JA PSE E DUA ALL-LLAHUN!

Përkushtim:

 

Për ata të cilët nuk e duan All-llahun edhepse nuk janë të pavarur nga mirësia e Tij ose të cilët pretendojnë dashurinë e Tij, pa mos u pajtuar më të as sa një levizje e syrit, ose e vazhdojnë veprimin e së keqes edhe përkundër vazhdimit të së mirës nga Ai (All-llahu).

 

Autori

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: Në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër).” (Ibrahim 34).

 

Prej begative më të mëdha po përmendim:

 

  1. Begatia e islamit

 

Sikur All-llahu mos të të donte ty, nuk do të të emërtonte me emrin mysliman, dhe nuk do të zbukuronte ty me bukurinë e imanit (besimit).
Më thuaj…. A mendon ti se të qenurit tënd mysliman është begati e vogël?! A mendon ndokush nga ne se ai e luti Zotin duke qenë në mitrën e nënës që ta nxjerrë mysliman atë, dhe Ai e nxorri! Apo kërkoi nga All-llahu që ta bëjë atë mysliman duke qenë në kurriz të babait të vet, dhe u pranua duaja e tij! Vëlla…. Falënderoje All-llahun për mirësitë e Tij ndaj teje. Vëlla…. Ka pasur mundësi që të jesh lëndë djegëse e xhehennemit…… si p.sh. te lindesh dhe të vdesësh si mosbesimtar. Por, Ai të do…. Të ka mbrojtur ty nga adhurimi i krijesave dhe të bëri qe t’i bësh sexhde Atij I Cili i krijoi mbretërit dhe robërit…. Të mbrojti nga adhurimi i idhujve dhe të bëri qe t’i nënshtrohesh Atij që të krijoi nga asgjëja.

 

  1. Gjurmët e fuqisë së Tij

 

Vetëm për arsye se të do, të udhëzoi tek Ai nepërmjet gjurmëve të fuqisë së Tij dhe nëpërmjet fakteve të qarta të madhërisë së Tij që të orientohesh dhe t’i ndjekësh ato… Ata janë të dërguarit e Tij të cilët i dërgoi te njerëzit edhe pse nuk iu zbret atyre vahj (shpallje). Poashtu një nga faktet e Tij është edhe libri i Tij, të cilin e lexon i dijshmi dhe i padijshmi… I Lartëmadhëruar është All-llahu… Krijoi dhe shpiku çdo gjë dhe e emërtoi veten El -Bedi’ (Shpikësi), i zbukuroi dhe i përsosi gjërat, e për atë Ai është El-Xhemil (i Bukuri). Është për t’u çuditur se si nuk e adhuron atë ai i cili i sheh faktet (gjurmët) e Tij?!! Dhe si nuk e njeh Atë ai i cili e sheh dritën e Tij?!! Kur Atë e njohi një beduine e cila tha: “Bajga tregon për ekzistencën e devesë dhe gjurmët e këmbëve tregojnë për ecësin. Qielli i mbushur përplot me yje, toka e mbushur përplot me rrugë dhe detet përplot me dallgë; a nuk tregojnë këto për ekzistencën e të Gjithëdijshmit, të Gjithëinformuarit?!

Ky është besimi i beduines. E ku mbeti besimi juaj, o myslimanë?!

Shumicën e këtyre argumenteve për të cilët po të flas, ti i braktisë… i harron… ia lë të tjerëve. Kërkon ta duash atë i cili të braktisë ty dhe e braktisë atë i Cili kërkon që të të dojë. I Lartëmadhëruar është Ai që ua mundëson krijesave njohjen e Tij, ndërsa ata e refuzojnë Atë.

 

  1. E mira e shumëfishuar

 

Nerëzit zakonisht bashkëpunojnë me ty që të perfitojnë prej teje, ndërsa All-llahu i Madhërishëm do që nga puna yte të përfitosh vet ti. Kjo, sepse çdo e mirë është sa dhjetë të mira e cila shumëfishohet deri në shtatëqind e edhe më tepër. E gjithë kjo ngase Ai të do. Ndërsa e keqja të llogaritet vetëm një, e cila është gjëja që më së shpejti shlyhet. Vetëm një pikë loti i shlyen më mijëra mëkate. Dhe një hap i vogël në adhurim të All-llahut i shlyen mëkatet e bëra. Të shpërblen për veprat e vogla dhe të shlyen mëkate të shumta…. Vetëm për arsye se të do.
Dëgjo tani ëmbëlsinë e kësaj dashurie në fjalët e Tij. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu i Madhërishëm ka thënë: Kur robi im vendosë (dhe niset) të bëjë një vepër të mirë, por nuk e realizon, Unë ia shkruaj atij si një vepër të mirë. E nëse e realizon, atëherë Unë ia shkruaj si dhjetë vepra të mira. Nëse ai vendosë të bëjë një vepër të keqe, por nuk e bën, atëherë Unë ia fali atij, por nëse e bën, atëherë Unë ia shkruaj si një vepër të keqe.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

