Dije vëlla i nderuar musliman, Allahu të mëshiroftë, se çdo fe dhe çdo popull i ka festat e veta, me të cilat i manifeston bindjet dhe pikëpamjet e tij, ku festa njëherit paraqet shenjat dhe simbolet më të rëndësishme që posedon një fe apo popull. Ndërkaq në islam, festat janë të kufizuara vetëm në dy bajramet, bajramin e fitrit dhe bajramin e kurbanit, argument për këtë janë argumentet e përgjithshme dhe të veçanta nga Kurani, Suneti i të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue selem) dhe konsensusi i muslimanëve.
Argumenti i parë:
Fjala e Allahut të Lartësuar ku thotë: “Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë”. El Maideh, 48 Dhe thotë: “Ne kemi caktuar për çdo popull rregulla fetare, sipas të cilave ata shkojnë”. El Haxh, 67. Dhe thotë: “Çdokush ka një drejtim (kible) nga i cili kthehet”. El Bekare, 148.
Imam Ibn Tejmijeh (rahimehullah) duke komentuar këto tri ajete thotë: “Allahu i Lartësuar e ka obliguar këtë specifikë dhe veçim për secilin popull me drejtimin (kiblën) dhe legjislacionin
(sheriatin) e tyre, ngase shkronja “Lam” (te fjala:
لككك كككك ل
li kul-li: çdokush, secili) aludon në specifikë, pra, të qënit diçka e veçantë për dikë, andaj, nëse jehudët kanë festën e tyre dhe të krishterët festën e tyre, atëherë ata janë të veçuar me to, e që ne nuk i shoqërojmë në to, ashtu siç nuk i shoqërojmë ata në kiblën dhe sheriatin e tyre. E gjithashtu në bazë të kësaj, nuk i lëm ata të na shoqërojnë në festën (bajramin) tonë”. [“Iktida Siratil Mustekim” (1/501)].
Argumenti i dytë:
Allahu i Lartësuar duke i lavdëruar robërit e Tij besimtarë ndër tjerash thotë:
“Dhe ata të cilët nuk dëshmojnë në të kotën (gënjeshtrën)”. El Furkan, 72.
Abdullah ibn Abasi (radijallahu anhu) tha te fjala “nuk dëshmojnë”: nuk marrin pjesë në “Festën e idhujtarëve”.
Këtë e pohuan edhe imamët e shquar nga tabi’inët, si: Muxhahidi, Dahaku, Ebul Alijeh, Tavusi e të tjerë, në komentin e këtij ajeti, thanë se është për qëllim: “Festa e idhujtarëve”.
Ndërsa, imam Muhamed ibn Sirini tha se është për qëllim: “Festa e të krishterëve”.
[“Tefsir Ibn Ebi Hatim” (8/2737), “Tefsir el Begavi” (6/98), “Ed Durr el Menthur” (6/282)]
Argumenti i tretë:
I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush u përngjason një populli ai është prej tyre”. Shënon Ahmedi (5114) dhe Ebu Davudi (4031). Hadithi është i mirë (hasen).
Ky hadith është nga bazat e ndalesës së përngjasimit me jobesimtarët, e që në të hyjnë edhe festat.
Imam Dhehebiu (rahimehullah) ka thënë: “Allahu të ka obliguar ty -o musliman- që çdo ditë dhe natë (në 5 namazet) shtatëmbëdhjetë herë ta lusësh Allahun e Lartësuar për udhëzim në rrugën e drejtë, në rrugën e atyre që Allahu u ka dhuruar mirësi, e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin e Tij, as në të atyre që janë të humbur. E si të le ndërgjegja jote të përngjasosh me një popull që këto janë cilësitë e tyre dhe të cilët janë lëndë djegëse të xhehenemit?! Nëse të thuhet ty: përngjasohu me një njeri të marrë (çmendur), do ta refuzoje këtë dhe do të zemëroheje!, ndërkaq, ti po e përngjason në festën e tij një të pa bërë sunet, adhurues të kryqit,… po kremton festën e armikut tënd…!”. [“Teshebuh el Hasis bi Ehlil Hamis” (f. 21-22)].
Argumenti i katërt:
I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) thotë: “Kundërshtoni idhujtarët (mushrikët)”. Shënon Buhariu (5442) dhe Muslimi (382).
Pra, i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) ka urdhëruar që të kundërshtohen idhujtarët në çdo gjë që ata janë prej fesë së tyre e që në këtë hyjnë pa dyshim edhe festat e tyre.
Argumenti i pestë:
Nga argumentet e veçanta në këtë çështje është fakti se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem), kur bëri hixhret në Medine, anuloi të gjitha festat që kishin në xhahilijet – periudha paraislame- dhe i zëvendësoi ato me dy bajramet, siç ceket në hadith të saktë.
Enesi (radijallahu anhu) përcjellë se: “Kur i Dërguari (sallallahu alejhi ue selem) erdhi në Medine i gjeti se ata kishin dy ditë në të cilat luanin në to, u tha: “Ç’janë këto dy ditë?”. Thanë: Janë dy ditë që luanim në to çdo vit në xhahilijet. U tha (sal-lallahu alejhi ue selem): “Vërtet, Allahu ua ka zëvendësuar këto dy ditë me dy ditë më të mira se ato: ditën e bajramit të fitrit dhe ditën e bajramit të kurbanit”.
Shënojnë Ahmedi (12006), Ebu Davudi (1134) dhe Nesaiu (1556). Hadithi është i saktë.
Ndërsa, këto dy ditë në të cilat luanin në to në periudhën paraislame, ishin të njohura si dita e Nevruzit dhe Mehraxhanit. Dita e Nevruzit është dita e parë sipas vitit apo kalendarit diellor, ku sipas atij gregorian i bie dita e parë e pranverës ku dita dhe nata janë të barabarta. Kurse dita e Mehraxhanit është pas gjashtë muajsh, gjegjësisht i bie dita e parë e vjeshtës ku po ashtu dita dhe nata janë të barabarta. Shih: [“Avnul Ma’bud sherh sunen ebi Davud”, nr. (1134)].
Këto dy ditë konsiderohen ditë feste te persianët, ku njiheshin edhe tek arabët para islamit, ndërsa kur i Dërguari (sallallahu alejhi ue selem) bëri hixhret në Medine i gjeti banorët e Medines luanin në këto dy ditë, ku edhe i shfuqizoi ato siç u përmend në hadithin e mësipërm.
Pra, ky hadith tregon se këto dy ditë janë anuluar dhe në vend të tyre Allahu i Lartësuar i ligjësoi dy ditët e Bajramit. Thënia në hadith: “ua ka zëvendësuar”, imam Es Sindi thotë: “Ka për qëllim se i ka shfuqizuar (deroguar) ato dy ditë dhe i ka ligjësuar krahas tyre dy ditët (e bajrameve)”. Imam El Mubarekfuri thotë: “Imam el Mudh’hiriu ka thënë: në këtë hadith ka argument se madhërimi i ditës së Nevruzit,
Mehraxhanit e të tjera veç tyre prej festave të jobesimtarëve është e ndaluar”. [“Sherh Mishkat el Mesabih” (5/44)]
Argumenti i gjashtë
Aisheja (radijallahu anha) përcjellë se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë ditën e bajramit:
“Vërtet, çdo popull ka festën e vet, e kjo është festa jonë”. Shënojn Buhariu (899) dhe Muslimi (1479).
Imam Dhehebiu thotë në këtë hadith: “Kjo thënie e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue selem) aludon në formë të obliguar të veçuarit e çdo populli me festën e vet”. [“Teshebuh el Hasis” (f. 27)]
Argumenti i shtatë:
Omeri (radijallahu anhu) thoshte: “Largohuni nga armiqtë e Allahut në festat e tyre”. Shënon Bejhakiu në “el Kubra” (9/392).
Argumenti i tetë:
Abdullah ibn Amri (radijallahu anhu) ka thënë: “Kush qëndron në vendet e të huajve (jobesimtarë) dhe i vepron (feston) nevruzet dhe mehraxhanet e tyre, si dhe
përngjasohet me ta derisa të vdes në këtë gjendje, do të ringjallet me ta ditën e gjykimit”. Shënon Bejhakiu (9/432), e saktësoi atë imam Ibn Tejmijeh.
Argumenti i nëntë:
Konsensusi: Të mjaftuarit e muslimanëve me dy festat e bajramit është çështje unanime e tyre, andaj nuk është njohur nga muslimanët e parë në gjeneratat e arta dhe ata që erdhën pas tyre festimi i ndonjë feste tjetër përveç dy bajramave, e që aludon në konsensusin dhe pajtimin e tyre. Gjithashtu pjesëmarrja në festat e tyre është e ndaluar unanimisht. Shih: [“El Madetul Hadirah Lil Hutbeh uel Muhadarah” (11/328)]
Përveç argumenteve të përmendura më lartë, vlen të theksohet se Omeri (radijallahu anhu) kur vendosi kushtet dhe rregullat të cilat detyroheshin tu përmbahen jehudët dhe të krishterët të cilët jetonin në vendet e muslimanëve në atë kohë, ndër tjerash ua kushtëzoi atyre që: “mos t’i shfaqin haptazi festat e tyre”. Imam Dhehebiu tha për këtë: “Dhe janë pajtuar në këtë muslimanët”. [“Teshebuh el Hasis” (f. 28)]
Nëse shfaqja e festave të jobesimtarëve nga vet ata, ishte e ndaluar, atëherë si është puna që muslimani të festojë me ata? Apo të marrë pjesë në çfarëdo forme në festat e tyre, apo t’ua
urojë festat e tyre, të shkëmbejë dhurata për këtë rast, etj? S’ka dyshim se kjo është edhe më e rëndë.
Imam Ibn Kajimi (rahimehullah) thotë: “Ndërsa urimi i riteve (shenjave) të mosbesimit (kufrit) me të cilat ata veçohen është e ndaluar unanimisht, si: t’ua urojë festën apo agjërimin e tyre, t’u thotë: gëzuar festa, urime u qoftë kjo festë, e të ngjashme, e kjo, nëse thënësi i këtyre fjalëve shpëton nga kufri, ai ka rënë në një nga gjërat e ndaluara dhe ai është në pozitën e atij që i uron atyre sexhdën që ata i bëjnë kryqit, bile një gjë e tillë është mëkat edhe më i rëndë tek Allahu dhe më i urrejtur sesa t’i urojë dikujt pirjen e alkoolit, mbytjen e njeriut të pafajshëm, amoralitetin, e të ngjashme”. [“Ahkam Ehli Dhimeh” (1/441)]
Kjo ishte çka mu lehtësua përmbledhja e saj në këtë çështje, e falënderoj Allahun e Lartësuar në fillim e mbarim, e lus Atë të na udhëzojë dhe forcojë në rrugën e drejtë të islamit, në atë që ishte i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem), shokët e tij dhe pasuesit e tyre në të mira, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin për të Dërguarin e Tij!
Agron Krasniqi
www.thirrjaislame.com