HADITHI nr.124 – nga Libri Rijadus Salihin

124. Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Për çdo nyje të njeriut, çdo ditë kur lind dielli, duhet dhënë sadaka. Nëse pajton dy veta, edhe kjo është sadaka, nëse dikujt i ndihmon që të hipë në kafshën e tij, ose i ndihmon që ta ngarkojë barrën në kafshën e tij (kalë ose deve), edhe kjo është sadaka, edhe fjala e mirë është sadaka, çdo hap që bën për të shkuar në namaz është sadaka, edhe largimi nga rruga e asaj që i pengon kalimtarët është sadaka.”   (Muttefekun alejhi)
Kurse në Sahih të Muslimit sipas transmetimit të Aishes r.a. thuhet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet secili njeri prej Beni Ademëve është krijuar me 360 (treqind e gjashtëdhjetë) nyje. Kush e madhëron All-llahun (duke thënë: All-llahu ekber), kush e falënderon (me elhamduli-l-lah), kush i bën tehlil (duke thënë: La ilahe il-lall-llah), kush i shpreh lavdi
(tesbih), kush i kërkon falje (istigfâr), kush e mënjanon një gur, një ferrë apo një kockë nga rruga e njerëzve, ose urdhëron për të mirë, ose ndalon kundër së keqes me numër të përgjithshëm 360 (herë), ai atë ditë do të shkojë i shpëtuar nga zjarri.”