Nga Aishja r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. hyri në dhomën e saj, ku gjendej një grua, dhe i tha: “Kush është kjo?” Tha: “Kjo është filan gruaja, e kryen me kujdes namazin e saj.” (Pejgamberi) Tha: “Mos e obligoni veten se nuk keni mundësi, se pasha All-llahun, Ai nuk mërzitet derisa të mos ju mërzitë juve së tepruarit. All-llahu më së shumti e do devotshmërinë e përhershme tek ai që e kryen.” (Muttefekun alejhi) “All-llahu nuk do t’i ndërprejë thevabet e Tij dhe shpërblimin për veprat tuaja dhe nuk do të mërzitet për këtë, siç ndodh kjo me krijesat, përderisa ju të mos mërziteni e ta ndërpritni ibadetin. Andaj është e domosdoshme që prej ibadeteve vullnetare të merrni vetëm ato që mund t’i kryeni vazhdimisht e pa ndërprerje, në mënyrë që edhe shpërblimi i All-llahut mbi ju të rrjedhë pandëprerë.”