Vëllezër të dashur,
Mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe bamirësia ndaj të afërmve është prej adhurimeve më të mëdha e cila na afron me Zotin e tokës dhe qiejve.
All-llahu i Madhërishëm i mban lidhjet në dynja dhe ahiret me atë që i mban lidhjet farefisnore, si dhe e mëshiron, ia lehtëson punët dhe ia largon brengat.
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Pasi All-llahu i Madhërishëm i krijoi të gjitha krijesat, u ngrit lidhja farefisnore dhe tha: Kjo është pozita e atij që kërkon strehim prej Teje nga ai që i këputë lidhjet farefisnore. Tha: Po; a nuk dëshiron që të mbaj lidhje me atë që mban lidhje me ty dhe t’i ndërpres më atë që i ndërpret me ty? Ajo tha: Po, si jo o Zoti im. Tha: Atë ta dhash. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem pastaj tha: Lexoni nëse dëshironi: “A pritet prej jush (hipokritëve) që në nëse merrni sundimin (ose zbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet farefisnore? Të tillët janë që All-llahu i mallkoi, i bëri të shurdhët dhe ua verboi të parit e tyre.”[1]
Mbajtja e lidhjeve farefisnore ia sjell robit dashurinë dhe kënaqësinë e All-llahut
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu i Madhërishëm ka thënë: Dashuria Ime është bërë e obligueshme për ata që mbajnë lidhjet farefisnore për hirin Tim.”[2]
Mbajtja e lidhjeve farefisnore është prej gjërave më shpejtë të shpërblyeshme nga All-llahu i Madhërishëm
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Vërtet adhurimi më shpejtë i shpërblyeshëm është mbajtja e lidhjeve farefisnore, saqë një familje mund të jenë të shthurur, por pasuria e tyre shtohet dhe numri i tyre rritet vetëm për shkak se i mbajnë lidhjet farefisnore.”[3]
Mbajtja e lidhjeve farefisnore është faktor për bereqet në rizk dhe jetë
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush dëshiron t’i shtohet rizku dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”[4]
Mbajtja e lidhjeve farefisnore e përmirëson dhe e shton jetën
Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka thënë asaj: “Mbajtja e lidhjeve farefisnore, morali i mirë dhe sjellja e mirë me fqiun e përmirësojnë dhe e shtojnë jetën.”[5]
Mbajtja e lidhjeve farefisnore është prej faktorëve më të mëdhenj për të fituar xhennetin
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Përhape selamin, thuaj fjalë të mira, mbaji lidhjet me farefisin, çohu natën (për namaz) derisa njerëzit flenë, do të hysh në xhennet me lehtësim.”[6]
Në vazhdim do të përmendim disa prej rregullave që kanë të bëjnë me mbajtjen e lidhjeve farefisnore.
1.Nijeti i mirë dhe sinqeriteti
All-llahu i Madhërishëm nuk e pranon veprën në të cilën nuk ka sinqeritet. Prandaj mbajtjen e lidhjeve farefisnore, njeriu duhet ta shoqërojë me nijet të mirë dhe sinqeritet për hirin e All-llahut të Madhërishëm, e të mos e bëjë këtë për syefaqësi ose sa për të thënë njerëzit: Filani i mban lidhjet farefisnore.
- Shpresa në shpërblimin e All-llahut
Kjo do të thotë që myslimani duhet shpresuar dhe duhet pritur shpërblimin vetëm nga All-llahu i Madhërishëm, ashtu siç Ai ka premtuar, e nuk duhet pritur kompensim a shpërblim nga njerëzit.
- Të filluarit me më të afërmin
Sa më i afërt të jetë familjari, aq më e obligueshme është mbajtja e lidhjeve farefisnore me të, kështu që ai duhet qenë i pari me të cilin duhet filluar. Nuk është e udhës që njeriu të mbajë lidhjet me kushërinjtë ndërsa t’i shkëpusë lidhjet me vëllezërit e tij. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem njeriut i cili e pyeti “O i dërguari i All-llahut, kush ka më shumë të drejtë në shoqërimin tim të mirë?” i tha: “Nëna jote, nëna jote, nëna jote, pastaj babai yt, e pastaj më i afërmi e më i afërmi.”[7] Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në këtë hadith e ka sqaruar meritën për mbajtjen e lidhjeve dhe sjellja e mirë lidhet me shkallën e afërsisë familjare. Kështu, sa më e fuqishme të jetë afërsia familjare, aq më e obligueshme është mbajtja e lidhjeve me të. Kjo është gjëja që myslimani duhet pasur parasysh për sa i përket kësaj teme.
- T’i japë përparësi më të devotshmit prej familjarëve
Sa më i devotshëm ndaj All-llahut dhe më i përpiktë në fe të jetë i afërmi, aq më shumë përparësi ka për të mbajtur lidhjet me të dhe shpërblimi është më i madh. Këtu duhet përmendur edhe atë se mbajtja e lidhjeve farefisnore vlen edhe për të afërmin mosbesimtar, sidomos nëse bëhet me qëllim daveti në islam. Po ashtu vlen edhe për të afërmin jo të mirë mysliman, sidomos nëse bëhet me qëllim këshillimi, udhëzimi, daveti për në hair apo mbjelljen e dashurisë në zemrën e tij.
- Njohja e farefisit të largët
Disa njerëz mjaftohen me mbajtjen e lidhjeve farefisnore me vëllezërit e tyre, ndërsa të tjerët veç tyre i braktisin. Disa të tjerë i mbajnë lidhjet vetëm me ata që i njohin dhe nuk kujdesen për të kërkuar edhe farefisin më të largët, ngase edhe ata meritojnë të vizitohen. Madje nëse njeriu i kërkon pjesëtarët e farefisit më të largët me nijet të sinqertë dhe për të mbajtur kontaktet me ta, kjo llogaritet si njëra ndër veprat më të mira që ai i bën. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mësoni prejardhjen tuaj që të ruani lidhjet me të afërmit tuaj, ngase mbajtja e lidhjeve me të afërmit sjell dashuri në familje, shtim të pasurisë dhe e zgjatë jetën.”[8] Kjo është ajo ndaj të cilës besimtari duhet pasur kujdes, në mënyrë që t’i arrijë shpërblimet më të larta tek All-llahu i Madhërishëm.
- Lidhja farefisnore të mos bëhet me qëllim përfitimi material
Kjo realisht nuk është lidhje farefisnore, por lidhje farefisnore e vërtetë është kur njeriu e bën këtë për të arritur kënaqësinë e All-llahut, dhe këtë e bën me çdo mënyrë të mundshme. Ai nuk duhet mbajtur kontaktet vetëm me ata që i mbajnë kontaktet me të, ndërsa t’i humbë kontaktet me ata që i humbin kontaktet me të. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk i mban lidhjet farefisnore ai që kthen (vizitat), por ai që kur i ndërpritet farefisnia i rivendos lidhjet (me ta).”[9]
Ibën Haxheri në librin e tij Fet’hul-Bari thotë: “Ai që nuk mban lidhjet farefisnore nuk do të thotë detyrimisht se i ndërpren të njëjtat, ngase njerëzit në këtë segment ndahen në tri kategori: Ai që mban lidhjet, ai që i kthen lidhjet dhe ai që i shkëput lidhjet. Në kategorinë e parë bëjnë pjesë njerëzit që më shumë i mbajnë lidhjet me të tjerët sesa të tjerët me të. Në kategorinë e dytë bëjnë pjesë njerëzit që nuk japin më tepër sesa që u jepet. Ndëra në kategorinë e tretë bëjnë pjesë njerëzit që më pak i mbajnë lidhjet me të tjerët sesa të tjerët me të. Ashtu siç ndodh mbajtja e lidhjeve nga të dyja anët, ashtu ndodh edhe shkëputja e lidhjeve nga të dyja anët. Kështu, kush i rifillon lidhjet, ai quhet mbajtës i lidhjeve farefisnore, ndërsa që i kthen vizitat quhet kthyes i vizitave. All-llahu e di më mirë.”[10]
Njeriu duhet mbajtur lidhjet farefisnore pa marrë parasysh reagimet e këqija të familjarëve të tij, ose nuk duhet kthyer edhe ai me të njëjtën, ngase sikur edhe ai të vepronte në të njëjtën mënyrë, atëherë lidhjet farefisnore mes tyre do të shkëputeshin tërësisht, kështu që të dyja palët do të meritonin mëkatin.
