Vëllezër të dashur,
Pasi jemi duke folur për edukatën e myslimanit ndaj Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, duhet përmendur se ne nuk mund ta përkufizojmë vlerën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, edhe po të dëshironim, nuk do të mundnim t’ia jipnim hakun vlerës së tij.
Mjafton të përmendim fjalën e All-llahut të Madhërishëm, i Cili i drejtohet Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me këto fjalë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”[1]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem veçohej me elokuencë dhe gojëtari të lartë.
Urtësia, falja kur ekziston mundësia për hakmarrje, durimi gjatë sprovave etj, kanë qenë cilësi me të cilat All-llahu e ka edukuar atë. Çdo të urti i ka ndodhur ndonjë gabim a lëshim, por sa më shumë që është sprovuar, atij aq më shumë i është shtuar durimi, dhe sa më shumë që ndonjë injorant e ka shprehur injorancën e tij, atij aq më shumë i është shtuar urtësia dhe butësia.
Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “Çdoherë kur i dërguari i All-llahut ka pasur mundësi të zgjedhë mes dy gjërave, ai e ka zgjedhur më të lehtën përderisa nuk ka qenë mëkat. E nëse ka qenë mëkat, ai ka qenë njeriu më i largët prej saj. I dërguari i All-llahut asnjëherë nuk është hakmarrë ndaj dikujt kur bëhej fjalë për veten e tij, përveç nëse është shkelur ndonjë dispozitë e All-llahut, atëherë është hakmarrë për hirin e All-llahut.”[2]
Bamirësia dhe fisnikëria e tij nuk mund të përkufizohen.
Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë njeriu më zemërgjerë, e sidomos gjatë muajit të Ramazanit, ku për çdo natë të muajit të Ramazanit takohej me Xhibrilin alejhis-selam i cili ia mësonte atij kur’anin. Vërtet i dërguari i All-llahut ka qenë më i dobishëm me mirësi sesa era me dobinë e saj gjithëpërfshirëse.”[3]
Ai ka qenë njeriu më trim. Ka marrë pjesë në betejat më të rënda. Shpeshherë ka ndodhur që komandantët më të shkathët të ikin prej tij gjatë luftës, ndërsa ai qëndronte i palëkundur.
Ishte njeriu më i turpshëm. Nga Ebu Seid el-Hudriu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka qenë më i turpshëm sesa beqarja në gjerdekun e saj.[4] E kur ai shihte ndonjë gjë që nuk e donte, ne e vërenim këtë nga fytyra e tij.”[5]
Ai nuk i nguliste sytë në fytyrën e askujt por i mbante sytë teposhtë. Po ashtu nuk i fliste askujt ndonjë fjalë të cilën e urrente dhe kjo ishte nga fisnikëria dhe turpi që kishte. Po ashtu kur dëgjonte diçka të keqe për dikë, nuk e emërtonte atë njeri me emër, por thoshte: “Ç’është puna me disa njerëz që bëjnë kështu e kështu…?”[6]
Ishte njeriu më i drejtë, më i çiltër, më fjalëdrejtë, më besnik. Këto gjëra i kanë pohuar madje edhe armiqtë e tij. Edhe para pejgamberllëkut ai ishte njohur me nofkën “i sinqerti, besniku”, si dhe ishte i njohur me atë se njerëzit vinin për t’u gjykuar tek ai për shkak të drejtësisë së tij.
