HADITHI nr.578 – nga Libri Rijadus Salihin

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se të varfrit e muhaxhirëve erdhën tek i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe i thanë: “Pasanikët na i morën gradat e larta dhe shpërblimin e përhershëm!” (Pejgamberi) Tha: “Ç’është ajo?” Ata thanë: “Ata falin namaz si ne, agjërojnë si ne, ata ndajnë sadaka, kurse ne nuk mundemi, ata lirojnë robër, kurse ne nuk mundemi.” Atëherë i Dërguari i All-llahut s.a. v.s. u tha: “A doni t’ju mësoj diçka me çka do t’i arrini ata që ju kanë kaluar dhe do t’i tejkaloni ata që janë pas jush dhe nuk do të jetë askush më i vlefshëm se ju, përveç atij që vepron sikur ju?” Thanë: “Gjithsesi, o i Dërguari i All-llahut!” Tha: “Shqiptoni tesbih (subhanall-llah, Lavdi All-llahut), tekbir (All-llahu ekber: All-llahu është më i Madhi) dhe tahmid (Elhamduli-l-lah: Falënderimi Allllahut) pas çdo namazi nga 33 herë.” (Pas një kohe) U kthyen tek i Dërguari i All-llahut të varfrit e muhaxhirëve dhe i thanë: “Kanë dëgjuar vëllezërit tanë pasanikë se ç’po veprojmë dhe ata po bëjnë të njëjtën!” I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Ajo është prej shpërblimit të All-llahut, që ia jep kujt të dojë.”  (Muttefekun alejhi) Këtë citat e transmeton Muslimi. All-llahu e di më së miri.