- Vazhdimi i lidhjeve farefisnore me atë që t’i ka shkëputur ato dhe durimi i të keqes së tij
Kjo gjë ka lidhje me atë që e thamë më parë. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se një njeri erdhi tek i dërguari i All-llahut dhe i tha: “O i dërguari i All-llahut! Unë kam disa të afërm me të cilët mbaj lidhje farefisnore kurse ata nuk mbajnë me mua, u bëj mirë kurse atë më bëjnë keq dhe sillem butë me ta kurse ata sillen me arrogancë ndaj meje.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Nëse vërtet është ashtu si thua, atëherë është njësoj sikur t’i ushqesh ata me hi të nxehtë, dhe me ty vazhdimisht do të jetë një ndihmës i All-llahut kundër tyre, perderisa je në këtë gjendje.”[11]
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.”[12] E kush mund të ketë përparësi në këtë gjë para të afërmit? Myslimani i cili të keqen e të afërmve e kthen me të mirë, nuk ka dyshim se është më i dashur tek All-llahu i Madhërishëm.
- Përparësia e tyre në sadeka dhe të mira nëse janë nevojtarë
Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Ebu Talha kishte pasuri me plantacione hurmash më shumë se të gjithë ensarët e Medinës dhe kopshti më i dashur për të ishte Bejruha’, i cili ndodhej përballë xhamisë së Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. I Dërguari i All-llahut shpesh shkonte aty dhe pinte nga uji i tij mjaft i mirë. Kur All-llahu i Madhërishëm e shpalli ajetin: “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhennet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj.”[13], Ebu Talha i tha të dërguarit të All-llahut: “O i dërguari i All-llahut! All-llahu i Madhërishëm të shpalli ty: Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhennet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Dhe pa dyshim që kopshti Bejruha është gjëja më e dashur nga pasuria ime, kështu që unë dua ta jap atë sadaka për hirin e All-llahut. Mirësinë e shpërblimin për të, e pres nga All-llahu. O i dërguari i All-llahut! Shpenzoje atë atje ku ti mendon se është më me vlerë! I dërguari i All-llahut tha: Të lumtë! Kjo është një pasuri e vlefshme. Kjo është një pasuri e vlefshme. Dëgjova çfarë the (o Ebu Talha) dhe unë mendoj që t’ua japësh atë të afërmve të tu. Ebu Talha tha: “Kështu do të bëj, o i dërguari i All-llahut! Pastaj ai ua ndau atë të afërmve dhe kushërinjve të tij.”[14]
Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem njëherë i tha një njeriut: “Fillo me vetveten duke i dhënë sadeka asaj, e nëse të tepron diçka, atëherë jepi lëmoshë familjes tënde, e nëse pas familjes të tepron diçka, atëherë jepu lëmoshë të afërmve të tu, e nëse të tepron diçka pas të afërmve, atëherë vazhdo me tjerët.”[15]
Madje Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka treguar që sadekaja ndaj të afërmve arrogantë e armiqësorë llogaritet si sadeka më e vlefshme. Në lidhje me këtë ka thënë: “Sadekaja më e vlefshme është sadekaja ndaj të afërmit arrogant.”[16] Nuk ka dyshim se sadekaja ndaj njerëzve të këtillë ndikon në largimin e armiqësisë nga zemrat e tyre, si dhe e shton dashurinë mes tij dhe të afërmve.
Prej haditheve që tregon për madhështinë e shpërblimit ndaj të afërmve është edhe fjala e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Sadekaja për të varfrin llogaritet një sadeka, ndërsa për pjesëtarët e farefisit llogaritet dyfish; sadeka dhe ruajtje e lidhjeve farefisnore.”[17]
- Këshillimi, urdhërimi i tyre në të mirë dhe ndalimi i tyre nga e keqja
Kjo është prej formave më të mëdha të mbajtjes së lidhjeve farefisnore dhe një prej obligimeve të myslimanit për mbarë njerëzinë në përgjithësi. Ndërsa njerëzit që më së shumti kanë përparësi në këtë gjë të mirë, pa dyshim, janë të afërmit. All-llahu i Madhërishëm i ka thënë Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Dhe tërhiqju vërejtjen farefisit tënd më të afërt.”[18]
- Mbrojtja e tyre nga çdo e keqe
Ata janë njerëzit më prioritarë për t’u mbrojtur. Mbrojtja e njerëzve nga të këqijat është obligim i përgjithshëm i myslimanit. Prandaj nuk duhet shqetësuar të afërmit, qoftë me fjalë apo me vepër. Po ashtu duhet mbrojtur edhe gjërat e vlefshme për ta në çdo formë të mundshme.
- Lumturimi i tyre
Këtë duhet bërë me të gjitha mënyrat e mundshme, si vizitimi i tyre, sidomos gjatë festave dhe gëzimeve familjare, mosndalimi i vizitave çfarëdo që të jenë shkaqet.
Imam Ahmedi u pyet: “Një njeri ka vëllezër e motra në një vend kusarësh. A mendon se duhet t’i vizitojë?” Ai tha: “Po, duhet t’i vizitojë dhe t’u bëjë thirrje të dalin prej atje. Nëse i përgjigjen thirrjes së tij, mirë, e nëse jo, ai nuk duhet të rrijë me ta, por nuk duhet lënë vizitën e tyre.”[19]
Njeriu duhet që t’i vizitojë të afërmit e tij sa më shpesh, e nëse nuk ka mundësi, atëherë t’i thërrasë në telefon, e nëse edhe këtë nuk ka mundësi ta bëjë, atëherë t’u shkruajë letër kohë pas kohe. Këto gjëra e forcojnë lidhjen, e mbjellin dashurinë, ia përkujtojnë të afërmve njëri-tjetrin dhe i lumutrojnë ata.
[1] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5987) dhe Muslimi (2554). Ndërsa ajetet gjenden në kaptinën Muhammed, nr. 22-23.
[2] Sahih: shënon Ahmedi (21575). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4321) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[3] Sahih: shënon Taberaniu. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5705) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2067) dhe Muslimi (2557).
[5] Sahih: shënon Ahmedi (24731) nga Aisheja radijAll-llahu anha. Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (519) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[6] Sahih: shënon Ahmedi (2/323). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1085) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5971) dhe Muslimi (2548).
[8] Sahih: Shënon Tirmidhiu (1979). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (276) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[9] Sahih: shënon Buhariu (5991).
[10] Shih librin Fet’hul-Bari (10/437).
[11] Sahih: shënon Muslimi (2558).
[12] Kaptina Fussilet, ajeti 34.
[13] Kaptina Alu Imran, ajeti 92.
[14] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1461) dhe Muslimi (998).
[15] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1461) dhe Muslimi (998).
[16] Sahih: shënojnë Hakimi (1/4,6) dhe e ka klasifikuar si hadith sahih. Këtë e ka konfirmuar edhe Dhehebiu. Po ashtu e shënon Bejhekiu (7/27). Shejh Albani në librin e tij Irvaul-Galil (892) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[17] Sahih: shënojnë Nesaiu (2582), Ibën Maxhe (1844) dhe Ahmedi (4/18). Shejh Albani në librin e tij el-Mishkah (1939) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[18] Kaptina Esh-Shuara’, ajeti 214.
[19] Shkëputur nga libri El-Adabush-Sher’ijje (1/452). Autor: Ibën Muflih.
www.thirrjaislame.com