IKJA NGA RRUGËT E MËKATEVE

Kush i afrohet tundimeve (fitneve), prej tij largohet shpëtimi… Është kjo një thënie e bukur dhe një këshillë fisnike që përfaqëson një rregull real dhe aktual, dhe të cilën e ka ka përmendur imam Ibën Xheuziu në librin e tij të shkëlqyer Sajdul-Hatir, për secilin që synon shpëtimin për sa i përket fesë dhe jetës së kësaj bote.

Pa dyshim, këtë thënie ai e ka marrë nga fjalët e All-llahut, fjalë këto, të cilat All-llahu i Madhërishëm ua drejton besimtarëve në librin e Tij Madhështor duke ua tërhequr vëretjen nga mëkatet dhe rënia në to, kështu që ndalon afrimin tek ato dhe thirr në largim prej tyre para se të ndalojë rënien në to. Kjo, ngase afrimi ndaj tundimeve dhe mëkateve ndikon në veprimin e vet mëkateve. All-llahu i Madhërishëm thotë: Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.” (El-Isra’ 32). Po ashtu thotë: “Mos iu afroni pasurisë së jetimit ndryshe vetëm në mënyrë më të mirë (për t’ia shtuar), derisa ai ta arrijë pjekurinë e vet.” (El-Isra’ 34). Po ashtu thotë: “Të mos u afroheni mëkateve të hapta apo të fshehta.” (El-En’am 151).

Kush e kullotë bagëtinë rreth kufijve të arës, do të hyjë në arën e tjetrit

Njeriu vazhdon të jetë mirë derisa të qëndrojë larg tundimeve, mëkateve dhe të këqiave. Kur i shfaqen, ai largohet prej tyre, ndërsa kur sheh se ato i vijnë nga mbrapa, ai ikën prej tyre me vrap dhe ia mbyll vetes dyert që të shpiejnë te to dhe kështu jeton në qetësi dhe rehati.

Por kur troket në derën e tundimeve dhe ndjek rrugët e epsheve duke u bërë i luhatshëm ndaj largimit të tyre dhe duke mos i mbyllur dyert e joshjeve, atëherë atij i hapen dyert e belasë. Sa e sa njerëz kanë dështuar pasi kanë qenë të përqendruar dhe sa e sa njerëz para se t’i bartë përroi i vrullshëm e t’i fundosë në det kanë jetuar në komoditet në bregdet.

Ikja nga tundimet e mbron njeriun nga zhytja në mëkate. Ndërsa nga ana tjetër, ai që ia lejon vetes të zhytet në gjëra të dyshimta dhe fillime të harameve, në të shumtën e rasteve bie në haram, kështu që kur i ekspozohet tundimeve, ato i duken si diçka e mirë. Ai që kullot bagëtinë rreth kufijve të arës, pritet që së shpejti të hyjë në arën e tjetrit. Kush është tolerant ndaj gjërave të dyshimta, me siguri do të bjerë në haram, siç thotë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Andaj kush ruhet nga gjërat e dyshimta e ka ruajtur fenë dhe nderin e vet. Ndërsa kush bie në to, ka rënë në haram. (Kjo është) ngjashëm me çobanin që e kullot bagëtinë përreth tokës së ruajtur (të dikujt tjetër); nga çasti në çast pritet që bagëtia e tij të futet aty. Vërtet, çdo mbret ka kufijtë e vet dhe kufijtë e All-llahut janë ndalesat e Tij.” (Buhariu dhe Muslimi)

Sa e sa të rinj kanë qenë të ndershëm derisa Iblisi nuk i ka joshur të shikojnë foto të grave lakuriqe – qoftë edhe nga kurioziteti – dhe kështu kanë dështuar, zemra u është lidhur dhe janë zhytur në baltë derisa tërë dita u kalon duke kërkuar gjëra të reja e të çuditshme dhe nuk ndalen dot së kërkuari. Shembulli i tyre është sikur njeriu i cili pi ujë nga deti, kështu që sa më shumë që pi, aq më shumë i shtohet etja. Sa herë që dëshiron të pendohet, nuk ia del dot. Sa herë që ia jep besën Zotit se do të largohet, nuk e mban dot fjalën, epshi e mbizotëron dhe kthehet ashtu si ka qenë, madje edhe më fuqishëm. E sikur ta kishte mbyllur derën që nga fillimi, do ta gjente shpëtimin.

Heqja e dëgjueseve të telefonit gjatë dëgjimit të zërave romantikë është i mjaftueshëm për parandalimin e ndodhive të hidhura të njerëzve të cilët kanë qenë të shkujdesur ndaj refuzimit të dyerve të sherrit, dhe si pasojë janë shkatërruar shtëpi, janë përçarë familje, kanë ndodhur tradhti bashkëshortore dhe marri të zhurmshme. Episode të këtilla sot e kësaj dite akoma përsëriten. E kush nuk merr mësim nga të tjerët, këshillat nuk i sjellin dobi.

Sa e sa njerëz kanë rënë në imoralitet për shkak të një shikimi. Shikimi, siç thotë Ibën Kajjimi, është esenca e pjesës më të madhe të gjërave të cilat i ndodhin njeriut. Kështu, shikimi mbjell kujtesën, e kujtesa mbjell mendimin. Pastaj mendimi mbjell epshin, e epshi mbjell dëshirën, e cila shkon duke u përforcuar dhe mbjell vedosmërinë e prerë, dhe kështu vjen deri te vepra (imoraliteti), nëse nuk paraqitet ndonjë pengesë. Prandaj në këtë kontekst është thënë: “Durimi për uljen e shikimit ëhtë më i lehtë sesa durimi i dhembjes që pason pas tij.” (Sajdul-Hatir, fq. 41)

Sikur njeriu të mbyllte sytë një herë, do t’ia mbyllte derën Iblisit dhe do të jetonte në shpëtim.

Një shenjë e mendjes dhe imanit

Mbyllja e derës së tundimeve dhe largimi nga faktorët e mëkateve dhe gabimeve është shenjë e mendjes së shëndoshë dhe fuqisë së imanit dhe fesë, ndonëse disa prej njerëzve mund të mashtrohen nga ndonjë segment i fesë, mirësisë, moralit të mirë që kanë dhe përqendrimit të tyre në fe, kështu që duke pasur mendim të mirë për veten, bëhen tolerantë, shkujdesen dhe harrojnë se rrugët e shejtanit janë të shumta, metodat e tij janë të shumëfishta dhe nuk kanë të mbaruar. Ata po ashtu harrojnë se shejtanin kurrë nuk e kaplon pesimizmi nga ndonjë njeri derisa këtij të fundit shpirti t’i ndahet nga trupi, si dhe se ai është më i kujdesshëm për njerëzit e përqendruar sesa për të tjerët.

Duke e pasur parasysh se shejtani e njeh shpirtin dhe i di gjërat që e joshin atë, ai e ka mundësinë të depërtojë tek ai nga çdo rrugë e mundshme. Kur atij i mbyllet një derë, ai hyn nga një tjetër. Ndodh që ai t’i hapë robit njëqind dyer të hairit vetëm e vetëm për ta futur në një derë të sherrit, e ndoshta kjo e fundit është ajo shkatërrimtarja. All-llahu i Madhërishëm na e ka tërhequr vërejtjen nga hapat e tij duke thënë: O ju të cilët besuat, mos shkoni gjurmëve të shejtanit.” (En-Nur 21)

Një njeri i devotshëm nga Benu Israilët devijoi pas një kohe të gjatë që kaloi në ibadet, dhe kjo vetëmse nuk i evitoi nga vetja hapat e shejtanit, i cili nuk ndaloi së punuari me të derisa e shtyu të bëjë imoralitet dhe vrasje. Por ai nuk mjaftoi me kaq dhe vazhdoi ta mashtrojë derisa ai i bëri kufër All-llahut, Zotit të Botëve. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ata (hipokritët) janë shembull si djalli, kur i thotë njeriut: “Refuzo besimin!”, e kur ai ta ketë refuzuar, ai (djalli) tërhiqet e thotë: “Unë tërhiqem prej teje; unë i frikohem All-llahut, Zotit të të gjitha botëve!” (El-Hashr 16)

Prandaj, mos ia ekspozo veten sprovave, dhe ik prej mëkateve ashtu siç ikën nga luani, ngase sprovat janë më të egra se luani. Ruaju nga shigjetat e veprave të këqija, ngase ato shkaktojnë plagë të cilat t’i hapin dyert e zjarrit dhe kështu ta djegin imanin e zemrës. Prej kësaj nuk të shpëton gjë tjetër veçse largimi dhe ikja prej tyre. Prandaj, kush i afrohet tundimeve (fitneve), prej tij largohet shpëtimi.

 

Marrë nga faqja islamweb.net

Përkthyes: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com