Falënderimi i përket All-llahut, Zotit të vetëm. Ndërsa bekimet dhe përshëndetjet qofshin për atë, pas të cilit nuk ka më pejgamber tjetër.
S’ka dyshim se prej qëllimeve të mesazhit islamik është edhe përmirësimi i moralit, pastrimi i shpirtit, dëlirja e ndjenjave dhe përhapja e dashurisë, afërsisë, frymës së ndihmës reciproke dhe vëllazërisë në mesin e myslimanëve. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Jam dërguar që t’i plotësoj virtytet e larta morale.” (Shënojnë Ahmedi dhe Taberaniu).
Ekziston një e metë e madhe që është përhapur në të gjitha grupet e shoqërisë dhe ka përfshirë të gjitha grupmoshat dhe nivelet intelektuale të saj. E metë kjo, me të cilën i vogli rritet, i madhi përfshihet në të, dhe ndaj së cilës shumë prindër dhe fëmijë, burra dhe gra, dhe të rinj e të reja janë treguar tolerantë. E metë kjo, e cila ka sjellur urrejtje dhe ka shkaktuar mllef në mesin e myslimanëve. Kjo e metë është fyerja, mallkimi dhe të folurit e keq. Kështu, shohim dhe dëgjojmë baballarë dhe nëna që i fyejnë dhe mallkojnë fëmijët e tyre, por këta nuk janë në dijeni se kjo vepër është prej mëkateve të mëdha. Po ashtu dëgjojmë dhe shohim si një shok e fyen apo mallkon shokun e vet, ndërsa ky ia kthen duke ia fyer nënën dhe babain. Madje ka edhe prej fëmijëve të vegjël që e kanë bërë shprehi fyerjen dhe mallkimin e të tjerëve, dhe ka raste që ndonjëri prej tyre këtë e bën ndaj prindërve të tij, ndërsa ata e shikojnë me gëzim. Ajo që çdo i mençur duhet bërë është ta stabilizojë gjuhën e tij dhe mos ta adaptojë në fyerje e mallkim, as edhe me fëmijën e tij të vogël, madje as me asgjë tjetër, qoftë edhe send i ngurtë apo kafshë. Kjo, ngase nëse e fyen apo e mallkon dikë, nuk ka garanci që tjetri nuk do t’ia kthejë atë në të njëjtën masë apo edhe më tepër, gjë që mund të shkaktojë konflikt dhe të çojë në diçka të palakmueshme. Sa e sa krime që kanë ndodhur, fillimi i tyre ka qenë mallkim apo fyerje, ngase siç dihet: Zjarri i madh ndizet nga ca shkëndija të vogla.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “E ata që fyejnë besimtarët dhe besimtaret, për çka ata nuk janë fajtorë, ata kanë ngarkuar veten me një mëkat shumë të madh.” (El-Ahzab 58).
Pasojat e fyerjes
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Të fyesh një mysliman është shthurje (fusuk), ndërkaq ta vrasësh atë është mosbesim (kufër).” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
Pra, ata që i kanë dhënë liri gjuhës së tyre në fyerje, mallkim dhe cenim të nderit të myslimanëve, me anë të kësaj bëhen të shthurur dhe të dalur nga respektimi i All-llahut dhe të dërguarit të Tij. Le t’ia kenë frikën All-llahut ata njerëz që ia kanë liruar gjuhës dizgjinët, e cila i ka çuar deri në humnerën e shkatërrimit dhe humbjes. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që fyen një mysliman është buzë shkatërrimit.” (Shënon Bezzari. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith hasen).
Vërejtje për atë që i pari fillon fyerjen
Ai që fillon i pari me fyerje e bartë mëkatin vetë, nëse tjetri nuk ia kthen me fyerje apo ia kthen me të njëjtën sasi sa është fyer dhe nuk e tejkalon. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mëkati i dy fyesve të njëri-tjetrit i takon atij që ka filluar fyerjen, përveç nëse i fyeri nuk ia tejkalon (në fyerje).” (Shënon Muslimi).
Imam Neveviu, All-llahu e mëshiroftë, gjatë shpjegimit të këtij hadithi, përmendë disa dobi që nxirren nga ky hadith dhe thotë:
- Kjo do të thotë që mëkati i dy njerëzve që fyhen mes vete i takon tërësisht atij që ka filluar i pari, përveç nëse tjetri ia tejkalon duke e fyer më tepër sesa është fyer.
