil Adhim, thumme kale: All-llahummegfir li.”, që do të thotë: “S’ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut Një dhe i pashoq, Atij i takon Sundimi dhe Lavdërimi dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send. I Madhëruar qoftë All-llahu, falënderimi i takon All-llahut, s’ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut, All-llahu është më i Madhi, s’ka ndryshim e as fuqi pa ndihmën e All-llahut të Lartmadhëruar.”, dhe pastaj lutet dhe thotë: “O Zoti im, më fal”, lutja do t’i pranohet. Nëse pastaj merr avdes dhe falë namaz, namazi do t’i pranohet.”[3]
Ndërsa në një hadith tjetër, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “El hamdu lil-lahil-ledhi afani fi xhesedi ve redde alejje ruhi ve edhine li bi dhikrihi.”[4], që do të thotë: “Falënderimi i përket vetëm All-llahut, i Cili më fali shëndetin, ma ktheu (sërish) shpirtin, dhe ma mundësoi që ta përmend Atë.”
Po ashtu, pasi të zgjohet, i lexon këto ajete: “Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!”[5] e deri në fund të kaptinës.
Ndërsa me rastin e frikës në gjumë duhet thënë: “Eudhu bi kelimatil-lahit-tammati min gadabihi ve ikabihi, ve sherri ibadihi, ve min hemezatish-shejatini ve en jehdurun.”, që do të thotë: “Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të All-llahut nga zemërimi dhe dënimi i Tij, nga dëmi i robërve të Tij, nga mashtrimet e shejtanëve dhe nga prania e tyre.”[6]
- Larja tri herë e duarve
Pasi të zgjohet nga gjumi, duhet larë duart tri herë para se të marrë avdes. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush zgjohet nga gjumi, atëherë mos ta futë (zhytë) dorën e tij në enën me ujë (nga e cila do të marrë avdes) derisa t’i lajë tri herë, sepse ai nuk e di se ku ka qenë (çfarë ka prekur) dora e tij.”[7]
Njeriu, gjatë gjumit, nuk e di se ku e ka vendosur dorën. Ndoshta e ka vendosur dorën në një vend jo të pastër, apo dora i është djersitur, e kështu me radhë. Prandaj, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka urdhëruar t’i lajmë duart tri herë para avdesit.
- Përdorimi i misvakut
Kjo bëhet me qëllim të largimit të erës së pakëndshme të gojës, si dhe për mbrojtjen e dhëmbëve. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem çdoherë që flinte, misvakun e mbante afër kokës, dhe saherë që zgjohej, e përdorte misvakun.[8] Po ashtu transmetohet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur zgjohej për të falur namaz nate, i pastronte dhëmbët me misvak.[9]
Por misvakun duhet futur në qese apo në ujë që të mos preket nga ndonjë insekt e të shkaktojë ndonjë infektim te përdoruesi i tij.
- Avdesi dhe namazi
Pasi të zgjohet nga gjumi, myslimani duhet të nxitojë të marrë avdes dhe të falë namazin që t’i zgjidhë nyjat e shejtanit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur njeriu bie të fjejë, shejtani ia lidhë te koka tri nyje dhe i thotë: ‘Fli, ngase para vetes ke natë të gjatë!’ Nëse ai ngrihet dhe e përmendë All-llahun, i zgjidhet një nyje, nëse merr avdes i zgjidhet edhe një nyje dhe nëse ngrihet dhe e falë namazin, i zgjidhen të gjitha nyjet dhe zgjohet nga gjumi aktiv dhe shpirtdëlirë. Në të kundërtën, zgjohet shpirtlig dhe përtac.”[10]
Po ashtu duhet fryrë hundët me fuqi tri herë gjatë avdesit, bazuar në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili thotë: “Kur ndonjëri prej jush zgjohet nga gjumi, le t’i pastrojë (fryjë) hundët tri herë, sepse shejtani ka fjetur në zgavrat e hundës së tij.”[11]
- Zgjimi i familjes për namaz
Nëse namazfalësi është i vogël, ai i zgjon prindërit, vëllezërit dhe motrat për namaz.
