Falënderimi i takon All-llahut, I Cili na e plotësoi fenë, e përmbushi begatinë e Tij ndaj nesh dhe zgjodhi që islami të jetë feja jonë. E falënderoj All-llahun e Madhërishëm, dhe pendohem e kërkoj falje prej Tij. Dëshmoj se nuk ka Zot që meriton të adhurohet pos All-llahut, që është i Vetëm dhe i Pashoq, dhe dëshmoj se Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ëshrë rob dhe i dërguar i Tij, edukata e të cilit është më e plota dhe morali i të cilit është më i larti. Përshëndetjet dhe bekimet qofshin për Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, familjen dhe shokët e tij, si dhe për ata të cilët e pasojnë atë deri në ditën e gjykimit.
Robër të All-llahut! All-llahu e ka përcaktuar që shtëpia të jetë vend ku njerëzit gjejnë prehjen, qetësinë dhe sigurinë. Me anë të saj ata e mbrojnë nderin dhe veten e tyre nga gjërat e palakmueshme, dhe në të gjejnë çlirimin nga barra e lakmisë dhe vëmendjes së të tjerëve.
Kjo nuk arrihet veçse kur ajo vlerësohet si duhet, nuk hyhet në të përveçse me lejen e banorëve të saj, në kohën kur ata duan dhe në formën në të cilën janë të kënaqur. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim. Po nëse nuk gjeni aty asnjë, atëherë mos hyni në to derisa t’u jepet leje, e nëse u thuhet kthehuni, ju pra kthehuni. Kjo është më e ndershme për ju. All-llahu di çdo gjë që veproni ju.” (En-Nur 27-28).
Hyrja nëpër shtëpi pa leje paraprake është nëpërkëmbje e këtyre vlerave, rrugë për të parë sekretet e shtëpisë që nuk duhet parë, dhe shkaktar i sprovave të ndryshme, fillimi i të cilave mund të jetë një shikim i thjeshtë, që përcillet me shikime të dyshimta dhe që më në fund shndërrohet në mëkat dhe lidhje të ndaluar.
Ndërkaq, kërkimi i lejes për hyrje është gjëja që e largon maninë e dyshimtë dhe qëllimet e këqija.
Vëllezër besimtarë! Secili njeri në shtëpinë e tij ka mundësi të jetë në ndonjë gjendje specifike, në ndonjë bisedë sekrete, e kështu me radhë, ndërsa ndonjë vizitor, i afërm apo i largët, mund ta befasojë duke hyrë pa leje, ndërkaq nikoqiri vazhdon bisedën e tij, apo është i thelluar në mendime, e ky vizitor e shqetëson apo e vë në siklet, ndërsa nikoqiri mbetet i shtanguar, i skuqur në fytyrë, i turpëruar, i hidhëruar.
Disa njerëz të papërgjegjshëm nuk e çajnë kokën për rregullat e kërkimit të lejes dhe e vetmja gjë që u intereson është të kryejnë nevojën e tyre, por kjo mënyrë e hyrjes shakton siklet dhe vështirësi për të vizituarin.
Ndërkaq, rregullat dhe dispozitat e kërkimit të lejes nuk përcaktuar për diçka tjetër vetëmse njerëzit të mos i nënvlerësojnë ato apo një pjesë të tyre.
Sunneti i pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka dhënë udhëzime të qarta për sa i përket këtij morali të lartë, pra kërkimit të lejes dhe rregullave të saj.
Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur shkonte te dera e dikujt, nuk kthehej me fytyrë nga dera, por me anën e djathtë apo të majtë të tij, dhe thoshte: “Esselamu alejkum, esselamu alejkum.” (Shënojnë Buhariu dhe Ebu Davudi. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith sahih).
Sa’d ibën Ubade radijAll-llahu anhu një herë teksa po trokiste në derë, qëndronte afër derës, ndërsa pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e urdhëroi të largohej, dhe me këtë rast i tha: “Me të vërtetë, urdhri për të marrë leje për të hyrë diku është përcaktuar për shkak të ruajtjes së kufijve të shikimit.” (Buhariu dhe Muslimi).
