MESAZH GJUHËS SIME

Nuk di si të të drejtohem, apo të të shkruaj një mesazh.

Në ditët e jetës sime që i kalova me ty, ti ishe ajo që fliste, e unë ai që dëgjoja. Ti më jipje urdhra, e unë i zbatoja. Por sot, për disa çaste do t’i ndërrojmë rolet. Sot nuk do të jesh gjuha që flet, urdhëron dhe ndalon, lavdëron dhe qorton, përgojon dhe bartë fjalë… etj.

Gjuha ime…! Imagjino sikur të kishe qenë ndonjë organ tjetër, që do të kishe pasur një funksion të caktuar, përveç të folurit!!!

Mesazhi që dëshiroj të ta dërgoj ty që prej kohës kur u linda me ty, është mesazh që në vete ngërthen urrejtjen time ndaj teje. Pra, unë të urrej ty… Po, të urrej! Kjo është e vërteta.

Por a nuk e ke pyetur veten për shkakun përse unë të urrej, duke qenë se ti je një organ i imi?

Përse të urrej, duke qenë se ti je mjeti për lidhjen time me të tjerët?

Përse të urrej, duke qenë se ti je i vetmi që i deshifron gjërat që gjenden në brendinë time?

Shkaqet e urrejtjes janë të shumta dhe të shumëllojshme. Unë do t’i përmendë disa prej tyre:

Ti je shkaktare për shkatërrimin tim… Ti je shkaktare për shpartallimin dhe dënimin tim. Ti je shkaktare për hyrjen time në xhehennem. Po, oj gjuhë!

Bartja e fjalëve… Ajo është një prej të këqijave në të cilën ti më ngatërrove, dhe për shkak të saj më fute në mëkat. A të kujtohet filan dita, filan dita e filan dita, kur me nxitim i përhape fjalët mes njerëzve, dhe jetën e tyre të lumtur e shndërrove në zjarr xhehennemi? Mendoj se të kujtohet kjo, apo jo? Në sa e sa shtëpi e fute brengën dhe mërzinë. Sa e sa shokë i ndave mes vete për shkak të bartjes së fjalëve. Para tyre shfaq kujdes për interesat e tyre, por në të vërtetë ti je ai që përpiqesh t’i copëtosh ata, copëtim i cili nuk mundëson kurrë bashkimin.

Përgojimi… Është ky një mëkat tjetër të cilin e shkakton ti, oj gjuhë! Ti je ajo që e ha mishin e njerëzve. A e di si e ha mishin e tyre?

Gjatë përgojimit, ti e ha mishin e tyre. E, sa mish i hidhur që është ai! All-llahu i Madhërishëm thotë: a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni!” (El-Huxhurat 12)

Ti e cenon nderin e njerëzve, i etiketon mbrapa shpine, ndërsa ata të llogarisin ty si një gjuhë e dëlirë dhe e mbrojtur nga të këqijat, e cila nuk flet gjë tjetër veç të vërtetës.

Gjuha ime…! Ti e harrove fjalën e të dërguarit të All-llahut: “Kush më garanton se do të ruajë atë që e ka mes dy nofullave (gjuhën), unë ia garantoj xhennetin.” Pra, garancia e xhennetit varet prej teje, oj gjuhë!

Po ashtu e harrove fjalën e të dërguarit të All-llahut: Po a i përmbytë njerëzit në zjarrin e xhehennemit gjë tjetër përveç pasojave të gjuhëve të tyre?!”

Analizoje këtë hadith dhe merr mësim prej tij. Mëkatet e tua janë të shumta, aq sa nuk mund të përkufizohen nga njerëzit. Por, kujto fjalën e All-llahut: ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.” (Kaf 18)

Njëri prej selefëve gjatë sëmundjes rënkonte nga dhimbja e rëndë. Dikush prej të pranishëmve i tha: Melaiket i shkruajnë rënkimet e të sëmurit. Prandaj, ai menjëheërë ndaloi së rënkuari nga frika që të mos i shënohen rënkimet në regjistrin e veprave të këqija të tij. Imagjino, një i sëmurë ndalon nga rënkimi, nga fjala ‘ah’, ndërsa ti nuk ndalon nga fjalët e këqija, nga cenimi i nderit të njerëzve dhe nga zbulimi i të këqijave të tyre para njerëzve, duke treguar realitetin e tyre, e që është përgojim, si dhe duke shtrembëruar realitetin e tyre, e që është shpifje.