- Nga ky hadith nënkuptohet se ai që fyhet e ka të lejuar t’ia kthejë fyerjen tjetrit deri në të njëjtën masë, dhe për këtë nuk ka kundërshtime mes dijetarëve. Në lidhje me këtë, kemi argumente nga kur’ani dhe sunneti. All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kush hakmirret për padrejtësitë që i janë bërë, ndaj të tillëve nuk ka ndonjë përgjegjësi.” (Esh-Shura 41). Po ashtu thotë: “Edhe ata që kur i godet e padrejta, i kundërvihen.” (Esh-Shura 39).
- Migjithëkëtë, durimi dhe falja është më e vlefshme. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Kush bën durim dhe falë, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm).” (Esh-Shura 43). Ndërsa pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Atij që falë, All-llahu ia shton krenarinë.”
- Dije se fyerja e myslimanit me pa të drejtë është haram, siç u përmend në hadithin më sipër: “Të fyesh një mysliman është shthurje (fusuk).”
- Ai që fyhet, nuk i lejohet të fyejë me diçka tjetër, por vetëm ashtu siç është fyer, përveç nëse ajo fyerje përmbanë gënjeshtër, shpifje dhe sharje të paraardhësve të tij. Prej formave të lejuara të kthimit të fyerjes ndaj fyerësit janë fjalë të tipit: ‘O i padrejtë, ‘O torollak, ‘ O i lig’, e kështu me radhë, ngase pothuaj askush nuk ka mundësi të shpëtojë nga këto cilësi.
- Dijetarët thonë: Nëse i fyeri ia kthen fyerjen fyerësit, atëherë ia kthen hakun atij dhe kështu ai që ka filluar me fyerje pastrohet nga mëkati i fjalëve të thëna, ndërsa i mbetet mëkati i të qenit i pari që ka filluar fyerjen.”
Por nëse i fyeri e tejkalon kufirin në fyerje, atëherë mëkatin e bartin që të dy. Nga Ijad ibën Himari radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Thashë: O pejgamber i All-llahut! Një njeri më fyen, ndërsa unë kam mundësi t’ia kthej. A ka gjë të keqe nëse unë ia kthej fyerjen? Ai më tha: “Dy fyerësit e njëri-tjetrit janë shejtanë (d.m.th. bëjnë vepër shejtani), janë gojëkëqinj njëri ndaj tjetrit dhe gënjejnë për njëri-tjetrin.” (Shënon Ibën Hibbani. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith sahih).
Ndër mëkatet më të mëdha:
Vëlla, ki kujdes që të mos bëhesh shkak për fyerjen e prindërve të tu dhe kështu të konsiderhesh sikur ti t’i keshë fyer ata. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Prej mëkateve më të mëdha është që njeriu t’i mallkojë prindërit e vet.” Dikush pyeti: O i dërguari i All-llahut: E si i mallkon njeriu prindërit e vet? Ai tha: “Ia fyen tjetrit babain, dhe ai ia fyen këtij babain, dhe ia fyen tjetrit nënën, dhe ai ia fyen këtij nënën.” (Shënon Buhariu). Është për të ardhur keq se kjo dukuri është përhapur në mesin e fëmijëve myslimanë dhe nxënësve. Kjo, vallahi, është argument për degjenerim në edukatë dhe neglizhencë nga ana e prindërve, të cilët nuk i edukojnë fëmijët e tyre në virtyte, moral të lartë dhe cilësi të mira. Ky kërcënim vlen për ata që shkaktojnë fyerjen e prindërve të tyre, pa mos i fyer ai vetë. E si është halli i atyre që i fyejnë dhe mallkojnë vetë prindërit e tyre. Madje ka ca njerëz që edhe i rrahin prindërit, All-llahu na ruajt.
Pasojat e mallkimit
Në lidhje me mallkimin, kemi ca hadithe që ngërthejnë kërcënim të ashpër nga pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili thotë: “Mallkimi i besimtarit është sikur vrasja e tij.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi). Imagjino, vëllai im, sa krim i rëndë dhe i keq është vrasja e besimtarit, dhe se ç’ka përgatitur All-llahu si dënim, mallkim dhe hidhërim nga ana e Tij në dynja e ahiret, dhe kështu do të kuptosh rrezikun e mallkimit. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Kush e mbytë një besimtar me qëllim, dënimi i tij është xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. All-llahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgaditur dënim të madh.” (En-Nisa’ 93). Ky është dënimi i vrasësit të besimtarit, të cilin pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka përngjasuar me mallkuesin e tij. Sa krim i madh dhe sa mëkat i madh që është ky! Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka informuar se besimtari me besim të plotë nuk mund të jetë mallkues asnjëherë, dhe ka thënë: “Besimtari nuk është mallkues.” (Shënon Tirmidhiu. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith sahih). Prandaj pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga mallkimi dhe ka thënë: “Mos mallkoni njëri-tjetrin me mallkimin e All-llahut, me hidhërimin e All-llahut dhe me zjarr.” (Shënojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, i cili thotë se hadithi është hasen sahih).
