113. Nga Seid ibn Abdul-Azizi, nga Rebija ibn Jezidi, nga Ebu Idris el-Havláni, nga Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunade r.a. përcillet se Pejgamberit s.a.v.s. transmeton nga All-llahu i Gjith;fuqishëm, që ka thënë: “O robër të Mi! Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes dhe e kam ndaluar edhe ndër ju, prandaj mos i bëni dhunë njëri-tjetrit. O robër të Mi! Të gjithë ju jeni të lajthitur, përveç atij që e përudh Unë, prandaj kërkoni udhëzime nga Unë, do t’ju përudh. O robër të Mi! Të gjithë ju jeni të uritur, përveç atij që e ushqej Unë, prandaj kërkoni t’ju ushqej, do t’ju ushqej. O robër të Mi! Të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atij që e vesh Unë, prandaj kërkoni veshje nga Unë, do t’ju vesh. O robër të Mi! Vërtet ju gaboni natën dhe ditën, kurse Unë i fal të gjitha mëkatet, prandaj kërkoni nga Unë falje, do t’ju fal. O robër të Mi! Ju kurrë nuk mund të arrini tek ajo me çka do të më shkaktonit Mua dëm, as që ndonjëherë do të arrini tek ajo që Mua dobi do të më sjellë, që të më kontribuonit. O robër të Mi! Sikur i pari nga ju dhe i fundit nga ju dhe njerëzit nga ju dhe xhinnët nga ju të ishin të devotshëm si zemra më e devotshme e njërit nga ju, kjo nuk do ta shtonte sundimin Tim në asgjë. O robër të Mi! Sikur i pari nga ju dhe i fundit nga ju dhe njerëzit nga ju dhe xhinnët nga ju të ishin të prishur si zemra më e prishur e njërit nga ju, kjo nuk do ta pakësonte sundimin Tim në asgjë. O robër të Mi! Sikur i pari nga ju dhe i fundit nga ju dhe njerëzit nga ju dhe xhinnët nga ju të ngriheshit (qëndroni) në një vend dhe dëshirat dhe lutjet të m’i drejtoni Mua, dhe Unë t’i përgjigjesha lutjes së çdonjërit, kjo nuk do ta zvogëlonte atë që kam Unë as aq sa mungon gjilpëra kur ngulitet në det. O robër të Mi! Çdo gjë varet nga veprat tuaja, të cilat tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, kurse për të cilat Unë do t’ju shpërblej. Kush gjen mirë, le ta falënderojë All-llahun, kurse kush gjen të kundërtën, mos ta fajësojë askënd përveç vetvetes.”
(Transmeton Muslimi)
HADITHI nr.113 – nga Libri Rijadus Salihin