Ka qenë njeriu më modest, njeriu më larg mendjemadhësisë, i ndalonte të tjerët të ngriten në këmbë për të sikur që ngriten për mbretërit, i vizitonte të varfërit, shoqërohej me ta, i përgjigjej thirrjes së robit, në mesin e shokëve të tij ulej sikur uleshin ata. Aisheja radijAll-llahu anha tregon: “Ai i ndreqte këpucët e tij, i qepte teshat e tij dhe punonte në shtëpi sikur ju që punoni në shtëpitë tuaja.”[7] Ai sillej sikur njerëzit e tjerë, i pastronte rrobat e tij, i milte delet dhe kujdesej për veten.”[8]
Ka qenë njeriu që më së shumti e ka mbajtur premtimin, më së shumti i ka mbajtur lidhjet farefisnore, njeriu me dhembshurinë, butësinë dhe mëshirën më të madhe ndaj njerëzve të tjerë, më i miri dhe më i edukuari në raportet ndërnjerëzore, njeriu me moralin më të mirë, njeriu më i larguar nga morali i keq. Ai nuk ishte i vrazhdë dhe zemërashpër, nuk ishte zëmadh (i zhurmshëm) nëpër tregje, të keqen nuk e kthente me të keqe, por falte dhe ishte tolerant.[9] Ai nuk linte askënd të ecte mbrapa tij, nuk dallohej nga shërbëtorët e tij në ushqim apo veshje. E shërbente njeriun që i shërbente atij, dhe kurrë nuk i ka thënë shërbëtorit të tij as fjalën “of”, si dhe nuk e ka qortuar për ndonjë gjë që e ka bërë apo nuk e ka bërë.[10] I donte të varfërit, shoqërohej me ta, merrte pjesë në varrimin e tyre dhe nuk e nënçmonte asnjë të varfër për shkak të varfërisë së tij.
Me një fjalë, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë i pajisur me cilësitë e plota që nuk ka mundësi askush t’i ketë. Zoti i tij e ka edukuar në mënyrën më të mirë, madje i është drejtuar me lëvdatë duke i thënë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”[11] Këto cilësi kanë qenë shkak që njerëzit i janë afruar, e kanë dashur me zemër, me këto cilësi ai ka qenë si një magnet tërheqës për njerëzit, dhe këto cilësi kanë ndikuar që edhe zemrat më të egra të popullit të tij të zbuten, saqë kanë hyrë turma-turma në fenë e All-llahut.[12]
Mjafton lëvdatë për të fjala e All-llahut të Madhërishëm: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”[13]
[1] Kaptina El-Kalem, ajeti 4.
[2] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3560) dhe Muslimi (2327).
[3] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6) dhe Muslimi (2308).
[4] Bëhet fjalë për beqaren kur në natën e parë të martesës vetmohet me njeriun (burrin e saj) që nuk e ka njohur kurrë më parë. (shën. përkth.)
[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6102) dhe Muslimi (2320).
[6] Këto cilësi të lavdëruara janë përmendur në disa hadithe, si p.sh. te Buhariu (750), Muslimi (2401), Ebu Davudi (3930) dhe Ibën Maxhe (2017).
[7] Sahih: shënojnë Ahmedi në librin e tij (6/106), Abd ibën Humejdi në librin e tij El-Muntehab (1482), Ebu Shejh (fq. 21), Ebu Ja’la (8/4653). Ibën Hibbani (12/5676, 5677) e ka klasifikuar si hadith sahih. Po ashtu edhe shejh Albani në librin e tij Sahih el-Edebil-Mufred (419) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[8] Sahih: shënojnë Ahmedi (6/256), Tirmidhiu në Esh-Shemailul-Muhammedijje (342), Buhariu në Edebul-Mufred (541), Begaviu në Sherhus-Sunneh (3676). Ibën Hibbani (12/5675) e ka klasifikuar si hadith sahih. Po ashtu edhe shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2/671) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[9] Sahih: shënojnë Tirmidhiu në Sunenin e tij (2017) dhe në Esh-Shemailul-Muhammedijje (330), Ahmedi (6/174) nga Aisheja radijAll-llahu anha. Tirmidhiu thotë: “Ky është hadith hasen sahih”. Ngjashëm me këtë e shënon edhe Buhariu (2125) dhe Ahmedi (2/174) nga Abdullah ibën Amri radijAll-llahu anhuma.
[10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2768), Muslimi (2309), Ahmedi (3/101) dhe të tjerë, nga Enesi radijAll-llahu anhu.
[11] Kaptina El-Kalem, ajeti 4.
[12] Shkëputur nga libri Er-Rehikul-Mehtum, fq. 532-537, me pak ndërhyrje. Autor: Safijurr-Rrahman el-Mubarekfuri.
[13] Kaptina El-Kalem, ajeti 4.