Gjuha ime…! Përkujto hidhërimin e të dërguarit të All-llahut ndaj Aishesë radijAll-llahu anha kur e përmendi Safijjen radijAll-llahu anha dhe i tha të dërguarit të All-llahut: “Lëre Safijjen, ajo është e kështu e ashtu.”, d.m.th. deshi të thotë ajo është e shkurtër në trup. Me këtë rast i dërguari i All-llahut u hidhërua dhe i tha: “Ke thënë një fjalë që sikur të përzihej me ujin e detit, do ta përzinte (do t’ia ndryshonte shijen dhe ngjyrën).”

Shiko, oj gjuha ime, fjalën të cilën e tha Aisheja radijAll-llahu anha. Kjo fjalë nuk është asgjë në raport me fjalorin tënd voluminoz, në të cilin nuk mungojnë fjalë të cilat ti i di më mirë se unë.

Gënjeshtra… Pasojat e gënjeshtrës te ti janë bërë mbuluese të maskës së rreme të cilën ti e bartë. Ti në çdo gjë gënjen. Në asnjë fjalë tënden nuk ndjej sinqeritetin, por prej tyre përhapet era e gënjeshtrës, saqë unë nuk i përballoj dot asaj ere. Ti gënjen në shtëpi dhe jashtë saj, i gënjen njerëzit. Madje ke mbërritur në atë shkallë saqë e gënjen edhe veten kur lavdërohesh dhe i numëron heroizmat dhe lavditë e tua të rreme.

Nuk dua të të flas për dëshmitë e rrejshme, betimet e rrejshme dhe punët e tjera në të cilat më ke ngatërruar, e ke ngatërruar edhe veten me to, si dhe e ke pasuar dhe e ke bërë shok shejtanin. All-llahu i Madhërishëm thotë: “E ai që e ka shok djallin, ai pra është shok i shëmtuar.” (En-Nisa’ 38)

Ja pra, ky është shansi i fundit të cilin po ta ofroj. Prandaj, nxito ta marrësh e ta kuptosh, që të shpëtosh, dhe bashkë me ty të shpëtoj edhe unë, oj gjuha ime e dashur!

Kije gjithnjë në konsideratë mbikëqyrjen e All-llahut. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu i Madhërishëm ka thënë: Unë jam në mendimin e robit Tim për Mua; Unë jam me të kur ai më kujton.”

Fito një mijë shpërblime për çdo ditë. Nga Sa’di radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Njëherë ishim bashkë me të dërguarin e All-llahut, dhe tha: “A nuk është i aftë ndonjëri prej jush të fitojë për çdo ditë nga një mijë shpërblime?” Njëri prej të pranishëmve pyeti: O i dërguari i All-llahut! Si mund ndonjëri prej nesh të fitojë një mijë shpërblime? Ai tha: “Thotë njëqind herë ‘SubhanAllah’, ndërsa për këtë i shkruhen një mijë shpërblime, ose i shlyhen një mijë mëkate.”

Shlyerja e mëkateve: Nga Abdullah ibën Amri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Nuk ka njeri në tokë që thotë: La Ilahe Il-lAllah, All-llahu Ekber, SubhanAllah, El-Hamdu Lil-lah dhe Ve la Havle ve la Kuvvete il-la Bil-lah, përveçse i shlyhen mëkatet edhe nëse janë sa shkuma e detit.”

Largimi nga ndejat e dëshpërimit: Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Një grup njerëzish që ulen në ndonjë ndejë, dhe ndahen pa mos e përmendur në të All-llahun e Madhërishëm, janë sikur të jenë ndarë nga një ngordhësirë gomari dhe kjo ndejë do të jetë për ta dëshpërim në ditën e kiametit.”

Leximi permanent i kur’anit: Leximi i kur’anit është prej dhikreve më të mëdha ngase ai është fjalë e Zotit të botëve dhe leximi i tij i vazhdueshëm e zbutë zemrën. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që në brendinë e tij nuk ka asgjë prej kur’anit është sikur një shtëpi e shkatërruar.”

 

 www.thirrjaislame.com

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI