Vëllezër të dashur,
Duhet të dimë se islami është një fe që nxit për punë dhe nxitim në rizkun hallall, në mënyrë që myslimani të mos jetë i varur prej të tjerëve dhe që ai vet të mund të shpenzojë për familjen dhe fëmijët e tij. Kështu ai e fiton këtë shpërblim të madh.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut.”[1]
Nga Zubejr ibën Avvami radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Më mirë është që dikush të marrë litarin e të shkojë në mal për drunj dhe t’i bartë ato në shpinë e t’i shesë dhe kështu All-llahu t’ia ruajë fytyrën (autoritetin nga kërkimi), sesa të lypë nga njerëzit, qoftë t’i japin apo jo.”[2]
Në kur’anin famëlartë dhe në sunnetin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kemi tekste që tregojnë se të gjithë pejgamberët kanë pasur një profesion apo shkathtësi të caktuar përveç asaj që janë marrë me thirrjen e njerëzve në adhurimin e All-llahut.
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Zekerijjai alejhis-selam ka qenë zdrukthëtar.”[3]
Nga Mikdam ibën Ma’d Jekribi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Askush nuk ka ngrënë një ushqim më të mirë sesa të hajë nga dora e tij. Pejgamberi i All-llahut, Davudi, hante nga dora e tij.”[4]
Kjo që përmendet në hadith për Davudin alejhis-selam, kur’ani na e përmendë detalisht duke thënë: “Ne i patëm dhënë Davudit dhuratë të madhe nga ana e jonë: O male dhe shpezë, lartësoni (me tesbih) së bashku me të! Ne ia zbutëm atij edhe hekurin (si brumë). (I thamë) Puno këmisha të plota (nga hekuri) dhe thurri me precizitet ato. Dhe bëni vepra të mira (o familje e Davudit), se Unë vëzhgoj atë që ju punoni.”[5]
Profesioni i Davudit alejhis-selam ka qenë ndreqja e parzmoreve dhe shpatave për luftë, që i ngjason profesionit të sotëm të farkëtarit. Por prej begatisë së All-llahut që i kishte dhënë atij ishte se ia kishte zbutur dhe nënshtruar hekurin, kështu që me lehtësi të madhe ai i jipte formën e dëshiruar.
Po ashtu kur’ani famëlartë përmendë edhe profesionin e Nuhut alejhis-selam, e që ishte zdrukthëtaria dhe punimi i anijeve. All-llahu i Madhërishëm thotë: “E, mbaroje anijen nën mbikëqyrjen Tonë dhe me mësimin tonë, e mos m’u drejto Mua për ata që bënë zullum, ata gjithqysh janë të përmbytur. Dhe ai ndërtonte anijen e paria e popullit të tij, sa herë që kalonte pranë tij përqeshej me të.”[6]
Kur’ani përmend edhe atë se Musai alejhis-selam për dhjetë vite ishte marrë me ruajtjen e bagëtisë si rrogëtar në tokën e Medjenit te njeriu i mirë i Medjenit.
Po ashtu nga biografia e pejgamberit tonë, Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, e dimë se gjatë rinisë së tij ai kishte ruajtur bagëtinë, e më pas ishte marrë me tregti me pasurinë e Hadixhe binti Huvejlidit radijAll-llahu anha.
Këta janë disa prej Pejgamberëve më të mëdhenj dhe prej ulul-azmit, ndërsa secili prej tyre është marrë me një profesion të caktuar nga i cili e nxjerrnin kafshatën e gojës dhe nuk kërkonin prej njerëzve. Ky është fitimi më i mirë.
Edhe selefët e mirë, All-llahu qoftë i kënaqur me ta, kanë qenë të kujdesshëm për fitim të hairit. Sa për ilustrim po cekim Omer ibën Hattabin radijAll-llahu anhu i cili thotë: “Mos të ndalet dikush nga kërkimi i rizkut e të thotë: O All-llah, më furnizo, ngase e dini se qielli nuk gjuan as flori e as argjend.”[7]
Ahmed ibën Hanbeli, All-llahu e mëshiroftë, u pyet: “Ç’mendon për njeriun që rri në shtëpi apo xhami dhe thotë: Nuk punoj gjë derisa të më vijë rizku?”
Imami u përgjigj: “Ky është një njeri injorant. A nuk e ka dëgjuar fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: All-llahu e ka bërë rizkun tim nën hijen e shigjetës sime.”[8]
Lukman Hakimi i tha të birit të tij: “Me anë të fitimit me hallall fitoje fukarallëkun, ngase kur dikë e kaplon fukarallëku, atë e përfshijnë tri gjëra: mangësia në fe, dobësia në mendje dhe humbja e burrërisë. Ndërsa akoma më e madhe se kjo është: Zhvlerësimi i njerëzve ndaj tij.”[9]
Rregullat që myslimani duhet ndjekur kur del për punë dhe kërkim të rizkut hallall
- Nijeti i mirë
Kjo do të thotë që me anë të punës dhe kërkimit të rizkut hallall të synojë pavarësinë nga kërkimi i njerëzve, t’i sjellë dobi fesë dhe vendit të tij, t’u japë të varfërve dhe jetimëve nga pasuria që do të fitojë dhe këtë pasuri do ta shfrytëzojë për bamirësi ndaj prindërve dhe të afërmve.
- Të kërkojë rizkun hallall
Çdo mysliman duhet të kërkojë kafshatën e hallallit dhe të largohet krejtësisht nga ngrënia e haramit. All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “Hani nga ajo që All-llahu ju furnizoi si hallall të mirë dhe, duke qenë se ju All-llahut i besoni, ruajuni dënimit të Tij!”[10] Ndërsa i dërguari i All-llahut ka thënë: “Nuk ka mish (njeri) që rritet me haram e të mos e meritojë zjarrin.”[11]
- Të mos e kërkojë rizkun me mëkat ndaj All-llahut
Besimtari assesi nuk duhet kërkuar rizkun në diçka që përmban mëkat ndaj All-llahut të Madhërishëm. Pejgamberi, sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Shpirti i Shenjtë më frymëzoi në zemër se asnjë njeri nuk do të vdesë derisa t’i plotësohet rizku dhe t’i vijë exheli. Prandaj, kijeni frikë All-llahun dhe kërkojeni rizkun në mënyrën më të mirë. Të mos mashtrohet dikush për shkak të rizkut të vonuar, ta kërkojë atë me mëkat ndaj All-llahut, ngase ajo që është tek All-llahu (rizku) nuk fitohet veçse me adhurim ndaj Tij.”[12]
- Angazhimi pas rizkut të mos e largojë nga adhurimi ndaj All-llahut
Pra, myslimani nuk duhet që për shkak të angazhimit pas rizkut, ta lërë namazin apo leximin e kur’anit… E gjithë kjo është haram dhe madje All-llahu nuk jep bereqet në këtë lloj rizku, i cili e largon njeriun nga ibadeti ndaj All-llahut të Madhërishëm.
Po ashtu duhet të dimë se All-llahu e ka zbritur pasurinë që të jetë ndihmëse për adhurim ndaj Tij.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu i Madhërishëm ka thënë: Me të vërtetë Ne e kemi zbritur pasurinë për t’u falur namazi dhe për t’u dhënë zeqati; sikur i biri i Ademit të ketë një luginë me pasuri, do të kishte shpresuar ta ketë edhe një tjetër, dhe sikur të kishte dy lugina, do të kishte shpresuar ta ketë edhe të tretën; njeriun nuk e ngop gjë tjetër veç dheut, pastaj All-llahu ia fal atij i cili pendohet.”[13]
- Kjo botë të mos jetë i gjithë fokusi i tij
Besimtari duhet që këtë botë ta bëjë mjet për të arritur ahiretin.
Pra, ai nxiton pas fitimit të rizkut me hallall dhe me këtë shpreson të arrijë mëshirën, kënaqësinë dhe xhennetin e All-llahut të Madhërishëm… E kur dynjaja dhe ahireti të sfidojnë, atëherë lëre dynjanë anash dhe jipi përparësi ahiretit, ngase ajo është bota e vërtetë.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kushdo që e ka për qëllim ahiretin, All-llahu do ta bëjë të pasur në zemër, do t’ia pakësojë problemet e kësaj bote dhe të mirat e kësaj bote do t’i vijnë, edhe pse ai nuk i ka synuar. Ndërsa kushdo që e ka dert këtë botë, All-llahu do t’ia sjellë varfërinë para syve të tij, do t’ia përhapë problemet dhe nuk do t’i jepet asgjë tjetër prej dynjasë përpos asaj që All-llahu e ka shkruar për të.”[14]
- Zemra e tij të jetë e mbushur me bindje dhe mbështetje tek All-llahu
All-llahu është furnizues i madh. Prandaj medoemos në vete duhet të kesh bindje, mbështetje dhe besim në All-llahun e Madhërishëm se Ai do të të furnizojë dhe nderojë nëse ti mbështetesh tek Ai dhe i ndjek rrugët e rizkut hallall.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “E në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që ju premtohet.”[15]
Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sikur të mbështeteshit tek All-llahu me një mbështetje të sinqertë, do t’ju furnizonte sikur që i furnizon zogjtë; dalin të uritur dhe kthehen të ngopur.”[16]
- Largimi nga kamata, bixhozi dhe gjërat e tjera të ndaluara
All-llahu nuk jep bereqet në rizkun që vjen me haram dhe ne e dimë se All-llahu i Madhërishëm është kërcënuar me luftë kundër atij që punon me kamatë dhe ka thënë: “O ju që besuat, kini frikë All-llahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me All-llahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj – askë nuk dëmtoni, e as vetë nuk dëmtoheni.”[17]
- Dhënia përparësi myslimanit ndaj jomyslimanit në bashkëpunim
Esenca është që myslimani të bashkëpunojë me vëllain e tij mysliman dhe kjo llogaritet si ndihmë në të mira e të mbara… Por, bashkëpunimi me mosbesimtarin lejohet nëse një artikull i caktuar nuk gjendet te vëllai i tij mysliman.
- Të mos e mashtrojë a tradhtojë askënd kurrë
Myslimani nuk duhet mashtruar as myslimanin e as jomyslimanin… Kjo, ngase mashtrimi është haram dhe është prej shenjave të dyfytyrësisë dhe shenjë prej shenjave të tradhtisë. Prandaj i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush na tradhton nuk është prej radhëve tona; mashtrimi dhe tradhtia është (shpie) në zjarr.”[18]
[1] Kaptina El-Xhumuah, ajeti 10.
[2] Sahih: shënon Buhariu (1471).
[3] Sahih: shënon Muslimi (2379).
[4] Sahih: shënon Buhariu (2072).
[5] Kaptina Es-Sebe’, ajetet 10-11.
[6] Kaptina Hud, ajetet 37-38.
[7] Shkëputur nga libri Minhaxhul-Kasidin, fq. 133.
[8] Shënon Ahmedi (2/50).
[9] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, me ndërhyrje. Fq. 569-570.
[10] Kaptina El-Maide, ajeti 88.
[11] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (614) dhe Ahmedi (3/321). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4519) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[12] Sahih: shënon shënon Ebu Nuajmi në librin e tij Hiljetul-Evlija’ (10/27). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2866) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[13] Sahih: shënon Ahmedi (5/218). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1639) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[14] Hasen: Shënon Tirmidhiu (2465). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (949) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[15] Kaptina Edh-Dharijat, ajeti 22.
[16] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2344), Ibën Maxhe (4164) dhe Ahmedi (1/30). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (310) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[17] Kaptina El-Bekare, ajetet 278-279.
[18] Sahih: shënojnë Taberaniu dhe Ebu Nuajmi. Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1058) e ka klasifikuar si hadith sahih.
www.thirrjaislame.com