EDUKATA NDAJ PRINDËRVE

Vëllezër të dashur,

A ekziston ndonjë njeri që mund të mohojë bamirësinë e prindërve ndaj tij?

Njeriu sado që të përpiqet e të punojë për të nderuar prindërit e tij, asnjëherë nuk mund t’ua japë hakun që e meritojnë. Kjo, ngase ata, pas All-llahut të Madhërishëm, janë bamirësit më të mëdhenj ndaj tij… Në vazhdim, ejani me ne që të njihemi me vlerat e bamirësisë ndaj prindërve.

 

VLERAT E BAMIRËSISË NDAJ PRINDËRVE

 

Njeriu ëshë armik i gjërave që nuk i di. Prandaj, kur ai arrin të kuptojë vlerat e bamirësisë ndaj prindërve, pashmangshmërisht do të nxitojë të kapë bamirësinë ndaj prindërve, sepse kjo është rrugë për të fituar dashurinë e All-llahut.

Ja ku e ke një buqetë me vlerat e bamirësisë ndaj prindërve:

 

        1.Me anë të bamirësisë ndaj prindërve All-llahu t’i largon brengat

 

Bamirësinë ndaj prindërve All-llahu e ka bërë faktor për largimin e brengave dhe vështirësive. Prandaj imam Buhariu në Sahihun e tij ka bërë një kapitull të veçantë të cilin e ka emërtuar: Kapitulli mbi përgjigjen ndaj duasë së atij që u bëri mirë prindërve.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njëherë moti derisa tre veta ishin duke ecur, i zuri shiu dhe ata u gjetën para një shpelle, në të cilën hynë dhe bujtën. Një shkëmb u rrokullis nga kodra dhe plotësisht e mbylli hyrjen e shpellës. Ata thanë: Mendoni për ndonjë vepër të mirë që keni bërë për hirin e All-llahut dhe luteni All-llahun me to, ndoshta All-llahu na e hap daljen. Njëri prej tyre tha: O Zoti im, unë i kam pasur prindërit pleq të thinjur. Po ashtu kam pasur edhe fëmijë të vegjël. Kur shkoja tek ata dhe me vete kisha qumësht, asnjëherë para tyre nuk u kam dhënë të hanë e as të pijnë fëmijëve të mi. Një ditë u dalldisa pas kërkimit të kullosës më të mirë për kopenë time, e nuk iu erdha me kohë dhe ata kishin fjetur. Unë e mola qumështin në enë siç bëja çdo ditë dhe u afrova te kokat e tyre, por më erdhi keq t’i trazoj. Nga ana tjetër nuk dëshiroja të filloj me fëmijët para se të pinë prindërit e mi, ndërsa fëmijët e mi po qëndronin te këmbët e mia duke klithur nga uria. Kështu kam pritur me enë në dorë duke pritur kur do të zgjohen, e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për hirin Tënd, atëherë na e largo neve këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpelle saqë të mund të shohim qiellin! All-llahu ua lëvizi pakëz shkëmbin derisa u duk qielli…”[1]

 

  1. Fitimi i duasë së prindërve sjell suksesin në dynja dhe shpëtimin në ahiret

 

“Kënaqësia e Zotit është në kënaqësinë e prindërve.”

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Tre dua nuk refuzohen (nga All-llahu): Duaja e prindit për fëmijën e tij…”[2]

Kështu, ai që e fiton duanë e prindërve, e ka fituar dynjanë dhe ahiretin, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kënaqësia e Zotit është në kënaqësinë e prindërve, dhe hidhërimi i Zotit është në hidhërimin e tyre…”[3] Kush e fiton kënaqësinë e All-llahut, ai është fitimtar, ndërsa kush e tërheq zemërimin e All-llahut, ai është humbës.

