Dihet se dhurata ka ndikim të madh në zbutjen e zemrave dhe në mbjelljen e pemës së dashurisë në zemrat e njerëzve.
Nga natyra e njeriut është dëshira që dikush t’u dhurojë diçka, qoftë edhe një send i vogël. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Bëni dhurata njëri-tjetrit, që të duheni mes vete.”[1]
Prandaj duhet t’i mësojmë rregullat gjatë dhurimit apo pranimit të dhuratës. Por para se të përmendim rregullat, fillimisht do të përmendim llojet e dhuratave.
Dhuratat janë të shumëllojshme. Në vazhdim po përmendim disa prej tyre:
- Dhurata dashurore. Me këtë dhuratë synohet përqendrimi i vëllazërisë, bashkëjetesës, shoqërimit, e kështu me radhë. Ajo mund të bëhet nga më i larti te më i ulëti. Kështu, ajo mund të bëhet nga më i madhi ndaj të voglit, nga mësuesi për nxënësin etj. Kur ajo bëhet nga më i larti te më i ulëti, ajo mund të marrë edhe kuptimin e sadekasë, ndryshe nga ajo që bëhet nga më i ulëti te më i larti, sepse në këtë rast ajo është më larg sadekasë.
- Dhurata mund të jetë edhe për nga aspekti i mbajtjeve të lidhjeve farefisnore dhe bamirësisë, në qoftëse bëhet mes familjarëve dhe të afërmve.
- Dhurata mund të jetë edhe për nga aspekti i afrimit dhe dashurimit me All-llahun, siç është dhurata ndaj dijetarëve dhe njerëzve të mirë. Me të mund të synohet lehtësimi, nëse bëhet nga i pasuri për të varfrin. Po ashtu me të mund të synohet edhe zbutja e zemrave.
- Dhurata mund të jetë edhe për trimërim dhe nxitje si p.sh kur mësuesi i jep një dhuratë njërit prej nxënësve të tij të zellshëm.
- Dhurata po ashtu mund të jetë ndaj prindërve, dhe kjo është prej llojeve më madhështore të dhuratës, ngase mirësjellja ndaj prindërve është vaxhib.
Ndërsa për sa i përket dhuratës së prindërve ndaj fëmijëve të tyre, kjo gjë ka dispozita sipas sheriatit. Kështu, nuk i lejohet njërit prej prindërve ta vlerësojë një fëmijë mbi të tjerët, apo ta veçojë me ndonjë dhuratë pa mos u dhuruar të tjerëve. Por nëse i dhuron diçka vetëm njërit fëmijë për ndonjë arsye të pranuar sheriatike, si p.sh nëse ai është i varfër, i sëmurë, apo ka mësuar kur’anin përmendësh, apo ka mësuar një numër të konsiderueshëm të haditheve përmendësh, në këto raste nuk ka problem nëse e veçon me dhuratë. Por me këtë rast, duhet vendosur në vete që nëse edhe ndonjëri prej fëmijëve të tjerë në të ardhmen gjendet në të njëjtat kushte si fëmija i parë, atëherë edhe atij do t’i japë njëlloj sikur që i ka dhënë të parit.
Por nëse nuk ka ndonjë arsye të pranuar sheriatike, nuk i lejohet babait apo nënës të veçojë me dhuratë ndonjërin prej fëmijëve të tij, madje kjo është haram. Ky është mendimi i imam Ahmedit, All-llahu e mëshiroftë, si dhe i dijetarëve të tjerë si imam Ibën Tejmija, All-llahu e mëshiroftë.