Nga Sehl ibën Sa’d Es-Saidiu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Një njeri shikoi vjedhurazi nëpërmjet një vrime në shtëpinë e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndërkohë që pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kishte në dorë një krehër hekuri me të cilin po krihte flokët. Ai tha: “Po ta dija se ti po vështroje nga vrima, do të ta kisha shpuar syrin me të. Me të vërtetë, urdhri për të marrë leje për të hyrë diku është përcaktuar për shkak të ruajtjes së kufijve të shikimit.” (Buhariu dhe Muslimi).
Ndërkaq, ai që kërkon leje, këtë duhet bërë tri herë. Nëse i jepet leje, hyn, e nëse jo, atëherë kthehet. Kjo, ngase njerëzit në trokitjen e parë dëgjojnë, në trokitjen e dytë bëhen gati dhe në trokitjen e tretë japin leje për hyrje apo refuzojnë. Dijetarët thonë: Nuk duhet kërkuar leje më tepër se tri herë nëse zëri i tij dëgjohet. E nëse nuk dëgjohet, atëherë duhet shtuar kërkimin e lejes derisa të bindet se zëri i tij dëgjohet.
Gjatë kërkimit të lejes duhet thënë: “Esselamu alejkum, a të hyj?” Një njeri kërkoi leje nga pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për të hyrë në shtëpinë e tij, duke i thënë: “A të hyj?” Me këtë rast pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha shërbëtorit të vet: “Dil dhe mësoja këtij kërkimin e lejes për hyrje dhe thuaji: Thuaj: Esselamu alejkum, a të hyj?” Njeriu e dëgjoi pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, dhe tha: “Esselamu alejkum, a të hyj?” Atëherë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i dha leje për të hyrë, dhe ai hyri.” (Shënojnë Ahmedi dhe Ebu Davudi).
Kërkimin e lejes për hyrje duhet ta bëjë me thirrje apo trokitje, ose diçka të ngjashme me to.
Zejnebja, bashkëshortja e Abdullah ibën Mes’udit radijAll-llahu anhuma thotë: “Abdullahu kur hynte në shtëpi, kollitej dhe nxirrte ndonjë zë.”
Imam Ahmedi thotë: “Preferohet që kur të hyjë në shtëpi, të përplasë këpucën e tij për toke, qoftë edhe nëse është duke hyrë në shtëpinë e vet, që të mos hyjë befas. Po ashtu thotë: Preferohet të kollitet gjatë hyrjes në shtëpi.”
Prej edukatës është që trokitësi të prezantojë veten, nëse pyetet, e të mos përgjigjet me gjëra që nuk tregojnë qartë identitetin e tij. Xhabiri radijAll-llahu anhu thotë: “Një herë shkova te pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për ta pyetur për një borxh të babait tim. Kur trokita në derë, ai më pyeti: “Kush është?” Unë iu gjegja: “Unë.” Atëherë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Unë, unë!”, duke shprehur kështu mospëlqimin e tij për këtë gjë. (Buhariu dhe Muslimi).
Trokitja e derës duhet bërë me butësi e maturi, pa mos i shqetësuar njerëzit e shtëpisë dhe pa e tepruar. Po ashtu nuk duhet hapur derën vetë. E kur t’i jepet leje për të hyrë, le të vonohet pakëz dhe mos të nxitojë të hyjë menjëherë, që t’i japë hapësirën nikoqirit të lirojë rrugën dhe të përgatitet për ta futur brenda. Po ashtu nuk duhet hedhur syrin andej-këtej, ngase urdhri për të marrë leje për të hyrë diku është përcaktuar për shkak të ruajtjes së kufijve të shikimit.
Kërkimi i lejes për hyrje është obligim për të gjithë, qoftë i afërm apo i largët, burrë apo grua, njeri që sheh apo i verbër.