Po ashtu pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka informuar për pozitën e ulët të mallkuesve në ditën e kiametit dhe ka thënë: “Mallkuesit nuk do të jenë ndërmjetësues apo shehidë në ditën e kiametit.” (Shënon Muslimi). Imam Neveviu, All-llahu e mëshiroftë, gjatë shpjegimit të këtij hadithi thotë: “Ky hadith na tregon se mallkimi është gjë e qortuar, si dhe për atë se ai që mallkon nuk i ka këto cilësi të mira, ngase me përdorimin e mallkimit në dua synohet largimi nga mëshira e All-llahut të Madhërishëm, ndërsa duaja që përmbanë mallkim nuk është prej moralit të besimtarëve, të cilët All-llahu i Madhërishëm i ka cilësuar me mëshirë dhe ndihmë reciproke në të mira dhe devotshmëri, i ka bërë sikur ndërtesa, pjesët e të cilës e mbajnë njëra-tjetrën, i ka llogaritur sikur një trup i vetëm, si dhe besimtari ia dëshiron vëllait të vet atë që ia dëshiron vetes.”
Po ashtu, pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka porositur Xhurmudh El-Xhuheniun radijAll-llahu anhu duke i thënë: “Të këshilloj të mos jesh mallkues.” (Shënon Taberaniu. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith sahih). Ndërkaq, Seleme ibën Ekeve’ radijAll-llahu anhu ka thënë: “Kur shihnim ndonjë njeri që e mallkonte vëllain e tij, e konsideronim se ka bërë një mëkat të madh.”
Ku përfundon mallkimi?
O mallkues! A e di se mallkimi yt ngjitet deri në qiell, dhe prej tij ikin banorët e qiellit nga frika që të mos i godasë?! A e di se më pas kthehet në tokë, dhe prej tij ikin gjallesat e tokës nga frika që të mos i godasë?! A e di se më pas ajo lëvizë djathtas e majtas derisa të përkojë me atë që e meriton? Pastaj, a e di se ai të kthehet ty nëse atë që e ke mallkuar nuk e meriton mallkimin tënd? I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur robi mallkon një gjë, mallkimi ngrihet në qiell, ndërsa dyert e qiellit mbyllen për të. Pastaj, ai rikthehet në tokë, dhe dyert e saj mbyllen për të, po ashtu. Atëherë shkon në të djathtë e në të majtë, por, kur nuk gjen asnjë vendqëndrim, shkon tek ai për të cilin është thënë (dhënë) mallkimi. Nëse ai (për të cilin është bërë mallkimi) e meriton atë, i shkon atij, e nëse jo, atëherë i kthehet vetë mallkuesit.” (Shënon Ebu Davudi. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith hasen ligajrihi).
Përse, o vëlla, e ngarkon veten me këtë mëkat të madh? Përse vazhdon në këtë krim të madh? Përse nuk e adapton gjuhën tënde me lutje të mira për fëmijët e tu në vend se t’i mallkosh ata? A nuk ke frikë se mallkimi që ti e bën mund të të kthehet ty në momentet kur duaja pranohet nga All-llahu i Madhërishëm dhe kështu të dëbohesh nga mëshira e Tij? A nuk ke frikë se e takon All-llahun e Madhërishëm me një gjuhë që ka cenuar nderin e myslimanëve? A nuk ke frikë që të mirat dhe të këqijat e tua të jenë të barabarta në ditën e kiametit, ndërsa mallkimi yt të jetë ai që e peshon anën e të këqijave, dhe kështu të hysh në zjarr?
Mbyllja e rrugëve të mallkimit?