 

  1. All-llahu nxiton

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: Nëse robi im më afrohet një pëllëmbë, Unë i afrohem atij një kut; nëse ai më afrohet nje kut, Unë i afrohem një pash, e nëse më vjen duke ecur, Unë i shkoj duke nxituar.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi). Analizoje fjalën e Tij “duke nxituar”!! Përse?! A thua ç’do të përfitojë nga ti?! Larg asaj është Ai, I Lartëmadhëruar është Ai…. Ai e do vetëm atë që është në favorin tënd dhe të dëshiron ty çdo të mirë. Zoti asnjëherë nuk e bën që robi të punojë kesh, e Ai ta shpërblejë me këste ose me vonesë. I Dërguari i All-llahut na ka porositur duke thënë: ”Jepjani punëtorit pagesën (rrogën) para se t’i thahen djersët.” (Shënon Ibën Maxhe). Kështu qëndron puna mes robërve, e a thua si qëndron puna mes Zotit dhe robit?!

 

  1. Një e treta e fundit e natës

 

Vetëm për shkak së të do, Zoti përçdo natë zbret deri në qiellin e tokës, zbritje kjo e cila është e veçantë vetëm për Të, dhe me butësinë e fjalëve të Tij dhe me ëmbëlsinë e thirrjes së Tij i thërret neglizhentët dhe ata të cilët i ka kapluar gjumi duke u thënë: ”A ka ndonjë që lutet, e t’i përgjigjëm lutjes së tij? A ka ndonjë që kërkon dicka, e t’ia jap atë? A ka ndonjë që kërkon falje e t’ia fal?

Vëlla… A nuk ke nevojë për All-llahun për sa i përket çështjeve të kësaj bote dhe botës tjetër? A ndoshta mos je i pavarur nga Zoti yt? A nuk je nevojtar më për Të? A i ke zgjidhur të gjitha problemet? A je i liruar nga mundimet…. Ma kthe përgjigjen, ma kthe!! A nuk të mundon (shqetëson) zemërfortësia? A nuk të mundon (shqetëson) largimi yt nga kur’ani? A nuk i ke prishur marrëdhëniet me All-llahun? A nuk ballafaqohesh me probleme të jetës, me mosrespektimin e fëmijeve të tu ndaj teje, me sëmundjen e ndonjërit nga prindërit e tu, me goditjen e ndonjë fatkeqësie apo me sprovë?

Nëse ballafaqohesh me diçka nga këto, ateherë kthehu tek All-llahu, paraqitja ankesat tua Atij, paraqitja Atij fshehtësitë e tua…. në këtë kohë, pra në një të tretën e fundit të natës. Në këtë kohë vjen në shprehje fundi i mundimeve, fillimi i kënaqësive, fitimi i xhenneteve dhe kujdesi hyjnor ndaj teje.

 

Çudi me ty!!

 

Ia paraqet nevojat e tua atij të cilit t’i ka mbyllur dyert, e e braktisë Atë I Cili i ka dyert e hapura deri në ditën e kijametit. A nuk turpërohesh pak?!

Vetëm për arsye se të do…. edhe krahas kërkesave të shumta, Ai nuk e ndalë mirësinë dhe bujarinë ndaj teje. Vetëm për arsye se të do…. nuk e pëngojnë kundërshtimet e kundërshtuesve, numri i madh i mëkatarëve dhe rezistenca e kokëfortëve që të vazhdojë të zbresë për çdo natë. Edhe përkundër shkëlqesisë dhe madhështisë së Tij, Ai nuk nguron t’u kushtojë kujdes robërve te Vet.
Kjo, pra është dashuria e Tij ndaj teje, e ku mbeti dashuria yte ndaj Tij?!
Sikur të të thërriste babai yt dhe të kërkonte diçka prej teje, ti do t’i përgjigjeshe. E kur të thërret All-llahu i Madhërishëm dhe kërkon diçka prej teje, ti pasivizohesh!!

Nëse ndonjëri nga shokët e tu të ofron ndonjë ndihmë, e pas do kohe kërkon nga ti në mes të natës që t’ia kthesh atë, nuk do të nguroshe ta ndihmoje. E përse po nguron nga Ai I Cili të ka vërshuar me detin e Tij përplot me begati? Ku është kthimi i të mirës, o përbuzës i saj?!
Dashuri e përplotë

 

Edhe përkundër mëkatëve të tua të shumta, bamirësia e All-llahut ndaj teje shpeshherë u shumëfishua. Dhe përkundër shpeshtimit të thyerjes së premtimëve ndaj Tij, Ai nuk t’i ndali begatitë, madje edhe ta mundësoi që të furnizohesh me xhennet. Ai ta dërgoi udhëzuesin (pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe e cilësoi atë si i butë dhe i mëshirshem ndaj besimtarëve. Ta dha mundësinë që të furnizohesh me xhennetin Adën të cilin e mbolli me Dorën e Tij…. meDorën e Tij…. vetëm për arsye se të do. Të përqendroi në adhurim ndaj Tij dhe të ndihmoi që të bësh vepra të mira. Ta bëri të dashur imanin (besimin) dhe ta zbukuroi atë në zemrën tënde… E mbolli në zemrën tënde natyrshmerinë e pastër të islamit, dhe të njoftoi me veten para se ti ta kërkosh atë.
I urdhëroi melekët që t’i bëjnë sexhde babait tënd, Ademit alejhis-selam. Bile e përzuri Iblisin (shejtanin) nga qielli, e nxorri dhe e largoi nga xhenneti, vetëm për arsye se nuk të bëri sexhde ty, e ti, atëhere akoma ke qenë pikë sperme në kurrizin e babait tënd, Ademit alejhis-selam.

A dëshiron të të shtoj diçka më tepër se kjo?

Ja pra, merre këtë: Të urdhëroi që ta lusësh Atë, jo pse Ai ka nevojë për ty, por që ti të arrish begati edhe më të mëdha. Merre edhe këtë: Të urdhëroi që ta përmendësh Atë, jo që Ai të përfitojë dika nga kjo, por që të ta perkujtojë bamirësinë, bujarinë dhe nderimin e Tij ndaj teje. Ja edhe këtë: Të urdhëroi që të kërkosh prej Tij, që të të japë, bile t’i ka dhënë begatitë më të mira dhe vlerat më të larta pa mos i kërkuar aspak… A nuk vërteton e gjithë kjo se Ai të do?

 

  1. Sprova

 

Vetëm për arsye se të do, të sprovon! A nuk e ke dëgjuar fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: ”Kujt All-llahu ia dëshiron të mirën, e sprovon.” (Shënon Buhariu).

– Të sprovon, për të ta ngritur gradën në xhennet….Vetëm për arsye se të do.

– Të sprovon, që të vetëdijësohesh për moskujdesin tënd dhe të kthjellohesh nga agonia e mëkateve të tua….Vetëm për arsye se të do.

– Të sprovon, që të t’i shlyejë mëkatet të cilat të fusin në xhehennem….Vetëm për arsye se të do.

– Të sprovon, që t’ia dish vlerën begative të All-llahut, që ta falënderosh Atë, edhe kjo poashtu….Vetëm për arsye se të do.

– Të sprovon, që ta kuptosh se kjo botë nuk është kushedi sa e vlefshme, keshtuqë të përmallohesh për ahiretin, edhe kjo….Vetëm për arsye se të do.

– Të sprovon, që ta arrish kënaqësinë e All-llahut, kështuqë edhe Ai të jetë i Kënaqur me ty….Vetëm për arsye se të do.

– Të sprovon, që të jesh sa më modest (inferior) dhe ta lusësh Atë nga fundi i natës (para agimit) që t’i përgjigjët lutjes tënde mënjeherë, dhe që të ta kompenzojë humbjen e ndonjë begatie me begati të tjera të shumta….Vetëm për arsye se të do.

– Të sprovon, që të hysh në xhennet nga dyert më të gjëra të tij dhe në mënyrën më të lehtë….

All-llahu i Madhërishëm në kur’anin famëlartë thotë: ”E të durueshëmve u jepët shpërblimi i tyre pa masë”. (Ez-zumer 10)

 

Sprova në të mirë është më e rëndë

 

Ibën Kajjimi, All-llahu e mëshiroftë thotë: ”Durimi në të mirë është më i rëndë sepse shoqërohet nga mundësia. Andaj, i urituri më tepër duron në mungesë të ushqimit se sa në prezencën e tij. Dhe poashtu burri është më durimtar në mungesë të gruas se sa në prezencën e saj”.

 

  1. Zgjedhja dhe udhëzimi në adhurimin e Tij

 

All-llahu i Madhërishëm në kur’anin famëmadh thotë: ”Sikur të mos ishte mirësia e All-llahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush prej jush nuk do të pastrohej kurrë (prej mëkateve).” (En-Nur 21). E mira buron nga mirësia e Tij dhe arrihet nëpërmjet butësisë së Tij, e pastaj Ai e pranon atë prej teje, dhe të lavdëron. Vallahi…. sikur të mos ekzistonte All-llahu, kurrë nuk do të ishte bërë ndonjë sexhde nga ndokush, sikur të mos ekzistonte dashuria e Tij ndaj nesh, nuk do të mundej ndokush që ta adhuronte Atë ashtu siç Ai e meriton dhe nuk do të ishte në gjendje ibadetxhiu që ta kryejë ibadetin ashtu siç i ka hije.
Ta njohësh All-llahun është dhunti. T’i afrohesh Atij me zemër është dhunti, leximi i kur’anit është dhunti, ta falënderosh All-llahun për dhuntitë e Tij është dhunti. Na kanë kapluar dhuntitë e Tij, e nuk kthehemi që të dijmë se si ta falënderojmë All-llahun për to. I Lartëmadhëruar është Ai, Shpikësi i këtyre dhuntive para se t’i realizojë ato. Dhe vazhduesi i realizimit të tyre para se të falënderohet nga ndokush.

 

  1. Mbrojtja dhe pastrimi nga mëkatet

 

Vetëm për arsye se të do…. të ka shpëtuar dhe të ka mbrojtur nga shumë e shumë mëkate, të ka larguar nga ato dhe të ka udhëzuar. Duhet ditur se mëkati nuk është i njëjtë me kufrin (mosbesimin). Për këtë arsye Hakim ibën Hizami radijAll-llahu anhu e përmendë dhuntinë e All-llahut ndaj tij kur All-llahu e udhëzoi në Islam para se t’ia marrë shpirtin, dhe zakonisht kur betohej i thoshte këto fjalë: ”Pasha Atë I Cili më shpëtoi nga vdekja ditën e Bedrit.”

Mbrojtja dhe pastrimi nga mëkatet nuk është e vetmja shenjë që simbolizon se All-llahu të do, por, gjithashtu edhe vazhdimësia e mbrojtjes sate nga ana e All-llahut është shenjë që simbolizon dashurinë e All-llahut ndaj teje, siç është rasti i Ebu Sufjanit, kreu i qafirave në luftën e bedrit, të cilin All-llahu e shpetoi dhe e udhëzoi në fenë islame…. Dëgjo tani fjalët e tij që ua tha familjes në prag të vdekjes: ”Mos qani për mua, se unë prej se e kam pranuar islamin, nuk jam njollosur me mëkate.” Ndërsa prej pranimit të Islamit e deri në vdekje jetoi 12 vite.

E me vazhdimësinë dhe përqendrimin në Islam, vjen edhe ndihma e All-llahut për adhurimin e Tij dhe përkujtimi i vlerës së adhurimit në ato momente kur të ngacmon vetvetja dhe të nxitë në lënien e adhurimit, siç i ndodhi Sehl ibën Abdullah Et-Tusteriut.

Thuhet se Sehl ibn Abdullah Et-Tusteriu agjëronte shumë. E një ditë prej ditëve kaloi pranë një njeriu që shiste hurma, dhe ia terhoqën syrin disa hurma të freskëta të cilat ia kishte ëndja, dhe sikur diçka nga brendia i thoshte: ”Prej teje i gjeta të gjitha telashet, me lë pa gjumë natën, me etë (me lë pa ujë) në pikë të ditës kur është më nxehtë. M’i jep këto hurma, e pastaj bën me mua ç’të duash, më shfrytëzo në adhurim ndaj All-llahut ku dhe si të duash. Kështu, Sehli vendosi t’i blejë hurmat, poashtu bleu një copë bukë, pak mish të pjekur dhe gjeti një vend për të ngrënë. Kur ja, dy veta po grindeshin mes vete, e njëri prej tyre thoshte: ”Unë jam në të drejtë, e ti jo.” A dëshiron të të betohem se jam në të drejtë? Tjetri tha: “Po, betohu.” Ai u betua dhe tha: ”Pasha Zotin e agjëruesve, unë jam në të drejtë në atë që po pretendoj.” Sehli tha: Ky sikur qenka i dërguar i All-llahut për mua. Pastaj e rroku mjekrën me dorë dhe tha: ”O Sehl, erdhi puna deri aty që njerëzit, për shkak të nderit dhe agjerimit të betohën me të (agjërimin), e ti po e prish agjërimin për disa hurma?!!”

 

  1. Mosshkatërrimi për shkak të mëkateve

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: ”E sikur All-llahu t’i ndëshkonte njerëzit sipas veprave (të keqia) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e tokës asnjë Gjallesë.” (Fatir 45)

Vallahi, sikur All-llahu të na e merrte si vlerësim atë që e kemi bërë me duart tona, do të na ndëshkonte. Por Ai nuk është mizor ndaj nesh, bile as ndaj sendit më të thjeshtë në sipërfaqën e tokës. Për këtë arsye disa njerëz të devotshëm çdoherë kur pinin ujë, e përkujtonin këtë mirësi të All-llahut dhe thonin: ”Falënderimi i takon All-llahut I Cili e bëri këtë ujë të pijshëm me mëshirën e Tij, e nuk e bëri të papijshëm me mëkatet tona.” Sa e sa herë e ke lutur All-llahun kur ke pasur ndonjë vështirësi, e kur ta ka larguar vështirësinë, e ke harruar! Dhe sa e sa herë kur ke bërë mëkat je kthyer tek Ai që të ta realizojë kërkesën tënde, e kur iu përgjigj kërkesës, ti ia ktheve shpinën. Por, edhepse ia ktheve shpinën , Ai nuk e ndërpreu lidhjen me ty. Edhepse i bërë mëkat, Ai nuk ta ndali mirësinë….

A e kuptove tani se deri në ç’farë shkalle të do?!

 

  1. Lehtësimi i adhurimit, përkundër shpërblimit të madh

 

Shikoi këto shpërblime në hadithet që vijojnë:

“Nuk ka ndonjë njeri që më çon mua salavat njëqind herë, e që të mos ia fal All-llahu mëkatet atij”. (Sahih)

Kush e din dhe bindet se Unë jam Ai që i fali mëkatet, Unë ia fali Atij dhe nuk e kam dert, përderisa nuk më bën shirk (rival)” (hadith kuddsij,hasen).

Kush merr abdes kështu (dmth si Pejgamberi a.s), i falën atij mëkatet që i ka bërë në të kaluaren, ndërsa namazi (2 rekate që falët pas abdestit) dhe ecja e tij deri në xhami i llogaritet nafile”. (Sahih)

“Kush shkon deri në xhami për të falur një namaz farz me xhemat, i konsiderohet sikur të këtë bërë një haxh, e kush shkon deri në xhami për të falur nafile, i konsiderohet sikur të këtë bërë një umre nafile.”

“Nuk ka popull i cili e përmend All-llahun, e që mos t’i thërret ata një thirrës nga qielli, e t’u thotë: Çohuni se u janë pastruar mëkatet e juaja.”

“Ai i cili thotë: ”SubhanAll-llahi ve bihamdihi’ njëqind herë në ditë, i bien mëkatet (nga trupi) edhe nëse janë sa shkuma e detit.”

“Një njëri kaloi pranë një degë të pemës e cila gjendej në mes të rrugës dhe tha: Vallahi do t’ua largoj anash këtë degë myslimanëve që të mos u pengojë, që të hy në xhennet.”

“Kush pastrohet në ditën e Xhuma, shkon herët në xhami në këmbë, i shkon afër imamit, heshtë dhe e dëgjon me vëmendje, nuk flet fjalë të kota, për çdo hap që e bën nga shtëpia e tij deri në xhami do t’i llogaritet si veprim i një viti, agjërim dhe namaz nate.”

 

  1. E dua All-llahun vetëm se është:

 

El-Gaffar (Ai që falë shumë)

 

Fjala arabe “gafere” është sinonim i fjalës “setere” (fsheh, mbulon). Ndërsa El-Gaffar është Ai që e tregoi (nxorri në shesh) veprën e bukur dhe e fshehi të shëmtuarën. Të sheh kur bën mëkate dhe nuk të turpëron para të tjerëve duke t’i nxjerrur mëkatet në shesh). Ndërsa ti e lufton Atë me mëkate, e Ai nuk t’i zbulon turpet. I fsheh mëkatet dhe të metat e tua nga sytë e njerëzve, ta zbukuron pamjen e jashtme dhe ta mbulon brendësinë tënde, kështuqë njerëzit nuk e dinë se ti e do të keqen, mashtrimin, tradhtinë, dëshirën për të bërë mëkat, dhe të menduarit keq për të tjerët. E sikur ta dinin ata, do të të urrenin dhe nuk do të nderonin dhe do të të luftonin dhe nuk do të të donin.

Vëlla…. Të nxjerrim së bashku diçka prej detit të vrullshëm të dashurisë nga kuptimi i fjalëve të All-llahut të Madhërishëm i Cili në një hadith kudsijj thotë: “O i biri i Ademit…. derisa ti më lutë dhe në Mua mbështetesh dhe shpreson, Unë do të t’i fal ato që ti i vepron dhe nuk e kam dert. O i biri i Ademit, sikur mëkatet e tua të arrinin deri në qiell, e ti më kërkon falje, Unë do të të fal dhe nuk e kam dert. O i biri i Ademit, sikur të ma sjellësh plot tokën me mëkate, e pastaj të më takosh duke mos më bërë shirk (rival), Unë ty do të ta sjell plot tokën me falje.”

Po të pyes për hirin e All-llahut…. A e bën gjithë këtë ndokush tjetër përpos Atij që të do?! Jo vetëm që nuk e harron atë i cili e përkujton Atë, por madje e përkujton edhe atë i cili e harron Atë. Bëhet i afërt me atë i cili i bën mëkat Atij, dhe nuk ia ndalon afrimin atij që e lufton (kundërshton) Atë. Nuk e refuzon atë i cili e lutë, dhe nuk e lë atë i cili ia kthen shpinën.

Ua fali magjistarëve të faraonit dhe i ngriti në shkallën e shehidëve. Ia pranoi pendimin gruas nga fisi Gamidij, i cili pendim sikur t’u ndahej shtatëdhjetë personave të Medinës, do t’u mjaftonte. Dhe akoma, lumi i dashurisë së All-llahut ndaj nesh vazhdon të rrjedhë pandërprerë nëpër shekuj.

Vetëm për arsye së të do, Ai gëzohet kur t’i i kthehesh Atij me shumë së sa gezohesh ti kur Ai të kthehet ty. Pejgamberi a.s thotë: ”All-llahu gëzohet për pendimin e robit më tepër se sa një njeri të cilit i humb deveja në shkretëtirë, kurse me të edhe i tërë uji, ushqimi dhe hija. E kërkon, derisa e humb shpresën për ta gjetur, e pastaj nga lodhja e tepërt e zë gjumi nën hijen e një lisi duke e pritur vdekjen, dhe për një çast i del gjumi, e kur ja, deveja e vet pranë tij, i është ngatërruar litari për lisi. E All-llahu gëzohet për pendimin e robit më tepër se sa ky njeri për devenë e vet.”

Ky gëzim është gëzim bëmirësie dhe butësie, e jo gëzim se All-llahu ka nevojë dhe dobi nga pendimi i robit. Gëzohet më atë, ibadeti i të cilit dhe i të tjerëve si ai, nuk peshon në pronën (pasurinë) e Tij as sa një grimcë dheu. Kush je ti o varfanjak që të të afrohet ty më i pasuri i të pasurve?! Sa peshon ti o i ngratë, që të të doje ty I Larti?! Dhe perkundër kësaj, fal mëkate, e dëshiron dashurinë e robërve dhe sillet butë. Të mënduarit e njeriut se Zoti nuk do t’i fal mëkatet,All-llahu konsideron si një prej mëkateve më të mëdha!!

Abdullah ibn Mubareku transmeton dhe thotë: ”Shkova te Sufjan Eth-Theuriu natën e Arafatit dhe e gjeta te gjunjëzuar, ndërsa sytë i kishte të mbushur përplot me lotë, dhe i thashë: Cili prej këtij grupi të madh tënjerëzve është në gjendje më të keqe? Ai u përgjigj: Ai i cili mëndon se All-llahu nuk falë mëkate.”

 

Dashuri e përplotë

 

Transmetohet se Fudajl ibn Ijjadi shikoi se si njerëzit natën e arafatit e madhëronin All-llahun dhe qanin, dhe tha: Çka mendoni sikur të gjithë këta të shkojnë deri të një njeri dhe t’i kërkojnë një danik (1/6 e dirhemit), a do t’ua refuzonte kërkesën? Jo – thanë ata. Pastaj Fudajli tha: Vallahi, falja e mëkateve nga ana e All-llahut është më e lehtë (thjeshtë) se sa pergjigjja e këtij njeriu ndaj kërkesës së këtij grupi njerëzish.

 

Err-Rrahman (Mëshiruesi, Mëshirëploti)

 

Për sasinë e mëshirës së All-llahut që nuk mund ta imagjinojmë, na shprehet pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cili thotë: ”Sikur ta dinit sasinë e mëshirës së All-llahut, do të mbështetëshit në të.”

Mëshira e All-llahut në të cilin jemi të fundosur manifestohet në disa forma të shkëqyeshme. Sa për ilustrim:

– All-llahu është i turpshëm dhe bujar, e nëse robi i ngrit duart duke iu lutur Atij, Ai turpërohet t’ia kthejë lutjen bosh, dhe kjo, vetëm për arsye se të do.

– Ai heshti për disa gjëra dhe nuk e permendi ndalimin apo lejimin e tyre, vetëm si mëshirë ndaj nesh e jo nga harresa, dhe kjo, vetëm për arsye së të do.

– Gjithashtu prej mëshirës së Tij është mbrojtja (kujdesi) e Tij ndaj robit besimtar nga kjo botë, kur për All-llahun ka qenë e ditur se ajo (bota) do ta bëjë atë tejkalues të kufijve dhe do ta shmangë nga rruga e vërtetë, siç na e bën me dije këtë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cili thotë: ”Më të vërtetë All-llahu do të ketë kujdes dhe do ta mbrojë robin e vet besimtar nga kjo botë dhe do ta dojë, ashtu siç kujdeseni për ta ushqyer dhe për t’i dhënë ujë të sëmurit tuaj.” Dhe kjo, vetëm për arsye se te do.

– Prej mëshirës së Tij është edhe ajo se i mbron robërit mëkatarë prej qiellit i cili kërkon që t’i gjuajë me gurë, prej tokës e cila kërkon që t’i shembë, dhe prej detit i cili kërkon që t’i përmbysë, por Ai i qetëson (ngadalëson) ato duke e shpresuar pendimin e robërve. Edhe kjo, vetëm për arsye se të do.

– Prej mëshirës së Tij është edhe ajo se askush nga krijesat e Tij nuk është në gjendje ta ndalojë apo pengojë mëshirën e Tij ndaj të dashurve të Vet. All-llahu i Madhërishëm thotë: ”Atë që All-llahu ua dhuron njerëzve nga mëshira e Tij, nuk ka kush që mund ta pengojë.” (Fatir 2).

Ai i cili e kërkon mëshirën e All-llahut, nuk e ka vështirë ta gjejë atë, në çdo kohë dhe vend. E gjeti atë Ibrahimi alejhis-selam mu në mes të zjarrit. E gjeti Jusufi alejhis-selam në fund të pusit dhe në errësirën e thellë të burgut. E gjeti Junusi alejhis-selam në barkun e balenës. E gjeti Musai alejhis-selam në lumë qysh duke qenë foshnje dhe në pallatin e faraonit duke qenë i pritur nga ai. E gjetën edhe banorët e shpellës (as’habul kehf) të cilët e patën humbur atë (mëshirën) në pallate. Dhe e gjeti poashtu edhe Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me shokun e tij Ebu Bekrin radijAll-llahu anhu në shpellë, duke qenë i dëbuar.

Ktheje memorinë e kujtimeve të tua që të të kujtohet se ku e ke gjetur mëshirën e All-llahut dhe sa e sa herë e ke shijuar (përjetuar), dhe çuditu me harresën tënde ndaj mëshirës së Tij.

 

Ndalu një moment!

 

Mëgjithëkëtë, të gjitha këto mëshira të kësaj bote, nuk arrijnë në mëshirat e përgjithshme të cilat i krijoi All-llahu më teper se 1%. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: ”All-llahu i Madhërishëm ditën kur i krijoi qiejt dhe tokën, krijoi poashtu njëqind mëshira. Distanca e çdo mëshire me tjetrën është sa distanca mes qiellit dhe tokës. Dhe prej tyre njërën e lëshoi në tokë më të cilën nëna e mëshiron fëmijën e saj, poashtu egërsirat dhe shpezët mëshirohën mes vete. Dhe i prolongoi nëntëdhjetë e nëntë, e në ditën e kijametit i përmbushë (plotëson ato) me këtë mëshirë.”

Kështu, p.sh. mëshira e prindërve të tu ndaj teje sado që të jetë e madhe, ajo është vetëmse një pjesë e një pjese të njëqind pjesëve të mëshirës.

Dijetari islam Hammad ibn Seleme thoshte: ”Nuk më gëzon nëse puna (brenga) ime në ditën e gjykimit i lihet në dorë prindërve të mi, se më të vërtetë Zoti është më i mëshirshëm ndaj meje se prindërit e mi.”

 

El-Letif (I Buti, I Mirësjellshmi)

 

Butësia është mëshirë e fshehur (sekrete) që e përfshin diturinë e All-llahut në lidhje me interesat dhe dobitë e njeriut, dhe bartjen e tyre tek ai në mënyrë të butë (mirë). Prej butësisë (mirësjelljës) së Tij po përmendim:

– Butësia (mirësjellja) e Tij ndaj embrionit në mitrën e nënës në tri errësira, bartja e ushqimit deri tek ai, si dhe largimi i gjërave të panevojshme për të.

– Dëshira e Tij për lehtësim ndaj robërve. All-llahu i Madhërishëm thotë: ”All-llahu ju dëshiron juve lehtësimin dhe nuk do që t’i veshtirësoje gjërat për ju.” (El-Bekare 185). E për këtë arsye, All-llahu e bëri haxhin obligim vetëm për ata që kanë mundësi. Poashtu bëri lëshime (lehtësime) në shkurtimin e namazit dhe prishjen e agjërimit gjatë udhëtimit.