Buhariu dhe disa të tjerë e shënojnë hadithin që na e përcjellë Nu’man ibën Beshiri radijAll-llahu anhu i cili thotë: “Nëna ime, Amra bintu Revaha, iu lut babait tim të më jipte një dhuratë, e ai më dhuroi diçka, ndërsa nëna ime tha: Nuk jam e kënaqur derisa për këtë të dëshmojë i dërguari i All-llahut. Nu’mani thotë: “Babai im më morri për dore, ndërsa unë isha i vogël, dhe shkuam tek i dërguari i All-llahut. Babai im tha: O i dërguari i All-llahut! Nëna e këtij më shtyu t’i dhuroja diçka atij, e unë i dhurova. Ajo pati dëshirë që ti të jesh dëshmitar për këtë. I dërguari i All-llahut i tha: O Beshir, a ke djalë tjetër veç këtij? – po, tha ai. Ai i ke dhuruar edhe atij njëlloj siç i dhurove këtij? – pyeti sërish i dërguari i All-llahut. – Jo, tha ai. Atëherë, mos kërko prej meje të jem dëshmitar, sepse unë nuk bëhem dëshmitar në padrejtësi.”[2] Ndërsa në disa transmetime qëndron: “Mbani drejtësi mes fëmijëve tuaj.”[3], kështu që babai im u kthye në shtëpi dhe e ktheu mbrapsht atë dhuratë.[4]
DISA RREGULLA QË DUHET T’I KEMI PARASYSH GJATË DHURIMIT APO PRANIMIT TË DHURATËS
- Nijeti i mirë
Kjo do të thotë që myslimani me anë të dhuratës që bën, duhet synuar shtimin e dashurisë mes tij dhe vëllezërve të tij, dhe kjo të jetë shkak për zbutjen e zemrave të myslimanëve, shtimin e imanit në zemrat e tyre, mbjelljen e shpresës në zemrat e disa njerëzve të cilët mendojnë se e gjithë bota është mbushur me të këqia e të këqinj, e kështu me radhë.
- Të afërmit janë më prioritarë për dhurata
Myslimani duhet të dijë se të afërmit janë më prioritarë për dhurata. Pra, dhurata fillimisht u bëhet të afërmve, ngase kjo njëkohësisht është edhe mbajtje e lidhjeve farefisnore me të cilën All-llahu i Madhërishëm na ka urdhëruar dhe kjo i forcon lidhjet mes familjarëve dhe të afërmve.
Po ashtu duhet përmendur edhe atë se fqinji ka përparësi para të huajit. Kjo, duke e ditur se All-llahu na ka urdhëruar me bamirësi ndaj fqinjit, ndërsa dhurata i afron fqinjët.
Nga Kurejbi, shërbëtori i Ibën Abbasit, radijAll-llahu anhum na përcillet se Mejmune bintu Harithi radijAll-llahu anha[5] ia kishte falur lirinë një robëresheje, por për këtë nuk kishte marrë leje nga Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. E kur i erdhi radha Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem të kalojë natën në shtëpinë e saj, ajo i tha: “A ke marrë vesh, o i dërguari i All-llahut, se unë ia fala lirinë robëreshës sime?” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “A e ke bërë këtë?” – Po, tha ajo. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Sikur t’ua dhuroje atë dajallarëve tuaj do të kishe pasur shpërblim më të madh.”[6]
- Mosnënçmimi i dhuratës edhe nëse është diçka e thjeshtë
Nëse një send që dëshiron ta dhurosh është diçka e thjeshtë dhe jo e kushtueshme, kjo nuk duhet të të pengojë nga dhurimi i saj, ngase qëllimi i dhurimit është afrimi i zemrave.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “O gra myslimane! Fqinja të mos e nënçmojë dhuratën e fqinjes së saj, qoftë ajo edhe një thundër deleje.”[7]
Ai të cilit i jepet dhurata nuk duhet nënçmuar atë sado e vogël të jetë ajo, por duhet pranuar atë, duhet falënderuar dhuruesin dhe atij nuk duhet thënë ndonjë fjalë që nënkupton nënçmimin e asaj dhurate.
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sikur të ftohesha për këmbë[8] apo kofshë, do t’i përgjigjesha thirrjes, dhe sikur të më dhurohej kofshë apo këmbë, do ta pranoja.”[9] Kjo është prej sjelljes fisnike të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.
- Falënderimi ndaj atij që të ka bërë dhuratë
Kjo është prej gjërave që nuk duhet shpërfillur… Prandaj, nëse dikush të dhuron diçka, falënderoje dhe thuaji: All-llahu të shpërbleftë.
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kujt i jepet ndonjë dhuratë, nëse i gjendet diçka, le ta shpërblejë, e nëse jo, atëherë le t’i thotë fjalë të mira. Kush thotë fjalë të mira, e ka falënderuar dhuruesin, e kush e fsheh dhuratën, e ka përbuzur dhuruesin.”[10]
5.Shpërblimi i dhuratës
Nëse dikush të jep një dhuratë, mustehab është që edhe ti t’i dhurosh atij një dhuratë të njëjtë ose më të mirë se ajo nëse ke mundësi për një gjë të tillë. E nëse nuk ke mundësi, atëherë s’ka dert nëse e pranon dhuratën.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Kur përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju ktheni përshëndetje edhe më të mirë, ose kthejeni ashtu. All-llahu llogarit për çdo send.”[11]
Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “e pranonte dhuratën dhe për të shpërblente.”[12]
- Zgjedhja e dhuratës së përshtatshme
Nëse dikujt i bën një dhuratë, duhet të dish se cila dhuratë i përshtatet. Ka mundësi që ai të ketë nevojë për ushqim, apo ilaçe, apo veshje, apo për ndonjë libër që do ta lexonte, apo për ndonjë orë dore, e kështu me radhë. Pra, duhet të zgjedhësh dhuratën më të përshtatshme për të cilën ai ka nevojë.
- Zgjedhja e kohës së përshtatshme
Ka disa kohë të veçanta kur dhurata ka ndikim të madh te njeriu, si p.sh. dhurata në ditën e bajramit, dhurata për diplomim në shkollë, dhurata në martesë, e kështu me radhë.
Ka mundësi që dikush preferon t’i bëhet dhuratë në ndonjë vend të caktuar.
Sahabët i rrinin gati ditës kur Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e kishte radhën të bunte te Aisheja radijAll-llahu anha, ngaqë e kishin parasysh dashurinë që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kishte për Aishenë radijAll-llahu anha.
- Dhurata për zbutjen e zemrave
Kjo dhuratë i bëhet mosbesimtarit për t’ia zbutur atij zemrën dhe kështu ndoshta e pranon islamin, apo i bëhet një njeriu mëkatar ose dikujt që nuk falet që t’i zbutet zemra dhe kështu ndoshta fillon faljen e namazit dhe i le mëkatet. Ose mund t’i bëhet një njeriu që mes teje dhe tij ka ndonjë armiqësi apo konflikt dhe kështu që zemra i zbutet dhe armiqësia kthehet në dashuri.
- T’u japësh prej dhuratës njerëzve që janë të pranishëm përreth teje
Nëse je në shtëpi dhe me ty është ndonjë mysafir apo mik, dhe të vjen ndonjë dhuratë, atëherë nuk ka dert nëse atë dhuratë e ndan bashkë me ta nëse ajo dhuratë është prej atyre që ndahet, si ushqim, pije etj.
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Njëherë hyra bashkë me të dërguarin e All-llahut në shtëpinë e tij, ndërsa ai gjeti një enë me qumësht, dhe më tha: O Ebu Hirr, shko te ehlus-suffeh[13] dhe thirri të vijnë tek unë.“ Ebu Hurejra thotë: “Shkova dhe i thirra, dhe ata erdhën te dera dhe kërkuan leje për të hyrë, e i dërguari i All-llahut u dha leje dhe ata hynë brenda.”[14]
- Kur të bëhet ndonjë dhuratë të cilën nuk e pëlqen, mos e kthe mbrapsht
Nëse ndonjëri prej miqve të tu të dhuron diçka, por nuk të pëlqen, mos e kthe mbrapsht, ngase kjo e shqetëson atë. Ajo që duhet bërë është ta pranosh dhuratën dhe ta falënderosh mikun që t’ia bësh qefin atij, edhe nëse të njëjtën dhuratë më pas ia dhuron dikujt tjetër.
- Duanë ta kthesh me dua
Nëse ndonjëri nga vëllezërit e tu të thotë: ‘All-llahu të shpërbleftë’, thuaji ‘Edhe ty All-llahu të shpërbleftë’. Po ashtu kur lutet për ty, edhe ti lutu për të, dhe kështu ti e ke pranuar dhuratën dhe njëkohësisht ia ke kthyer atë.
Nga Usame ibën Zejdi radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Kujt i bëhet ndonjë e mirë, dhe i thotë bërësit ‘All-llahu të shpërbleftë’, vetëmse ka arritur kulmin e falënderimit.”[15]
- Mosrefuzimi i dhuratës
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka nxitur në pranimin e dhuratës qoftë e vogël apo e madhe dhe ka ndaluar refuzimin e saj.
Nga Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Përgjigjuni thirrësit dhe mos e refuzoni dhuratën…”[16]
Ibën Hibbani, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në këtë hadith ka tërhequr vërejtjen nga braktisja e pranimit të dhuratave mes myslimanëve. Myslimani e ka obligim që kur t’i dhurohet një dhuratë, ta pranojë atë dhe të mos e refuzojë, e pastaj t’ia kthejë njëlloj dhuruesit nëse ka mundëai, dhe ta falënderojë. Unë parapëlqej që njerëzit t’i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit, ngase dhurata e mbjellë dashurinë dhe e largon mërinë.”[17]
- Shpjegimi i shkakut për refuzimin e dhuratës
Nëse dikush të dhuron diçka dhe ti e refuzon atë, duhet të shpjegosh shkakun e refuzimit në mënyrë që të mos e vësh në siklet dhuruesin. Nga Sa’b ibën Xhuthame El-Lejthiu radijAll-llahu anhu na përcillet se i kishte dhuruar të dërguarit të All-lahut një gomar të egër kur ishte në Ebva apo në Veddan, ndërsa i dërguari i All-llahut refuzoi të merrte gomarin. Sa’bi thotë: “I dërguari i All-llahut kur e pa mërzinë në fytyrën time, më tha: Unë nuk ta ktheva gomarin për gjë tjetër veçse për arsye se jemi në ihram.”[18] D.m.th. jemi të veshur me ihram në haxh dhe jemi brenda haremit të Mekës, kështu që nuk na lejohet marrja e gjahut.
- Prindërit nuk duhet mbivlerësuar ndonjërin prej fëmijëve të tyre ndaj tjerëve
Nuk i lejohet njërit prej prindërve ta vlerësojë një fëmijë mbi të tjerët, apo ta veçojë me ndonjë dhuratë pa mos u dhuruar të tjerëve, ngase kjo është padrejtësi të cilën All-llahu e ka ndaluar dhe kjo gjë shkakton zemërim dhe mllef te fëmijët e tjerë.
Por nëse i dhuron diçka vetëm njërit fëmijë për ndonjë arsye të pranuar sheriatike, si p.sh nëse ai është i varfër apo i sëmurë, në këto raste nuk ka problem nëse e veçon me dhuratë. Por me këtë rast, duhet vendosur në vete që nëse edhe ndonjëri prej fëmijëve të tjerë në të ardhmen gjendet në të njëjtat kushte si fëmija i parë, atëherë edhe atij do t’i japë njëlloj sikur që i ka dhënë të parit.
- Nëpunësi nuk duhet pranuar dhuratën
Sot kjo gjë është ryshfet, ngase sikur nëpunësi të mos kishte qenë në atë vend pune, ajo dhuratë nuk do t’i kishte ardhur atij.
Prandaj kur i dërguari i All-llahut punësoi një njeri që të shkojë e të mbledhë zeqatin nga fisi Beni Selim, i punësuari kur u kthye dhe dorëzoi zeqatin e mbledhur tha: “Ky është zeqati të cilin e kam mbledhur, ndërsa kjo është dhuratë që ma falën mua.” Pas kësaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem hipi në minber dhe u mbajti një fjalim myslimanëve, në të cilin falënderoi e lavdëroi All-llahun, dhe tha: “Unë e punësoj dikë prej jush në ndonjë punë me të cilin më ka ngarkuar All-llahu dhe ai vjen dhe thotë: Kjo është e juaja ndërsa kjo është dhuratë që ma falën mua! Pse ky njeri nuk qëndroi në shtëpi të babës e nënës derisa t’i dhurohet dhurata? Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, nuk ka asnjë njeri nga ju që merr ndonjë gjë pa të drejtë e që në ditën e kiametit të mos vijë duke e bartur atë në qafë…”[19]
16. Mospërmendja dhe moskrenimi me dhuratën e dhënë
Nëse i dhuron diçka vëllait apo ndonjë të afërmi tënd, ki kujdes që të mos ia përmendësh atë dhuratë, dhe sa herë që ta shohësh t’ia përkujtosh, ngase me këtë veprim ti ia fut hidhërimin në zemër dhe e bën që pas kësaj kurrë më të mos pranojë dhuratë prej teje.
Madje për shkak të përmendjes së dhuratës tënde, All-llahu i Madhërishëm ka mundësi të ta humbë shpërblimin e asaj dhurate.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim.”[20]
- Nuk lejohet pishmanllëku në dhurim
Nuk lehohet që dhuruesi të bëhet pishman për dhuratën që ka bërë. Kjo, ngase kur ti i dhuron diçka dikujt, ajo gjë bëhet pronë e tij, dhe kështu dhuruesit i ndalohet pishmanllëku për dhuratën që ka bërë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shembulli i atij që jep sadeka e pastaj e kërkon atë prapa është sikur shembulli i qenit i cili vjell, e pastaj kthehet dhe e ha të vjellën e tij.”[21]
CILAT JANË RASTET KUR LEJOHET REFUZIMI I DHURATËS
Ka raste kur lejohet refuzimi dhe mospranimi i dhuratës. Prej tyre po përmendim:
– Nëse dhurata është prej pasurisë së fituar me haram apo pasurisë së dyshimtë.1030
– Nëse me të synohet ryshfeti…
Transmetohet se Omer ibën Abdul-Azizit i erdhi një dhuratë të cilën ai refuzoi ta merrte. Dikush tha: “I dërguari i All-llahut e pranonte dhuratën.” Omer ibën Abdul-Azizi, All-llahu e mëshiroftë, tha: “Për të dërguarin e All-llahut ato ishin dhurata, ndërsa për neve sot janë ryshfet.”
– Nëse është nëpunës.
E sikur të mos ishte nëpunës, nuk do t’i vinin dhuratat.
I dërguari i All-llahut e punësoi një njeri që të shkojë e të mbledhë zeqatin. I punësuari kur u kthye dhe dorëzoi zeqatin e mbledhur, tha: “O i dërguari i All-llahut! Ky është zeqati të cilin e kam mbledhur, ndërsa kjo është dhuratë që ma falën mua.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Pse pra nuk ndenje në shtëpi të babës dhe te nënës, derisa të të vinte dhurata, nëse je i sinqertë?!” Pastaj, i dërguari i All-llahut në mbrëmje pas namazit, u mbajti një fjalim myslimanëve, dhe pasi falënderoi e lavdëroi All-llahun, tha: “Unë e punësoj dikë prej jush në ndonjë punë me të cilin më ka ngarkuar All-llahu dhe ai vjen dhe thotë: Kjo është e juaja ndërsa kjo është dhuratë që ma falën mua! Pse ky njeri nuk qëndroi në shtëpi të babës e nënës derisa t’i dhurohet dhurata? Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, nuk ka asnjë njeri nga ju që merr ndonjë gjë pa të drejtë e që në ditën e kiametit të mos vijë duke e bartur atë në qafë. Nëse ajo që ka marrë është deve, do të vijë me të, e deveja do të pëllasë. Nëse ajo që ka marrë është lopë, do të vijë me të, e lopa do të pëllasë. E nëse ajo që ka marrë është dele, do të vijë me të, e deveja do të blegërijë. Unë e çova në vend urdhrin e All-llahut!”[22]
– Nëse është prej ndonjë mosbesimtari, të prishuri, gënjeshtari etj, dhe me këtë synon krenimin në llogarinë tënde. Prandaj këtë dhuratë mos e prano.
Në përgjithësi, dhurata është gjë e bukur. I forcon lidhjet, e shton dashurinë, dhe siç thuhet: Dhurata e asgjëson urrejtjen dhe mllefin e zemrës. Prandaj, pranoje dhuratën, falëndero dhuruesin dhe përmbaju rregullave të saj. Kështu do të gjesh fitimin dhe shpëtimin
[1] Hasen: shënojnë Bejhekiu (6/169), Buhariu në Edebul-Mufred (594) dhe Ebu Ja’la (11/9). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3004) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[2] Sahih: shënon Buhariu (2650).
[3] Sahih: shënon Buhariu (1623).
[4] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 563-564. Autor: Pr. Muhammed Buhajri.
[5] Mejmune bintu Harith: njëra nga bashkëshortet e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. (shën. përkth).
[6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2592) dhe Muslimi (999).
[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2566) dhe Muslimi (30).
[8] D.m.th. pjesa prej te gjuri e deri te thundra e këmbës së kafshës, ku pjesa më e madhe është vetëm kocka, pa mish. (shën. përkth.)
[9] Sahih: shënon Buhariu (2568).
[10] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4813) dhe Tirmidhiu (2034). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (617) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[11] Kaptina En-Nisa’, ajeti 86.
[12] Sahih: shënon Buhariu (2585).
[13] Termi ‘ehlus-suffeh’ i referohet shoqëruesve të varfër (të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) të cilët uleshin brenda xhamisë së tij duke pritur lëmoshë dhe duke pritur Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem që të dalë dhe ata të shoqëroheshin me të e të mësonin hadithin prej tij. (shën. përkth.)
[14] Sahih: shënon Buhariu (5375).
[15] Sahih: shënon Tirmidhiu (2035). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6368) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[16] Sahih: shënon Ahmedi (1/404). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (158) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[17] Shkëputur nga libri Reudatul-Ukala’, fq. 242.
[18] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1825) dhe Muslimi (1193).
[19] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1500) dhe Muslimi (1832).
[20] Kaptina El-Bekare, ajeti 264.
[21] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (3540) dhe Ahmedi (2/175). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2282) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[22] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6636) dhe Muslimi (1832).
www.thirrjaislame.com