Kjo do të thotë të meditosh rreth dhuntive të All-llahut ndaj teje, të jesh mirënjohës dhe ta falënderosh All-llahun për to. Dhuntitë e All-llahut nuk mund t’i numërosh a përkufizosh e as të realizosh falënderimin për to. Çdo dhunti, e madhe apo e vogël, është vetëm prej Tij dhe prej askujt tjetër.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej All-llahut.”[1] “Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato.”[2]
Mirësitë e Tij e kanë përfshirë njeriun që kur ka qenë spermë në mitrën e nënës së tij. All-llahu sikur i drejtohet njeriut duke i thënë: Të kam marrë nën kujdesin Tim dhe të kam shndërruar nga sperma në copë gjaku të ngjizur, nga copa e gjakut në copë mishi, nga mishi deri në fazën kur eshtrat i vesha me mish. Në barkun e nënës për ty bëra mbështetëse në anën e djathtë dhe në anën e majtë. Në anën e djathtë mbështetëse e bëra mëlçinë ndërsa në anën e majtë shpretkën. Fytyrën ta mbulova me një cipë që mos të shqetësohesh nga era e ushqimit. Po ashtu të mësova të qëndrosh në këmbë e të ulesh në barkun e nënës… A ka mundësi këtë ta bëjë kush tjetër pos Meje?!
E kur mbaroi koha e caktuar, e urdhërova melekun përgjegjës për mitrat dhe ai të nxori nëpërmjet një puple të fletëve të tij… Nuk kishe dhëmbë me të cilët do të kafshoje, duart e tua nuk mund të kapnin asgjë, këmbët e tua nuk mund të ecnin. Mbiva për ty dy burime të buta në gjoksin e nënës tënde që nxjerrin qumësht të kulluar, i nxehtë gjatë dimrit ndërsa i ftohtë gjatë verës. E kur shpina jote u forcua dhe u rrite, atëherë më mëkatove duke qenë në vetmi dhe nuk pate turp prej Meje! Megjithëkëtë, sikur të pendohesh sinqerisht, unë ta pranoj pendimin dhe sikur të kërkoje falje prej Meje, unë të falë.[3]
[1] Kaptina En-Nahl, ajeti 53.
[2] Kaptina En-Nahl, ajeti 18.
[3] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 10. Autor: Prof. Muhammed Buhajri.
www.thirrjaislame.com