– Ruajtja e robërve nga ajo që i dëmton. All-llahu i Madhërishëm thotë: ”Ai (njeriu) ka përcjellës (roje) të përherëshëm para dhe prapa tij, qe më urdhërin e All-llahut e ruajnë atë.” (Err-Rra’d 11).

Hasen El-Basriu thotë: “Ata jenë melaike të cilët e ruajnë njeriun nga çdo e keqe, e kur ngjan kaderi, ata largohen nga ai.”

Këtë mirësjellje (butësi) ta bën të qartë Fudajl ibn Ijjadi, i cili thotë: “Sa e sa herë armiku i njeriut ka dashur që ta dëmtojë atë (njeriun) dhe All-llahu ia ka larguar atë atij, e ai as që e ka hetuar, e pastaj lexoi ajetin kur’anor: “Përkujtonie mirësinë e All-llahut ndaj jush kur, një popull tëntoi të zgjasë duart e veta (për mbytje) kundër jush, kurse Ai zmbrapsi duart e tyre prej jush.” (El-Maide 11).

– Begatia (dhuntia) e vdekjes. A e di, o njeri, se çdo të kishte ngjarë sikur All-llahu të mos e krijonte vdekjen? A thua, vallë, çdo të ndodhte nëse vetëm dy miza do të shumoheshin pa vdekur aspak?! Do të mbulohej toka aq tepër me miza sa që do të formohej një shtresë mizash në lartësi prej 5 cm e cila do ta mbulonte shtresën e tokës vetëm gjatë dy viteve!! (e dhënë shkencore).

– Të mirat në përgjithësi…. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: ”O Zoti im, kërkoj nga Ti të gjitha të mirat, të kësaj bote dhe të ahiretit, atë që e di dhe atë që nuk e di. Dhe prej Teje kërkoj mbrojtjen nga të gjitha të këqiat, të kësaj bote dhe të ahiretit, atë që e di dhe atë që nuk e di.”

Kështu pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na e bën neve të qartë mirësjelljën (butësinë) e All-llahut ndaj nesh dhe na mëson se All-llahu është I Vetmi I Cili e di se çka na dëmton e çka na sjell dobi dhe çka na përmirëson e çka na çrregullon. Andaj, ta lëmë punën tonë në dorën e Tij dhe t’i lutemi me këtë dua përmbledhëse dhe t’ia lëmë Atij që të zgjedhë për neve atë që dëshiron Ai.

 

E çka mbetet pas gjithë kësaj?

 

  1. Të mbetet që të bësh një ulje meditimi dhe vrojtimi në krijesat e All-llahut që të të shtohet imani (besimi) dhe që ta gjesh (njohësh) Krijuesin tënd. Ose të marrish pjesë në ndonjë seminar (kruzhok) me temë “Mrekullite shkencore ne kur’an”, i cili të shpie në të njëjtin cak.
  2. Lute Zotin (fshehurazi) aty kah përfundimi i natës (para agimit), në ato çaste kur, çdo i dashur vetmohet me të dashurin e vet, dhe nënshtroju me përkushtim Zotit tënd I Cili të do, dhe lutu për çka të duash.
  3. Ki kujdes ndaj kryerjes së ibadeteve. E nëse eventualisht të ik ndonjë ibadet, atëherë përkushtoju ndonjë ibadeti tjetër, sepse ibadetet janë të llojllojta dhe të shumta.
  4. Formo mendim (përshtypje) të mirë për Zotin I Cili thotë: ”Unë jam në mendimet e robit tim, e le të mendojë ai për Mua ç’te dojë.” Dhe kiji dro njërit prej mëkatëve më të mëdha, e që është nënvlerësimi i mëshirës së All-llahut, dhe konsiderimi (bindja) se është e pamundshme që All-llahu t’ia falë ndokujt edhe nëse është i fundosur në mëkate.
  5. Ai i cili e do një gjë më tepër se dhikrin (përmendjen) e All-llahut, ajo gjë ia pengon atij dhikrin ndaj Tij. Ibën Kajjimi thotë: ”Çudi me atë i cili pretendon se e do ndokënd dhe në të njejtën kohë ka nevojë për dikë që t’ia përkujtojë të dashurin e tij, dhe nuk e përmend të dashurin pa mos ia përkujtuar ndokush atë. E shenja më e vogël që tregon për dashurinë është se nuk të bën ta harrosh të dashurin.”
  6. Ai që e don Zotin, pajtohet (është i kënaqur) me të fshehurazi dhe haptazi. E për këtë arsye, ibadeti që bëhët fshehurazi e ka shpërblimin më të madh (siç është p.sh lëmosha e fshehtë).

 

Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të gjithë Botërave.
www.thirrjaislame.com
Shkroi: Halid EBU SHADI

Përktheu: Fahrudin REXHEPI