Ka ca njerëz prej të cilëve nuk shpëtojnë as gjërat e ngurta e as kafshët, saqë e sheh se si fyen, shanë dhe godet çdo gjë që gjendet përreth tij. Prandaj pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka mbyllur çdo rrugë që çon deri te fyerja dhe mallkimi, kështu që ndaloi fyerjen dhe mallkimin e çdo sendi që nuk e meriton mallkimin, qoftë ai edhe send i ngurtë apo kafshë. Nga Umran ibën Husajni radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Një herë ishim së bashku me të dërguarin e All-llahut në një udhëtim dhe një grua prej ensarëve ishte mbi devenë e saj, ndërsa deveja u lodh, e ajo u zemërua dhe e mallkoi devenë. I dërguari i All-llahut e dëgjoi këtë dhe tha: “Merreni atë që ka mbi të dhe lëreni, sepse ajo (deve) është e mallkuar.” Umrani tha: Më kujtohet shumë mirë se si ecte ajo (deve) mes njerëzve dhe askush nuk e shalonte.” (Shënon Muslimi). Neveviu, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem këtë e tha si qortim ndaj saj dhe të tjerëve që veprojnë si ajo. Edhe më parë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e kishte ndaluar atë dhe të tjerët nga mallkimi. Kështu, dënimi i saj ishte të lirohet deveja dhe të mos e shalojë. Ndërkaq, qëllimi i pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ishte që ajo deve (e mallkuar) të mos e shoqëronte pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në rrugëtimin e tij.” Po ashtu pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos e shani gjelin, sepse ai ju zgjon për namaz.” (Shënojnë Ebu Davudi dhe Ibën Hibbani. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith sahih).
Madhështia e islamit del në pah nga kjo edukatë e ngritur dhe nga këto udhëzime të larta, të cilat e mbrojnë kafshën, qoftë nga aspekti fizik apo shpirtëror. Nga këto udhëzime shohim se islami ka ndaluar çdo lloj forme të abuzimit pa të drejtë. Sikur aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve t’ia kishin ditur islamit vlerën që ai e jep në këtë drejtim dhe ta dinin se islami i ka paraprirë ata në këtë sferë, me anë të së cilës ata krenohen dhe mendojnë se ata janë të parët që kanë bërë diçka në këtë drejtim.
Po ashtu nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se një njeri e mallkoi erën në praninë e të dërguarit tëAll-llahut, ndërsa ai tha: “Mos e mallko erën, sepse ajo lëvizë me urdhër. Kush mallkon diçka që nuk është për t’u mallkuar, mallkimi i kthehet mallkuesit.” (Shënojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith sahih). Ndërsa nga Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma na përcillet se i dërguari i All-llahut një herë hyri tek Ummu Saib dhe i tha: “Ç’ke oj Ummu Saib kështu që po dridhesh?” – Kam temperaturë, mos e bekoftë All-llahu, tha ajo. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Mos e shaj temperaturën, sepse ajo i largon gjynahet e bijve të Ademit, ashtu si e largon farka ndryshkun e hekurit.” (Shënon Muslimi).
Nga kjo që u tha deri më tani, shihet qartë se islami është përkujdesur që besimtari të jetë gojëpastër, fjalëmirë, fjalëmbël. Atë nuk duhet shëmtuar gjë dhe nuk duhet t’ia humbë burrërinë asnjë send.
Dispozita rreth mallkimit të një myslimani të caktuar
S’ka dyshim se nuk lejohet që një mysliman i caktuar të mallkohet, as i gjallë e as i vdekur, bazuar në disa nga argumentet që u përmendën më sipër. Ndërsa për sa i përket mosbesimtarit, nuk lejohet mallkimi i tij përderisa nuk ka vdekur në mosbesim, duke e pasur parasysh se nuk dihet se si do të jetë përfundimi i tij. Nga ana tjetër, nuk ka ndonjë përfitim nga lutja për vdekjen e dikujt në mosbesim. Këtë e argumenton hadithi të cilin na e përcjellë Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma i cili thotë se i dërguari i All-llahut në ditën e Uhudit, mes tjerash, tha: “O All-llah, mallkoje Ebu Sufjanin! O All-llah, mallkoje Harith ibën Hishamin! O All-llah, mallkoje Sehl ibën Amrin! O All-llah, mallkoje Safvan ibën Ummejen!” Me këtë rast iu shpall ajeti: “Ty nuk të takon asgjë rreth çështjes se a do t’ua pranojë Ai pendimin apo do t’i dënojë ata, në të vërtetë ata janë zullumqarë.” (Alu Imran 128). Kështu që All-llahu ua fali atyre dhe ata më vonë e pranuan islamin.” (Shënojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu). Duke e pasur parasysh që nuk lejoheshka mallkimi i mosbesimtarit i cili akoma nuk ka vdekur në mosbesim, atëherë më prioritare është që të mos lejohet as mallkimi i ndonjë fasiku (të shthururi) të caktuar e as i ndonjë zullumqari të caktuar. Ajo që lejohet është mallkimi i përgjithshëm i një grupi mëkatarësh, si p.sh: Mallkimi i All-llahut qoftë mbi zinaqarët, apo gënjeshtarët, e kështu me radhë.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në disa hadithe ka mallkuar disa kategori mëkatarësh të papërcaktuar individualisht, si p.sh. atë që bën dhe atij që i bëhet tatuazh, atë që heqë dhe asaj që i hiqen vetullat, atë që jep dhe atë që merr kamatë, konsumuesin e alkoolit, e kështu me radhë. Ndërsa për ata që bindshëm kanë vdekur në mosbesim, si Faraoni, Ebu Xhehli dhe të ngjashëm me ta, atëherë mallkimi i tyre lejohet. Por ajo që duhet thënë është se myslimani duhet ta ruajë gjuhën e tij nga fyerja, sharja apo mallkimi, përveç nëse një gjë të tillë e kërkon nevoja në një moment të caktuar.