 

  1. Bamirësia ndaj prindërve është faktor për shtimin e rizkut dhe zgjatjen e jetës

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush dëshiron t’i shtohet rizku dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”[4] Ndërsa në një transmetim të Bejhekiut qëndron: “Le të sillet mirë me prindërit dhe le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”

Bamirësia ndaj prindërve realisht është falënderim dhe mirënjohje ndaj All-llahut të Madhërishëm, I Cili thotë: Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj.”[5] Prandaj, kush është bamirës ndaj prindërve ai praktikisht është falënderues ndaj tyre, e kush është falënderues ndaj tyre, ai praktikisht është falënderues ndaj All-llahut, e kush është falënderues ndaj All-llahut, ai praktikisht është njeri që e meriton shtimin… All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat.”[6] Robit nuk do t’i ndalet shtimi derisa ai ta ndalë falënderimin ndaj All-llahut dhe prindërve të tij.

 

  1. Bamirësia ndaj prindërve është pastrim nga mëkatet e mëdha

 

Mekhuli ka thënë: “Bamirësia ndaj prindërve është pastrim nga mëkatet e mëdha. Njeriu ka mundësinë për të qenë bamirës përderisa në familjen e tij ka dikë më të moshuar se vetja.”[7]

Nga Ata’ ibën Jesari na përcillet se një njeri kishte ardhur tek Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma dhe i kishte thënë: “Unë e kërkova dorën e një gruaje, ndërsa ajo refuzoi të martohet me mua. Pastaj një njeri tjetër e kërkoi dorën e saj, e ajo pranoi të martohet me të. Unë xhelozova dhe e mbyta gruan. A ka pendim për mua? Ibën Abbasi e pyeti: A e ke nënën në jetë? Jo – u përgjigj njeriu. – Atëherë pendohu tek All-llahu i Madhërishëm dhe afroju Atij sa të mundesh – tha Ibën Abbasi. Unë shkova dhe e pyeta Ibën Abbasin radijAll-llahu anhuma: Përse e pyete se a ka nënën akoma në jetë? Ai tha: Unë nuk di ndonjë vepër që të afron më shumë tek All-llahu sesa bamirësia ndaj nënës.”[8]

 

  1. Bamirësia ndaj prindërve e ka vlerën e haxhit, umres dhe xhihadit në rrugën e All-llahut

 

Një njeri erdhi tek i dërguari i All-llahut dhe i tha: “Ta jap besën për hixhret, xhihad, dhe e kërkoj shpërblimin e All-llahut të Madhërishëm.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “A e ke ndonjërin prej prindërve gjallë?” Po, madje që të dy i kam gjallë – tha njeriu. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Edhe e kërkon shpërblimin nga All-llahu?” Po – tha njeriu. Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Kthehu te prindërit e tu dhe bëhu bamirës ndaj tyre.”[9] Imam Neveviu thotë: “Në këtë hadith ka argument për madhërinë e vlerës së bamirësisë ndaj prindërve dhe se kjo është më e vlefshme se xhihadi.”

 

  1. Bamirësia ndaj prindërve është faktor që ndikon në përfundimin e mirë (të jetës)

 

Po vëllezër, bamirësia ndaj prindërve është një prej ibadeteve ndaj All-llahut të Madhërishëm, I Cili e ka bërë ligj që kush jeton duke praktikuar një gjë, do të vdesë me të, e kush vdes me diçka, do të ringjallet me të… Kësisoj, kush jeton me bamirësi ndaj prindërve, vdes me atë adhurim ndaj All-llahut të Madhërishëm. Njëherë një i ri i cili e kishte çuar jetën në bamirësi ndaj prindërve, kur i erdhi agonia e vdekjes, njerëzit filluan t’ia përkujtojnë shehadetin, ndërsa ai u thoshte: “Thuani La Ilahe Il-lAll-llah.”

