Mendimi i mirë ndaj All-llahut të Madhërishëm

Prej begative më madhështore është që robi të ketë mendim të mirë ndaj All-llahut të Madhërishëm.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: All-llahu i Madhërishëm thotë: Unë jam në kujtimin e robit Tim për Mua, Unë jam me të kur më përmend Mua; nëse ai më përmend në veten e tij, Unë e përmend atë në Veten Time, e nëse ai më përmend Mua në bashkësi, edhe Unë atë e përmend në një bashkësi më të mirë se të atij. Nëse robi im më afrohet një pëllëmbë, Unë i afrohem atij një kut; nëse ai më afrohet një kut, Unë i afrohem një pash, e nëse më vjen duke ecur, Unë i shkoj duke nxituar.”[1]

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë se All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “Unë jam në kujtimin e robit Tim për Mua; nëse ka mendim të mirë për mua, e ka për vete, e nëse ka mendim të keq për mua, e ka për vete.”[2]

Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut, tri ditë para se të ndërronte jetë, duke thënë: Askush prej jush të mos vdesë pa pasur mendim të mirë ndaj All-llahut të Madhërishëm.”[3]

Prandaj mendimin e mirë të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ndaj All-llahut të Madhërishëm askush nuk ka mundësi ta përshkruajë sado që të jetë orator. Mjafton të ceket se ai kur ishte në shpellë, Ebu Bekri radijAll-llahu anhu i tha: “O i dërguari i All-llahut, nëse ndonjëri prej tyre shikon poshtë këmbëve të tij, do të na shohë.” E ai ia ktheu: “Ç’mendon, o Ebu Bekër, për dy veta, i treti i të cilëve është All-llahu?”[4]

[1] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7405) dhe Muslimi (2675).

[2] Sahih: shënon Ahmedi (8833). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4315) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Sahih: shënon Muslimi (2877).

[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3653) dhe Muslimi (2381).

 

ww.thirrjaislame.com