Nëse namazfalësi është i martuar, atëherë ai e zgjon bashkëshorten dhe fëmijët e tij, sepse All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.”[12]
Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Çdonjëri prej jush është bari (kujdestar) dhe çdonjëri do të japë llogari për kopenë e tij.”[13]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka nxitur në këtë gjë duke thënë: “All-llahu e mëshiroftë një njeri që zgjohet natën dhe falet, dhe e zgjon bashkëshorten e tij, dhe ajo falet. E nëse refuzon (të zgjohet), i hedhë pak ujë në fytyrë. All-llahu e mëshiroftë një grua që zgjohet natën dhe falet, dhe e zgjon bashkëshortin e saj, dhe ai falet. E nëse refuzon (të zgjohet), i hedhë pak ujë në fytyrë.”[14]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush zgjohet natën për namaz dhe e zgjon bashkëshorten e tij dhe i falin dy rekate së bashku, atë natë hyjnë në regjistrin e atyre që e përmendin All-llahun shumë.”[15]
- Rregullimi i shtratit pas zgjimit nga gjumi
Myslimani kur zgjohet nga gjumi dhe përgatitet për të shkuar në punë, mësim, e kështu me radhë, para se të dalë nga shtëpia, duhet ta rregullojë shtratin e tij në formën dhe pamjen më të mirë. Kështu duhet të jetë myslimani, ngase islami është fe e pastërtisë dhe rregullit. Nuk bën që shtratin ta lërë në gjendje rrëmuje dhe batanijet të hedhura andej-këtej, e kështu me radhë. Këto gjëra nuk i kanë hije një myslimani, i cili nuk duhet të jetë neglizhent dhe i parregullt.[16]
- Dhikri (përmendja e All-llahut) pas namazit të sabahut
Pas namazit të sabahut, myslimani duhet qëndruar në vendin e faljes duke përmendur All-llahun e Madhërishëm deri në lindjen e diellit, dhe më pas duhet t’i falë dy rekate namaz, që të përfitojë shpërblimin e një haxhi apo umreje të plotë.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e falë namazin (e sabahut) me xhemat, e pastaj ulet dhe bën dhikër All-llahun derisa të lindë dielli, dhe më pas i falë dy rekate namaz, do t’i shkruhet shpërblimi sikur i një haxhi dhe umreje, të plota, të plota, të plota.”[17]
- Dhikri gjatë daljes nga shtëpia
Nga Ummu Seleme radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem çdoherë kur dilte nga shtëpia, thoshte: Me emrin e All-llahut, vetëm All-llahut i mbështetem. O All-llah, kërkoj mbrojtjen Tënde të mos bie në humbje, e as dikush të mos më çojë në humbje, të mos lajthis (nga e vërteta) dhe të mos më lajthitin të tjerët, të mos dëmtoj kënd dhe të mos më dëmtojë kush, të mos sillem si injorant e as ndaj meje të mos sillen si injorant).[18]
- Shfrytëzimi i çdo momenti për adhurim ndaj All-llahut dhe bërjes së veprave të mira
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ekzistojnë dy begati ndaj të cilave shumica e njerëzve janë të shkujdesur: shëndeti dhe koha e lirë.”[19]
Po ashtu ka thënë: “Shfrytëzo pesë gjëra para se të të vijnë pesë të tjera: jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, kohën e lirë para se të jesh i zënë, rininë para pleqërisë dhe pasurinë para varfërisë.”[20]
[1] Sahih: Shënojnë Ebu Davudi (2606), Tirmidhiu (1212) dhe Ibën Maxhe (2236). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1300) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[2] Sahih: shënon Buhariu (6312).
[3] Sahih: shënon Buhariu (1154).
[4] Sahih: shënon Tirmidhiu (3401). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (701) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[5] Kaptina Alu Imran, ajetet 190-191.
[6] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3528) dhe Ahmedi (2/181). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (264) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (162) dhe Muslimi (278).
[8] Hasen: shënon Ahmedi (2/117). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1055) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (246) dhe Muslimi (255).
[10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1142) dhe Muslimi (776).
[11] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3295) dhe Muslimi (238).
[12] Kaptina Et-Tahrim, ajeti 6.
[13] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (893) dhe Muslimi (1829).
[14] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1308), Nesaiu (1610) dhe Ibën Maxhe (1336). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3494) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[15] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1451) dhe Ibën Maxhe (1335). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2111) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[16] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (97-98).
[17] Sahih: shënon Tirmidhiu (586). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6346) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[18] Sahih: shënon Ebu Davudi (5094). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (3163) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[19] Sahih: shënon Buhariu (6412).
[20] Sahih: shënojnë Hakimi (4/341) dhe Bejhekiu në Shuabul-Iman (7/263). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1077) e ka klasifikuar si hadith sahih.
www.thirrjaislame.com