 

  1. Bamirësia ndaj prindërve ndikon në fitimin e mëshirës dhe faljes së All-llahut

 

Nëse All-llahu ia ka falur mëkatet një gruaje lavire për shkak se e kishte ngopur një qen me ujë, a thua si është puna me atë që është bamirës ndaj prindërve të tij, u ofron ushqim e ujë, sillet mirë me ta dhe i mëshiron. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Të mëshirshmit janë ata që All-llahu i Madhërishëm i mëshiron; mëshirojini ata që janë në tokë, ju mëshiron Ai që është në qiell.”[10]

 

  1. Bamirësia ndaj prindërve është faktor që ndikon në pranimin e veprave (nga All-llahu) dhe shlyerjen e mëkateve

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi, e bartja e tij dhe gjidhënia e tij zgjat tridhjetë muaj (e ai vazhdon të jetojë) derisa ta arrijë pjekurinë e vet dhe kur t’i mbush dyzet vjet ai thotë: Zoti im, më inspiro mua që të falënderoj për të mirën Tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mi, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti dhe m’i bën të mirë pasardhësit e mij, unë pendohem te Ti dhe unë jam me muslimanët. Të tillët janë ata që Ne ua pranojmë në mënyrën më të mirë atë që punuan, ua kapërcejmë të këqijat e tyre duke i radhitur me banuesit e xhennetit. (Ky është) Premtim i vërtetë që u është premtuar.[11]

 

  1. Bamirësia është faktor për hyrje në xhennet

 

Tajsele ibën Mejasi thotë: “Njëherë isha bashkë me njerëzit e fisit Nexhde dhe bëra disa mëkate të cilat unë i konsideroja prej mëkateve të mëdha. Këtë gjë ia përmenda Ibën Omerit, ndërsa ai më pyeti: Për cilat mëkate e ke fjalën? Unë i tregova mëkatet, ndërsa ai më tha: Nuk janë këto prej mëkateve të mëdha. Pastaj vazhdoi të flasë derisa tha: Më ka thënë Ibën Omeri: A ia ke frikën zjarrit? Dhe a dëshiron të hysh në xhennet? I thashë: Po, vallahi! Ai më pyeti: A i ke prindërit gjallë? I thashë: Nënën e kam të gjallë. Atëherë ai më tha: Vallahi nëse asaj i drejtohesh me fjalë të buta dhe e ushqen, do të hysh në xhennet nëse iu largohesh mëkateve të mëdha.”[12]

 

Së këtejmi, duhet ditur si cilat janë sjelljet që duhet t’i përvetësojmë në raportin tonë me prindërit.

 

  1. Nijeti i sinqertë

 

Kjo do të thotë që të jemi të sinqertë në bamirësinë që ua bëjmë atyre, pra të mos e bëjmë bamirësinë tonë si kompensim të asaj që ata e kanë bërë për neve, por ta bëjmë si përgjigje ndaj urdhrit të All-llahut të Madhërishëm, me shpresë se do të fitojmë shpërblimet e Tij.

  1. Dashuria ndaj tyre

Kjo arrihet duke e mbushur zemrën me dashuri ndaj tyre dhe duke u dhënë përparësi ndaj vetes në çdo gjë, duke e pasur parasysh se ata kanë dhënë shumë mund për ne dhe e meritojnë çdo dashuri e respekt.

  1. Respekti ndaj tyre duke mos i bërë mëkat All-llahut

 

Respekti ndaj prindërve është obligim për çdo mysliman. All-llahu i Madhërishëm thotë: Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjinin. (E porositëm) Të jeshë mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu.”[13]

E nëse ata të urdhërojnë për mëkat, atëherë nuk duhet respektuar ata. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka respekt (ndaj dikujt) duke i bërë mëkat All-llahut. Respekti bëhet në gjëra të mira.”[14]

 

       4.Të qenit modest me ta

 

Kjo do të thotë që ndaj tyre të sillesh me plot edukatë e modesti… Pra, mos ua ngrit zërin atyre, mos hyr apo mos dil para tyre kur të jesh bashkë me ta, mos ec para tyre përveç me qëllim që t’ua heqësh pengesat nga rruga, mos ha apo mos pi para tyre, dëgjoi fjalët e tyre dhe hesht kur ata flasin. Të gjitha këto bëji me edukatë dhe modestinë më të lartë.

 

  1. Bamirësia ndaj tyre

 

Kjo do të thotë që t’ua ofrosh atyre çdo të mirë dhe të përpiqesh t’i bësh të kënaqur pa mos bërë ndonjë mëkat, si dhe të largohesh nga çdo gjë që i shqetëson ata, qoftë kjo edhe ndonjë gjë e vogël.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet.”[15]

Po ashtu thotë: “Adhurojeni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve.”[16]

Ndërsa kjo bamirësi është akoma më e përforcuar kur ata moshohen dhe dobësohen.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, po thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese). Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse u kujdesën për mua kur isha i vogël.”[17]

Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “U poshtëroftë, pastaj u poshtëroftë, pastaj u poshtëroftë!” I thanë: “Kush, O i dërguari i All-llahut?” Tha: “Kush i arrin prindërit të gjallë ose njërin prej tyre në pleqëri (dobësi) dhe nuk hyn në xhennet!”[18]

 

  1. T’i gëzojë ata

 

I biri apo e bija duhet kujdesur maksimalisht që t’i gëzojnë prindërit e tyre. Kjo arrihet duke qenë i zellshëm dhe i përpiktë në mësime, duke i informuar për çdo gjë që ata i bën të gëzohen si dhe duke qenë gjithnjë i butë dhe i mëshirshëm ndaj tyre, sepse këto gjëra e gëzojnë zemrën e prindit.

 

  1. T’i ushqejë me dorën e tij dhe mos të hajë para se të hanë ata

 

Prindërve duhet ofruar ushqimet më të mira si dhe duhet dhënë përparësi para vetes sonë. Po ashtu duhet kujdesur që kohë pas kohe t’i ushqejmë me dorën tonë ngase kjo na bën të ndiejmë kulmin e lumturisë. Në këtë kontekst e kemi rastin e Zejnul-Abidin ibën Husejnit radijAll-llahu anhuma i cili ishte bamirës i madh ndaj nënës së tij, saqë njëherë dikush i tha: “Ti je prej njerëzve më bamirës ndaj nënës tënde, por nuk të kemi parë ndonjëherë të hash bashkë me të nga e njëjta pjatë?! Ai tha: Kam frikë që dora ime të mos marrë para dorës së saj diçka që syri i saj e ka pëlqyer, dhe kështu të bëhem mosmirënjohës ndaj saj.”[19]

 

  1. Përshëndetja e tyre me selam gjatë hyrjes dhe daljes

 

Ndërsa mënyra ideale do të kishte qenë që kjo të shoqërohet edhe me puthjen e dorës së tyre.

Mervan ibën Hakemi e kishte emëruar Ebu Hurejrën radijAll-llahu anhu si zëvendës të tij, kështu që ai jetonte në Dhul-Hulejfe, ndërsa nëna e tij jetonte në shtëpi tjetër. Kur Ebu Hurejra dëshironte të dalë, kalonte pranë derës së saj dhe i thoshte: “Esselamu alejki ve rahmetullahi ve berekatuhu, oj nëna ime.” Ajo ia kthente: “Ve alejkes-selam ve ve rahmetullahi ve berekatuhu, o biri im.” Ebu Hurejra vazhdonte: “All-llahu të mëshirioftë, ashtu si ti u kujdese për mua kur unë isha i vogël.” E ajo i thoshte: “Edhe ty All-llahu të mëshiroftë, ashtu si je bamirës ndaj meje duke qenë i rritur…” Pastaj kur dëshironte të hynte, vepronte njëlloj.[20]

 

  1. Të mos e ngritë zërin në praninë e tyre

 

Selefët, të parët tanë, All-llahu qoftë i kënaqur me ta, nuk e ngritnin zërin në praninë e prindërve të tyre. Muhammed ibën Sirini, All-llahu e mëshiroftë, i drejtohej nënës në atë mënyrë sikur i drejtohet ndonjë udhëheqësi, i cili nuk ka mëshirë ndaj tij.

Nga njëri prej familjarëve të Muhammed ibën Sirinit na përcillet se ka thënë: “Çdoherë kur Muhammed ibën Sirini i drejtohej nënës së tij, i drejtohej me përgjërim.”

Një herë një njeri hyri te Muhammed ibën Sirini, ndërsa ky i fundit ishte duke biseduar me nënën e tij. Njeriu e pyeti Ibën Aunin: “Ç’është puna me Muhammedin, a mos ankohet nga ndonjë gjë? Jo – tha ai, por kur flet me nënën, gjendja e tij është e tillë.”[21]

Madje sjellja e mirë e njërit prej selefëve kishte arritur në atë shkallë saqë derisa ishte me babain apo nënën e tij, nuk kërkonte shpjegime prej tyre për fjalët që i thoshin atij.

Aisheja radijAll-llahu anha thotë: “Dy njerëz nga sahabët e të dërguarit të All-llahut kanë qenë njerëzit më bamirës ndaj nënave të tyre që ka pasur ky ummet: Othman ibën Affani dhe Harithe ibën Nu’mani, radijAll-llahu anhum. Sa i përket Othmanit, ai ka thënë: Që kur e pranova islamin, nuk kam mundur më ta shikoj fytyrën e nënës sime.[22] Ndërsa Harithe ibën Nu’mani e ushqente nënën me dorën e tij, dhe asnjëherë nuk ka kërkuar prej saj shpjegime kur ajo e urdhëronte, saqë pasi dilte e pyeste dikë që kishte qenë i pranishëm: Ç’farë tha nëna ime?”[23]

Ndërsa prej bamirësisë së Abdullah ibën Aunit, All-llahu e mëshiroftë, ndaj nënës së tij ka qenë rasti kur nëna e tij një ditë e kishte thirrur, ndërsa ky ia kishte ngritur zërin asaj. Por ç’kishte bërë si ndëshkim të vetes për këtë veprim? Dy robërve ua kishte falur lirinë.[24]

 

  1. Shpenzimi i pasurisë për ta

 

Myslimani nuk duhet qenë dorështrënguar në raport me prindërit e tij, sepse realisht ata janë shkak për ekzistencën e tij dhe për të gjitha të mirat që i ka në dispozicion.

Prandaj kur një njeri erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “Babai im tenton të ma marrë pasurinë time.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Ti dhe pasuria yte janë të babait tënd.”[25]

 

  1. Sjellja e mirë me të dashurit e tyre

 

Kjo bëhet duke i respektuar të afërmit e miqtë e babait, dhe të afërmit e mikeshat e nënës. Kjo llogaritet si bamirësi ndaj prindërve.

 

  1. Mosmarrja e udhëtimit përveçse me lejen e tyre

 

Kjo vlen edhe nëse ky udhëtim është për xhihad në rrugën e All-llahut të Madhërishëm.

Një njeri erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “O i dërguari i All-llahut, më lejo të marr pjesë në xhihad?” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “A i ke prindërit gjallë?” Po – tha njeriu. Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Kthehu dhe bëje xhihadin tek ata.”[26] Në një rast tjetër, një njeri erdhi dhe i tha: “Erdha të besatohem me ty për hixhret, ndërsa prindërit e mi i lashë duke qarë.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha atij: “Kthehu tek ata dhe bëji të qeshen ashtu siç i bëre të qajnë.”[27] Po ashtu, njëherë një njeri nga Jemeni kishte ardhur si muhaxhir te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndërsa ai i tha: “A ke dikë në Jemen?” Prindërit. – tha njeriu. “A të kanë dhënë leje për hixhret?” Jo – tha njeriu. Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Kthehu dhe kërko leje prej tyre. Nëse të japin leje, bëj xhihad. E nëse jo, atëherë sillu mirë me ta.”[28] Në një rast tjetër, një njeri erdhi tek i dërguari i All-llahut dhe i tha: “Ta jap besën për hixhret, xhihad, dhe e kërkoj shpërblimin e All-llahut të Madhërishëm.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “A e ke ndonjërin prej prindërve gjallë?” “Po, madje që të dy i kam gjallë” – tha njeriu. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Edhe e kërkon shpërblimin nga All-llahu?” Po – tha njeriu. Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Kthehu te prindërit e tu dhe sillu mirë me ta.”[29]

 

  1. Çuarja e betimit të tyre në vend

 

Nëse prindërit i betohen të birit të tyre për veprimin e ndonjë gjëje të caktuar, ai e ka për detyrë ta bëjë atë gjë dhe nuk duhet refuzuar asnjëherë, përveç nëse ajo gjë është mëkat ndaj All-llahut të Madhërishëm, ngase nuk i bëhet respekt krijesës derisa i bëhet mëkat Krijuesit.

 

  1. Mos-shkaktimi i hidhërimit të tyre

 

Kjo do të thotë që fëmija të bëjë diçka që i hidhëron prindërit. Nëse fëmija i hidhëron prindërit apo njërin prej tyre, dhe prindërit luten kundër tij, duhet ditur se duaja e prindërve për fëmijën e tyre është e pranuar.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Tri dua janë të pranuara (nga All-llahu), pa dyshim: Duaja e të dëmtuarit, duaja e udhëtarit dhe duaja e prindërve për fëmijën e tyre.”[30]

 

  1. Mosdrejtimi ndaj prindërve me emrat e tyre

 

Mos thuaj ‘Oj Fatime’ apo ‘Oj Hatixhe’… nëse ky është emri i nënës tënde, por duhet të thuash: ‘Oj nënë’, ndërsa babait: ‘O baba’.

Nga Ebu Hurejra na përcillet se kishte parë dy njerëz, dhe e kishte pyetur njërin prej tyre: “Ç’farë e ke këtë? Ai tha: “Baba.” Ebu Hurejra i tha: “Mos e thirr në emër, mos ec para tij dhe mos u ul para tij.”

 

  1. Largimi nga gjërat që çojnë në mosrespektim ndaj tyre

 

Prej tyre po përmendim: hidhërimi me ta, thënia e fjalës ‘of’ pas fjalës apo veprimit të tyre, bezdia prej tyre, përçmimi  i tyre, mendjemadhësia ndaj tyre, turpi nga shfaqja e përkatësisë tënde prej tyre për shkak të varfërisë së tyre, pasi të arrish autoritet, pozitë etj.

Nga Ebu Dherri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: Çdokush që pretendon se është i biri i dikujt, duke e ditur që nuk është i tij, ka bërë kufër.”[31]

Ndërsa në një transmetim tjetër nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos hiqni dorë nga prindërit tuaj, se heqja dorë nga babai është kufër.”[32] Ndërsa All-llahu i Madhërishëm thotë: Mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre.”[33]

  1. Mosfyerja e tyre dhe mos-shkaktimi i fyerjes së tyre

Kjo është prej mëkateve të mëdha, që shkakton hidhërimin dhe ndëshkimin e robit nga All-llahu i Madhërishëm.

I dërguari i All-llahut ka thënë: “Prej mëkateve më të mëdha është njeriu t’i mallkojë prindërit e vet.” Dikush pyeti: “E si i mallkon njeriu prindërit e vet, o i dërguari i All-llahut?” Ai tha: “Njeriu e fyen babanë e tjetrit, dhe tjetri po ashtu ia fyen babanë. Ose njeriu e fyen nënën e tjetrit, dhe tjetri po ashtu ia fyen nënën.”[34]

 

  1. Të kujdesemi për të drejtat e tyre që u takojnë pas vdekjes së tyre

 

Kjo arrihet duke u kujdesur për rregullat në vijim:

 

Rregulla e parë: Duaja për ta

 

Pas vdekjes së tyre, prej bamirësisë sonë është që të bëjmë dua për ta. Kështu, pas vdekjes së tyre fëmija bën dua për ta më shumë sesa ka bërë dua për ta kur kanë qenë në jetë, ngase duaja e fëmijës ua shton atyre të mirat pas vdekjes. Këtë e bazojmë në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cili thotë: “Kur njeriu vdes, i ndërpriten veprat e tij, përveç tri gjërave: sadekasë së rrjedhshme, diturisë prej së cilës përfitohet dhe pasardhësit të devotshëm i cili bën dua për të.”[35]

 

Rregulla e dytë: Istigfari (kërkimi i faljes) për ta

 

Prindërit janë njerëzit më meritorë për të cilët fëmija mund të kërkojë istigfar duke e pasur parasysh bamirësinë e madhe të tyre ndaj fëmijës. All-llahu i Madhërishëm i përmend fjalët e Ibrahimit alejhis-selam, i cili tha: Zoti ynë! Më fal (gabimet) mua edhe prindërve të mi.”[36]

 

Rregulla e tretë: Zbatimi i porosive të tyre

 

Kjo arrihet duke i zbatuar porositë e tyre, duke vazhduar punët e bamirësisë dhe të hairit të cilat i bënin kur ishin të gjallë, ngase nëse fëmija vazhon t’i bëjë punët e mira që prindërit i kishin bërë dikur, shpërblimi u shkon atyre edhe pas vdekjes.

 

Rregulla e katërt: Respektimi i miqve/mikeshave të tyre

 

Kjo gjë llogaritet si bamirësi ndaj prindërve, siç e përmendëm më parë.

Njëherë Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma e takoi një beduin rrugës për Mekë, e përshëndeti me selam, e hipi në gomarin e tij dhe nga koka hoqi kapuçin dhe ia dha atij. Ibën Dinari thotë: “Ne i thamë atij: All-llahu të përmirësoftë, ata janë beduinë dhe kënaqen me pak.” Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma tha: “Babai i këtij ka qenë mik i Omer ibën Hattabit. Unë e kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: “Vërtet bamirësia më e mirë është që fëmija t’i respektojë të afërmit e mikut të babait të tij pas vdekjes së babait.”[37]

 

Rregulla e pestë: Mbajtja e lidhjeve farefisnore që nuk bëhet përveç përmes tyre

 

Kjo do të thotë që fëmija duhet mbajtur lidhjet me njerëzit e afërm të prindërve të tyre, si xhaxhallarët, hallat, dajallarët, tezet, gjyshërit, gjyshet dhe fëmijët e tyre. E gjithë kjo llogaritet si bamirësi ndaj tyre. Argument për këtë e kemi hadithin e sipërpërmendur, si dhe hadithin: “Kush dëshiron të mbajë lidhjet me babanë e tij në varr, le t’i mbajë lidhjet me vëllezërit e tij pas vdekjes së tij.”[38]

 

Rregulla e gjashtë: Të japësh sadeka për ta pas vdekjes së tyre

 

Nga Sa’d ibën Ubade radijAll-llahu anhu na përcillet se kur i kishte vdekur nëna, i kishte thënë të dërguarit të All-llahut: “Nëna ime vdiq. A të jap sadeka për të?” Ai tha: “Po.” Sa’di pyeti: “Cila sadeka është më e vlefshme?” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u përgjigj: “Shpërndarja e ujit për pije.” Sa’di hapi një pus dhe tha: “Ky është pusi i familjes së Sa’dit në Medinë.”[39]

Ndërsa nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se një njeri i tha të dërguarit të All-llahut: “O i dërguari i All-llahut, nëna ime ndërroi jetë befasisht. Mendoj se sikur të kishte mundësi të fliste, do të jipte sadeka. A kam unë shpërblim nëse jap sadeka për të?” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Po.”[40]

 

Rregulla e shtatë: Vizitimi i varreve të tyre

 

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kishte vizituar varrin e nënës së tij, me ç’rast kishte qarë vetë dhe i kishte bërë të tjerët të qajnë, e pastaj kishte thënë: “Kërkova nga Zoti im leje që ta vizitoj varrin e nënës sime, e Ai më dha leje, ndërsa kur i kërkova leje që të lutem për të për t’iu falur mëkatet, nuk më dha leje.”[41]

 

[1] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2215) dhe Muslimi (2743).

[2] Hasen: shënojnë Bejhekiu (3/345) dhe Dijai (2057). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3032) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Kebir nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3507) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2067) dhe Muslimi (2557).

[5] Kaptina Lukman, ajeti 14.

[6] Kaptina Ibrahim, ajeti 7.

[7] Shënon Begaviu në Sherhus-Sunneh (13/13).

[8] Sahih: shënon Buhariu në Edebul-Mufred (4). Shejh Albani në librin Tehrixh el-Edebil Mufred e ka klasifikuar si hadith sahih.

[9] Sahih: shënon Muslimi (2549).

[10] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4941) dhe Tirmidhiu (1924). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (925) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[11] Kaptina El-Ehkaf, ajetet 15-16.

[12] Sahih: shënon Buhariu në Edebul-Mufred (8). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Edebil-Mufred (6) ka thënë se është sahih.

[13] Kaptina Lukman, ajeti 14.

[14] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7257) dhe Muslimi (1840).

[15] Kaptina Lukman, ajeti 14.

[16] Kaptina En-Nisa’, ajeti 36.

[17] Kaptina El-Isra’, ajetet 23-24.

[18] Sahih: shënon Muslimi (2551).

[19] Shkëputur nga libri Ujunul-Ehbar (3/97). Autor: Ibën Kutejbe.

[20] Shënojnë Buhariu në Edebul-Mufred, fq. 14, nr. 12 dhe Ahmedi në Musnedin e tij.

[21] Këtë rast e ka përmendur Ibën Mubareku në librin e tij El-Birru Ves-Siletu (14). Po ashtu edhe Ibnul-Xheuziu, fq 82, nr. 91.

[22] D.m.th. nga respekti që ka pasur ndaj nënës së tij, kur i është drejtuar asaj, gjithnjë i ka varur sytë teposhtë. (shën. përkth.)

[23] Shkëputur nga libri Et-Tebsire (1/187). Autor: Ibnul-Xheuziu. Po ashtu nga libri El-Birru Ves-Siletu, fq 80, nr. 85. Autor: Ibnul-Xheuziu.

[24] Shkëputur nga libri El-Birru Ves-Siletu, fq 85, nr. 98. Autor: Ibnul-Xheuziu. . Ndërsa teksti është shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 255. Autor: Muhammed Abdul-Ati Buhajri.

[25] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3530) dhe Ahmedi (2/214). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (1487) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[26] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5972) dhe Muslimi (2549).

[27] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (2528), Nesaiu (4163), Ibën Maxhe (2783) dhe Ahmedi (2/160). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibu vet-Terhib (2481) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[28] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (2530) dhe Ahmedi (3/75). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibu vet-Terhib (2482) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[29] Sahih: shënon Muslimi (2549).

[30] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1536), Tirmidhiu (3448) dhe Ahmedi (2/517). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (3030) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[31] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3508) dhe Muslimi (61).mut

[32] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6768) dhe Muslimi (62).

[33] Kaptina El-Isra’, ajeti 23.

[34] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5973) dhe Muslimi (90).

[35] Sahih: shënon Muslimi (1631).

[36] Kaptina Ibrahim, ajeti 41.

[37] Sahih: shënon Muslimi (2552).

[38] Sahih: shënojnë Ebu Ja’la (3/1361) dhe Ibën Hibbani (2031). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1432) e ka klasifikuar si hadith sahih. Ndërsa teksti është shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (1/168-169).

[39] Shënojnë Nesaiu (6/254) dhe Ahmedi në Musnedin e tij (23735) me sened autentik (17/145).

[40] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1388) dhe Muslimi (1004).

[41] Sahih: shënon Muslimi (976).

 

www.thirrjaislame.com