Me emrin e Allahut Mëshirëgjerit, Mëshirëplotit
Falënderimi i takon vetëm Allahut, vetëm Atë e falënderojmë! I kërkojmë ndihmë, falje dhe mbrojtje nga të këqijat e veteve tona e nga te këqijat e punëve tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humbë dhe atë që Ai e humbë nuk ka kush e udhëzon! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut dhe Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Në mënyrë që të zgjohet i dremituri dhe të ngritet nga agonia e pasionit, t’i ndërpresë lidhjet e zemrës së tij me tokën, patjetër duhet të ekzistojë një faktor (shtytës, ndikues) i madh që e shqetëson dhe e bën vigjilent. Ky faktor apo kjo shtytje është frika e madhe ndaj Allahut të Lartëmadhëruar, e cila na dërgon tek shkalla e shqetësimit dhe trembjes e cila i lëkundë zemrat dhe i thinjë kokat sikurse i është thinjur koka Pejgamberit sal-l All-llahu alejhi ue sel-lem nga kaptinat Hud, El Vakiatu, el Murselat, en Nebe’ë dhe et Tekvir.
Kjo është frikë e cila të nxitë për të vepruar dhe për të qenë i vëmendshëm, jo frikë e cila i frustron ndjenjat dhe i nxjerrë lotët, pastaj kthehet në gjendjen e mëparshme te shpërkujdesjes dhe amullisë, pra kjo është gjendja e shumicës nga ne kur të dëgjojmë ndonjë këshillë apo të lexojmë ndonje varg, të përcjellim ndonjë xhenaze apo të shohim ndonjë ndodhi. Nga kjo kuptojmë se frika e fuqishme e cila të shtyen për të vepruar patjetër duhet të ketë nivel dhe shkallë te lartë, nëse nuk arrijmë këtë shkallë, atëherë ndikimi është i përkohshëm dhe menjëherë largohet gjurma e tij pas largimit të shtytësit.
FRIKA NDAJ ALLAHUT ISHTE FILLIMI I THIRRJES SË PEJGAMBERËVE
Nëse vështrojmë historinë e Pejgamberëve dhe bartësve të davetit, gjejmë se të gjithë ata në fillim të thirrjes së tyre ua tërhoqën vërejtjen popujve të tyre që të kenë frikë nga denimi që i pret në Ditën e Madhe. Ky është Nuhi alejhi selam për të cilin thotë Allahu i lartmadhëruar :
Ne e dërguam Nuhun te populli i vet (dhe i thamë): “Tërhiqja vërejtjen popullit tënd para se ata t’i godasë dënimi i rëndë!”
Ai tha: “O populli im, unë jam i dërguar te ju, jam i qartë.
Adhurojeni All-llahun, kini frikë prej Tij dhe mua më dëgjoni.(Nuh, 1,2,3)
Poashtu Ibrahimi alejhi selam për të cilin thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
Edhe Ibrahimi ishte i grupit të tij.
Kur Zotit të vet iu bind me zemër të pastër.
Kur babait të vet dhe popullit të vet u tha: “Çka është ajo që ju adhuroni?”
A në vend të All-llahut doni zota të trilluar?
Çka është mendimi juaj ndaj Zotit të botëve?(Safat, 83-87)
Gjithashtu shiko se si iu drejtua Hudi alejhi selam popullit të vet:
Përkujto vëllain e Adit (Hudin) kur popullin e vet në Ahkafë e qortoi, megjithëqë qortime pati dhe para edhe pas tij, (u tha): “Të mos adhuroni tjetër vetëm se All-llahun, pse unë i kam frikë dënimit tuaj në ditën e madhe!”(Ahkaf, 21)
Dhe kështu veprimi i Musait alejhi selam me Faraonin:
Edhe rrethit të faraonit i patën ardhur shumë vërejtje.(el Kamer, 41)
Dhe shembullin më të mirë e kemi në të dërguarin e Allahut Muhamedin sal-l All-llahu alejhi ue sel-lem.
Në një hadith të transmetuar nga Buhariu, Ibn Abbasi radijAllahu anhuma ka thënë: “Kur zbriti ajeti 214 i sures Shuara “Dhe tërhiqju vërejtjen farefisit tënd më të afërt” Pejgamberi sal-l All-llahu alejhi ue sel-lem, u ngjit në kodrën Safa dhe u thirri njerëzve, të cilët pasi u mblodhën rreth Tij u tha: “Ç’do të mendonit nëse ju them se pas këtij mali një ushtri është nisur t’iu sulmojë? A do të më besonit?” Ata thanë: “Nuk të kemi dëgjuar kurrë duke gënjyer”, atëherë Pejgamberi sal-l All-llahu alejhi ue sel-lem,u tha: “Ju tërheqë vëmendjen që të besoni në Allahun, sepse një dënim i ashpër ju pret!”.
Frika ndaj Allahut të Lartëmadhëruar është mjeti më garantues për zgjimin e të dremiturve dhe të shkujdesurve, këtë e kanë përdorur të gjithë Pejgamberët dhe bartësit e davetit, Allahu përmes punës së tyre ka hapur zemrat të cilat ishin të drynosura, sytë e verbuar dhe veshët e shurdhër.
Kjo frikë është ilaç i suksesshëm për ata të cilëve u është robëruar zemra nga epshi dhe i ka mundur dashuria e dynjasë. Ky është fillimi i vërtetë i lëvizjes së zemrave drejt Allahut të Lartëmadhëruar.
Thotë Pejgamberi sal-l All-llahu alejhi ue sel-lem: “ai i cili frikësohet e bënë udhëtimin herët në muzg dhe ai i cili e bënë udhëtimin në këtë mënyrë arrinë me kohë, a e dini se artikulli i Allahut është i shtrejtë, e ky artikull është xhenneti” e saktësoi shejh Albani.
Transmetohet nga Ibrahim ibn Shejban të ketë thënë: “kur frika të zë vend në zemër i djegë vendet e epsheve dhe e largon dëshirën për dunja dhe e bënë të heshtë gjuhën nga përmendja e dunjasë” (Shu’abel el iman)
Thotë Junusi alejhi selam: “njerëzit janë në rrugë të drejtë përderisa i frikësohen Allahut e kur të largohet frika nga ta e devijojnë rrugën” (Tehdhib medarixhu es salikin)
E si mos të jenë në këtë shkallë të lartë, kur Allahu i Lartëmadhëruar i ka lavdëruar Pejgamberët dhe të dashurit e Tij me këtë virtyt.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
“Ne ia pranuam lutjen e tij, ia dhuruam atij Jahjanë dhe ia përmirësuam bashkëshorten atij. Ata përpiqeshin për punë të mira, Na luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj Nesh.” [el Enbija, 90]
Allahu i ka lavdëruar melekët për shkak të frikës që kanë ndaj tij.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
“…e ata nga frika prej tij janë të kujdesshëm.” [el Enbija, 28]
Allahu i Lartëmadhëruar i ka kërcënuar pabesimtarët për shkak të mosfrikës ndaj Tij.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar përmes gjuhes se Pejgamberit të Tij:
“Ç’është me ju që All-llahut nuk i shprehni madhërinë që e meriton?” [Nuh, 13]
Dijetarët kanë komentuar në lidhje me këtë ajet: ç’është me ju që nuk i frikësoheni madhërisë së Allahut. (Shu’abel el iman).
Frika ndaj Allahut të Lartëmadhëruar është ajo e cila ndaloi Habilin, birin e Ademit që ta vrasë vëllaun e tij edhe pse ai (Kabili) vendosi vrasjen e tij.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
“Dhe, nëse ti e zgjatë te unë dorën tënde për të më mbytur, unë nuk e zgjas te ti dorën time për të të mbytur; unë i frikësohem All-llahut, Zotit të botërave!” [el Maide, 28]
Frika ndaj Allahut të Lartëmadhëruar, bëri shkak dy burra nga bijtë e Israilit që të nxisin popullin e tij për luftë kundër popullit mizorë.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
Dy burra, prej atyre (prijësve) që All-llahu i kishte pajisur me bindje dhe kishin frikën e Tij, thanë: “Hynju atyre nga dera, e kur t’u hyni nga ajo, atëherë ju jeni ngadhënjyes. Dhe vetëm All-llahut mbështetjuni, nëse jeni besimtarë të sinqertë”.[el Maide: 23]
Frika ndaj Allahut të Lartëmadhëruar është shkak që ndihmoi pakicën e mbetur me Talutin duke e mposhtur xhalutin dhe ushtrinë e tij.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
“…Po ata që ishin të bindur se do ta takonin All-llahun thanë: “Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e All-llahut kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha”! All-llahu është me durimtarët.[el Bekare: 249]
Frika ndaj Allahut të Lartëmadhëruar është shkak që robërit e Allahut i bën që veprat t’i bëjnë me sinqeritet, duke mos kërkuar shpërblim të dunjasë dhe as falënderim.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të All-llahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim.
Pse?
Ne i frikësohemi (dënimit të) Zotit tonë në një ditë që fytyrat i bën të zymta dhe është shumë e vështirë.[el Insan: 9,10]
Frika ndaj Allahut të Lartëmadhëruar është prej cilësive më të larta për formimin e një gjenerate të qëndrueshme.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
…Zoti u shpalli: “Ne gjithqysh do t’i shkatërrojmë zullumqarët”.
Dhe pas tyre Ne do t’ju vendosim në atë tokë. E këtë (ndihmë) për atë që i frikësohet pranisë Sime dhe i frikësohet dënimit Tim.[Ibrahim: 13,14]
Frika ndaj Allahut të Lartëmadhëruar është testament i Allahut me të cilin na ka porositur.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
…Ne ju patëm sugjeruar atyre që iu pat dhënë libri para jush, e edhe juve që të keni frikë nga All-llahu.[en Nisa: 131]
Dhe kjo është rruga e shpëtimit në ditën e Kijametit.
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
Kush respekton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ia ka frikën All-llahut dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, të tillët janë ata që do ta arrijnë atë që dëshirojnë.[en Nur: 52]
Kjo eshte koka e urtësisë ashtu siç thotë Abdullah iben Mes’udi radijAll-llahu anhu: Furnizimi më i dobishëm është devotshmëria, kurse koka e urtësisë eshte frika ndaj Allahut. (Shu’abel el iman).
Kurani e ka sqaruar se karakteri i vertetë i gjendjes së shumicës së të larguarve nga rruga e drejtë është mos frika prej ahiretit ( Botës tjetër)
Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
Kurrsesi, pasi ata nuk i frikësohen jetës tjetër! {el Mudethir: 53}. Sikur ata të ishin frikësuar prej ahiretit nuk do t’i kishin kërkuar këto kërkesa : Atëherë, përse shmangen ata nga këshillimi , sikur të ishin gomarë të egër , e të frikësuar që ikin prej luanit?! Vërtetë, çdonjëri prej tyre kërkon që t’i jepen shkrime të hapura (nga Zoti). Kurrsesi, pasi ata nuk i frikësohen jetës tjetër! (Suretu El Mudethir : 49-53).
Lutja jonë e fundit është ,,Lavdërimi i takon All-llahut, Zotit të Botëve”.
Përktheu dhe përshtati: Tafil Ramuka
(Sqarim: kjo temë është pjesë e zingjirit të temave rreth edukatës së imanit)