Nga Ata’ ibën Jesari radijAll-llahu anhu na përcillet se një njeri e pyeti të dërguarin e All-llahut: “O i dërguari i All-llahut, a t’i kërkoj leje nënës sime?” Ai tha: “Po.” Njeriu i tha: “Jam me të në të njëjtën shtëpi.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Kërkoji leje asaj.” Njeriu i tha: “Unë i shërbej asaj.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Kërkoji leje. A dëshiron që ta shikosh atë të zhveshur?” Njeriu tha: Jo. “Atëherë kërkoji leje asaj.” – i tha pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.” (Shënon Maliku me sened të rregullt).
Ebu Musa El-Esh’ariu radijAll-llahu anhu thotë: “Kur dikush prej jush hyn te nëna e tij, le të kërkojë leje.”
Kërkimi i lejes siç vlen për njeriun që sheh, ashtu vlen edhe për të verbrin, ngase i verbri mund të dëgjojë diçka të cilën ai që sheh nuk mund ta perceptojë me sy.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai i cili e dëgjon muhabetin e dikujt, e ata e urrejnë këtë, apo ikin prej tij, në ditën e kiametit do t’i hidhet plumb i shkrirë në veshët e tij.” (Buhariu)
O ju vëllezër! Në këtë temë kemi edhe një edukatë të lartë kur’anore, të cilën shumë prej myslimanëve nuk e kuptojnë dot, e që është fjala e All-llahut të Madhërishëm: “E nëse u thuhet kthehuni, ju pra kthehuni. Kjo është më e ndershme për ju.” (En-Nur 28).
E drejtë e nikoqirit është që t’i thotë vizitorit: Kthehu! Kjo duhet bërë me respektin më të madh për vizitorin, duke mos pasur për qëllim nënçmimin apo ofendimin e tij, dhe vizitori duhet kuptuar se njerëzit në raste të ndryshme kanë sekretet dhe arsyet e tyre për pamundësinë e pranimit të vizitorëve apo mysafirëve, dhe ata janë që më së miri i dinë rrethanat e shtëpisë. Kjo është edhe njëra prej arsyeve se përse është përcaktuar rregulla e kërkimit të lejes.
Ndërkaq, mysafirit nëse i thuhet të kthehet, ai duhet bërë këtë pa hezitim dhe pa zemërim. Atij i mjafton fitimi i nderimit që u përmend në ajet.
Disa prej muhaxhirëve kanë thënë: “Tërë jetën time kërkoj ta praktikoj këtë ajet, por nuk më është dhënë mundësia. Shpresoja që të vizitoj ndonjërin nga vëllezërit e mi, e ai të më thoshte: Kthehu, ndërsa unë të kthehesha i kënaqur dhe i gëzuar, duke e pasur parasysh fjalën e All-llahut: “E nëse u thuhet kthehuni, ju pra kthehuni. Kjo është më e ndershme për ju.” (En-Nur 28).
Më mirë për ty, o vizitor, dhe për nikoqirin është që nikoqiri të të mos pranojë në shtëpi sesa të të pranojë duke mos qenë i gatshëm për mysafirë. Sikur njerëzit të kishin punuar me këtë edukatë kur’anore dhe ta kishin praktikuar qartë mes vete, do t’i largonin paragjykimet nga vetja dhe keqkuptimet te të tjerët.
Këto detale që i përmendëm në lidhje me kërkimin e lejes vërtetojnë rëndësinë e madhe që ka shtëpia, mbrojtjen e anëtarëve të shtëpisë nga sikleti dhe vështirësia e befasive dhe ngushtimi që mund të sjellin surprizat e pakëndshme, kujdesin për ruajtjen e nderit dhe gjërave që nuk duhen parë, qofshin pjesë trupore, apo gjendje të caktuara shpirtërore, si qarje, zemërime, dhembje dhe rënkime. Që të gjitha këto, janë gjëra që njerëzit nuk duan t’i shfaqin as për të huajin e as për të afërmin. Këto janë detale për të cilat kujdeset dhe i ruan edukata e kërkimit të lejes. A thua vallë, myslimanët janë në gjendje t’i perceptojnë ato?!
O All-llah, në e bën të mundshme ta kuptojmë fenë tonë ashtu si duhet.
Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.
www.thirrjaislame.com
Shkroi: Salih ibën Abdullah ibën HUMEJD
Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI