Vëllezër të dashur,
Dijeni se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka dashur misvakun, dhe e ka përdorur vazhdimisht… Misvaku është pastrues i gojës, e kënaqë All-llahun dhe është sunnet i fuqishëm i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.
Në përdorimin e misvakut duhet pasur kujdes dhe duhet njohur me rregullat e përdorimit të tij. Ato janë:
- Gjatë përdorimit të tij të kemi në vetëdijen tonë se ai e kënaqë All-llahun
- Me përdorimin e tij të synojmë ngjalljen e sunnetit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.
- Të mbajmë misvakun me vete çdoherë që të kemi mundësi ta përdorim kur të dëshirojmë
- Ta përdorim misvakun para avdesit.
Kjo, sepse Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sikur të mos ia rëndoja ummetit tim, do t’i urdhëroja të përdorin misvakun gjatë çdo avdesi.”[1]
- Ta përdorim misvakun para çdo namazi
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sikur të mos ia rëndoja ummetit tim, do t’i urdhëroja të përdorin misvakun para çdo namazi.”[2]
- Ta përdorim misvakun para leximit të kur’anit
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Pastrojini gojat me misvak sepse ato janë rruga e kur’anit.”[3]
- Ta përdorim misvakun pas hyrjes në shtëpi
Nga Shurejh ibën Hani’ na përcillet se ka thënë: “E pyeta Aishenë radijAll-llahu anha dhe i thashë: Cila është gjëja e parë që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e praktikonte kur hynte në shtëpi?” Tha: “E përdorte misvakun.”[4]
- Ta përdorim misvakun kur zgjohemi nga gjumi
Transmetohet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kur zgjohej për të falur namaz nate, i pastronte dhëmbët me misvak.”[5]
- Ta përdorim misvakun në ditën e xhuma
I dërguari i All-llahut, në një ditë xhumaje, tha: “O myslimanë, vërtet kjo është një ditë të cilën All-llahu e ka bërë festë, prandaj pastrohuni. Kush prej jush ka parfum, le të parfumoset, dhe përdoreni misvakun.”[6]
- Ta përdorim misvakun në çdo situatë që aroma e gojës të jetë gjithnjë e këndshme
- Të kujdesemi për pastërtinë e misvakut duke e larë apo futur në gotë me ujë
- Të përdorim misvakun me dorën e majtë apo të djathtë
[1] Sahih: shënojnë Maliku (1/66), Shafiiu (1/13), Ibën Ebi Shejbe (1/155) dhe Bejhekiu (1/35). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5317) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[2] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (887) dhe Muslimi (252).
[3] Sahih: shënon Bejhekiu në Shuabul-Iman (2/382). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3939) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[4] Sahih: shënon Muslimi (253).
[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (246) dhe Muslimi (255).
[6] Sahih: shënojnë Maliku (141) dhe Shafiiu (274). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2258) e ka klasifikuar si hadith sahih.
www.thirrjaislame.com