Frika nga All-llahu i Madhërishëm

Frika është një prej edukatave më të mëdha me All-llahun e Madhërishëm. Kjo frikë buron nga njohja e pozitës së All-llahut, madhështisë së Tij mbi krijesat, madhësisë së fuqisë së Tij, ashpërsisë së dënimit dhe ndëshkimit të Tij, hakmarrjes ndaj armiqve të Tij, armiqve të të dërguarve të Tij dhe armiqve të evliave të Tij duke i pasur parasysh dënimet që i ka zbritur mbi ta në këtë dynja. Po ashtu buron nga meditimi rreth teksteve sheriatike (kur’an dhe sunnet) për sa i përket kërcënimeve të Tij, meditimit në lidhje me atë se çfarë lloje dënimesh ka përgatitur All-llahu për armiqtë e tij në varr dhe në zjarrin e xhehenemit. Kur myslimani bindet se All-llahu ka mundësi t’i dënojë të gjitha krijesat e Tij, dhe se vendimin e Tij nuk mund ta thyejë askush si dhe gjykimin e Tij nuk mund ta ndryshojë askush, atëherë kjo e shpien deri te frika ndaj All-llahut të Madhërishëm. Kjo frikë e përfshin zemrën, depërton në damarët e saj si dhe rrjedh në brendinë e saj ashtu siç rrjedh gjaku. Kjo është ajo frikë që e ndalon myslimanin nga mëkatimi ndaj All-llahut të Madhërishëm, e largon nga veprimet që e hidhërojnë All-llahun, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Me këtë All-llahu i frikëson robërit e Vet: “O robërit e Mi, kini frikë (dënimin)!”[1] E në një ajet tjetër thotë: “Kështu Ne e shpallëm këtë kur’an arabisht dhe përsëritëm në të vërejtjet, në mënyrë që ata të ruhen ose ai (kur’ani) t’u sjellë atyre përvojë mësimi.”[2]

Kjo frikë është prej gjërave më të dobishme për myslimanin, sidomos në kohën e rinisë kur ai është i fuqishëm. Kjo frikë duhet ta përcjellë myslimanin në çdo situatë gjatë gjithë jetës së tij dhe nuk duhet ndarë prej saj as për një moment. Kjo frikë sjell fryte dhe dobi shumë të mëdha për besimtarin i cili i frikohet All-llahut.

Nga ana tjetër, mospasja frikë nga All-llahu i Madhërishëm është sjellje e keqe me Të, tejkalim i kufijve të Tij dhe veprim i asaj që All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar.

Frika nga All-llahu i Madhërishëm ngërthen në vete fryte të shumta. Prej tyre:

– Largimi nga mëkatimi ndaj All-llahut të Madhërishëm.

– Kthimi nga obligimet dhe adhurimet ndaj All-llahut dhe praktikimi i tyre në mënyrë të vazhdueshme.

– Lidhja me All-llahun e Madhërishëm. Kjo, duke e pasur parasysh se nuk ka strehim dhe shpëtim diku tjetër përpos tek Ai si dhe nuk ka mbrojtës prej dënimit të Tij përpos Tij.

– Përqendrimi i zemrës ndaj krijesave dhe mospasja frikë prej tyre, sepse zemra e mbushur me frikë nga All-llahu, nuk ia ka frikën askujt pos Tij, madje të tjerët ia kanë frikën atij njeriu. Kështu vëren se kriminelët janë ata që frikohen nga njeriu i mirë, ndërsa ai nuk frikohet prej tyre.

[1] Kaptina Ez-Zumer, ajeti 16.

[2] Kaptina Ta-Ha, ajeti 113.

 

www.thirrjaislame.com