Vëlla i dashur:
Selefët e këtij ummeti kanë qenë më të kujdesshëm se ne për sa i përket hairit. Prandaj i janë larguar fyerjes dhe mallkimit dhe gjuhët e tyre i kanë zbukuruar me përmendje të All-llahut, falënderim, lutje dhe lavdërim ndaj Tij, si dhe me lexim të Librit të Tij. Prej rasteve dhe ndodhive që transmetohen prej tyre, po përmendim:
- Zerbekani thotë: Një herë isha te Ebu Vaili, dhe fillova ta shaj e fyej Haxhaxhin dhe t’i përmendë të këqijat e tij. Ebu Vaili më tha: Ku e di ti? Ndoshta ai ka thënë: O All-llah, më fal, e All-llahu ia ka falur.
- Asim ibën Ebi Nuxhudi ka thënë: Kurrë në jetë nuk e kam dëgjuar Ebu Vail Shekik ibën Seleme të ketë fyer ndonjë njeri apo kafshë.
- Muthenijj ibën Sabahu ka thënë: Dyzet vjet kam qëndruar me Vehb ibën Munebbehun dhe nuk e kam dëgjuar të fyejë ndonjë send që ka shpirt.
- Salimi ka thënë: Ibën Omeri nuk ka ndodhur të mallkojë dikë përveç një herë që ka mallkuar një rob të tij, të cilit menjëherë ia dha lirinë për shkak të mallkimit që i bëri. Mos u bëj ndihmës i shejtanit kundër vëllait tënd.
- Nga Ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Kur shihni një vëlla tuajin se bën një mëkat, mos u bëni ndihmës të shejtanit kundër tij, duke thënë: O All-llah, poshtëroje! O All-llah, mallkoje! Por kërkoni prej All-llahut shpëtimin e tij, ngase ne, shokët e Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, për askënd nuk thonim asnjë gjë, derisa të kuptonim se si do të jetë përfundimi i tij në vdekje. Nëse përfundonte jetën në të mirë, e kuptonim se ka qenë i mirë. E nëse përfundonte jetën në të keqe, i fshihnim (nuk i përmendnim) veprat e tij.
- Transmetohet se Ebu Derda radijAll-llahu anhu një herë kaloi pranë një njeriu që kisht rënë në një mëkat, dhe i dëgjoi ca njerëz duke e fyer. Ebu Derda u tha: Sikur ta kishit parë në ndonjë pus, a nuk do ta kishit nxjerrë? – Po, si jo. – thanë ata. Atëherë Ebu Dersa u tha: Mos e fyeni vëllain tuaj, dhe falënderojeni All-llahun që ju ka mbrojtuar nga ky mëkat. Ata i thanë: A nuk duhet ta urrejmë atë? Ai u tha: Unë e urrej veprën e tij. E kur ta braktisë atë vepër, atëherë ai është vëllai im.
Sikur myslimanët të kishin vepruar me këtë moral fisnik, shpirt të pastër dhe zemër të shëndoshë, gjendja e tyre do të ndryshonte nga e mira, ndikimi i tyre do të ishte më i madh, së pari në veten e tyre e pastaj edhe te jomyslimanët.
Prandaj, le t’i kthehen myslimanët moralit të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, që t’u kthehen atyre shenjat dalluese dhe kështu të bëhen ummeti më i mirë që ka ekzistuar ndonjëherë në tokë, ashtu siç kanë qenë të parët e tyre.
Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.
www.thirrjaislame.com
Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI